Shtesë » Shoqëria
Emina Çunmulaj renditet modelja e dytë në botë
E enjte, 02.03.2006, 09:04 PM
Shqiptarja nga Mali i Zi e vlerësimi i ri për 2006
Emina Çunmulaj
Ia vlen barra qiranë. Tre vite punë dhe më në fund një çmim i madh. Vajza shqiptare nga Mali i Zi, Emina Çunmulaj, ka vetëm pak ditë që është vlerësuar me titullin “Fytyra e dytë më e bukur e top-modeleve botërore”.
Çmimi është ndarë nga kritikët më të njohur të “Fashion TV”, gjatë këtyre javëve të modës, të organizuar në Nju Jork, Paris e së fundmi në Milano. Ndërsa me titullin e parë është vlerësuar vajza nga Brazili, Izabel Fontani. Me fytyrë engjëllore dhe me trup të imët, larg formave të kërcyera apo shenjave të bisturive. Brune, 1,80 e gjatë me përmasa të lakmueshme, sy të zezë dhe flokë të zeza të gjata. Prej dy vjetësh është pjesë e një prej agjencive më të mëdha të modës në botë, Elite. ”Eshtë një vlerësim që më bën të besoj më shumë në veten time dhe aftësinë që kam, megjithatë ky çmim është edhe një stimul mjaft entuziazmues për sa i përket punës”, është shprehur supermodelja shqiptare, e cila ka mëse pesë vjet që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka vetëm pak vite nga jeta e saj 22-vjeçare, që ka pushtuar pasarelat më të famshme të fotomodeleve amerikane, ndërsa premisat e saj duken largpamëse. Jashtë modestisë tregon se për të qenurit e famshme është vetëm falë punës, por në të vërtetë bukuria e saj tërheq mjaft.
“Më vjen mirë që vlerësohem me një titull të tillë, aq më tepër nga kritikët e njohur dhe specialistë të fushës së modës, të cilët e njohin shumë mirë artin tonë, në çdo detaj. Por gjithsesi kjo nuk do të thotë se nuk duhet të punoj më fort”, shton Çunmulaj pas vlerësimit.
Rruga drejt çmimit
Vitet e fundit, jo vetëm “Elite”, revista më e famshme në SHBA, e specializuar për modën, por edhe “Vogue” është joshur nga sharmi i saj. Emina Çunmulaj, supermodelja shqiptare, nuk ka reshtur së pozuari për kopertinën e së famshmes “Vogue” herë me ekskluzivitet të Calvin Clain, Just Cavallit, Benetton, Lisa Cant, Marc Jacobs, Anna Sui, Habitual, Carmen Kasssui, Georgio Armani e së fundmi në sezonin pranverë-verë 2006 Çunmulaj është ngjitur në pasarelat e Nju Jorkut, Parisit, apo Milanos me veshje Versaçes, Dolçe & Gabanës, Fendit etj., të cilat i kanë dhuruar edhe çmimin. Ndërkohë “Fytyra e dytë më e bukur në botë” nuk është çmimi i parë për Çunmulaj. Ajo mban mbi krye edhe një tjetër kurorë, atë si fituese e çmimit “Elite model search”, një çmim kurajoz ky që jepet vazhdimisht nga revista e famshme “Elite”, të cilin e ka “rrëmbyer” me motivacionin “Duket e çuditshme, ka një pamje bujare, të kombinuar mirë nga natyra, bukurinë e djemve kinezë, me një fytyrë elegante, të mprehtë dhe një trup mjaft tërheqës”. Por vlerësimet e fundit për superpmodelen me origjinë shqiptare vijnë në doza maksimale nga stilistet më në zë të kësaj “industrie” dhe kritikët e modës, madje dhe nga ata amerikano-latinë, të cilët e kanë krahasuar bukuroshen shqiptare Çunmulaj me disa nga emrat më të njohur të botës së topmodeleve si; Isabeli Fontana, Julia Stegner, Heather Marks e shumë të tjera. Në fakt me Isabeli Fontana kësaj here ka qenë vetëm një hap mbrapa në vlerësimin që mori gjatë ngjitjes në pasarelat e modës për sezonin e ri pranverë-verë 2006 vetëm pak ditë më parë. Gjithsesi suksesi për të është ende në startin e kësaj rruge.
Pushtimi i “Vogue”
Emina Çunmulaj shprehet se është e apasionuar pas basketbollit, shëtitjeve në park dhe gjëja e fundit, që do t’i shkonte ndërmend është se i pëlqen të gjuajë peshk, gjë të cilat nuk gjejnë asnjë lidhje me pasarelat. Por, fundviti i kaluar dhe muajt e parë të vitit të ri, duket sa kanë nisur mirë për modelen me origjinë shqiptare. Ka bërë për vete të gjithë stilistët më në zë të modës, nga të cilët ka marrë shumë oferta për sfilata të ndryshme. Pak kohë më parë portreti i saj qëndronte hijshëm në kopertinën e revistës “Vogue” të Italisë. Ndërsa fotot e saj të realizuara së fundmi në sezonin pranverë-verë 2006 janë publikuar në revistën “Vogue” të Gjermanisë. Në fund të vitit të kaluar “A walk in Paris”, bëri një shëtitje nëpër Paris, ku bashkëshorti i saj, Beckham Ljuljanaj, u paraqit si partneri i saj edhe në pasarelë. Fotot e publikuara janë intime të çiftit të fotografuara gjatë kohës në Paris. “Çdo modele ëndërron të arrijë në top. Unë sinqerisht besoj se nëse ndodhem në vendin e duhur në kohën e duhur dhe me njerëzit e duhur, kjo gjë do të ndodhë. Unë e dua atë që bëj, edhe pas pesë viteve do e bëja ende të njëjtën gjë”, shprehet Emina. Por nuk mund të harroj që fillimet e saj kanë qenë nën fokusin e aparatit të fotografit të njohur shqiptar, Fadil Berisha. Ndërkaq, për të të bëhej modele ka qenë fare e thjeshtë, mjafton të shihte vetëm revistën “Elite”. E pabesueshme. Por në të vërtetë ashtu ndodhi. “Shpeshherë njerëzit më thoshin se një ditë do të bëhesha fotomodele. Një ditë, i fejuari im më printoi një foto nga një agjenci fotomodelesh dhe më tha: Mbylli sytë dhe hapi në drejtim të gishtit tim. Gishti i tij tregonte një fletë të kësaj reviste ku isha unë!”, tregon ajo. Kjo ka qenë surpriza më e bukur për të, e cila e bëri tashmë të renditet si yll në fushën e modës.
Udhëtimi drejt Amerikës
Largimi nga Mali i Zi drejt Amerikës ka qenë i rastësishëm për të. “Prindërit e mi emigruan në Mal të Zi kur unë isha vetëm 4 vjeçe dhe ne jetuam atje deri kur mbusha 16 vjeç. Prej gjashtë vitesh ne jetojmë në SHBA. Por dua të them se shpesh e ndiej mungesën e parqeve të bukura dhe dyqaneve të mëdha me lodra, pavarësisht se qyteti kishte vetëm një sallë kinemaje, e ndoshta ky ishte argëtimi i vetëm. Kur erdha në Amerikë pashë nga afër rrugë dhe ndërtesa të bukura, pamje që i kisha parë vetëm në filma”, tregon modelja. Por tregon se tashmë është joshur nga gradaçelat, sheshi kryesor i qytetit “Times-Square”, taksitë e verdha dhe parku natyror “Central Park.
Virgjëresha që lufton si luan
Pak kohë më parë është renditur mes 50 modeleve më të mira të botës. Edhe pse momentalisht ajo që po i vlerësohet janë hiret e saj, ajo beson se në të ardhmen do të vijojë një karrierë prej politikaneje. Eshtë vetëm 22 vjeç dhe me gjatësi 1.80 cm. Mban shenjën e Virgjëreshës, por në të vërtetë tregon se është një luan. “Nuk më pëlqen aspak nëse përpiqen të përfitojnë nga mirësia ime. Kjo më bën të hidhem direkt e në sulm, sikurse e meriton një gjë e tillë”, shprehet ajo. Herë-herë është gjendur në pasarelë edhe me Naomi Kembëll, Sindi Kreford apo Kate Moss. Ndërsa revista amerikane “Interviee” e ka cilësuar si një prej modeleve
më të mira të verës së shkuar.