E premte, 27.12.2024, 01:32 AM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Një tregim për mikun tim (XI)

E enjte, 08.09.2011, 06:58 PM


RESHAT KRIPA

 

NJË TREGIM PËR MIKUN TIM

 

NGJARJE TË JETUARA

 

AH, TË ISHA I VLONJATË

 

Jo rastësisht m’u kujtua ky varg i poetit të njohur të krahinës time, Ali Asllanit. Në këto ditë pranvere në faqet e mediave elektronike dhe të shkruara, po lakohet gjithmonë dhe më shumë, ashtu si tre vjet më parë në atë pranverë të zezë të vitit 1997, emri i qytetit tim të lindjes Vlorës. Lakohet dhe ndonjëherë përgojohet emri i këtij qyteti dhe banorët e tij. Por po t’i pyesesh ata që i përjetuan ato ditë ferri në atë qytet do të të tregojnë se punët qëndronin ndryshe.

Disa kohë më parë, kur hyra në një dyqan të Tiranës për të blerë diçka, shitësi kur mori vesh se nga isha gati nuk donte të më shërbente.

- Vlora i vuri zjarrin Shqipërisë! – më tha me gjysmë zëri.

Ndjeva një revoltë brenda vetes time, megjithse e kuptova që ai shitës ishte demokrat dhe atë shprehje e tha nga dhimbja që ndjente për gjendjen e vendit. Pa e kuptuar pyeta veten time:

- A e ka hak Vlora një emërtim të tillë?

Për një çast m’u duk se Vlorës iu mohua e kaluara dhe heronjtë e saj. Ju mohua 1912-ta dhe 1920-ta, lufta kundër pushtuesve dhe rezistenca kundër komunizmit. Iu mohua Ismail Qemali dhe Qazim Kokoshi, Osmën Haxhiu dhe Qazim Koculi, Hysni Lepenica dhe Skënder Muçua, si dhe plot burra të tjerë që tashmë kanë hyrë në analet e burrave të shquar të këtij kombi. Iu mohua gjaku i qindra të rënëve në luftën për liri, i 580 të pushkatuarve nga diktatura e kuqe. Iu mohuan sakrificat e 3250 të burgosurve politikë, mundimet e mbi 6500 familjeve të internuara, vuajtjet e një numri rekord prej rreth 40.000 të përndjekurish politikë që kanë ndjerë mbi shpatullat e tyre shtypjen gati pesëdhjetë vjeçare të diktaturës më të egër në botë. .Iu mohua 6 janari i vitit 1991 kur Vlora e tërë u mblodh në Sheshin e Flamurit me thirrjen e improvizuar aty për aty:

- Vlora jonë heroike, me Partinë Demokratike!

Iu mohua 27 nëntori 1991 kur dy djem vlonjatë Xhemal Mustafaraj dhe Fadil Ndreu  në mënyrë demonstrative grisën dhe dogjën yllin e urryer që komunizmi kishte vendosur mbi flamurin kombëtar. Iu mohua 28 nëntori i po atij viti, dita e festës kombëtare kur të përndjekurit politikë dhe populli i rrethit të Vlorës do t’i thonin ndal kryetarit socialist të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, duke mos e lejuar të ngrejë flamurin kombëtar në shtizën e tij historike. Atë flamur do ta ngrinin duart e pastra të Altin Kokoshit, bir i një familje të nderuar nacionaliste. Kjo do të ndodhte në një kohë kur parlamenti shqipëtar nuk e kishte miratuar ende heqjen e yllit nga flamuri.

Dikush mund të më thotë që mjaft u mburre me të kaluarën mbasi dielli nuk matet me hijen e mëngjesit. Ndërsa unë do t’i përgjigjesha që të mos nxitohet në gjykime. Unë do t’i tregoja se Vlora gjithmonë e ka treguar veten e saj. Se ishin djem të Vlorës punonjësit e policisë Gjergj Mehmeti dhe Besim Manoli, Valter Harizi dhe Gëzim Shabani, Lutfi Rrapaj dhe plot të tjerë që skuqën tokën mëmë me gjakun e tyre në mbrojtje të institucioneve shtetërore në vitin 1997. Se ishin familjet fisnike vlonjate që, me gjithë kushtet e terrorit, u bënë strehë për djemtë e SHIK-ut dhe policisë duke i strehuar në shtepitë e tyre për t’i shpëtuar nga masakrimi i përbindshave të droguar që vepronin në atë kohë në qytet. Se simbolin serb të tre gishtave nuk e sollën vlonjatët. Atë e sollën banditët që erdhën nga qytetet e tjera dhe që u ngritën në krah po nga banditët e Vlorës. Se në votimet e 29 qershorit, megjithë presionin e kallashnikovëve, Vlora i dha të djathtës 25% të votave, përqindje shumë e afërt me mesataren e republikës. Se në votimin e kushtetutës së kuqe  në vitin 1998, mbi 50% e qytetarëve e bojkotuan atë.

Natyrisht që në atë katrahurë që u gatua edhe vlonjatët kanë pjesën e tyre të fajit, ashtu si e kanë edhe qytete të tjera, me përjashtim ndoshta të Shkodrës, Kavajës apo ndonjë qyteti tjetër Ata u bënë pre e një indoktriminimi të paparë ndonjëherë. Por ky indoktriminim nuk filloi në vitin 1997. Për atë u investua që me rënien e monumentit të diktatorit më 20 shkurt 1991. Nuk është rastësi që qysh në atë vit në Vlorë fillojnë të lindin kërpudhat e para me helm të quajtura “ VEFA ‘’ dhe ‘’ GJALLICA ‘’, për të vazhduar në vitet e mëvonshme me të tjera të quajtura ‘’ KAMBERI ‘’, ‘’ CENAJ ‘’ dhe ‘’ SILVA ‘’. Ato nuk droguan vetëm popullin e Vlorës, por i shtrinë tentakulat e tyre në të  gjithë Shqipërinë. Ato mashtruan edhe Qeverinë Shqipëtare e cila ndonse e dinte se prej kujt ishin krijuar dhe kush i drejtonte, bëri një vesh shurdh dhe nje sy qorr duke u treguar e pa aftë për t’i ndaluar.

Shpesh lexojmë nëpër artikuj të ndryshëm se protestat në Vlorë paskan qënë paqësore, se ato u bënë për të kërkuar paratë e humbura në firmat huamarrëse dhe si pasojë e indiferencës së qeverisë së atëherëshme. Nuk dua të mbroj atë qeveri e cila duhet ta mbajë vetë përgjegjësinë e saj, por duhet të them se protestat nuk kanë qënë asnjëherë paqësore. Nëqoftëse ato do të ishin të tilla atëhere përse nuk i kërkojnë edhe sot mbas gati tre vjetësh paratë e humbura?

A mund të quhet paqësore revolta e parë më 16 janar 1997 kur nuk u lanë më gur dhe sende të tjera të forta pa u hedhur mbi muret, dyert dhe dritaret e bashkisë së qytetit? A mund të quhet paqësore djegia e bashkisë më 26 janar? Po sulmi mbi komisariatin e policisë më 10 shkurt a ishte i tillë? Pamjet e transmetuara  nga rrjeti televiziv Euronews përpara restorant Holliday tregon qartë se sa paqësor ishte. Po vrasjet dhe rrëmbimet e qytetarëve dhe bisnesmenëve a ishin paqësore? Por kulmi i egërsisë do të arrinte më 28 shkurt me masakrën para zyrave të SHIK-ut.

Cdo gjë në ato ditë në Vlorë zhvillohej nën drejtimin e përsosur të një dirigjenti të padukshëm. Dihej që më parë çdo gjë që do të ndodhte. Një zë misterioz pëshpëriste me saktësi kohën dhe vendin ku do të ndodhte aksioni. E megjithatë asgjë nuk e pengonte. Kështu ndodhi me djegien e bashkisë, plaçkitjen e depove të rezervave të shtetit, grabitjen e bankës tregëtare dhe asaj bujqësore, djegien e doganës, bibliotekës dhe deri objekteve të firmave huamarrëse.

Por çudia më e madhe ishte ajo që zor se mund të besohet. Si u hipnotizuan turmat nga demagogjia e kërbaçit? Si është e mundur që në mes të këtyre turmave të kishte edhe prej atyre që dikur e hiqnin veten si demokratë dhe përgjëroheshin për demokracinë? Si është e mundur që në këtë vorbull të futeshin edhe disa ish të përndjekur politikë apo antarë të partive të tjera të djathta nacionaliste duke harruar gjakun e të parëve të tyre, duke harruar vitet e burgut apo internimit të tyre? E ardhëshmja do t’i vërë vulën përgjigjeve për këto pyetje.

Ngjarjet absurde të atyre ditëve ishin të panumurta, por unë do t’ju kujtoj vetëm tre prej tyre që me janë ngulitur në mendje.

Ishte dita kur digjej bashkia. Njëri nga zjarrvënësit  kishte  mbetur  i  rrethuar nga flakët në zyrat e katit të sipërm ku ishte kontrolli i shtetit. Zjarri nuk e lejonte të largohej nga porta dhe mundohej të shpëtonte nga djegia duke u ngjeshur pranë dritares. Në atë kohë punonjësit e zjarrfikëses që kishin mbrritur për të shuar zjarrin, i hodhën një litar me të cilin ai mundi të zbriste poshtë. Nuk më habiti veprimi i zjarrfikësve, se ai ishte një veprim humanitar, por çudia ishte kur një pjesë e mirë e turmës që bënte sehir nga poshtë, brohoriste ‘’ heroin zjarrvënës ‘’ për veprën që kishte kryer, dhe ai kalonte krenar në mes të tyre. A keni dëgjuar ndonjëherë për të tillë absurditet ku të përshëndetet ‘’ Neroni ‘’ që i ka vënë zjarrin qytetit tënd? Kjo ndodhte në qytetin tim në ato ditë të çmendura.

Porsa ishim kthyer nga ceremonia e varrimit të të ndjerit Enver Sorra. Një zjarr i paparë i të gjithe llojeve të armëve mbuloi qiellin. Ngado shiheshin njerëz që bridhnin nuk e di se për ku me armë nëpër duar duke thirrur:

- Kanë ardhur helikopterët e Saliut. O burra t’ua sh………. nënën!

Ndërkaq në qiell nuk shihej asnjë helikopter apo avion. Duke kaluar nëpër rrugicën që të shpinte në shtëpinë time, nga një portë aty pranë doli një djalë që nuk duhej të ishte më shumë se 17 vjec me fytyrë të shpërfytyruar dhe me automatik në dorë, duke vrapuar për në ‘’ frontin e luftimeve ‘’ duke sharë me shprehjet më banale qeverinë dhe Presidentin e Republikës, ndërsa nga pas e ndiqte me lot ndër sy dhe duke iu lutur që të kthehej e ëma, një grua që dikur punonte si puntore bujqësie në ndërmarrjen ullishte, ndërsa në atë kohë kishte mundur që së bashku me të shoqin të hapte një dyqan ku tregëtonte prodhime ushqimore. Edhe sot e kësaj dite nuk arrij të kuptoj se kush ia kishte akumuluar atij djaloshi këtë urrejtje kaq të madhe, kur nga një familje që deri më dje nuk arrinte të mbushte as barkun me bukë, sot bënte një jetë më se normale? Kundër kujt shkonte të luftonte? Nëqoftëse ai djalosh paska patur të drejtë, atëhere çfarë mbetet për ne që diktatura na vrau njerëzit më të dashur, që na burgosi dhe internoi për vite dhe vite me rradhë? Ç’duhet të bëjmë ne?

Në mbrëmje televizionet dhanë lajmin se ata helikopterë ishin një aksion blic i marinës dhe i aviacionit italian për të evakuar qytetarët e tyre që punonin në qytetin e Vlorës.

Një ngjarje e rëndë ndodhi në ditët e para të marsit të atij viti. Në rrethana që akoma nuk janë zbuluar, pranë Urës së Mifolit vriten inxhinieri i talentuar Ridi Hamzaraj së bashku me të ëmën e tij. Një zë i fshehtë pëshpëriti se i paskëshin vrarë forcat e Gazidedes që ndodheshin në Qafën e Koshovicës dhe i paskëshin prurë në Urën e Mifolit, kur dihej që kjo urë ishte nën kontrollin e fortë të bandave të të ashtuquajturit Komitet i Shpëtimit Publik. Për çudi këtë variant e besuan edhe një pjesë e njerëzve. Si mund të besohej një absurditet e tillë? Kush ishte Ridi? Ai ishte shef i urbanistikës në bashki, antar i partisë demokratike dhe ish i përndjekur politik. Atëhere kush kishte interes për zhdukjen e tij? Kjo nuk do shumë mend për t’u kuptuar.

Në ceremoninë e varrimit mori pjesë e gjithë Vlora. Funerali u nis nga shtëpia e tyre në Skelë dhe vazhdoi gjatë bulevardit që të shpie në Vlorë. Gjithçka po shkonte sipas riteve të një funerali të tillë. Kur arkivolet me trupat e të ndjerëve mbrritën në Sheshin e Flamurit, atje tashmë ishin vënë në funksionim për xhirim kamerat e Euronews-it, Doice Welle-s, Rai 3-it, televizionit lokal të lindur ndër ato ditë Teleblu dhe plot kamera të tjera të televizioneve të huaja. Pikërisht në atë kohë dirigjenti i padukshëm dha komandën dhe nga turma një grup njerëzish thërritën:

- I vrau qeveria! I vrau qeveria! - duke e shoqëruar këtë me përplasje pëllëmbash. Ishte kjo komandë që e bëri turmën, edhe kundër vullnetit të saj, të uleshin për tokë dhe të ngriheshin përsëri sipas ritmit të këtij dirigjenti misterioz. Manipulimi i turmës pjesmarrëse në ceremoninë mortore ishte i plotë. Së bashku me mikun tim Maliq Agaj u larguam nga ajo turmë. Me ne u larguan edhe shumë të tjerë. Më erdhi shumë keq që nuk munda të hedh një grusht dhe mbi varrin e atyre fatkeqëve, aq më tepër se me ta kemi patur miqësi familjare, por nuk mund të pranoja që të bëhesha bashkëpuntor i atij manipulimi të paskrupull. Në mbrëmje televizionet në fjalë në emisionet e tyre informative akuzonin qeverinë shqipëtare për këtë vrasje.

Përmenda rastet e mësiperme pasi shoh se edhe sot po bëhen përpjekje për përgatitjen e një skenari të ngjashëm me atë të tre viteve më parë. Po e njëjta dorë dirigjenti dhe po të njëjtët personazhe po përpiqen për të penguar me të gjitha mjetet vizitën e parashikuar të liderit të PD-së në këtë qytet. Kjo fushatë ka disa muaj që ka filluar. Jo rastësisht në televizionin lokal Amantia ( ish Teleblu ) ka disa kohë që transmetohet emisioni tendencioz ‘’ Pro dhe kundër ‘’, në premierën e të cilit ingranohet dhe i dërguari nga qendra, kryredaktori i Gazetës Shqipëtare. Jo rastësisht gazetat e majta kanë kohë që bëjnë zhurmë rreth kësaj çështje. Jo rastësisht TV Klan transmeton intervista të inskenuara.

Do të doja t’iu thoja këtyre zotërinjve se Vlora dhe vlonjatët nuk janë ata 10 apo 15 veta që intervistoni ju. As 100 apo 1000 që me zor mund t’i mblidhni. Mbi 100.000 banorët e Vlorës tashmë ju njohin dhe u ngopën me përrallat tuaja. Ata nuk mund t’i gënjeni më si tre vjet më parë. Ata do të dalin në atë miting jo vetëm për PD-në dhe Sali Berishën , por edhe për të hequr nga vetja e tyre njollën që ju u munduat t’ua vini, për të vënë në vend nderin e qytetit të tyre. Ata do të dalin të bashkuar ashtu si dolën më 6 janar dhe 28 nentor 1991, ngjarje për të cilat fola në fillim të këtij shkrimi. Atë ditë në Vlorë do të mblidhen vlonjatët nga e gjithë Shqipëria kudo që banojnë.

Vlonjatët do i tregojnë Shqipërise se janë krenarë për qytetin e tyre. Me madhështinë e veprës së tyre  do të bëjnë që edhe ata që nuk janë vlonjatë, ta ndiejne veten ashtu si shkruan i madhi Ali Asllani:

 

‘’ Do thot’ burri më i lartë:

AH, TË ISHA I VLONJATË! ‘’



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora