E shtune, 21.12.2024, 02:48 PM (GMT)

Kulturë

Remzi Salihu: Sinfonia e fundit e mendimit simbolik

E marte, 16.08.2011, 07:00 PM


SINFONIA E FUNDIT E MENDIMIT SIMBOLIK

 

Me rastin e gjashtë vjetorit të vdekjes së poetit Abdylazis Islamit, 16 Gusht 2005

 

Nga Remzi Salihu

 

Nëpër kozmosin e mendimit poetik shëtitë fshehtësia e fjalës dhe e jetës, shëtitë ajo fshehtësi që të shpie në shkëmbin e shpresës, për ëndrrat, për fjalën, për dashurinë, për këngën, për atdheun dhe lirinë. Kjo është ?gurgurinë? e shtegtimit letrar që të forcon imagjinatën e pashterur gjatë jetës deri  në oazën e përjetësisë. Në dritën e sfondit bëhesh kometë që shndritë qiellin dhe pas atij vegimi me fund të hapur mbeten gjurmë të   pashlyera, gjurmë që të ngritin ?maje malesh?, maje dhimbjesh. Për qepallat e qiellit ngushëllohesh me jetën. Je këtu, je atje,  je në qiell, je në tokë, je në intuitë të kohës, je kalorës imagjinueshëm i Koticajve që i bie pashë më pashë kozmosit me refrenin e këngës që kalon nëpër damarët e sakrificave dhe dhimbjes, për të mbetur gjallë. Je emblemë e damkosur në shpatullat Sharrit, në legjendat Oeneumit. Ashtu i papërkulur rrjedh nëpër dejtë e Artatit, mbi ballin e Skirëtareve të lashtë, nëpër ëndrrat tona përplot me legjenda, nëpër simfoninë e eldorados, nëpër gërmadha legjendash del i furishëm, si flamur i qëndisur nëpër ?romancat e një natë vere?, të kërkova gjithkah, nëpër lojëra e ëndrrash fëmijësh, nëpër sfida tiranësh, të kërkova kudo dhe të takova një ditë në shtegtimin tim refleksiv, si feniksi që del nga ujërat e freskëta duke fluturuar lartësive qiellore deri në zenitin e ëndrrave, me shumësinë e fjalëve, me imagjinatë e zhanreve  të pashterur të shkrimeve. Të pash kudo nëpër libra: në poezi, prozë, në dramë e ese, në folklor, duke gropuar në lashtësi e legjenda, duke folur për të sotmen shpalove shtigje për të ardhmen, për brezat që vijnë, për ëndrrat e tyre të parealizuara. Të shoh si monedhë e pandryshkur që bën emër kësaj ane. Ti nuk je trupërisht midis nesh, por hija jote shëtitë nëpër vargje si kurorë sonetesh, si magjistral i qenësisë sonë. pa gjurmët tua as fauna e flora e kësaj ane nuk do të kishin kuptim e emër, andaj të shoh si dritare e hapur drejt kthjelltësive, ashtu të gjallë duke na e ujitur kujtesën me rrezet e diellit të ngulitur në zenit. Reflekse poetike për vazhdimësinë e jetës.

Libri i fundit që u botua, deri sa ishte gjallë autori, mban emrin ,,Shpata në lulishte”. Metali dhe bima e formojnë sintagmën metaforike të  këtij vëllimi simbolik. E fortë dhe e butë, e mprehtë dhe e  bukur, është porosia e tij e fundit, ashtu siç ishte edhe jeta e tij, herë e gëzueshme e herë dhimbshme, por gjithnjë stoike nëpër krajatat dhe rrebeshet jetësore.

Libri “Shpata në lulishte” ngërthen në vete vokacionin epiko lirik të autorit. Në të përfshihet tërësia kuptimore e të  shprehurit figurativ dhe me një elegancë narrative shpalon identitetin kreativ të Abdylazis Islamit. Poeti nga këndimi lirik kalon në narracion filozofik e profetik. Universi dhe individi është boshti rreth të cilit rrotullohen tërësia tematike e motivuese e këtij vëllimi poetik. Të duket se të nëntë ciklet e librit ngërthejnë në vete porosinë e fundit të autorit. Ato shpalojnë idenë e njeriut dhe kozmosit nga lindja deri në vdekje. Por kush është i tetuazhuar në këtë kozmos me thellësi kuptimi. Të shumta mund të jenë përgjigjet. Por gjithsesi, më e afërta është qenia shqiptare, lashtësia e saj janë gjurmë historike të nxjerra nga legjendat me një gjuhë metaforike të autorit, duke buruar nga sytë kreativ të poetit,  që nga mileniumi i parë, gjegjësisht nga koha ilire e deri në ditët e sotme. Autori këtij visi donë ti jap një vulë të lashtë dhe një kontunuitet zhvillimor kombit shqiptarë, i cili gjatë historisë së vet ishte i kërcënuar deri në zhdukje. Andaj të gjitha këto peripeci poeti i mbarëson me shkathtësi në unin poetik të tij, sepse poeti poezinë e ka ninëz që e mban gjallë edhe pas vdekjes. Amaneti i tij nuk ka ndryshuar, as ëndrrat, as në vizionet për jetën nuk janë tretur, ngase në vargun e tij ka pranverë në vazhdime, që e bënë poezinë të re dhe kuptimplote. Ne vargun e poetit regëtinë shpresë për të jetuar, ngase në të  frymojnë shtatë zemra poetike, që janë me të forta se shkëmbi e vdekja. Me shkëmbin e nis rrugëtimin poeti dhe me shkëmbin e përfundon amanetin e fundit, që do të thotë se këtë “gurëbesim” autori e kishte figurë poezie që gdhendte idetë dhe mendimet e veta gjatë tërë jetës nëpër kohë dhe hapësirë. Libri poetik “Shpata në lulishte’’sjell reflekse poetike nëpër të gjitha etapat krijuese të autorit. Ato na freskojnë dhe na çojnë të mendojmë për shtegtimin e autorit nëpër të gjitha “gurgurinat” e mprehta të jetës. Njeriu, toka dhe jeta rrezatojnë me përmasa figurative e simbolike në barkën universit tonë. Ato janë vibrime që sjellin kuptim dhe refleks të imagjinuar, me një harmoni tërësore e gjuhësore në strukturën e këtij vëllimi poetik. Autori në mënyrë simbolike  do t’i këndoj faunës dhe florurës së vendlindjes së tij. Madje edhe fluturës, që në këtë rast është frymëzim i tij, e që aludon në muzën e tij krijuese. Kjo muzë inspirimi, autorit i vjen në çdo stinë e kohë, si diçka freskuese dhe e larmishme. Andaj edhe dialogu midis fluturës dhe poetit vjen si provokim i ndjenjës me jetën. A thua ky frymëzim i takon një moshe apo kohe të caktuar, gjithsesi se jo, sepse flatrat e muzës rrahin dhe freskojnë nëpër të gjitha stinët etapat krijuese, bile edhe në vjeshtë e dimër kur bën edhe acar. Ato janë të pranishme në të gjitha kohët, madje në rini dhe pleqëri. Do me thënë se autori është në marrëdhënie të ngushtë me këtë flutur e cila i sfidon të gjitha etapat kohore. Ajo është dëshmitare e rinisë burrërisë dhe pleqërisë, por fuqia imagjinatave nuk është përherë e njëjtë. Ajo akordohet sipas moshës dhe energjisë që ka poeti. Gjithsesi ky meditim autorin e shpie në një luginë melankolike, e që në esence paraqet ndjeshmërinë e poetit që ka për jetën dhe kohën dhe njerëzit, e cila vjen e shkon si ndonjë flutur e bukur që bartë në krahët e saj një mallëngjim për tërë atë periodë kohore që ka ikur. Në avlëmendin  e kohës ato i vijnë herë si të madhërishme, e herë nuk duken fare. Sipas poetit vetëm kënga apo fjala e shkruar mbeten të përjetshme. Kënga është ajo ndjenjë e madhe që fluturon deri në majën më  të lartë kohës e ekzistencës dhe nëpër atë mall lartësie, intuita krijuese, e cila si shqisë e gjashtë, nuk ka fund përsosmërie. Ajo është gjithnjë në lëvizje, që do të thotë se edhe në fund majës ka fillim të ngritjes, dhe ky fillim i majës ka një dialektikë të zhvillimit jetësorë. Pra jeta e njeriut dhe zhvillimi njerëzorë janë në lëvizje të përhershëm. Në këtë vazhdimësi kohore e jetësore duhet të dominoj shpresa dhe ajo shpresë sipas autorit duhet të jetë e “kulluar si lumi i jetës’’. Sepse për të ndërtuar një të ardhme të lumtur,  njeriu duhet të vendos fasadën një shprese të bukur për vete dhe gjeneratat që vijnë, të ndërtoj ura afrie midis njerëzve. Dhe kjo në jetë arrihet me vullnet dhe shpresë të mirë. Sakrificat jetësore kanë kundërthënie me të mirën  dhe të keqen, të kthjellëtën dhe të errëtën. Këto kundërthënie bashkëjetojnë me njeriun dhe bëhen histori, ku secili gjykohet sipas veprës dhe punës që ka lënë. Kontrastet jetësore midis gjërave dhe marrëdhëniet e njeriut me to, që koha i sjell papandehur, lënë vragë të pa shlyeshme në kujtesë e autorit. Poeti kërkon respekt midis gjeneratave, që ndoshta nga ndonjëherë e kalojnë normat morale edukative të brezave, sepse në rezervuarin jetësor ka do norma dhe rregulla që e bëjnë njeriun njeri. ngase çdo gjë qe arrihet pa rend e kuptim, pa meritë, në fund  perëndon. Çdo e arritur me shtyrje bërrylash, sjellin  vese të këqija e që pëson tërë shoqëria. Poeti duke qenë i vetëdijshëm për punën e rendë që bën krijuesi, sepse të pikturosh jetën dhe ta përcjellësh atë me anë të artit është një punë që nuk ka çmim të kufizuar, ajo nuk paguhet me kurrgjë, por ja që njeriu hyn në këtë botë për ta zbardhur e ndriçuar të vërtetën, e cila është si ndonjë flakë “që shpërthen në gji’’, sepse manifestimi i saj është shumë i madh dhe i rëndë. Dituria nuk ka fund, rrethi i saj  është aq i madh, sa që individi në këtë rreth të madh diturie është vetëm një pikë e vogël, por që lë gjurmë të pashlyera jetësore. Të gjitha këto janë të lidhura ngushtë me jetën. Kundërthëniet e saja midis njerëzish autorin e kanë nxitur që ta njoh këtë rreth dhe realitet, pas çdo  bisede, sipas poetit ka edhe tolerancë dhe mirëkuptim, sepse dashuria dhe respekti duhet të jenë të ndërsjella, vetëm kjo mënyrë e komunikimit e afron njeriun me njeriun, sepse kur mungojnë këto veti, njerëzit largohen midis vete. Autori është i rreptë për ata njërës që vrapojnë pas botës së karrierës pa meritë, duke mos kursyer kurrgjë morale shoqërore, për përfitime vetanake të përkohshmen,  ngase bota nuk pushtohet me vese, me intriga e uzurpime, vetëm e vetëm për t’i plotësuar kënaqësitë personale, autori kërkon paqë e mirëkuptim për të gjithë.

Vazhdimësia e jetës dhe sakrifica për të lënë vepra të mira e shtynë poetin ta shkruaj poezinë “Epitaf’’e cila njeriun paraqet si të pavdekshëm, ngase ai sakrifikoi shumë për të mbetur gjallë nëpër të gjitha kohërat. Poeti duke identifikuar veten me njerëzimin, si çështje tërësore e globale. Si qenie  që gjendet çdo kund e në çdo vend. Kozmosin e bënë të pavdekshëm vetëm qenia njerëzore. Në këtë vazhdimësi të ekzistencës njeriu investon për të djeshmen, të sotmen, të nesërmen. Por ajo që len gjurmë të pashlyera në këtë vazhdimësi jete janë vetëm veprat e mira. Ato janë gjurmë që njeriun e bëjnë të pavdekshëm. Epitafi është forma më fiktive e poetit për të dëshmuar se diçka mbetet gjallë nëpër të gjitha kohërat. Edhe individi nga makro kozmosi shëmbëllen me mikrokozmosin e vet jetësor, duke bartur me vete të gjitha peripecitë dhe sakrificat e veta për të mbetur gjallë në këtë rreth të madh të dijes dhe mosdije, të jetës dhe vdekjes. Andaj nëse njeriu sakrifikon jetën për të jetuar “do të jetoj edhe i vdekur’’, si i gjallë.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora