E enjte, 26.12.2024, 08:26 PM (GMT)

Editorial

Lis Bukuroca: Fletërrufe

E merkure, 07.09.2011, 05:56 PM


Fletërrufe

Nga Lis Bukuroca

Unifikimi i dy krenarive nuk është vetëm metaforë politike

“As histori të Enverit, as të Titos”! Nuk e tha këtë një akademik shqiptar, një historian shqiptar, një politikan shqiptar, por këtë e tha Ministri turk, si në vilajetin e vet. Ne nuk paskemi mundësi të zgjedhim, por duhet vetëm të pranojmë dekretin e sulltanit, edhe atë, jo histori sipas metodologjisë europiane, por histori sipas stereotipeve neo-osmane. Turqia me historinë e vet ka vite që asimilon pakicat dhe u imponon me dhunë krenarinë e vet. Zhdukja e shëmbëlltyrave nacionale dhe zëvendësimi i tyre me të huaja, është i hapi i parë dhe i sigurt për zhdukjen e një kombi apo pakice. Kjo dukuri mund të quhet edhe gjenocid identitetar, sepse praktikisht shfaros etni, gjuhë, zakone dhe tradita. Sot, në Turqi, ka miliona me origjinë shqiptare, por nuk ka shqiptarë.

Ndryshimi i historisë u kërkua nga Kryeministrit kosovar, që ishte ankuar se Berisha po përpiqet ta shndërrojë Kosovën në krahinë të Shqipërisë. Për ta penguar panshqiptarizmin, Thaçi i trishtuar, kishte kërkuar ndihmë tek ambasadori amerikan. Kabllogramet e wikileaks flasin për fytyrat e vërteta të politikanëve tanë. Qëndrimet e tyre janë aq nënshtruese, aq depersonalizuese, aq pa integritet, aq zvarrë, sa të ngjallin neveri.

Për shqiptarët është më e mirë historia e shkruar nga Enver Hoxha, se sa nga Tito apo Ahmet Davutolu. (Shqiptimi i drejtë fonetik pa “g” [ah?met ?davuto??u])

Kombet e Ballkanit kanë ndërtuar identitetin e tyre në qëndresën kundërosmane dhe çlirim. Identiteti neo-osman, turk, ndërtohet pikërisht mbi këtë pushtim, mbi këtë krenari dhe pikërisht prej aty buron mburrja e sotme. Ata ishin pushtues, ne të pushtuar. Ata zotërinj, ne rob. Ata krenohen me pushtimin tonë, tani këtë e kërkojnë edhe prej nesh. Vezirët me origjinë shqiptare nuk kanë punuar në dobi të kombit shqiptar, por të Mbretërisë Osmane dhe nuk mund të krahasohen me Fadil Hoxhën në qeverinë jugosllave për shembull, por vetëm me Rrahman Morinën. Ky i fundit i shërbente Serbisë për karrierë të veten, jo për të mirën e kombit. Mu si edhe vezirët me origjinë shqiptare. Mu si sot vasalët grek dhe turq në Shqipëri dhe Kosovë.

Shkrirja e dy krenarive asimetrike ka për qëllim zhdukjen e bërthamës kombëtare dhe implozionin e saj. Qeveria e Kosovës pranoi pa asnjë kundërshtim dekretin. Dekretin e kishte pranuar dhe nënshkruar edhe stalinisti i fundit në Europë me funksion politik, Sali Berisha. Fotografia e bërë publike tek Shekulli, gjatë nënshkrimit, tregonte qartë trajtat e dy fytyrave: e Erdoanit, me një buzëqeshje të lehtë prej ngadhënjyesi dhe e Saliut me turinj të mbledhur, grimasa që flisnin për një nënshtrim dhe për një vendim të marrë për dobi vetjake, jo kombëtare. Ky tellall është urdhër për t’ u shndërruar shqiptarët në mazohist. Ne e pranuam. Ne i premtuam se do të vishemi, do të lyhemi e ngjyhemi, siç dëshiron Mbretëria Neo-Osmane. Shkurt e shqip, i premtuam se për ta merituar dashurinë e saj, kemi caktuar edhe një komision, që do ta përcaktonte shkallën e tjetërsimit tonë. Pakica turke po na e ndryshon të kaluarën, të tashmen, natyrisht edhe të ardhmen. Pakica greke dhe serbe të tashmen dhe të ardhmen. Njëra dëshiron ta kultivojë të kaluarën, historinë e vet me kisha, tjetra historinë e vet me xhami dhe të ndryshojë semantikën e mikut dhe armikut. Ne mbetemi aty statist dhe jetim, pa përkujdesje dhe pa mbrojtje. Një gazetë gjermane para disa javëve shkruante: “ Turqia ndihmon Kosovën me fjalë, kurse Maqedoninë me vepra, ekonomikisht!” Kjo Turqi para disa viteve pat ndihmuar Maqedoninë në luftë kundër shqiptarëve. Tani e kemi shpallur: vëlla.

Pse u vëllazërua Thaçi me Erdoanin

Kosovën e çliroi Perëndimi në vitin 99 dhe deri në mbarim të vitit 2010 u ndoq rruga e Rugovës dhe e zgjedhjes së miqve. U bazuam në investimet e tyre në lirinë tonë. Ishim mirënjohës, siç e urdhëron e drejta zakonore shqiptare. Barka kosovare qe ankoruar mirë nëpër porte atlantike. Kundërshtarë e tij, jo para lufte, as gjatë luftës, por tani, kundërshtojnë rrugën e tij si jo largpamëse, sepse kishte injoruar Lindjen. Sido që të jetë, rruga e Rugovës ndikoi që të shihemi në Perëndim si popull i qytetëruar dhe duke u bazuar në filozofinë e tij paqësore, merituam edhe intervenim dhe shpëtim. UÇK u shfaq në çastin e duhur dhe lëvizja paqësore tok me kryengritjen, plotësuan dhe ndihmuan njëra tjetrën. SHBA-të, Anglia, Franca dhe Gjermania e përfunduan. Edhe vendet tjera ishin bashkëveprues, por në periferi. Rrugën perëndimore ndoqi edhe Thaçi deri në fund të vitit 2010. Në fund të janarit të vitit 2011 Asambleja Europiane aprovoi kërkesën e Martyt për hetime ndaj Thaçit dhe njerëzve rreth tij. Ai nuk pat akuzuar Thaçin drejtpërdrejt, por mendonte se duhej të ishte në dijeni për shitjen e organeve. Nga ky çast duket se ai u ndje i braktisur, i izoluar dhe i kërcënuar nga Perëndimi. Barka kosovare tërhoqi spirancën dhe nisi braktisjen e porteve të atlantikut, duke kaluar në sferën e interesi të Turqisë, në Detin e Zi. Tani për tani nuk mund të thuhet me saktësi, ishte Thaçi timonier apo iu afrua në ndihmë Erdoani, që ka emrin “Korrik”. Me këtë emër metaforik në shqip, ai shfaqet dhe korrë rezultatet e huaja, saqë një analist nga Kosova, si ideator i kombi kosovar, jo vetëm se përkrahu pa rezervë ndryshimin e historisë, por shtoi edhe këtë: “Pavarësia duhet t’ i kushtohet Turqisë”. Jo vetvetes, por Turqisë. Jo SHBA-ve dhe Francës të cilat qysh në vitin 2006 kishin vendosur se ne duhet të pavarësohemi, por Turqisë se qenka lodhur më shumë se të gjithë. Pra, timonieri nuk dihet akoma, por edhe këtë do ta marrim vesh një ditë nga wikileaks.

Pas vendimit të Asamblesë, u shpeshtuan vizitat e ndërsjella. Ky ankorim nuk do të jetë i mirë për Kosovën, sepse nuk buron nga populli, por vetën nga qeveria dhe nuk shihet me simpati në Perëndim. Dihet se akuzat janë të rrejshme, por për shtetin e Kosovës më mirë do t’ ishte sikur hetimet të bëheshin ndaj qytetarit Thaçi, se sa ndaj Kryeministrit. Serbia duke luftuar për ta mbajtur Kosovën, desh i shiti krejt industrinë Rusisë. Ne, po shesim edhe shpirtin, edhe atë, duke pasur aq shumë aleat të fuqishëm, si kurrë në më parë në histori, pa pasur nevojë për vëllazëri imagjinare. Nga inati ballkanik, shqiptarët dhe serbet do ta shkatërrojnë të tashmen, rrjedhimisht ardhmërinë e tyre.

Nëse ka prova për akuzat ndaj Thaçit, çka është vështirë të besohet, atëherë neo-osmanizmi nuk mund të ndihmojë asgjë, përkundrazi. Pasojat e vëllazërisë, mirëpo, do t’ i paguajë populli. Siç po i paguan edhe Çeçenia e harruar pas 11 shtatorit. Turqia është shumë larg, por me këtë vetdorëzim, edhe Kosova është duke larguar veten nga Unioni Europian.

A mund të anëtarësohet Turqia në Unionin Europian?

As qëndrimi i Turqisë, e as qëndrimi i UE, nuk janë të sinqertë. Në vitin 1963 Turqia ka nënshkruar marrëveshjen e asociimit me Bashkësinë Ekonomike Europiane, siç quhej atëherë. Mirëpo, kjo çështje nuk ka lëvizur para. Pse? Turqia ka pasur frikë t’ i plotësojë kushtet seriozisht. Pengesa më e madhe është çështja kurde. Turqisë nuk i konvenon hyrja. Ajo është e vetëdijshme për këtë. Nëse pranon parimet, vlerat dhe standardet europiane, atëherë ajo do të shembet dhe ndahet nga kurdët. Pse qëndrimet e dy palëve nuk janë të sinqerta? Sepse as pritshmëria europiane, as pritshmëria turke nuk janë të realizueshme: as shpresat e së parës, as shpresat e së dytës. E para mendon se duke hyrë brenda, mund të ndikojë në islamizimin e Europës, e dyta mendon pikërisht të kundërtën: deislamizimin e orientit apo defaktorizimin e tij, vijimisht kontrollimin e vendeve lindore. Nëse pyetet populli në Europë, Turqia nuk mund t’ i bashkëngjitet UE, por në anën tjetër, aq sa rritet krenaria turke – duke u bazuar në zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin me vendet për rreth, si Iranin, Sirinë, Libinë, Kuvajti, Taxhikistanin etj.,- aq më shumë bie interesi edhe tek turqit për t’iu bashkangjitur kësaj Europe. Kësaj Europe, me këto ligje, me këto liri dhe me këto të drejta të njeriut.

Merkel i tha në sy Tadiçit se strukturat paralele duhet të shuhen. Nuk vonoi as tri ditë dhe u shfaq Ministri turk në Kosovë për t’ i treguar Perëndimit se Kosova është sferë interesit turk. Ai erdhi, përsëriti fjalët e zonjë Merkel dhe urdhëroi ndryshimin e historisë. Merkel na ndihmoi dhe iku modeste pa na bërë asnjë kërkesë të pamoralshme dhe pa u krenuar. Neo-osmanizmi nuk i pëlqen Perëndimit. Kjo mund të lexohet nga kabllogramet e botuar në revistën “Spiegel” dhe shqetësimin e Perëndimit mbi ndikimin e Davutolu në politikën e jashtme turke. Ky klasifikohet si “posaçërisht i rrezikshëm” dhe se nuk kuptuaka politikën jashtë qytetit të Ankarasë. Në kabllogramet e diplomatëve amerikan citohet një ish këshilltar i partisë së Erdoanit (AKP): “ Ne dëshirojmë kthimin e Andaluzisë dhe do të hakmerremi për rrethimin e Vjenës në vitin 1683.” Përveç kësaj, aty mund të lexohet se Erdoani është një islamist injorant. Vlerësimi, që i bëjnë diplomatët amerikan elitës turke, është shqetësues.

Osmanofilët thonë se armata turke është e dyta në NATO. E vërtetë nëse bazohemi në numrin e ushtarëve aktiv, por aspak e vërtetë nëse bazohemi në teknologji ushtarake. Nuk dihet arsyeja pse disa veta harrojnë qëllimisht për shembull se Franca dhe Anglia janë fuqi atomike dhe se numri i ushtarëve nuk luante aq rol, as në kohën e shpatës! Me teknologji ushtarake, nuk qëndron keq as Gjermania, as Italia.

Disa analistë në Perëndim mendojnë se përforcimi i Turqisë mund të ndihmojë edhe Perëndimin, mirëpo ka edhe analistë që mendojnë se Turqia nuk është partner i domosdoshëm i NATO-s edhe atë, për shkak të politikës së Erdoanit.

Kush është Rexhep Tajip Erdoani ?

Drejtshqiptimi fonetik pa „g“. [?r?d??p ?t??jip ??rd???n] u lind në vitin 1954 në Kasimpasha, lagje punëtorësh në Stamboll. Babai e pagëzoi me emrin “Korrik”, sepse kishte lindur në muajin e shtatë të kalendarit islamik dhe prandaj e kishte quajtur Rexhep. Tajip është emri i dyti dhe respekt ndaj gjyshit. Ai ka mbaruar gjimnazin me orientim fetar në Stamboll. Në rini shiste limonadë në rrugë dhe luante shumë mirë futboll. Është i martuar me Eminen dhe hyri në politikë si islamist radikal. Në vitin 1998 qe dënuar me 10 muaj burg dhe ndalim të përjetshëm në politikë. Arsyeja e dënimit ishin vargjet fetare të poetit Ziya Gökalp, që ai, i kishte cituar në një konferencë në Anadollin lindor, në qytetin Siirt. Këto janë vargjet: “ Demokracia është vetëm tren, në të cilin hipim, vetëm derisa ta arrijmë qëllimin. Xhamitë janë kazermat tona, minaret bajonetat tona, kupolat helmetat tona dhe besimtarët, ushtarët tanë!” Pas katër muajve e liruan nga burgu. Disa analistë perëndimorë mendojnë se qëndrimi në burg ka ndikuar në zbutjen radikalizmit të tij. Gjatë fushatës elektorale për kryetar të Stambollit i pat premtuar popullit se do të ndërtonte shumë xhami të reja. Nuk e bëri këtë, por reformoi administratën dhe pati sukses në mirëmbajtjen dhe pastrimin e qytetit. (Ka premtuar një xhami edhe në Mitrovicë, edhe pse atje dashuria ndaj shqiptarëve tregohet, nëse ndërtohet një kazermë, që do t’ i mbronte kufijtë e Kosovës.) Opozita turke në vitin 2001 thoshte se ai posedon 8 konto bankare në Zvicër dhe më shumë se një miliard dollarë. Erdoani i konsideron shpifje. Si Kryeministër fiton 70 mijë dollarë në vit. Opozita turke e pat akuzuar për ndihma Hamasit. Meqenëse në Turqi ishte ndaluar shamia në universitet, ai i dërgoi bijat e tij në SHBA për studime. Ka edhe dy djem. Gjatë vizitës në Gjermani në vitin 2008, asimilimin e turqve e pat quajtur “krim kundër njerëzimit”. Në të njëjtën kohë, ai asimilon dhe ushtron gjenocid kulturor kundër pakicave në Turqi. Kërkesën e tij për të hapur shkolla dhe universitete turke, e pat refuzuar kancelarja gjermane. Gazetës turke Milliyet i pat deklaruar se nuk është e mundur njeriu të jetë: “hem laik hem Müslüman olunmaz” dhe se ishte ithtarë i sheriatit.

Çfarë shpërblime ka fituar Erdoani?

Çmimin nga Fondacioni Mesdhetar, Itali

Doktor “honris causa” në Universitetin e Sarajevës

Çmim nga Kryetari i Pakistanit “ Nishan-Pakistan”

Qytetar nderi në Teheran dhe Seul në vitin 2009

Në vitin 2010 Çmimin për të Drejtat e Njeriut nga fondacioni Ndërkombëtar i diktatorit Gadafi

Politika shqiptare duhet të jetë e matur me afrimin e madh turk, sepse fërkimet mes Turqisë dhe Perëndimit, nuk dihet se si do të përfundojnë. Dhe nuk mund të thithen dy nëna, sepse njëra patjetër do të jetë njerkë dhe Kosova nuk ka bythë për t’ ulur në dy karrige. Për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm, përndryshe mbetemi me gishta në gojë. Miqësi me të gjithë, por vëllazëri fetare me askënd, sepse populli shqiptar është i vetmi në Europë, që nuk i konvenojnë vëllazëritë fetare. Me vëllazëritë fetare tona, në Ballkan mund të provokojmë edhe vëllazëri fetare tjera dhe kjo do t’ ishte shkatërruese për ne. Turqia nuk ka më peshën e dikurshme për Perëndimin, si´e kishte gjersa kufizohej me BRSS-në. Ex-posto mund të thuhet se faktorizimi i Turqisë dhe Iranit, shndërrimi i tyre në fuqi të reja ekonomike dhe ushtarake, do të ndikojë në margjinalizimin e arabëve. Profesori gjerman i Universitetit të Berlinit Herfried Münkler, që ftohet në televizor për çdo çështje të rëndësishme dhe që merret me teorinë politike dhe historinë e ideve, në mes të tjerash, të dielën tha se në dy, tri dekadat e ardhshme, do të ketë më shumë konflikte luftarake, se sa mund t’ i zgjidhë bota.

Diagnoza e popullit shqiptar: limonti kolektive dhe fatalizëm

Nëse për Gjermaninë naziste apo Serbinë e Millosheviçit mund të jepet një diagnozë kolektive si skizofrenia për shembull, për ne mund te vlejë kjo diagnoze: limonti kolektive. Shpjegimi kësaj fjale sipas FGJSSH: : ( LIMONTI; 1. (…) të ndenjurit pa bërë asgjë;(…)2. Gjendje plogështie shpirtërore, kur njeriut nuk i bën përshtypje asgjë dhe nuk kundërvepron ndaj ngacmimeve, pandjesi; moskokëçarje e plotë dhe mosinteresim për punën e për të tjerët…” Kjo limonti na ka hedhur pastaj në sëmundjen e dytë gati kronike, në “Burnout-sindromë”, një lloj djegie shpirtërore: e shterjes emocionale me aftësi të reduktuara. Me humbjen e iluzionit, apati dhe në fund, kalimi në sëmundje psikosomatike, në depresion, për të përfunduar në depersonalizim. Për ta ndryshuar këtë gjendje plogështie popullore, nevojitet një klasë e re politike, që ka ideale, që din të bëjë politikë nacionale, dhe jo greke ose turke. Bashkëpunim me çdo shtet, por jo nënshtrim për zaptimin e pushtetit. Pavarësia nuk fitohet për t’ i ndërruar tutorët.

Përgjigje një pyetjeje që po përsëritet shpesh. Çka do të kishte ndodhur sikur të mos ishim pushtuar nga Turqia? Gjergj Kastrioti do ta kishte rindërtuar shtetin ilirik në Ballkan dhe sot do të kishim qenë shteti dhe kombi më i madh në Europën Juglindore.



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora