E shtune, 21.12.2024, 01:24 PM (GMT)

Kulturë

Skënder Buçpapaj: Lulet e egra të kaosit në poezinë e Zef Mulajt

E marte, 23.08.2011, 07:33 PM


Lulet e egra të kaosit në poezinë e Zef Mulajt

 

Recension i librit me poezi të Zef Mulaj: “Merr për dore hijen time” në katër gjuhë europiane.

 

Nga Skënder Buçpapaj

 

Ndoshta nuk kam kujtesë të mjaftueshme,por mendoj se është hera e parë që ndesh në poezi togfjalëshin “lulet e egra”. Në urtësinë shqiptare,sidomos në urtësinë malësore lulet e egra simbolizojnë djerrën,braktisjen,lënien shkret të truallit.

Për më tepër,në poezinë e Zef Mulajt kjo është braktisje e varreve të të parëve,lënie e tyre në prani të florës së egër dhe të faunës së egër,pra është një braktisje fatale me rreze veprimi të shtrirë sa në të ardhmen aq edhe në të shkuarën.

Lulet e egra të këtyre poezive janë lule të kaosit të shkaktuar prej mallit dhe prej vetmisë. Malli rëndom është ndjenjë e përftuar nga largësia në kohë ose në hapësirë,siç është malli për një moshë të tillë si fëmijëria,malli për të dashurën e dikurshme,malli për atdheun. Në poezinë e Zef Mulajt vendin më të madh e zë malli për atdheun,një ndjenjë kjo e përftuar në mënyrë të dyfishtë,sa nga largësia në hapësirë,aq edhe nga largësia në kohë. Dhe ky mall përjetohet në vetmi,përjetohet në zbrazëtinë e njeriut në botën e huaj,ku asgjë nuk ia zëvendëson atë që i mungon,ku njeriu ndjehet fantazmë e vetvetes.

 

Dhe duke u vënë në kërkim të atdheut,në kërkim të së shkuarës,ai tragjikisht e kupton se është vënë në kërkim të vetvetes. Kjo ndihet ndoshta më shumë se kudo në poezinë “Varre të tretura”:“Jam duke filmuar këto male/ Atje lart në qiell/ Me kamerën e shpirti të tretur/ Atje mbi gurë/ Mbi sytë dielli është ulur/ Në këto udhë më fton/ Të eci përsëri aty poshtë/ Rrëzë malit me aha/ Rrethuar si ushtarë/ Një copë tokë kryqa të rrëzuar/ Si një fund lufte askush s’ka mbetë/ Vetëm varret pa emra të njerëzve/ Ku janë tretë .. i pashë/ U treta edhe unë/ M’u duk sikur kam vdekë/ Ku shpirtrat e njerëzve midis këtyre maleve/ Vetëm kanë mbetë/ Vetëm bar shoh e gur me lëmyshk/ Ikën të trembur njerëzit,të trembur/ Harruan këtu kockat e të parëve tanë/ E lanë hënën e rrëzuar mbi aha duke qajtë/ E zogjtë cicërojnë/ Duke grithur me sqep kryqat mbi tokë/ Në rrënjët e lisave kocka njerëzish/ Më dalin para fytyra ulurima si gjamë..”

Poezia është një pasqyrë e cila e bën të bukur atë që është rrënuar,shkruante dikur poeti Percy Bysshe Shelley. Kur është fjala tek realiteti të cilin e pasqyron poezia e Zef Mulajt,atëherë poetit nuk i mbetet mjet tjetër përveç kaosit metaforik,prej nga ta rilindë një realitet nga rrënojat e tij,ta ribëjë nga ajo çka ka mbetur prej tij. Është një aventurë që mund ta përmbushë vetëm poezia:“Ti kam prekur damarët e gjatë/ të prerë …/ I gjeta rrjedhjet e tyre nga shkojnë dhe vinë./ Ti lypa sytë/ ndezur të kishin mbetë./ Ta lypa koken,nuk të kishte tretë …./ Ta lypa gjuhën/ në çdo thërrime të dheut të kishte mbetë./ Ta lypa zemrën,gjallë ishte me të vertetë./ Ti kërkova zërat e njerëzve,/ ngrirë në muret e kalave/ të kishin mbetë….”

Këto vargje nga poezia e “Anatomia e atdheut tim”e shprehin ndoshta më haptas se kudo tjetër frymën baladike të poezive të Zef Mulajt,të sjellë tashmë prej tij në një konceptim krejtësisht modern dhe origjinal. Është kjo fryma e eposit legjendar shqiptar,është fryma e gjëmave karakteristike të veriut shqiptar,e cila nuk mund të kuptohet pa atë teatër tragjik të kaosit,të makthit,të lektisjes së dëshpëruar për të shpëtuar nga ngurosja lëndën ende të gjallë të jetes së atdheut tënd,për ta rikthyer në jetë edhe atë pjesë mbi të cilën trashet korja e ftohur e lavës së vdekjes.

Kjo bën që poezitë e Zef Mulajt të jenë një bukuri tronditëse,një bukuri që e ndryshon realitetin duke mos u pajtuar me realitetin.

Siç thotë në një nga poezitë e tij,poeti është bir i një kohe shtatzënë me heshtjen. Dhe kjo e bën të pazëvendësueshëm misionin e tij për të qenë zëri i saj.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora