Mendime
Fadil Lushi: Filozofia banale e një nënshtrimi me diktat
E merkure, 24.08.2011, 06:59 PM
FILOZOFIA BANALE E NJË NËNSHTRIMI ME DIKTAT
(Thonë se gënjeshtra, edhe po të jetë gazetareske, nuk meriton të ndodhë në errësirë.)
Nga Fadil LUSHI
Ditë më parë një mik imi ishte bërë hundë e buzë. Sikur donte të thoshte se nuk e “mundon” as agjërimi e as temperaturat e larta që, si “për inat, kishin zaptuar katundin e madh të Tetovës” dhe kasabatë rreth e rrotull saj, përkundrazi, ashtu si m’u duk “surrati” i tij, krijova përshtypjen se ishte bërë “rrafsh, livadh” nga rradakja! Si për herë, edhe kësaj radhe ishte dalldisur me shpjegimin e fabulës për vartësin a “hyzmeqarin e qehajasë” (i cili kishte mëtuar të bëhet tregtar) si dhe me disa vaki (që ndodhin vit për viti) në hapësirat fetare dhe politike shqiptare. As fabula e as “vakia”, kështu si ia shpjegonin miqtë e tij, nuk i hynte në kokë. Njëkohësisht ky po preokupohej edhe me komentet që u bëhen këtyre meseleve, në veçanti në hapësirat ku frymon shoqëria intelektuale e bllokmenëve të Tiranës. E ka për “dert” se vallë këto “habere” të sajuara, mos po fillojnë të “shtrihet” edhe në mëhallën e tij. Është i pandërgjegjshëm kur i thua se edhe e keqja më e madhe e Tiranës nuk mund të vijë në mëhallën e tij, e lëre më e mira që kurrën e kurrës nuk do duket atypari. Kjo nuk do të bëhet për arsye se mëhalla e tij gjithmonë ka qenë e parëndësishme për Tiranën. Para se ta hetojmë “meselenë”, fillimisht duhet parashtruar pyetjen se cila është sot logjika e të qenit politikan me kostum “alla franga”, mësues i merituar a i dalluar, qytetar nderi, katundar, “hyzmeqar partie”, patriot vendës a edhe i sjellë, student, “tradhtar” me a pa diktat dhe, së fundi, cila është kostoja e të qenit opinionbërës i pavarur a neutral, sidomos në këtë kohë e hapësirë, ku asnjeri nuk çan kokë që t’i qortojë njerëzit të cilët kanë prirje për të kritikuar vend e pa vend dhe njëkohësisht për të anashkaluar të vërtetat e pamohueshme qofshin ato politike, sociale dhe kulturore, nga njëra anë dhe të gjithë ata që “përqafojnë” jovlerat dhe pse duhet edhe më tutje ta përqeshin opinionbërësin e mirëfilltë për punën e tij me vlera, nga ana tjetër.
Prej këtij paragrafi të shkrimit do të fillojë të hetohet ajo filozofia banale e nënshtrimit politik, me diktat pushtetari, politikani, ministri a edhe të ndonjë drejtori të vockël partiak me çorape të bardha. Ky lloj “nënshtrimi me diktat” me të drejtë do t’i ngjitet si bisht një intelektuali nga kryeqyteti i shqiptarëve, i cili ditë më parë solli një lajm gazete gjegjësisht një “hazërxhevap të dalë nga aksham pazari mediatik” i Tiranës!? Ky lajm me moral shumë të ulët dhe të dyfishtë, nuk do ishte aq i rëndësishëm sikur të mos ishte i mbështetur edhe nga të tjerë intelektualë (të “pavarur”) të tillë si autori i këtij “haberi”. “Kryefamiljari” i këtij lajmi na paskësh qenë një politikan i njohur dhe “goxha i madh”, i cili kohë më parë (për çudinë e madhe të të gjithë fakirfukarenjve që jetojnë gjithandej Shqipërisë politike) kishte parapëlqyer “pushimet verore” t’i kalojë brenda shtetit!??..., gjegjësisht në një vilë të qeverisë, të sistemuar në brigjet e Detit Jon, kuptohet të pjesës së detit që i takon shtetit shqiptar.
Intelektuali i “pavarur” që është në krah të pushtetarëve, pos që do ta ndërtojë këtë lajm, ai njëkohësisht do t’ia shtojë edhe një “paragraf koment”, ku thuhet se politikani NN kishte vepruar tamam me mend dhe për këtë arsye “..., politikëbërësit e tjerë shqiptarë, qofshin në pushtet a në opozitë, do të bënin mirë të ndiqnin shembullin e tij, në mënyrë që të ardhurat e shqiptarëve të shpenzoheshin në vendin e tyre”!? Ky lajm i këtij “intelektuali zëdhënës dhe zhurmues i pushtetit me zarar” dhe të tjerëve të tillë si ai sa i përket verimit a pushimit “veresi/e” të “politikanit të madh”, nuk di si mund të gjykohet? Ta gjykosh si çështje publike, do të ishte marrëzi, ta gjykosh si çështje të ndonjë farë kursimi të parave të shtetit, do të thotë “llaf bosh”, ta gjykosh si informa-cion të dorës së parë, do të thotë një shaka e radhës. Në instancë të fundit, ky lajm mbetet që të gjykohet vetëm si një tallje e paskrupull me ndjenjat e atyre që ëndërrojnë bukën e gojës të kalamajve si dhe me ndjenjat e atyre që e lexojnë si lajm, sa tallës, trillues poaq edhe ofendues!?..., aq më keq kur ke parasysh se ky “informacion” është produkt i njeriut i cili deri dje hiqej si intelektual i pavarur dhe kundërshtar i përbetuar i pushtetit të korruptuar..., një intelektual që dikur në vijimësi u shmangej posteve të larta që i ofroheshin në këmbim “mbyllje goje”, një njeri i cili e dinte fort mirë se “magjia e mbijetesës intelektuale është në duart e sunduesit”, një intelektual që deri dje shprehte pakënaqësinë e tij supreme ndaj pushtetit që ushtronte regjimi, një intelektual i pavarur i cili deri dje komunikimin me pushtetin e kishte arrogant, ndërkaq sot, lëre që ka marrë tiparet e fodullit dhe axhamiut, por e ka ndryshuar edhe mënyrën e prezantimit mediatik duke e bërë atë më shumë sentimental me qëllim të krijimit të avantazheve dhe favoreve, qofshin materiale a edhe politike. Për të ndërtuar këto favore dhe avantazhe ai do detyrohet që ta braktisë klasën intelektuale, kolegët, miqtë dhe të tjerët. Tekefundit, ai është i ndërgjegjshëm se “zarari politik a edhe moral” është në anën e tij. Ky “zarar” do ta mbajë përgjithmonë peng perspektivën e autoritetit të tij si opinionist.
Intelektuali i “pavarur” në fjalë dhe të tjerët si ai. po edhe ata të tipit të ashtuquajtur “kundërshtar sezonal” të pushtetit, fillimisht do të jenë shumë të butë dhe të afërt me kolegët dhe miqtë e tyre. E gjithë kjo pavarësi e tij intelektuale do të perëndojë në “vaktin” kur pushtetmbajtësi, do t’i ofrojë një “kockë pushteti”. Kjo do të zgjasë deri në momentin kur do fillojnë ta lëpijnë kockën, ashtu si lopa kur lëpin viçin!?..., ndërkaq kur do t’u nënshtrohen urdhrave me diktat të politikanëve a edhe të pushtetit korruptiv, eh, atëherë me miqtë do të bëhet vulgar, agresiv dhe pseudosentimental, sidomos me ata që e njihnin për së afërmi karakterin dhe moralin e tij dhe të tjerëve të tillë si ai dhe ata. Andaj, prej ditës që kur i dhuruan edhe “stilolapsin e partisë”, do të marrë anën e kryeparit të partisë politike NN! Dhe kështu ai, me “çizmet e gjahut dhe të tradhtisë” do të fillojë të shkelë mbi çdo rregull, standard, kriter, kodeks dhe mbi çdo vlerë morale e të bërit vështrim a opinion të mirëfilltë gazetaresk!?
Nga e gjithë kjo katrahurë mund të konstatosh se te shumica e këtyre opinionistëve dhe intelektualëve do të dominojë ajo “mendësia dhe orientimi provincial dhe katundaresk”. Po të thuash se a i shkon kjo, gjithsesi se nuk i shkon, sepse “të jesh edhe mendimtar, edhe solidar, edhe njeri që fukarenjve u shtron iftare, edhe intelektual i pavarur, edhe “mitoman”, edhe shpëtues i politikanit dhe kombit, edhe i nënshtruar me diktat, vërtet nuk shkon, pavarësisht se intelektuali “i pavarur” dhe të tjerë si ai a do të pajtohen apo jo me këto konstatimet tona.
Duke e përfunduar këtë paragraf, duhet thënë se kjo puna e intelektualit të “konvertuar” dhe të me gjasë duhet t’i përngjajë meselesë së ca biznesmenëve të jashtëm të cilët njihen me atë devizë: “Merrja fukarasë së kësaj lagje dhe jepua fakirfukarenjve të lagjes tjetër”! Këta biznesmenë në “emër të Zotit, në emër të Muajit të Solidaritetit, në emër të humanizmit dhe në emër të larjes së parave të tyre”, do të mëtojnë që skamnorëve vendorë po edhe atyre të jashtëm, t’u shtrojnë nga një, dy ose edhe tri iftare (përjashto shoqatat humanitare). Këtë do ta bëjnë çdo vit, sepse çdo vit duhet ta pastrojnë pronën e tyre, në emër të skamnorëve. Kjo puna e intelektualit të “pavarur” nuk mund të jetë si puna e atij vartësit (moral dhe material) gjegjësisht “hyzmeqarit të qehajait. Një ditë “hyzmeqarit” i kishte shkrepur në mendje ideja e të bërit tregti me kashtë!?? Ky pas shirjes së grurit kishte vendosur ta grumbullojë gjithë kashtën e nahijes ku kishte jetuar. Blegtorët dhe bujqit ishin tallur me “hyzmeqarin”, ndërkaq idenë e tij e kishin konceptuar si një dëshirë për t’u pasuruar sa më shpejt. Po ja që “hyzmeqarit i eci zari”, sepse në atë krahinë kishte sunduar një dimër shumë i ftohtë e me ngrica dhe kështu atij iu mundësua që blegtorëve t’ua shiste kashtën si “shkumën për ajkë”. Se nga i kishte ardhur “hyzmeqarit” se kjo “vaki” do të ndodhte, një Zot e dinte. Fabula për “hyzmeqarin e qehajait dhe tregtinë me kashtë” vetvetiu nuk mund të prodhojë amoralitet, përkundrazi kur ajo do të merret si shembull, atëherë do të fillojë të “frymojë” si ajo psikologjia e shitblerjes banale. Sot e gjithë ditën e perëndisë, këtu pari më nuk duket “hyzmeqari i qehajait” respektivisht njeriu i cili bënte tregti me kashtë. Sot, çuditërisht, më nuk blihet kashtë, po as nuk shitet kashtë me flori, përkundrazi sot për “mendje kashtë” blihet diplomë, për “mendje kashtë” blihet intelektualizëm naiv, për “mendje të lehtë” blihet gradim i shpejtë, blihet buzëqeshja rrospi, blihet duartrokitja dhe gënjeshtra e kulluar.
Në fund, ky intelektual gjithnjë i “pavarur dhe i konvertuar” dhe që hiç kollaj nuk ngacmohet nga turpi do t’i përngjajë edhe atij “politikani” që ditë më parë u “betua” se do të ndryshojë paragrafë të historisë kombëtare!?? Hajde mendje, hajde!???
Edhe mua më duhet ta përfundoj këtë shkrim nga droja se mos po më del kashtë. Natyrisht, nëse më del kashtë, atëherë do të detyrohem ta ha si kashtë. Ku ta dijë njeriu, mund të ndodhë edhe kjo “vaki”.