Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Të gjitha ''fajet e mëkatët'' e Shqipnisë i ka kleri katolik shqiptar (V)

| E marte, 23.08.2011, 08:00 PM |


“KLERI  KATOLIK  SHQIPTAR”  ASHT  AI

  “INFEKTOI”  EDHE  HOXHALLARËT !

 

(Pjesa e Pestë)

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Gjithmonë i dijtuni të ban për vete! Këte lojë i pari e ka fillue katundari i Fishtës në Manastir. Ai ishte, si thotë Populli, “garuzhda”! Hoxhallarët e të gjitha viseve, me Kuran në dorë me shkronja turke, i bani Ky katundari i Zadrimës me pranue grremçat latine! Ata veç shyqyr që nuk i ka lanë Zoti me jetue nga 150 vjet, se me i pasë zanë kjo kohë, i kishte varë me doren e vet Furumi i Rinisë Muslimane atje…As nuk kishin thirrë as “muhaxhirë” me ua hjekë stolin...Ua kishte hjekë “dr. prof.” Hulusi Hako me “akademikët” e Manastirit.

Gjetën dy rreshta të shkruem prej Naimit të Frashërllinjëve tek “Bagëti e Bujqësia” kur poeti ishte në moshë të ré:

“Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,

Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija...”

E menjëherë mbas Tij, vazhdon edhe At Fishta: – Europa mrrutë e ndytë, Shkerdhye...

Ja pret Don Ndre Mjeda në krah tjeter tek: Mustafa Pasha...

“E pasha, ndêjun mbi thasë t’ florive

Nder valle jevkash, n’ lodër dudumash,

Tallet i knaqun prei zanit t’ flive

Si qen mbas trumash...

Del mizuer, këndenaj, del; prej merzijet,

Zgaq i përbuzshem, Shqipnia t’ volli:

Ty shpina e detit, ty, vend robnijet,

T’ pret Anadolli.”

E si mund t’u lehen titujt “At e Dom” këtyne?...Me i thanë Mustafa Pashës “si qen mbas trumash!” Mirë banë komunistat që ua hoqen. Vetem Atij “Pater” Gjergjit e ndonjenit ndër Ata që mbytën ia patën lanë...u dukej se po shfryejnë në Tá kur kishte titullin...edhe për së vdekuni. Ashtu edhe “akademikët” nuk kishin të ngimë vetem me emnat pa tituj.

Mandej, si u shpjegohen këta rreshta fëmijëve? – Na veçse kemi pasë “dr. prof. e fortë” e kanë dijtë me gjetë shembuj praktikë, tue u tregue se kush ishin “dudumat”...apo “trumat” që zenin në gojë klerikët, tue ua lidhë me emnat aktual të asaj kohë, p.sh. me emnat e njohun për fëmijë: “sulmueset” apo “heroinat e punës socialiste”!! Ishin mjaft të njohuna disa ma të “zgjedhunat” në lozhet afer skenës té kinema “Rozafat” në Shkoder e kinema “Kosova” në Tiranë e gjithandej, që kur dënohej kush me vdekje duertrokitnin dhe thërrisnin: “Me gjak...me gjak...” e Ajo Çilja, në Serreq u përgjegjëj: “Sot një muej na vijnë prap...” Po e lypshin si i vorfni kafshaten... Ndonse ma mirë duhet t’i kenë shkrue Aranit Çela, Nevzat Haznedari e Misto Bllaci në “kujtimet e tyne” kur realizuen zhdukjen e Klerit Katolik dhe inteligjencës Shqiptare…

Nuk pat fare faj Pashk Vasa, e mbas tij Manush Muftiu që tha: “Leni Kisha e Xhamija!”

E me të vertetë sot i sheh në Bulevardin e Tiranës e në Sheshin e Prishtinës, gjithë ata “besimtarë” përmbys...tue u falë! Sa mirë e kanë kuptue porisinë e Manush Myftiut...bash aty tek Komiteti Qendror i PPSh kanë shkue me u falë...kushedi se me cilën festë e lidhin ata…”lutjen e tyne”?? Edhe atje tek Sheshi i Prishtinës nuk di a ishin aty edhe “akademikët”, se “dr. prof.” nuk besoj se mungojnë ndër tubime “spontane”...të “Forumeve të rinisë muslimane...”

Po a vetem kaq!? – Jo jo, ndigjo këte tjetren edhe ma përdreq! Çohej pa dalë drita për me ndigjue lajmet e radio “Londres” njëfarë Hafiz Ibrahim Balliut në Tiranë, në vitin 1945... Ai na kishte ba shkollen për Hoxhë e për me u ba edhe ma “i dijshem” kishte mësue edhe anglishten e nuk mjaftohet me kaq, por kur “çlirohet” Shqipnia, na shkonte e u takonte ndër ditët e para me Imz. Bumçin, që ishte i sëmurë... për me i çue lajmet se “shpejt do të vijnë anglo – amerikanët e po shpëtojmë nga jugosllavët e rusët...” E kapne sigurimi e ta shtruen në dru! E pyet hetuesi një ditë: “Po pse ndigjove radio ‘Londren’ or Hafiz, po nuk të dolli radio ‘Tirana’ o derzi?” dhe Ky, si i “mendshem”, do me i shpjegue hetuesit komunist se: “... Kam dëgjuar ndër stacionet e Amerikës dhe të Londrës lajmet anglisht, mbasi dëshroja që ata të zbarkonin në Shqipëri ... Né nuk kemi asnjë lidhje me Lindjën as të afërme dhe as të largët. Nga turqit né kemi marrë vetëm besimin. Për të tjera nuk ka çka na duhët Anadolli... Shqipëria është shtet që i përket vetëm Europës. Me Europën na lidhë pozita gjeografike, mardhanjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha të tjerat që vijnë pas, për një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë.”(Dosja I. Balliu)

Jo vetem që Ky na ishte sjellë nga Europa...se asaj i perket Shqipnia, po edhe shkon e i thotë me mend në krye hetuesit musliman “s’ ka ç’ na duhet Anadolli!” – Aman, bre Burra, po a mundet sot me ndodhë një gja kësisoji?! Po cili Hafiz e thotë sot këte me mend në kokë? – Asnjë! Ata sot po i thonë “disa” edhe Shqipnisë “Turki”, jo ma me thanë “s’ ka ç’ na duhet Anadolli!”... Ai madje kerkonte edhe “jetë ma të mirë e të begatëshme të popullit tonë..” nga Europa!!...

Këta edhe po na i quejnë edhe Atdhetarë! “Jahzek” ju kjoftë!

Po vetem kaq! PoShkoder!? – Hoxhë Xhemal Najpi: “Katolikët janë vëllaznit tanë!”... Hafiz Derguti i thotë një shokut në birucë, kur e pyet se çka të kërkojnë që të bijnë në birucë çdo ditë pandjenja? – “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rrême të hoxhallarëve. U kam thanë, bani shka të doni se këte punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”... E vazhdonte huni si në karadak... Nuk ishin “shndosh”, ishin infektue nga Kleri Katolik: “Katolikët janë vëllaznit tanë”...A thuhet kjo nga njê Hoxhë?

Ai ma i “dishmi” që mbante Shkodra, Hafiz Ali Tari, kur ishte në burgun e Burrelit, do të aprovonte çka thonte At Mëshkalla...Mirë, ashtu ia ka pré mendja e Tij, po del prej burgut dhe i çonte edhe nga njëmijë lekë në burg At Mëshkallës...Edhe kjo iku. Kur Hafizi sëmuret dhe sheh se asht në çastet e fundit të jetës, porositë djemët: “Unë po vdes...bani si të bani e 1000 lekë në çdo muej do t’ ia çoni në burg At Mëshkallës, se nuk ka njeri me e ndihmue dhe me u interesue!” – Na ruej Zot mendjen pa dalë, nisu e shko, bre Burrë, ku je nisë me shkue, po do me u lanë edhe porosi djelmëve për Priftën... Kësaj i thonë “sëmundje e pasherueshme”...

Ata a thue se kanë studjue për Hoxhë në Europë!?...Nuk i linte maraku i Priftënve as me vdekë! Patën fat e vdiqen pa fillue me ardhë ky brezi i ri...”muhaxhirë” e ku e di çka ua ka vu emnin Turqia e Irani...Jo vetem do t’i “dizinfektonin” Ata të vjetrit, po do t’i banin edhe Priftnit me thanë për turq “vëllaznit e gjakut”...ashtu si po thonë Presidentat!

Prandej edhe Presidenti i dekoron “Nderi i Kombit”...Po cilit komb, nuk e di!!

 

Vazhdon...

Melbourne, Gusht 2011.