E premte, 27.12.2024, 03:35 AM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Turqia poshtëron turpshëm shqiptarët

E shtune, 20.08.2011, 06:03 PM


Turqia poshtëron turpshëm shqiptarët

 

Nga Ndue Ukaj

 

Poshtërimi që Turqia po ju bën shqiptarëve, s’ka të ndalur. Ai është përshkallëzuar në përmasa dramatike këto ditë të nxehta vere. Ndërsa kulmi i kësaj politike poshtëruese, u shfaq sot në Prishtinë, me kërkesën e ministrit të Arsimit turk, Omer Dincer për rishkrimin e teksteve shkollore, që nënkupton rishkrimin e historisë. Në të vërtetë, këto janë tendenca të kahershme të politikës turke karshi shqiptarëve, që mohojnë ekzistencën e kombit shqiptar dhe tjetërsimin e kujtesës.

Kështu Turqia nuk rresht së mohuari dhe përbuzuri shqiptarët. Kjo politikë është rrënuese, me pasoja të paparashikuara dhe të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në këtë pjesë të Europës.  Shteti turk, me këto synime johumane, po tregon se është larg shtetit të civilizuar, sepse vendet e civilizuara nuk kërkojnë faktet të shtrembërohen për hir të asnjë politike, përkundrazi. E për këtë, kemi shumë shembuj në Europë.

Ministri i arsimit të Kosovës, Ramë Buja, në vend se të reagoi ashpër për përzierjen flagrante të shtetit turk në punët e brendshme të Kosovës, u shfaq me një mimikri absurde prej një politikani pa guxim.  Historia nuk do të ndryshohet, edhe nëse do z. Buja dhe Komisionet e tij “profesionale”. Ajo mund vetëm të krijojë huti e tensione të brendshme ndër shqiptar, e kështu të hap plagë të reja, por kurrë të tjetërsohet.

Ka një kohë të gjatë prej kur Turqia nëpërmjet një miqësie të kamufluar, që në esencë kërkon nënshtrimin e shqiptarëve dhe tjetërsimin e tyre, nuk hesht së promovuar idenë për rikthimin e tyre të ri në këto hapësira, prej ka u shpurrën para një shekulli. Për të arrit këtë qëllim, ata kërkojnë rishkrimin e historisë dhe tjetërsimin e kujtesës së shqiptarëve. Në të vërtetë, mohimi është forma më e egër e poshtërimit. Madje, nëse e analizojmë drejt, pa ekuivokë e ambiguitete, mohimi është poshtërim më i skajshëm që shkon deri në përbuzje, rrënim, përjashtim, tendencë për zhdukje dhe çka jo tjetër.
Politika turke karshi shqiptarëve, është kryekreje duke promovuar asilloj tezash, të cilat, esencialisht janë teza të mohimit, së këndejmi edhe të poshtërimit të skajshëm, të ekzistencës fizike e shpirtërore të shqiptarëve. Ky është një mohim i plotë i etnisë shqiptar dhe historisë reale të tij. Andaj si të tilla, duhet të merren si të rrezikshme. Këtë kambanë alarmuese e patë sinjifikuar qysh para tre vjetësh Arbër Xhaferi, me artikullin 
Pasojat e akraballëkut, të botuar në disa të përditshme shqiptare, artikull ky i cili zgjoi interesim të madh dhe debate ndër shqiptar. Xhaferi me shumë argumente stigmatizoj këtë politikë turke të mohimit. Ajo çfarë është e vërtetë, poshtërimi turk ndaj shqiptarëve viteve të fundit, çdo ditë e më shumë po nxjerr krye dhe po bëhet më i vrazhdë, më imponues, sidomos përmes diskursit të politikës qeveritare turke, që nuk rresht së mohuari ekzistencën etnike të shqiptarëve, duke e kamufluar atë me gjoja “koekzistencën” historike. Kjo është gënjeshtër e kulluar, një besëtytni e trilluar e shtetit turk, politikës turke dhe elitës intelektuale turke. E vërteta historike është krejtësisht tjetër, është e kundërt, sepse marrëdhëniet turko-shqiptare, asnjëherë nuk kanë qenë e as që do jenë vëllazërore, ndërkaq dihet botërisht se shqiptarët nuk kanë bë koekzistencë me perandorinë turke, asnjëherë, mirëpo kanë qenë, për fat të keq, të shtypur, të persekutuar barbarisht, të shkatërruar fizikisht e psikologjikisht nga politika hegjemoniste ndaj shqiptarëve, që u përpoq të zhbëj çdo gjë shqiptare për shumë shekuj. Për këtë, ka aq shumë argumente, sa është e pakuptimtë të përmendën me këtë rast.

Në të vërtetë, për poshtërimin si fenomen politik, kulturor e historik në Ballkan, ka shkruar edhe shkrimtari Ismal Kadare në një sprovë të shkëlqyer eseistike, në librin Poshtërimi në Ballkan (Onufri, 2004). Autori këtu me mjeshtëri diskuton dukurinë e poshtërimit dhe vë në spikamë faktin se tendosjet dhe dramacitetet në këtë pjesë të botës, kanë një rrjedhojë edhe nga poshtërimi, si instrument i përdorshëm, i drejtuar veçmas kundër shqiptarëve dhe ekzistencës së tyre etnike e historike. Shkrimtari Kadare shenjat e poshtërimin i koncepton në kontekstin e racizmit dhe sipas tij, poshtërimi bën pjesë në shenjat e sigurta që paralajmërojnë përgatitjen e një zezone.

Pra, nuk ka gjë më të ulët se poshtërimi i një kombi. Ky poshtërim, në formë të përbuzjes, mohimit, shqiptarëve po ju bëhet nga Turqia, e cila duke i identifikuar me fenë, po pretendon shqiptarët t’i paraqes para botës si pjesë të një trungu. Kjo politikë rrënuese për shqiptarët është tejet e dhimbshme.
Tendencat turke karshi shqiptarëve ngritën mbi dy elemente, shumë të paqëndrueshme, mirëpo psikologjikisht të rrezikshme, fenë dhe historinë. Duke i përdor këto dy kategori, shteti turk sajon argumente të marra, për gjoja bashkë-ekzistencën historike dhe ndarjen e fateve përgjatë historisë, duke harruar faktin se, siç shkruan filozofi Karl Poperi, “Besimi në fatin historik është një besëtytni e kulluar”. Këtë besëtytni të kulluar, po e sajon si tezë politike Turqia, e cila përmes ministrit të jashtëm Ahmet Davutoglu, apo zyrtarëve tjerë, predikojnë një vëllazëri me shqiptarët, për marrëdhënie vëllazërore, që realisht nënkuptojnë mohimin, poshtërimin, sepse etnitë nuk kanë marrëdhënie vëllazërore. Ja vlen të përmendim si shembull popujt skandinav, të cilët janë pjesë e një trungu gjenetik, mirëpo nuk i thonë njëri- tjetrit vëllezër. E jo më shqiptarët dhe turqit?

Shteti, i ashtuquajtur modern turk, në vend se të ndjehet fajtor për një politikë shfarosëse që ka ndjekur karshi shqiptarëve nëpër shekuj, të kërkoj falje, ai nuk rresht së hapuri teza të marra, që në fund të fundit, s’janë gjë tjetër përpos sajesa të një politike që ka perënduar tash e një shekull. Mirëpo, këto tendenca dhe teza janë aq të rrezikshme sa vetë politika hegjemoniste turke, që rikthimin politik në skenën ndërkombëtare, do ta bëjë, ndër tjera, duke mohuar ekzistencën e kombit shqiptar, pra duke e përbuzur atë tmerrësisht keq, për interesat e saj gjeostrategjike. Para kësaj sfide dhe hegjemonie, politika shqiptare është shumë inerte, inferiore dhe, ndoshta djallëzisht tolerante.

Para një kohe, një ministër i kulturës nga Danimarka, kur bëri një vizitë në Irlandë, kërkoj falje për shkatërrimet barbare që kishin bërë Vikingët para qindra vitesh në Irlandë dhe kulturën fizike irlandeze, përgjatë rrugëve të tyre të plaçkitjes nëpër botë. Ky gjest kaq madhështor tregon se çfarë domethënë një shoqëri e emancipuar, një politikë që të kaluarën negative e pranon si të tillë dhe ndjehet, madje edhe pas qindra vitesh, fajtore. Turqia në vend se të ndjek shembuj të tillë, bëhet antipod dhe promuvuese e politikave jo emancipuese, të vjetra, sterotipepeve primitive që hapin tensione e jo paqe.

Në fakt, ashtu sikur shteti danez, do të duhej të vepronte edhe Turqia, të kërkoj falje për shkatërrimin që i bëri Shqipërisë, për shkatërrimin e qindra kishave, bibliotekave, për tjetërsimin e historisë, fesë, për vrasjet barbare, për pengimin e gjuhës, fesë, shkollimit, për internime, etj.

Po të krahasojmë gjestin kaq fisnik, të kombit fisnik danez, me gjestet e politikës turke dhe diskursin e saj karshi shqiptarëve, do të shohim se shteti turk sot është një kosh mbeturinash të së kaluarës, të një politike që ushqehet nga pasione të sëmura të drejtuara ndaj qenies dhe qenësisë shqiptare. Kjo është një politikë aspak emancipuese dhe krejtësisht kundër trendëve moderne europiane, ku, gjoja po na synoka të hyjë Turqia jodemokratike.
Prandaj, politika e fëlliqtë turke karshi shqiptarëve, nuk mund të quhet ndryshe përpos politikë e poshtërimit, e përbuzjes, sepse kjo bëhet përmes mohimit dhe atëherë kur mohimi është pjesë e diskursit politikë, është kësisoj shenjë e racizmit, siç do të thoshte Kadare. Këtë shqiptarët nuk duhet ta gëlltisin.

Në këtë kontekst, duhet tumiren si shumë të drejta shqetësimet e Pirro Mishos, të para disa ditshme në shtypin shqiptar, për rrezikun nga neo-otomanizmi, sepse ky rrezik është real, ndërsa ndaj tij duhet reflektuar me shumë kujdes dhe pa ekoivoke, sidomos duke kuptuar dialektikën e zhvillimeve civilizuese, se nuk mund të jesh në dy vende, në të njëjtën kohë.
Duke i trajtuar shqiptarët si vëllezër, duke ju mohuar shpeshherë kombin, duke predikuar një bashkëjetesë historike që është ireale dhe që nuk përkon as me të vërtetat historike e as politike, Turqia bën gabimin më të madh politik, duke vënë, në të njëjtën kohë, para një sfide të madhe, gjithë të ardhmen e këtij rajoni të trazuar nga reminishenca negative historike. Kjo bëhet më e ndjeshme sepse kjo politikë po instomentalizon fenë dhe historinë për këto synime.

Mirëpo, shqiptarët assesi s’duhet të harrojnë ato të vërtetat të dhimbshme që i shkaktoi pikërisht kjo Turqi, ato drama që i përjetoi me shekuj, shumë prej së cilave i vuan edhe sot, e të cilat u gatuan nga qeveritë turke në të kaluarën. Këto aspekte i analizon mjaft mirë Pirro Misha në shkrimin e tij, sikur ajo për shkëmbim të popullsisë, me të cilën politikë çnjerëzore e dehumane, u atakuan shqiptarët e besimit islam, të cilëve Turqia ju mohonte etnicitetin dhe në bazë të fesë i kategorizonte si turq. Kështu ndodhi me politikat shfarosëse që i ndoqën me shqiptarët (çamët dhe dramën e tyre) në Greqi dhe pastaj me Kosovë, krejt vonë etj.

Është bërë pothuaj e zakonshme, një klishe politikë shumë antipatik, sa herë të ketë shkëmbim vizitash mes vendeve shqiptare dhe Turqisë, të dëgjojmë a lexojmë deklarime të çoroditura dhe shumë tendencioze. Madje, deklarata të tilla vijnë nga diskursi politik i kreut turk, sikur ajo e Abdullah Gulit në Tiranë, i cili pat thënë gjatë një përurimi: “Më lejoni të them, të gjithë ne së bashku jemi pjesë e një kombi të madh.”-janë në esencë të papranueshme dhe përbëjnë precedent në politikën ndërkombëtare. Ndërkaq, këtë politikë të mohimit e poshtërimit e gëlltit vetëm një politikë idioteske shqiptare, që nuk është e aftë të vë kufij real në marrëdhëniet me shtetin turk dhe të thotë qartësisht se ky diskurs politik i shtetit turk është antikombëtar dhe si i tillë vë në rrezik etninë shqiptare.

Më kujtohet një gjest shumë i pahijshëm i para disa vitesh, kur gjatë një vizite në Shqipëri, një lider turk kishte kërkuar të hiqet nga zyret e krerëve të shtetit shqiptar portreti i Gjergj Kastriotit, që ishte një fyerje e cila tejkalon edhe përmasat e përbuzjes.

Politika turke, e cila zaten çdo ditë e më tepër është ka identifikon fenë e kombin, po i bije kambanave të rrezikshme në këtë pjesë të Europës, duke suportuar, përmes segmenteve të caktuara, një politikë që është shenjë e një zezone të keqe, ndaj së cilës, inteligjencia shqiptare, politika shqiptare ka mundësi të reagoj, sepse vetëdija dhe dija shqiptare tani është e gatshme të kuptoj këto prapaskena që luhen mbi të. Ndaj nuk duhet lejoj të bëhet preh e një politike dehumane dhe çnjerëzore.

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-turke është për shqiptarët dhe botën, shumë tragjike, madje më tragjikja. Historia shqiptare, turqit i njeh si pushtues të pashembullt, që ndaluan gjuhë e kulturë, fe e identitet, që përdorën një dhunë sistematike, duke bërë krime të panumërta, rrënim të çdo gjëje që ka qenë shqipe. Pas pesë shekujve, turqit u shporrën nga Ballkani, mirëpo asnjëherë nuk ndalën së pretenduari për rikthim në Ballkan si një formë e fuqizimit dhe faktorizimit të tyre politikë në botë
Është koha që marrëdhëniet politike mes shtetit turk dhe vendeve shqiptare (Shqipërisë dhe Kosovës) të jenë vetëm në suaza normale, pa asnjë nostalgji për otomanizmin, aspak të shkëlqyera, sepse kjo sjell në rrezik krejt të ardhmen e kombit dhe rrugën e tij drejt rikthimit fizik në perëndim, ngase ç’është e vërteta e pamohueshme, shqiptarët kanë qenë shpirtërisht me perëndimin, madje edhe kur kanë qenë të persekutuar barbarisht nga turqit.
Politika shqiptare, ajo në Kosovë dhe Shqipëri, duhet të reflektojnë më mençuri dhe ta ndal këtë avaz turk, i cili, për etninë tonë mund të sjell konsekuenca tejet negative, në rrugën e integrimit dhe rikthimit në qytetërimin fizik perëndimor, nga i cili, janë shkëputur pikërisht nga kjo Turqia historike. Ajo çka është më e rëndësishme lidhet me faktin se shqiptarët si shumicë, shpirtërisht, kanë jetuar dhe jetojnë me idealet perëndimore, me modelet e demokracisë perëndimore, me filozofinë dhe letërsinë perëndimore, me vlerat e përbashkëta të këtij qytetërimi, me vlerat e përbashkëta të etabluara nga kjo kulturë. Prandaj, pa asnjë hezitim, Europa është atdhe i vlerave tona të përbashkëta dhe në këtë rrugë nuk duhet të kemi alternativë.

Ndërkaq, nostalgjikët e otomanizmit, serbizimit, komunizmit, duhet të trajtohen ashtu siç e meritojnë, si nostalgjik të reminishencave destruktive.
Nëse në ca mendje të llastuara shqiptare “akraballëku” përbën ndonjë vlerë, në historinë shqiptare, në kulturën shqiptare, në identitetin shqiptar, marrëdhëniet turko-shqiptare, do të cilësohen ashtu siç kanë qenë e janë: marrëdhënie mes një etnie dhe një shtet që e ka poshtëruar dhe persekutuar me shekuj shqiptarët.

Tendencat për t’i përçarë shqiptarët tanimë kur po konsolidohen çdo ditë e më shumë, nuk mund të kenë sukses.

Shqiptarët duhet ngrit zërin fuqishëm dhe t’i thonë pa ekuivokë jo tendencës për rirobërimin e ri të shqiptarëve.



(Vota: 27 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora