E shtune, 21.12.2024, 05:49 PM (GMT)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Një ditë korriku në Muskoka

E diele, 21.08.2011, 06:58 PM


Kristaq Turtulli

 

Një ditë korriku në Muskoka

 

1

 

Rruga dytësore ‘Fishkëllima e shigjetës’ dredhon hareshëm nëpërmjet një pylli të dendur me pemë të larta që të nxjerr në skajin e majtë të liqenit Muskoka. Përnjëmend të bëhet sikur udhëton në një  tunel të gjelbëruar dhe mahnitesh me shkëlqimin dhe transparencën e ngjyrave. Rezet fosforeshente të diellit mëngjesor thyhen nëpër degë dhe gjethe, lodrojnë të shpenguara dhe krijuar hieroglifë të lashta sa vete bota. Xhamat e makinës janë të hapura, ëmbëlsisht të përkëdhel fytyrën, trupin, ajri i freskët mëngjesor dhe era e lagësht e ujit. Nga radioja dëgjohet muzikë e ëmbël qyteti. Në dy anët e rrugës shfaqen dhe lihen pas rrugina të ngushta si të fshehura, të cilat dredhojnë nëpër pyll dhe të çojnë në shtëpitë e drunjta të rrethuara me jeshillëk, me plot freski dhe dritë.

 

Tutje, në fund të labirintit gjelbëror dallohet kaltërsia ujore e liqenit, si një unazë qiellore e flladitur prej gjetheve dhe degëve. Zemra rrahën me vrull dhe makina ngadalëson shpejtësinë. Liqeni fillon dhe shfaqet i tëri me joshjen dhe magjinë ujore. Makina frenon në krahun e majtë të sheshit të vogël të parkimit ‘ Dielli lind’. Në të djathtë të liqenit të Muskokës. Disa metra larg rrotës së madhe metalike, të ndryshkur prej kohës që qëndron si simbol i ardhësve të parë. Në pllakën metalike përkujtimore, shkruhet: ‘Në këtë vend në vitin 1825 ka ndërtuar mullirin dhe ka jetuar ardhësi i parë i kësaj zone Xhoni i rrepti me të bijtë. Në vitin 1895 mulliri  u dogj prej një zjarri të befasishëm dhe nuk u rindërtua më prej të bijve.’

 

Ndanë rrugës, në të djathë, gjendet një urë e drunjtë të çon disa metra më poshtë në lëndinën e butë me pak rërë në breg. Aty marrin rreze dielli dhe lahen në liqen banorët e qytetit: ‘Engjëlli i bardhë’.

 

Shumë familje nga qyteti:  ‘Engjëlli i bardhë’,’nuk kanë prona dhe dalje buzë liqenit të kulluar me ujë të pastër dhe të ftohtë. Shtëpitë e tyre gjenden në anën e kundërt të rrugës, të rrethuara prej pemëve të larta ose në qendër të qytetit. Ata e preferojnë dhe e frekuentojnë gjithnjë këtë cep të këndshëm, vend publik me bukuri natyrore. Ku dhe këtu gjendet një pllakë përkujtimore ku shkruhet: ‘Ky vend publik për çlodhjen e argëtimin e banoreve u krijua me dëshirën e mirë dhe ndihmesën e vetë banoreve të qytetit ‘Engjëlli i bardhë’ në vitin 1876.’

 

Makinat e pushuesve parkojnë në parkingun:’ Dielli lind,’ të shtruar me zhavorr të imët. Ata shpijnë këmbët, përshëndesin me zë të ulët njeri tjetrin. Tërheqin nga bagazhet e makinave sendet e nevojshme dhe drejtohen me hapa të matura drejt stolave dhe tavolinave të drunjta. Qëndrojnë një copë herë dhe kundrojnë me kënaqësi kaltërsinë dhe magjinë ujore të liqenit. Shtrojnë mbi bar ose në rërë çarçafët dhe peshqirët. Ndihmojnë shoqi-shoqin të lyhen me vaj plazhi dhe më pas rehatohen të shpenguar pa shkëputur vështrim e ngulët nga liqeni.

 

Disa pushues të tjerë hapin stolat portative fare pranë ujit, buzë bordurës së betontë. Hanë me të shpejtë hamburger. Ata janë si gjithnjë të paduruar, duan të lahen për të shpirë trupin dhe të gjuajnë peshq. Përflitet se në liqenin Muskoka gjendet një peshk i madh, i bukur, por askush nuk ka mundur ta hedhë në rrjetë ose tas kapë me grep. Peshqit e kapur me grep, kryesisht salmon ose tuna, nuk i hanë, i gjuajnë vetëm për të kaluar kokën, për kënaqësi. Vështrojnë të ngazëlluar një copë herë përdredhjen e peshqve,të kapur nga grepi e që rrëzëllejnë të ujësuar nën shkëlqimin diellor. Pastaj me dhembshuri dhe kujdes u heqin  grepat dhe i lëshojnë sërish në liqen. Ndjekin sy picërruar duke përtypur çamçakëzë notimin e plogët të ujorëve, të cilët marrin veten me vështirësi prej grepit të metaltë e më pas zhduken nën ujë. Ka nga ata peshq budallenj që nuk kuptojnë mirë ç’është pësimi. Bihen dy herë në grep dhe peshkatarët amatorë tundin kokat të mërzitur. Edhe ata vetë nuk e kanë për mbarë një peshk kaqol të kapur prej grepit dy herë.

 

Më i dalluari prej tyre është Stive topalli me profesion postier. Çalimi e këmbës së majtë i është shkaktuar prej kafshimit të gjarprit, kur po shpërndante postën nëpër rrethina, shumë vite më parë. Për shkak të këmbës i afruan punë ne postën qendrore, në seleksionimin e letrave. Stive i fyer nuk e pranoi, nuk mund të bëhej Stive Foks mi i vogël zyre. Stive Foks ish dre i lirë, i lidhur me pyllin, me erën e liqenit dhe drerët ngandonjëherë e dëmtojnë këmbët por kurrë nuk e ndërpresin vrapin.

 

Gjatë natës Stive topalli sillej dhe vërtitej nëpër shtrat aq sa zgjoi të shoqen nga gjumi.

 

‘-Stive, - iu gërmuq Sara dërdënge dhe e qëlloi me shkelmë në vithe. Kur ajo plasej në shtrat e bënte dyshekun petë dhe Stive i dukej sikur lëkundej dhe fundosej në liqenin me dallgë.

 

Stive u zgjua i trembur.

 

‘-Hë,’- ia bëri dhe fërkoi të ndenjurat.

 

‘-Mjaft mu përdrodhe si peshk i kapur nga grepi,’

 

‘-Sara, për herë të parë në jetën time pashë ëndërr sikur zura peshkun e madh,’- mërmëriti ai i lektisur.

 

‘-Peshkun e madh!’- ia pat Sara dhe ndezi dritën e komodinës. Këqyri me kujdes fytyrën e mbufatur të shoqit, nënqeshi me të keq dhe shtoi: -‘Stive im i gjorë! Nuk e shkul dot prej trurit këtë marrëzi. S’ma merr mendja të dalë burrë nëne të kapë atë peshk magjik.’

 

‘-Nuk ka,’- psherëtiu Stive. Ai kish parë ëndërr sikur peshkoi peshkun e madh dhe bridhte kryelartë, duke u tundur dhe shkundur  nëpër rrugët e qytetit. Dikush i thirri nga larg: “Stive mos kërce si kangur, çdo gjë që shfaqet është gënjeshtër.” Ai nuk i ktheu përgjigje. Të ishin vallë bashkëqytetarët kaq të verbër. Apo xhelozë se Stive Foks do të mbahej mend sa të jetë jeta në Muskokë.

 

‘-Ëndrrat në dite me diell bëhen qiqra në hell,- foli Sara dhe mbylli dritën. U rrotullua disa herë në shtrat dhe mbuloi kokën me jorgan.

 

Stive topalli u kthye në krah dhe hungëriti i nervozuar:

 

‘-Për dreq nuk ka burrë nëne të mbërthejë atë kukudh peshk.’

 

Peshku i madh vërtitet si fantazmë në qindra e qindra vjet në mendjet e brezave. Nativët  qenë lundërtarë dhe peshkatarë shumë të zotë e kërkuan me ngulm dhe e gjuajtën pa ndërprerje atë peshk. Peshku i madh u shkiste ndër duarsh dhe nuk mundën ta kapnin dot.

 

Stive topalli u ndje i mjerë që kish peshkuar në ëndërr peshkun e madh.

 

2

 

Zëra të gëzuar vijnë nga larg, në anën e kundërt të liqenit, prej jahteve të vogla pëlhurëbardha. Grupe të rinjsh bëjnë lëvizje të shkathëta, hapin krahët, kërcejnë, qeshin, ngacmojnë njeri tjetrin dhe kridhen me shpejtësi në ujë. Motoskafët  e shpejtë tërheqin lundërtarët amatore, të cilët bëjnë fluturime akrobatike në ajër, të mbajtur mbas litarëve të tendosur. Motoskafët zhurmëmëdha u çajnë ujin me shpejtësi. U bien përqark ishujve të pyllëzuar, me shtëpi të bardha pushimi dhe me verandë druri.

 

Banorët e qytetit ‘Engjëlli i bardhë,’ janë të lidhur shumë ngushtë me liqenin jetëdhenës ‘Muskoka’. Në çdo stinë të vitit por edhe në dimrin e egër ku rëndon dëbora e madhe e bardhë dhe fryn era e fortë. Liqeni ngrin, ata bëjnë gara vrapimi, luajnë me patina dhe gjuajnë peshq.

 

Këtu në këtë vend piktoresk vinë dhe ndalen familje të pasionuara të ardhura prej qindra kilometra larg, nga qyteti metropol i Torontos e të rrethinave përreth. Ata janë kureshtarë, dëshirojnë të zbulojnë rajonin e bukur dhe turistik të Muskokës, ku një vit më parë në takimin e radhës u mblodhën  tetë udhëheqësit më të mëdhenj të botës së industrializuar. Kokat më të rëndësishme të botës shëtitën në liqen me jahte të bardha. Thithën ajër të freskët, u magjepsën prej bukurive natyrore dhe luajtën golf në fushat me bar të gjelbër, të qëndisura si me dorë.

 

Të plotfuqishmit e botës bënë shaka si fjala vjen miliarderi plak dhe kokoroç, i thekur, i shtetit në formë çizme. I cili e ka në majë të gjuhës mburrjen për historinë dhe lashtësinë e vendit të tij. Skandaloz dhe merakli i pakthyeshëm i vajzave të reja. Ai përsëriti shakanë e kripur me ezmerin elegant  të shtetit më të fuqishëm të botës.

 

Gruaja e hekurt e shtetit  hijerëndë Evropian nënqeshi dhe vështroi me bisht të syrit të dy burrat. Koka aziatike e ardhur prej ishullit të famshëm për prodhimin e makinave dhe elektronikës qeshi. Ai ia bëri, ho, ho dhe përkuli kryet. Traditë e hershme aziatike. Fqinji i tij me popullsi miliardësh. I ngrefosur për bumin ekonomik si rezultat i thithjes së investitorëve të huaj dhe krahut të lirë të punës, lëvizi sytë sa andej këndej dhe mbeti fytyrë ngrirë.

 

Ndërsa koka rinore, përfaqësuesi i ishullit të madh monarkik qëndroi serioz dhe i përkushtuar në lojën e golfit. Ai kish ende kohë për të nxënë. Koka përfaqësuese i vendit të elegancës, buzëqeshi me delikatesë dhe u mbështet në krahun e gruas së tij, e famshme për bukurin e saj.

 

Mbas një drekimi të mirë shoqëruar me verë dhe shampanjë të vjetër ‘Bordo’. Me seriozitet dhe përgjegjësi udhëheqësit e mëdhenj të botës bënë analizën vjetore të zhvleftësimit të monedhës. Shkaqet e zhvleftësimit të monedhës dhe të krizës botërore. Të eliminimit të mundshëm të papunësisë dhe të luftërave rajonale.

 

Burri ezmer, elegant, energjik ecte në krye të grupit. Me atë burrë u bë realitet thënia amerikane: ‘Ëndrra shndërrohet në të vërtetë.’ Sigurisht, në atë vend të madh industrial mundësitë, oportunitetet, të papriturat janë të çuditshme dhe të pafundme. Djalosh i thjeshtë me baba zezak nga Kenia, i braktisur prej tij në moshën dy vjeçare, kurse nëna e bardhë ishte shumë e re dhe e çiltër, pa mbushur akoma njëzet vjet.  Djaloshi u ngrit vetëtimthi në majë të kupolës, si në majën e zotave të Olimpit. U zgjodh në senat. Dhe pas disa vjetësh, në fushatën e nxehtë elektorale: ‘Koha për ndryshim’, Biri i thjeshtë, karrizmatik, me oratorikë të shkathët, preku thembrën e Akilit të popullit të lodhur prej dy luftërave. Ëndrra e pamundur u shndërrua në të vërtetë. Ai kapi kurorën e Zeusit. U bë presidenti i parë me ngjyrë dhe burri më i fuqishëm i botës. Gjithsecili në botë beson dhe shpreson që ëndrra ti bëhet e vërtetë...

 

Ardhësit zbresin nga makinat. Ndalen. Shpijnë këmbët prej rrugëtimit të gjatë. Soditin natyrën, mrekullohen dhe ngrohen nën diellin shkëlqimtar të kthinës së zbuluar në buzë të rrugës. Mezi gjejnë ndonjë stol bosh. Vendosin me shkujdesje, përdhe sendet e tyre. Ndezin stufat e vogla portative me bombola gazi për të pjekur mishin e derrit, të qengjit ose këmbët e pulave. Tymi dhe era e mishit të pjekur përhapet përreth. Vendasit të bezdisur lëvizin kryet. Vështrojnë drejt tyre me bisht të syrit, nuk u pëlqen të ndotet ajri i pastër i Muskokës me tymra, paçka se mban erë të mirë mishi të pjekur. Ka plot ushqime të çastit, shumë të shijshme si hamburger, hot dog, krahë pule, patate të fërguara, të përgatitura prej kuzhinierë të zotë dhe që gjenden kudo nëpër dyqane.

 

Përse është kjo mani e ardhësve prej metropoleve, që parapëlqejnë të harxhojnë kohën e vyer dhe të tymosin mjediset e pastra, gati të virgjëta në veri të vendit? Prite kur të flakin me indiferencë lyrën e mishrave në barin e gjelber dhe ta përlyejnë mjedisin. Ardhësit janë të kujdesshëm. Përfundojnë së ngrëni, pastrojnë stufat portative, pa lënë në bar ndonjë gjurmë ndotjeje. Mbeturinat i mbledhin në qese plastike dhe i flakin në koshat e plehrave të vendosura në qoshet e lëndinës.

 

Vendasit i përgjojnë ardhësit me kujdes, në çdo lëvizje pa rënë në sy. Në fund marrin frymë të lehtësuar dhe vështrimet e tyre zbuten.

 

3

 

Sipas traditës së lashtë vendase thuhet se kjo lëndinë e vogël. Ketu ku të përkëdhel puhiza e lehtë dhe të ngroh baba Dielli me rrezet bujare. Kish qene pikë e rëndësishme takimi, tregtie dhe bisedimi mes peshkatarëve të hershëm të fiseve kryelartë: ‘Thika e verdhë dhe Kali fluturues.’ Ata qenë peshkatarë të zotë dhe lundërtarë të dëgjuar. Një merak u mbeti. Nuk mundën kurrë të kapnin peshkun e madh, me hala të argjenda dhe kokë të artë.

 

Vendasit e hershëm e respektonin nga brezi në brez këtë vend takimi. Përshkonin me kano të shpejta lumin e rrjedhshëm Muskoka, qëndronin derisa dielli përkëdhelte kreshtat e vogla të ishujve, debatonin, vallëzonin, dashuroheshin, këmbenin dhurata. Më pas u hipnim kanove, lundronin dy nga dy, tre nga tre, katër nga katër, ose grupe-grupe. Shpërndaheshin në skaje të ndryshme të liqenit deri lart në rrjedhjen e lumit duke u mëshuar lopatave dhe shkathtësi. Me premtimin se do të takoheshin përsëri në krye të javës së ardhshme.

 

Nuk dihej mirëfilli pikënisja dhe nuk është saktësuar burimi i kësaj tradite të lashtë. Gojëdhëna përcjell se në këtë vend  u zhvillua takimi i detyrueshëm. I mbijetesës për ndërprerjen e armiqësisë së egër, luftërave shkatërrimtare, prerjes së kokave, marrjes së skapeve midis dy fiseve më të mëdha. Shkaku takimit ish shumimi marramendës i minjve dhe i zvarranikëve, kafshimi në gjumë, helmimi. Përhapjes së sëmundjeve infektive, kositja e luftëtarëve jo në fushë të betejës siç u takonte nderi dhe dinjiteti, por tretja e stërmundimshme në shtrat. Vrerosja, përçudnimi,  zvarritja e grave dhe nënave. Vdekja e dhimbshme e fëmijëve dhe kuajve.

 

Nën përfaqësimin e dy shefave më të mëdhenj: ‘Pete që qëndron i vetëm’, i fisit të madh:‘Syri i shqiponjës’ dhe ‘Kainai,  Hijerëndi i fjalës’, i fisit të madh: ‘Vallëzimi i luanit’. Nën mbikëqyrjen e kryeplakut të pleqësisë: ‘ Urtësia e gjakut të vërtetë’. Ai i vizatoi me bojë, me ngjyra të çelura, të paqes fytyrat e dy shefave të plotfuqishëm, të dy fiseve më të mëdha të verilindjes. Këndoi me zë të ngjirur dhe  trup përkulur u soll katër herë rreth zjarrit. Temjanisi vendin, bisedën e rëndësishme, shefat hijerëndë dhe zjarrin që bubulonte.

 

Shefat e mëdhenj u përkulën me respekt, kokulur dhe krahëndehur drejt kryeplakut të pleqësisë:’ Urtësia e gjakut të vërtetë.’ Vendosën armët e luftës përpara këmbëve të tij. Kur morën aprovimin e kryeplakut për fillimin e bisedimeve. Ata parashtruan kushtet e paqes afatgjatë, minjtë dhe zvarranikët kërkonin kohë për tu zhdukur. Këmbyen dhurata dhe kërcyen vallen e miqësisë nën tamtamin e daulleve.

 

Përflitet se mund të ketë qenë pikë e fshehtë takimi i dy të rinjve të dashuruar, por që nuk mund të bashkoheshin mbasi u përkisnin dy fiseve armike. Gjithnjë tragjedia ‘Romeo dhe Zhuljeta ka simotra të dhimbshme në çdo cep të globit. Qysh atëherë kur filloi të regëtinte zemra dhe të flatronin krahët e ndjenjave rinore. Dy të rinjtë udhëtonin me kano, natën, vetëm, duke mbajtur vesh zërat e largëta nëpërmjet lumit të rrjedhshëm për të shprehur ndjenjat më të zjarrta. Çfarë u bë më vonë me ta u vranë, lanë veten të rrëmbeheshin nga rrjedha, u mbytën, apo u bashkuan, jetuan të lumtur dhe fiset e tyre jetuan në paqe?

 

Mos ndoshta ujërat e Muskokës nën zhaurimën e përjetshme fshehin sekrete të tjera edhe më të mëdha?

 

Shumë vite më vonë, vendasit e hershëm të pakësuar, të detyruar. Me zemër të lënduar prej humbjeve të mëdha në njerëz dhe kafshë, ngarkuan pajisjet, çadrat dhe ushqimet  dhe lëvizën ngutshëm për në veri. Aty ku kish më shumë dëborë, cikna dhe erëra, por më shumë liri dhe qetësi. Lanë pas tokën, por morën me vete shumë gjëra që u përkisnin vetëm atyre dhe askujt tjetër së bashku me legjendat. Gjithçka u thërrmua, u bë pluhur nëpër brigjet e thikta të shekujve.

 

4

 

Liqeni Muskoka nuk është liqen i madh si Superior, Ontario, Huron, Miçigan etj. Të cilët nuk janë shumë të përdorshëm për tu larë, mbasi janë të ftohtë dhe jo shumë të pastër.

 

Muskoka është liqen zonal me bukuri karakteristike, krijuar në një mjedis të mrekullueshëm. Siç janë me qindra liqene të mëdhenj dhe të vegjël në Kanada. Por liqeni Muskoka është më i veçantë se të tjerët, me ishuj të vegjël, të pyllëzuar dhe me shtëpi të bardha në breg, të cilat më së shumti lëshohen me qira. Të joshën liqeni me butësinë e njëtrajtshme të tokës, nën nivelin e ujit. Nuk është i thiktë dhe me gropa por miqësor dhe joshës. Mund të ecësh shumë në brendësi të liqenit dhe uji të vjen në një nivel, pothuajse deri në brez. Noton i shpenguar, ndalesh, pushon qetësisht dhe gjithë kënaqësi. Noton përsëri. Si ajo nëna e re, Daniela e cila ka vendosur fëmijën topolake, motake në një kamerdare plastike të improvizuar si shtëpizë kukulle, të gjelbër, me palmë përsipër. Daniela ndalon, shtrydh flokët e verdhë, lëviz trupin hijshëm si një amazonë, përgjon fëmijën e gicilis, i qesh dhe e shtyn me kujdes në ujin e qetë.

 

-Danielë të lutem, mos e mbaj gjatë fëmijën në ujë, - i thirri Skotti prej bregut. Burrë shtatlartë, zë trashë, me një nishan të madh në faqen e majtë, me theks skocez. Ai punon agjent i shitjeve dhe blerjeve të shtëpive. Biznesi i shitjeve dhe blerjeve të shtëpive kohët e fundit i kish ecur mbarë. Burrë e grua kishin vendosur të blinin një shtëpi dy katesh me dalje në liqen dhe një jaht të bardhë, të madh.

 

-Oh i dashur, ti e di, fëmija e do ujin,- ia pat Daniela, bardhoshe e bukur, trupderdhur, gjokspredhë, punonjëse e bankës TD. Ajo qeshi me zë të lartë. Disa ditë më parë menaxheri qejfli e thirri në zyrë dhe i komunikoi emërimin, përgjegjëse e një dege të bankës një veriperëndim të qytetit. Gëzimin  e ngritjes në detyrë dhe rritjes së rrogës, donte ta festonte me familjen. Ngriti fëmijën hopa në krahë dhe u zhyt më të në ujë.

 

Kristina dhe Brandi, çift i ri, merren me shitjen e blerjen e antikuarëve. Ata ishin puthitur bërë një trup. Putheshin dhe përkëdheleshin gjithë lezet. I futnin kokën njëri tjetrit brenda në ujë, vraponin, ndiqeshin, pastaj argaliseshin me të madhe. Shandani i florinjtë me vlerë i plakës së verbër Qeti, të lagjes ‘ Fija e barit,’ u ble shumë lirë. Mund të bënin një dorë me dollarë. Ata kishin marrë një hyrje me qira në hotelin ‘Patkoi’.

 

Nxënësit e klasës sportive të bejsbollit, bënin garë stërvitore. Drejtoheshin prej veteranit Brajën, i cili kish marrë me vete mbesën e vogël, një vajzë topolake, dhjetë vjeçe, me gërsheta të verdha. Çifte pleqsh të shkuar në moshë të kapur dorë për dore ecin në ujë me ngadalë, ulen në gjunjë lagin trupin dhe ecin përsëri. Tufa fëmijësh si zogj nën kujdesin e prindërve luajnë me top dhe lahen pranë bregut. Disa prindër të tjerë mbajnë fëmijët kaliqafë dhe prej andej i lënë të kërcejnë dhe zhyten në ujë.

 

Ditë e paqme me diell dhe lirshmëri.

 

5

 

Po afronte mesdita kur ndanë rrugës, pranë rrotës së vjetër metalike Xhon i rrepti, mullixhiu ndaluan katër makina, vena bojë hiri. Prej andej zbritën ardhësit e vonuar, të fundit. Katër burra ezmerë, tetë gra të mbuluara fund e krye me rroba dhe një tufë e madhe me fëmijë. Burrat mbajtën një copë herë duart mbi ballë si strehë, pa vendosur se çfarë duhet të bënin. Biseduan, debatuan, heshtën. Gratë qëndronin grumbull më tej me duart në pëqi, së bashku me fëmijët e zhurmshëm. Lëndina ishte mbushur plot me pushues dhe nuk kish vend për ta. Fëmijët lëviznin të paduruar, ngacmonin njeri tjetrin dhe tërhiqnin nënat prej fustaneve të gjata, luteshin të qëndronin, të argëtoheshin dhe ata si gjithë fëmijët e tjerë. Burrat qëndronin të vrenjtur të menduar dhe këqyrnin pafolur pushuesit që shëllëreshin të zhveshur. Liqeni i kaltër, motoskafët e zhurmshëm, jahtet shkisnin butë si pulëbardha të mëdha dhe vilat e bukura përqark i joshnin. Gratë u flisnin me zë të ulët fëmijëve të mbanin qetësi, në pritje të vendimit të burrave.

 

Burrat më në fund lëvizën si një trup lart në cep të rrugës, ku gjendej një copës lëndinë. Pranë gardhit prej dërrase të pronës private dhe ku lartësoheshin dy pemë të larta. Kokat e grave ishin drejtuar nga burrat. Ata hijerëndë, me përtaci u bënë grave me kokë se u vendos të qëndronin. Ato me gjallëri hapën bagazhet e makinave, nxorën kuverta shumëngjyrëshe prej pambuku dhe i shtruan mbi bar. Dy fëmijë u rrokullisën të shpenguar mbi kuverta. Gratë u folën të largoheshin, shtruan celofan mbi kuverta. Ato u ulën më bisht dhe nisën të shpërndanin për fëmijët pita të holla, të bëra rolle, të mbushura me perime të ndryshme. Çamarrokët e vegjël lëviznin mbi kokat e prindërve të tyre gjithë zhurmë si trumcakë të paduruar dhe kafshonin pitat me shpejtësi, me dhembet e përparmë si ketra. Ushqimi i shpërndarë u përrla sa hap e mbyll sytë. U ndanë pitet e dyta të mbushura me perime.

 

Fëmijët fshinë duart ku mundën të paduruar kthyen kokat nga prindërit. Ata e mbushën barkun, prisnin të jepej prej tyre urdhri për tu afruar drejt ujit. Njëri prej burrave foli me zë të rëndë:

 

-Fëmijë, mund të thekeni në diell.

 

Fëmijët sa hap e mbyll sytë flakën teshat dhe qëndruan në të mbathura. Ata filluan të gilicisnin njëri tjetrin dhe qeshnin me zë të lartë. Burrat dhe gratë vështronin fëmijët. Ata nuk u zhveshën për të bërë plazh.

 

Një fëmijë i dobët në cep të grupit, vështroi majtas dhe djathtas. Ai ishte ndër më të vogjlit dhe nuk u vëre kur u shkëput me kujdes prej vëmendjes së prindërve dhe theri poshtë, në breg të liqenit. Tinës filloi tu bënte me shenja fëmijëve të tjerë të ndiqnin dhe ata shembullin e tij. Njëra prej grave u kthye me vërtik dhe i thirri të birit zë grindur, në gjuhën e tyre të kthehej. Por kjo u tërhoqi vëmendjen fëmijëve të tjerë të cilët u turrën poshtë me zhurmë dhe rrëmet aty ku veronin pushuesit të shpenguar. U dëgjuan bërtitjet e trembura të grave të mbështjella fund e krye me rroba, me ferexhe dhe fustane të gjata. Burrat automatikisht kthyen kryet të zymtuar dhe vrapuan mbas fëmijëve. Vendasit u ngritën në bërryla dhe lëvizën të shqetësuar prej poteres së pazakonshme. Vështruan me bezdi, gati me mëri fëmijët e zhurmshëm, të shkujdesur, të grumbulluar në shkallinat e bregut të liqenit në pritje për tu futur në ujë.

 

-Duken ardhës të rinj, emigrantë nga lindja e mesme, ndoshta nga Arabia Saudite,- foli nëpër dhembë dhe me përtesë plaku thatin Harri, ish banakieri i klubit të vjetër ‘Gota’, dalë në pension vite me parë, frekuentues i përhershëm i plazhit. Ai rrëzoi mbi sy, me mërzi kapelën e bardhë strehëgjerë.

 

-Mendoj se janë nga Afganistani, - i foli me bindje Ruana e shoqja, një grua vithegjerë, me gjinj që i vareshin si trasta dhe me syze të mëdha dielli.

 

-Mendon se ato gra të mbuluara fund e krye duhet të zhvishen dhe të lezetohen prej ujit, - foli Harri me zë të ulët të mos e dëgjonin të tjerët.

 

-Plako nuk të harrin më gjuha tek hunda dhe mos llomotit kot- foli nëpër dhembë Ruana: - Ato nuk zbulojnë fytyrën në praninë e një të treti dhe jo më të zhvishen.

 

-Ruana të lutem lëri broçkullat. Gjuha ime tani është mbledhur bërë shuk,- tha Harri dhe kroi me nervozizëm gjoksin si dërrasë të vjetër:- Ja shiko është me të vërtetë paradoks. Njerëzit vijnë këtu në plazh të zhvishen, të lahen në liqen dhe ti a ekspozojnë trupin diellit. Ndërsa këto krijesa që aksidentalisht janë gra vijnë të mbuluara me një vandak me rroba?! Më thuaj moj grua, ç’dreqin duan ato këtu?

 

-Plako, lëri të bëjnë çfarë të duan, nuk është puna jonë. Këtu tani plako po vjen dhe cingli majmuni,- foli Ruana me zë të lodhur dhe vendosi parakrahun mbi sytë.

 

-Të lutem mos më thirr plako,- u grind Harri.

 

-Po ti plak je,- nuk tërhoqi pe Ruana.

 

- E di, plak jam, por të lutem mos më thirr me vend e pa vend. Sepse kur më thua plako ma bën koka bam, -u ankua Harri. Ai donte të shtonte se dhe ti je një plakë e shpifur, gërdallë më keq se unë. Një brumë i qullur, lëngëtyrë, e tjera e të tjera. Por nuk ia mbajti. Ajo do ta bënte pestil.

 

-Mirë, nuk të thërras,- foli gruaja e bezdisur.

 

-Më premton?

 

-Të premtoj.

 

-Faleminderit e mira ime Ruana. U prish bota, për atë zot u prish,- murmuriti Harri dhe shtoi me bindje: -Ato gra nuk mund dhe nuk duhet të futen në ujë me gjithë rroba. Gjithsesi liqeni ka kodin dhe shenjtërinë e vet.

 

-Mos e lodh kokën pla.., me kode, shenjtëri dhe ku di unë çfarë..,- ia bëri e bezdisur Ruana dhe i ktheu shpinën.

 

Harri u përtyp por nuk foli. E shkeli si zakonisht premtimin e dosa, brumi i ardhur, përsëri ia këputi një: pla... duke copëtuar me dhembë K-në.

 

6

 

Tufa e madhe e fëmijëve vrapoi drejt ujit të shoqëruar me britma të papërmbajtura gëzimi. Klithnin, fshikullonin ujin, ngrinin stërkala, lagnin njeri tjetrin, drithëroheshin, fërkonin trupin, të ngroheshin prej ujit të ftohtë dhe më pas argaliseshin me të madhe. Mbas tyre lëvizte në ujë me ngathtësi njeri prej prindërve, fytyrë ezmere, rrumbullake, me pak mustaqe. Ai mbante veshur bluzë të lehtë pambuku, me vija të gjelbra dhe blu të errët, të qullur dhe të ngjitur pas trupit.

 

Gratë me ferexhe si në një film pa zë ecën ngadalë, zbritën në njësh kolonë. Pushuesit ndoqën me sy baritjen e plogët të tyre. Ato qëndruan të ndrojtura në pragun e shkallinës së parë që të çonte në liqen. Në këtë plazh ku dielli digjte dhe të gjithë pushuesit ishin të zhveshur, ato dukeshin tmerrësisht të çuditshme. Vajzat e reja që laheshin dhe bënin banja dielli, mbanin veshje plazhi me dy gisht mbathje dhe sutjena.

 

Gratë e mbuluara me rroba të rënda dhe ferexhe lëvizën u bënë rreth dhe diç folën mes tyre. Ajo më e gjata, shtatlarta ndehu krahun drejt liqenit.  Dy më të mbushurat dhe më të shkurtat hodhën një hap prapa. Krahu i shtatlartës qëndronte i ndehur. Ato me mëdyshje u bashkuan përsëri me grupin. Gratë qëndruan në një vijë. Të pavendosura nisën të zbrisnin shkallinat një nga një me plogështi, gati me frikë.

 

Dikush prej pushuesve u kollit me qëllim. Një tjetër teshtiu. Lart në kupë të qiellit dielli përvëlonte. Në ujë reflektoheshin me miliona kristale shumëngjyrëshe. Njëra prej grave futi dorën në ujë. Ajo është shtatlarta, Shehrazadja, vetullharkuara, qerpik gjilpëra, gruaja e dytë e Amidit. Shehrazadja lëvizi gishtat në ujë, e llokoçiti.

 

-Ëh!- Ia bëri, me psherëtimë të thellë, të heshtur. Ajo zbërtheu kopsat dhe lidhëset e shumta. Fërkoi gjoksin e vogël, barkun, deri poshtë, por me kujdes të mos e shikonin gratë e tjera dhe pëshpëriti symbyllur:- Allah! Allah! Pse vallë i ke dhenë ujit kaq lezet?

 

Kur ish fëmijë ajo kish ëndërruar të bëhej balerinë. Babai e martoi herët me Amidin e kamur. Ëndrra iu bë pluhur dhe hi. Prej freskisë së ujit trupi i saj u drithërua. Ajo dëshironte ti mblidhte në grushte reflektimet diellore dhe kristalet ujore. Ajo ishte shumë e re, trupderdhur,gjoksvogël, si dy portokaj.  Donte të ish e zhveshur, të admirohej prej meshkujve dhe të thekej prej rrezeve diellore si gjithë pushueset e tjera vendase. Pa vështruar nga gratë e tjera, hodhi në ujë këmbën e majtë, të mbuluar dhunshëm prej fustanit të gjatë.

 

‘Shëet Shahrazade! Mos po bëjmë një të paqenë? Allah! Allah! Se si më vjen!’- I pëshpëriti Sahara, gruaja e parë e Amidit.  Amidi më shumtën e kohës flinte me Shahrazaden. E verbonte burrin bardhësia marramendëse e trupit të kolmë të gruas së re. Sahara nuk ankohej për braktisjen e heshtur e të shoqit, por sytë e saj qëndronin gjithnjë të trishtuar. Ajo përgjonte Shahrazaden kur lahej në vaskë në dhomën e mënjanuar të grave dhe me sy ziliqarë sodiste trupin e derdhur, këmbët e drejta dhe gjoksin e vogël. Sahara vuante prej sëmundjes së sheqerit edhe pse bënte gjithnjë ëmbëlsira. Amidit i pëlqenin sheqernat dhe ajo i përmbyste pa kursyer me shurup.

 

-Allah! Allah!- Pëshpëriti një tjetër.- Mos është gjynah!

 

Shehrazadja nuk u ktheu përgjigje. Pse gjynah është të lahesh në ujë! Asaj i vinte të çirrte me thonj këto tesha të rënda, të zhvishej lakuriq dhe të kridhej në ujë. Edhe pse ish nusja më e re, kish qenë iniciatorja e parë për të lëvizur, vizituar liqenet dhe mjediset e Kanadasë. Përderisa u larguan prej atdheut, ndryshuan vend dhe mjedis, duhet të përshtateshin me ambientin. Ishte koha për ndryshim. Kur ia tha këto mendime Saharasë. Ajo e vështroi me dyshim.

 

Burrat e pranuan në heshtje kompromisin e sipërfaqshëm, për të argëtuar fëmijët. Po të ish për Shehrazaden, do ti kish flakur me kohë këto tesha të tmerrshme që i mundonin shpirtin dhe trupin. Feja dhe ligjet e saj ishin jashtëzakonisht të ngurta.

 

Shehrazadja qëndroi një copë herë e ngurosur. Mbajti vesh zërat e largëta dhe zërat e afërta, të fshehta të ujit. Sa e madhe dhe zemërgjerë është bota dhe sa të ngurta janë dëshirat e njeriut. Përkuli  trupin me shkujdesje dhe lëvizi përpara. Uji i hyri nxitimthi në trup, u rrëqeth. Më pas hodhi këmbën tjetër. Freskia e ujit e joshi, hyri deri në mes. Oh! Se si i vinte! U zhyt e tëra.

 

‘Oh!’ Ia bëri ajo përsëri dhe teshat e saj u frynë menjëherë. Iu bë sikur era ia shkuli rrobat e rënda dhe i flaku tutje. Ajo ish lakuriq si një sirenë uji. I dukej sikur vallëzonte në ujin e kthjellët. Mbas saj u ngutën të futeshin në ujë dhe gratë e tjera. Me frikë se mos ndërronin mendje nën forcën e zakonit. Dhe qëndronin pranë bregut të liqenit nën urdhrat e ashpra të burrave.

 

Gratë të hutuara rrotulloheshin në ujë krahëhapur, me ngathtësi. Ngjanin si shpendë të çuditshëm, pendë qullur të zbritur rastësisht në liqenin e largët, verior Muskoka. Sa të bezdisshme janë rrobat kur rëndohen prej ujit.

 

7

 

U lëkund qetësia rutinë e një dite të zakonshme plazhi. Poteret e fëmijëve, ardhësve të vegjël, të largët dhe të paftuar kish arritur kulmin. Ndërsa zhytja në ujë e grave të mbuluara funde krye me tesha të rënda u la një shije të habitshme, por të dalë jashtë kohe.

 

Sigurisht vendasve nuk u erdhi mirë. Sidomos prej tetë masave të mbuluara fund e krye me rroba. Brenda tyre aksidentalisht fshiheshin gratë ardhëse, të cilat lëviznin në ujë si palombarë të çuditshëm. Dikush mërmëriti nëpër dhembë:

 

‘Do ish mrekullisht bukur sikur ato gra si lëmshe, të sodisnin reflekset ujore prej bregut të liqenit të dashur Muskoka.’

 

Një tjetër mblodhi supet, por nuk i foli.

 

Daniela doli me ngutje prej ujit, duke lëvizur shpullat e hijshme dhe vithet e kolme. Ajo dukej e vrenjtur në fytyrë, ndërsa trupi i saj i derdhur tejet seksual. Daniela vendosi në cep të stolit kamerdaren e improvizuar si shtëpi kukulle me palmë përsipër. Hapi një kuvertë me lule dhe nisi të ndërronte fëmijën që argalisej prej kënaqësisë.

 

-Do futesh përsëri në ujë?- E pyeti Skoti.

 

-Nuk e di,- u përgjigj ajo.

 

Harri ish ngritur në bërryla me qafë të ndehur nga liqeni.

 

-U, u, u, u, Ruana, shiko, shiko atje në liqen. Ato me gjithë mend u futën në ujë, - foli zëdridhur Harri.

 

Gruaja u kthye me përtesë dhe mblodhi buzët.

 

-Pëf!-ia bëri.

 

-Një hop besova se ish lojë e syve. Nuk gjetën tjetër vend ato gra të lajnë rrobat, po pikërisht në liqenin tonë,- shtoi Harri me zë të holluar prej ankimit .

 

-Sa do rrojmë do mësojmë Harri,- ia priti Stive topalli dhe vazhdoi: - me sa kam dëgjuar Harri. Ato gra të janë thëngjij të mbuluar, po ëhë, po ti prekësh pak, të përvëlojnë, ta bëjnë trupin me fulltaka.

 

Ruana lëvizi në krah. Hodhi një vështrim të vrenjtur drejt grave të mbuluara me ferexhe, pastaj mbuloi kokën me peshqir.

 

Vendasit u tërhoqën me kujdes, pa shumë dëshirë, duke ju lënë ardhësve të zhurmshëm dhe çamarrokë hapësirë më të madhe në brezin e parë të liqenit të kthjellët Muskoka.

 

Dielli kish qëndruar në kupë të qiellit dhe përvëlonte. Uji i liqenit ishte i qetë si një pëlhurë e nderë.

 

Gratë e mbështjella me ferexhe dhe fustane të gjata gjithë pala, dolën një nga një nga uji. Ato barisnin ngadalë, me vështirësi. Rrobat e tyre kullonin rrëke. Në ecje e sipër shtrydhnin teshat e rënduara prej ujit. Njëra prej tyre, ajo më shtatlarta, Shehrazadja, largoi me nervozizëm cepin e ferexhesë dhe e shtrydhi. Syri i saj ishte i madh.

 

-Ia pashë syrin njërës prej tyre. Për atë zot që ia pashë. Oh! Të zi dhe sa të madh e kish, sa një filxhan. Shikimi i saj ish si një shigjetë e flakëruar,- murmuriti Stive topalli dhe shtoi me zë përdëllestar: - Këtu në plazh i ke fermat si ti duash. Të bardha, ezmere, të kolme, elegante, me dy gisht brekë, me një ripkë të hollë sa mbulojnë thithat dhe nuk u shtije sytë. Sa më shumë mbulohet femra, aq më tepër zhuritet mashkulli.

 

Fëmijët ardhës po josheshin dhe mrekulloheshin prej ujit të liqenit dhe nivelit të tij. Ish pa gropa, i sheshtë, ndryshe nga sa i kishin këshilluar prindërit e trembur. Filluan të ngrinin stërkala të madha dhe të luanin me një top të vogël. Ia hidhnin me njëri- tjetrin, shtyheshin, ngatërroheshin dhe qeshnin.

 

Sahara u ndje e shqetësuar, lëvizi kryet me vërtik dhe u foli grave. Ato si me komandë ndërprenë shtrydhjen e teshave, ngritën kokat dhe nisën tu bërtisnin fëmijëve të mos shkonin thellë. Një tjetër prind, Sadiu, me mjekrën korb të zezë dhe me bluzë të hirtë u fut me nxitim në ujë. Fëmijët i kish përfshitë loja, nuk dëgjonin. Ata ishin të mbërthyer prej loja së bukur.

 

8

 

Filloi të frynte një erë e lehtë. Pushuesit vendas po bezdiseshin gjithnjë e më tepër por nuk e bënin veten. Me indiferencë të sipërfaqshme merreshin me njeri tjetrin.

 

Gruaja me shtat të lartë, Shehrazadja tërhoqi pas vetes gratë e tjera të mbuluara me ferexhe dhe hynë përsëri në ujë. U zhytën deri tek shpatullat, dikush futi dhe kokën. Ato ngjanin si kërpudha të mëdha. Shehrazadja me marifet fërkoi, përkëdheli,  këmbët, krahët, gjoksin. Uji i liqenit i ngjau tejet epshor. Ajo u nervozua me veten dhe me hallkat e tepërta që mbanin emrin tesha. Sahara u mërzit shpejt. Vështroi me frikë nga i shoqi. Fytyra e Amidit iu duk e murrëtyer. Ai ish burrë i ashpër dhe ajo i trembej. Me ngul kërkoi të dilnin, duke shtuar:

 

-Për Allah, mos po bëjmë gjynah!

 

Gratë e tjera nuk i kthyen përgjigje, por kontrolluan me gishtërinj, nën ujë teshat, mbërthyen kopsat, karficat, shtrënguan rripat. U çuan dhe dolën pa qejf.

 

Dhe nëse ardhëset e vonuara nuk u zhveshën. Të flaknin tutje fustanet e gjata, të brendshmet çitjane, përsëri të brendshmet e tjera me pala, deri tek të linjtat e holla pështjelluese, në se mund ti kishin të tilla. Ato do hiqnin me ceremoni shamitë trekëndore me xhufka dhe më në fund hallkat shtrënguese ferexhe, të cilat mbulonin dhunshëm fytyrat. Sidoqoftë të gjitha këto hollësi delikate, që të ndiznin kureshtjen. Ishin çështje intime të zhveshjes së grave të ardhësve prej vendeve së lindjes së mesme. Nuk u përkiste vendasve. Ata janë tolerantë, të mësuar shumë lehtësisht me zhveshje dhe lakuriqësi, jo vetëm në plazh por në rrugë, mitingje dhe kudo. Deri tek nxjerrja e kofshëve, barqeve dhe kërthizave ku janë mbërthyer dhe varen zilka të vogla.

 

Vendi i tyre me demokraci të respektuar i lejon  të gjitha modat, veshjet, mendësitë dhe zakonet. Kostumet e rënda dopiopet. Xhins të ronitura, të prera kryq e tërthor. Xhingla mingla. Me tre palë brekë të veshura njëra mbi tjetrën dhe me dhjetë palë bluza. Me turbe shumëngjyrëshe sa dy koka bashkë. Me fustane të gjata dhe të shkurtra. Me çitjane dhe tallaganë. Me ferexhe si perde, ku të mbahet fryma dhe nuk lë të hyjë drita dhe dielli. Deri tek lakuriqësia dypalëshe e lakmuar biseksuale, shpesh herë e shpërdoruar, banalizuar. Ronitja e seksit kish kaluar në ekstrem, ish zhbërë. Dikush pëshpëriste me maraz se: prej mbingopjes, lakuriqësia njerëzore ish zhvleftësuar, bastarduar me tatuazhe të pështira, ogurzeza, vampirë që të kallnin datën.

 

Së paku ardhësit e vonuar të mos i lejonin fëmijët të bënin gjithë këtë zallahi të panevojshme sa tu shkaktonin të tjerëve dhembje koke. Liqeni është i madh dhe ka hapësirë për të gjithë. Le të lodrojnë. Njeriu shkon në plazh të çlodhet, të largojë nga mendja stresin e ditës dhe të marrë reze të çmuara dielli. Kur dihet mirë që në këtë vend, ka dimër të gjatë me ngrica dhe dëborë të madhe. Vetëm disa muaj të kushtueshëm me diell të ngrohtë.

 

9

 

Plaku thatin Harri, ish banakieri i klubit të vjetër ‘Gota. ‘ Me kapele republike të rrasur deri tek veshët lapucere dhe lëkurë të përskuqur prej diellit, lëvizi me ngathtësi qafën dhe me zë të shuar iu lut Ruanës të lajmëronte ambulancën.

 

-Çfarë,- ia bëri e shoqja pa hequr peshqirin nga koka.

 

-Nuk po ndjehem mirë.

 

-Ke gjithë ditën shtrirë, të ka rënë dielli në kokë, ngrehu lëviz,- foli Ruana.

 

-Si të lëviz, kur kam një gërç këtu në gjoks dhe nuk po mundem të mbushem me frymë,- u ankua ai.

 

Ruana largoi peshqirin dhe ngriti kokën me përtesë.

 

- Po të mos ndjehesh mirë ikim. E lëmë këtë ditë të bukur dhe shkojmë në shtëpi,- i tha ajo dhe mbështeti bërrylin në stol.

 

Harri nuk i ktheu përgjigje, krahët dobëta të tij u varën në stol.

 

-Harri dëgjon.

 

Ai heshte.

 

-Plako! Harri!

 

Lart në rrugë kaloi një grua police me biçikletë. Ruana e shqetësuar i kërkoi ndihmë. Policja një grua energjike, me trup mesatar, la biçikletën buzë rrugës dhe zbriti me nxitim. I mati pulsin plakut Harri. Ruana ndukte gishtërinjtë me dhembë dhe vazhdoi të mërmëriste me vete se qysh mbrëmë plakushi Harri e kish pasur tensionin e ulur. Është kokë mushkë plaku, nuk dëgjoi të qëndronte në shtëpi, nuk donte te braktiste traditën për të dalë në bregun e liqenit.

 

Menjëherë vëmendja e pushuesve u shkëput nga fëmijët ardhës që zhurmëtinin në liqen dhe u përqendrua tek Harri thatim, të cilit i kish rënë të fikët. Policja i foli në radio me urgjencën e spitalit të qytetit: ’Engjëlli i bardhë,’ të dërgonte menjëherë ambulancën. Ajo iu lut dy djelmoshave ta ndihmonin ta mbartin plakun nën pemë, larg rezeve të nxehta të diellit. Policja hoqi me nxitim kapelën dhe xhaketën. Largoi kureshtarët e shumtë që vështronin të shqetësuar trupin e lëshuar të plakut Harri dhe nisi ti bënte frymëmarrje artificiale. Ruana pak më tej përlotej në heshtje dhe nuk pushonte së mërmërituri. Ngjante si një masë e qullur mishi e lënë në harresë.

 

Këmisha e kaltër e polices u qull menjëherë nga djersa. Mbas disa minutash Harri përpëliti sytë, i hapi dhe vështroi përqark i hutuar. Ruana qeshi me histeri e lehtësuar dhe kroi gjoksin e lëshuar. Bashkëqytetarët morën frymë të lehtësuar.

 

-Dreq Harri, dreq! Na bëre me zemër,- ia  bëri Skoti buzagaz dhe shtoi:- Sëmuret burri prej një fashë dielli.

 

Plaku Harri lëvizi qafën me ngadalë dhe buzëqeshi me vështirësi.

 

-Nuk vdes lehtë Harri jo, pa provuar dhe shijen e gruas së gjashtë,- ia pat me shaka Brajën, pa lëshuar të mbesën nga dora e cila donte të përzihej me fëmijët e tjerë.

 

Ruana lëvizi kokën me vrull, vështroi nga Brajën me inat dhe i shfryu:

 

-Qërohu tutje Brajën. Shkoi vapa me gushtin për Harrin. Tani duhet ti a mbash veglën të ngritur me spango. Apo ta ka qejfi ty të futesh e të kullosësh në luadhin tim.

 

-He,he, he,- hungëriti Brajën. E cimbisi gruan lehtë më krahun e trashë, llurbë dhe i pëshpëriti  pranë veshit:- Bëra shaka moj Ruana. Luadhin tënd unë e kam kositur kur bari ish shumë i freskët e mbante erë trëndelinë. Apo harrove moj e mira dhe e ndezura Ruana?

 

-Hy malukat me brirë, shko gremisu! Gojëfarmak!-iu gërmuq ajo:-  Gjete kohën të grisesh me ne. Gjithnjë tartarin ke qenë.

 

Brajën luajti kokën ngadalë pa i vënë veshin sharjeve të saj dhe pëshpëriti:

 

-Lëre tani Ruana, mos e nga, të lutem. Siç e sheh po më bëhet mbesa për tu martuar. Të shkuara të harruara. Hë de, ngriji vetullat. Më fal. Të jem i sinqertë me ty. Ti ishe me të vërtetë llokum me ara Ruana. Sheqer e mjaltë. Sidaxhe Persie. Njëshi me nam i qytetit dhe i tërë zonës së Muskokës.

 

Ruana u shkri nga kënaqësia e pickoi në ije dhe ju përkëdhel si kone.

 

-Eh more Brajën, eh! Atëherë pse më le të shkoja tek Harri,- i foli ajo gjithë përdëllim.

 

-Po gruan që kisha ç’ta bëja,- i foli ai nëpër dhembë.

 

-Ç’ta bëje?! Ja shiko këta ardhësit, mbajnë nga dy gra,- murmuriti ajo me zë të grindur.

 

-Në ato vite ti, Ruana, nuk mund të përmbaheshe, jo,- rënkoi Brajën.

 

Ruana i prish në fytyrë dhe hapi gojën të fliste. Lart në rrugë u ndal sirenëlëshuar makina e ambulancës dhe zbritën me nxitim dy veta të veshur me uniformën e ndihmës së shpejtë dhe me barelë në duar. Ata i vendosën në gojë Harrit maskën plastike të oksigjenit. Dikush prej pushuesve nënqeshi me të keq për panevojshmërinë e saj.

 

-Harri është kockë e fortë, nuk do pranojë të shkojë në spital. Ai gjithnjë ka thënë se do të vdesë në këmbë, - tha Stive topalli.

 

-Djall me brirë,- iu gërmuq Ruana Brajën:- me burrë të sëmurë, ma prishe mendjen.

 

Ai picërroi sytë dhe nënqeshi.

 

-Eh Ruana, eh!- ia mërmëriti: -Lumi Muskoka rrjedh fërkohet nëpër brigje dhe gërxhe njëlloj si brengat e njerëzve.

 

Ruana nuk e dëgjoi. Ajo ishte jashtëzakonisht e preokupuar me mbarëvajtjen e shëndetit të burrit të saj. Për djall ky plakaruq, lapucere, maniak i keq, ende nuk e kish bërë në emrin e saj testamentin e shtëpisë së madhe në qendër te Torontos.

 

Harri nuk kundërshtoi kur punonjësit e ndihmës së shpejtë e mbartën në barelë me shumë kujdes e ngritën peshë dhe nisën të ngjitnin shkallët e drunjta. Ai mbylli sytë i lodhur. Ruana ecte si patë, e ndiqte barelën kokulur me fytyrë të zbehtë.

 

10

 

Pushuesit me buzëqeshje zemërgjerësie u shpërndanë të lehtësuar nëpër stolat, shilarësit dhe peshqirët e tyre. Ata u sheshuan duke psherëtirë lehtë me zemërgjerësi dhe përhumbën shikimet. Plaku Harri u morri pak kohë me sëmundjen e tij të papritur. Paçka. Ngandonjëherë plazhi i ka këto të  papritura. Hëm, nevojiten intermexo të tilla për të shkundur monotoninë dhe rutinën e përditshme. Harri do të marrë serum në spital dhe do flejë një natë si shqerrë. Plaku thatin do ndjehet i lehtë si pëllumb i shkruar. Të nesërmen do ta gjejnë si zakonisht në vendin e tij, rehatuar në shilarës së bashku me gruan, besniken Ruana. Eh, more Harri, Harri për pak sa na bëre verem. U shkëputi vëmendjen dhe i largoi disa dhjetëra minuta prej rezeve të ngrohta diellore. Aq të vyera në këtë cep të liqenit me ujë të kthjellët dhe më pamje të mrekullueshme.

 

Ndodh shpesh që diellin e ngrohtë e zë reja, moti ftohet sakaq. Pushuesit pa u mërzitur mbledhin teshat, u hipin makinave dhe shpërndahen nëpër shtëpia, në pritje të ditës tjetër.

 

Pothuajse të gjithë pushuesve i përfshiu dëshira për tu larë dhe dëfryer. Skotti dhe Danielën hynë në liqen së bashku me fëmijën e tyre të futur në kamerdaren e gjelbër, lodër, me palmë përsipër. Kristina me Brandin kishin peshkuar një plakë gërdallë, me flokë të ngjyera në të kuqe. Me vetulla vizatuar me kopjativ,  nga lagja e vjetër e të ‘Humburit.’ Ata e kishin marrë plakën në mes, përkëdhelnin ujin dhe flisnin të preokupuar për antikuarët e papërdorshme që mbante nënoja në shtëpinë e vjetër, kur mund të fitonte dhjetra dollarë. Plaka thatime i dëgjonte e përhumbur. Ajo vërtet kish nevojë për ca dollarë më shumë. Në dimër kur binte dëborë, shtëpia e drunjtë tek ‘Cepi i Kërcurit’  nisën avazin e rënkimeve dhe kërcitjeve, njëlloj si eshtrat e saj. Shtëpia e dashur mund ti shembej në vitet e ardhshme dhe mund te merrte nën vete. Djemtë i ishin martuar dhe kishin marrë udhët vite më parë, një në Manitoba, tjetri në Vankuver. Ajo mendonte me ato dollarë të fituara ta meremetonte shtëpinë. Sa të dashur dhe të sinqertë janë të rinjtë e porsa martuar!

 

Stive topallit iu lëkund grepi me tërsëllëm dhe atij i rrahu zemra me vrull për peshkun e madh që kish parë në ëndërr. Filli i tendosur dridhej. Le ti a bënte puf Sara. Fati i madh po i trokiste në derë. Përderisa flitet në qindra vjet për një peshk të florinjtë dhe të argjend, i cili jeton i shpenguar në ujërat e liqenit të Muskokës. Nuk do ish çudi që ky peshk të binte një ditë në grepin e të thjeshtit, postierit të papërtuar Stive topallit dhe kjo ditë mund të ish e sotmja.

 

Brajën nisi tu bënte stërvitje pjesëtareve të skuadrës së bejsbollit. I fërshëllente bilbilit me furi, vraponte së bashkë me skuadrën nga në skaj në tjetër. Jahtet dhe motoskafët lëviznin të shpenguar në liqen dhe të rinjtë kridheshin në ujë shoqëruar me klithma gëzimi. Lart mbi rrugë, punonjësit e ndihmës së shpejtë përshëndetën policen e shërbimit dhe i hipën makinës për tu larguar.

 

11

 

Në mes të kësaj harmonie të mrekullueshme u ngrit një klithmë e llahtarshme. Shungullimë, që u mpiu pushuesve pështymën në gojë. Tetë gratë si lëmshe rrobash, vraponin si të çakërdisura në rrugë. Shehrazadja i doli përpara ambulancës së emergjencës dhe i bllokoi rrugën. Sa e mundimshme ish ajo ferexhe që i mbante frymën e djersinte dhe nuk e linte të fliste, i vinte ta shkulte dhe ta flakte tutje. Sytë i ishin veshur prej lotëve të nxehtë. Zemra i rrihte me vrull prej ankthit dhe përgjegjësisë. Sepse ish ajo e para që ngulmoi të linin fëmijët të luanin në liqen. Sytë Saharasë villnin zjarr. Shoferi frenoi me shpejtësi, duke devijuar majtas. Shehrazadja kërceu mënjanë.

 

Gratë e tjera ulërinin, nduknin rrobat, ferexhetë, qanin.

 

‘Ju lutem... na ndihmoni...Një fëmijë i yni... aty në liqen..,’ mezi mundi të fliste Shehrazadja. Ajo dridhej. Toka lëvizte dhe asaj i bëhej sikur do gremisej.

 

Punonjësit e emergjencës vështruan të hutuar gruan e veshur fund e krye, që u preu rrugën. Ata shanë me zë të ulet. Mend e shtypën këtë grua. Trupi i saj i gjatë dridhej si purtekë. Ferexheja e qullur prej djersës dhe frymës lëkundej. Shikimi i tyre brodhi drejt ujërave të qeta të liqenit dhe mbajtën vesh zhurmërimën e pushuesve të shpenguar.

 

Mos ish ndonjë plakaruqe e çmendur kjo grua që iu derdh përpara makinës!

 

-Ju lutem..!- mezi dëgjuan zërin e përgjëruar të gruas.

 

Ata të ngrehur vështruan njëri tjetrin. Nuk po gjendej njëri prej fëmijëve?! Si ishte e mundur! Mos fëmija ish i prapë kish dredhuar, rendur dhe fshehur nëpër pyll. Dreq o punë! U lajmëruan për një plak thatin. Tani u doli problemi i një fëmije.

 

-Ju lutem!- dëgjuan përsëri.

 

Pa e bërë gjatë, së bashku me policen e shërbimit, zbritën me nxitim shkallët e drunjta dhe me gjithë rroba u futën në ujë.

 

Tre burrat, baballarët e fëmijëve çamarrokë, bërë dyllë në fytyra vërtiteshin të hutuar dhe vështronin gjuhëtharë memecërinë e ujit. Burri i katërt bariste i pështjelluar, syskuqur dhe mundohej të mbante grumbull fëmijët në cepin e lëndinës.

 

Kush? Përse? Si? Qysh?Çfarë? Nuk ka mundësi. Ju thoni njëri prej fëmijëve ardhës?

 

-Me gjithë mend e kini? Nuk po gjendet një prej atyre fëmijëve zhurmëtarë?- pyeti Brajën.

 

-Po.

 

- Ndoshta njëri prej atyre fëmijëve kërkon të vazhdojë lojën dhe është fshehur diku, -bëri i shkujdesur Brandi.

 

-Oh i dashur, të lutem hesht!- foli Kristina.

 

-Të hesht, e dini ju sa djallëzorë janë sot fëmijët,- ia pat Brandi, fërkoi qafën dhe shtoi: - Mos ndoshta është ndonjë humor i rëndomtë?! Lojë. Në Muskokë qarkullojnë ngandonjëherë shaka të tilla,-  vazhdoi në të tijën Brandi.

 

-Mjaft! Ju nuk keni të drejtë. Muskoka gjithnjë është dalluar për seriozitet dhe përgjegjshmëri të lartë qytetarie. Ne jemi mikpritës dhe dashamirës për cilido. Ata fëmijë dukeshin aq të mirë, të dashur dhe të shpenguar si në përrallë,- mërmëriti Daniela.

 

-Ti Brandi sikur i do fëmijët? – e pyeti me dyshim Kristina.

 

-Kristina, mjalti im! E dini fort mirë sa shumë i dua unë fëmijët,- foli me seriozitet të shtirur Brandi.

 

- Prindërit e tyre janë tmerrësisht të shqetësuar. Gruaja shtatlartë vërtitet si e çmendur. Ajo kërkoi të futej në ujë. Gruaja e shkurtër pranë saj u kërrus, u tendos dhe i nguli shtatlartës thonjtë në krah. Mos ish ndonjë mbytje e kërkuar? Gratë e tjera të llahtarisura e mbajtën nga krahët, -foli Sara me keqardhje.

 

-Si është e mundur?! Këtu tek ne, në Muskokë?!- psherëtiu Stive. Hoqi me kujdes grepin metalik prej kokës së një peshku të vogël që përdridhej dhe e hodhi në ujë.

 

Pyetjet e ethshme vazhduan vetëtimthi në gojët e pushuesve. Ata braktisën shilarësit, stolat portative, peshqirët dhe ecën drejt bregut të liqenit. Disa prej tyre u zverdhën dhe shtrënguan zemrat, të tjerët u turrën drejt ujit. U thirrën fëmijëve me emra dhe i urdhëruan të dilnin menjëherë prej ujit.

 

Diellin e zuri një re e madhe. Qielli u vrenjt.

 

-Phu, nga u gjend kjo dreq re! Moti menjëherë u ftoh. Gjer dje qielli ish i kthjellët pa re dhe dielli ndriste, - u grind Stive topalli. Ai ish i zhgënjyer. Grepi iu tendos dhe tund gjatë, ai besoi...si rezultat i kapi një salmon të vogël.

 

Uji i liqenit nisi të valëzohet. Pushuesit u ngutën të vishnin kamishat dhe bluzat e holla.

 

-Kaq e ka ngrohtësia verore këtu tek ne. Se nga shkulet dhe vjen një re nursëze dhe moti ftohet, -u mërmëriti Brajën.

 

-Lëreni motin, ju lutem interesohuni për fëmijën,- iu shkreh plaka e thatime Mona. Ajo nuk kish rënë dakord me shitjen e antikuarëve. Ata donin ti a blinin shumë lirë, vetëm me disa dollarë të qelbur.

 

-Ah po, më falni, -mërmëriti Stive dhe shtoi:- Ju sikur thatë fëmija e ardhësve të vonuar?

 

-Po. Fëmijë ezmere, më delikatja, me të brendshmet e kaltra,- ndërhyri Kristina.

 

-Ajo e imta, flokëzeza të prera shkurt, që qëndronte në fund të grupit?!-Ia bëri Skotti.

 

-Ju lutem, mos më lodhni, ka shumë mundësi që ajo të jetë,-foli plaka thatime Mona. Ajo vështroi me bisht të syrit nga Kristina. Ajo besoi më kot se të rinjtë e dashuruar janë shumë të çiltër.

 

-Oh! O Zot! Ç’po bëhet, nuk duhet të qëndrojmë duarkryq, ta kërkojmë ngado. O burra të hymë në ujë, - tha Skotti.

 

-Nuk e sheh diellin e zuri reja dhe moti menjëherë u ftoh,- u ankua plaka thatime Mona.

 

-Punë e madhe. Muskotarët janë mësuar me të ftohtin,- ia ktheu Stive me zë të grindur. Ëndrra e kapjes së peshkut të madh iu kthye përmbys dhe ai ndjehej i trishtuar.

 

-Doni të thoshit musketarët?-ia bëri Brajën.

 

Stive topalli përdrodhi buzët, por nuk i ktheu përgjigje.

 

-Ju lutem Brajën nuk është koha për shaka tani, - ndërhyri ashpër Daniela dhe thirri me sa zë që kish në kokë: - Muskotarë, ejani të kapemi dorë përdore dhe ta kontrollojmë liqenin me pëllëmbë.

 

Nisi kërkimi i ethshëm, pushuesit e kapur dorë për dore lëviznin me ngadalë përgjatë bregut të liqenit deri aty ku fillonte thellësia dhe ku ishin bërë pritë prej skafeve dhe jahteve të vendosur për së gjati. Era e hidhët e frikës dhe e vdekjes i kish përfshirë të gjithë pushuesit.

 

Fëmijët ardhës të mbledhur grumbull në cep të lëndinës dridheshin. U kish ikur ngjyra e fytyrës. Gazmendi i tyre i çiltër dhe i shkujdesur ish gremisur, qullur, rënduar brenda në ujin e ftohtë të liqenit. Zhdukja e papritur e njërit prej fëmijëve të pjesëtareve të familjes së tyre u kish vënë në fyt lakun e hutimit dhe të tmerrit. Ndërsa burrat me gratë e tyre të mbuluar fund e krye qëndronin të ngurtësuar.

 

12

 

Vendi i pushimit, në kthinën e bukur të liqenit  Muskoka e kish humbur qetësinë, aty ish rrëmujë, pështjellim. Pushuesit të kapur dorë për dore, me nervat e tendosura dhe përqendrimin maksimal lëviznin shumë ngadalë në liqen. Çdo sekondë që ikte u godiste në koka si tokmak. Fytyrat e tyre qenë  ngurosur, sytë të përqendruar tek uji, tanimë u dukej i huaj dhe tinëzar. Gjithsecili pëshpëriste i ankthuar pyetjen drithëruese:

 

-Ku duhet të jetë vallë, ku duhet të jetë vallë, ku duhet të jetë vallë kjo fëmijë?

 

-Nga  e solli kokën kjo dreq re,- u ankua përsëri Stive topalli. Këmba e dëmtuar i therte në zemër prej ftohtësisë dhe qëndrimit të gjatë në ujë. Kafshimi i gjarprit dhe uji i ftohtë e paskan njëlloj hidhësinë. Por Stive topalli nuk mund të shkëputej prej dorës së butë e topolake të Danielës.

 

Kërkuesit lëviznin hap pas hapi, në një varg të ngjeshur, të shtrënguar fort. Të mos ngelej pa kontrolluar as dhe një pëllëmbë vend. Banorët e qytetit ‘ Engjëlli i bardhë,’ me mendjelehtësi pretendonin se e njihnin me pëllëmbë tabanin e ujit të liqenit Muskoka, por nuk ish kështu. Ata dukeshin foshnjarakë në njohuri. Si të gjithë ardhësit e të ikurit e tjerë. Kjo gjë i trishtonte thellë, sepse nuk mund të realizonin kurrë ëndrrën mrekullueshme, të kapnin peshkun e madh.

 

Uji i liqenit Muskoka indiferent, u fërkohej kërkuesve nëpër këmbë dhe në trup dhe i ftohte. Ai nuk donte të lëshonte prej duarsh atë që merrte. Pse duhej, gjithnjë kish dhënë. Jo më kot kish ushqyer, përkëdhelur dhe përkundur në qindra dhe qindra vite me miliona e miliona peshkatarë, lundërtarë dhe pushues të shpenguar, të nervozuar e të lodhur prej jetës. Liqeni Musoka me ishujt e vegjël dhe të pyllëzuar, ish i përhershëm. Dhe këta pushues, apo ardhës të rinj që ndërtonin, prishnin, që bënin potere, janë tmerrësisht të përkohshëm.

 

Vargu zinxhir i pushuesve çante ujin në heshtje, me sytë e ngulur në brendësi. U dukej i huaj, i rëndë dhe i akullt. Liqeni i tyre i dashur qe bërë më tekanjoz. Hakmarrës i verbër dhe kish bërë marrëveshje të heshtur me renë e madhe lart në qiell që ish mbërthyer dhe nuk lëvizte.

 

Në kulmin e gjendjes së nderë. Zinxhiri i shtrënguar i pushuesve në liqen filloi të lëkundet. Në krahun  e majtë, pranë shtëpive private, oshtiu zëri i ngjirur i polices se shërbimit prej të ftohtit të ujit:

 

-E gjeta fëmijën, e gjeta!

 

Policja shpërtheu prej ujit me fëmijën në krahë dhe mezi mbushej me frymë nga qëndrimi i gjatë nën ujë. Ajo kullonte e gjitha. Trupi delikat i fëmijës varej në krahët polices flokëverdhë. Ajo e gjeti fëmijën pa ndjenja, mbledhur kutullaç shumë afër bregut. Duke e mbajtur shtrënguar fort në krahë, ngjiti me vrap shkallët drejt ambulancës në rrugë.

 

Plaku Harri me shikim të humbur zbriti nga makina dhe i lëshoi vend fëmijës që nuk dihej në ish gjallë apo jo...

 

 

KRISTAQ TURTULLI

Gusht 2011



(Vota: 7 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora