E shtune, 21.12.2024, 12:26 PM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Jam tingulli i shiut mbi varrin tënd...

E merkure, 17.08.2011, 07:00 PM


Jam tingulli i shiut mbi varrin tënd...

 

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Gjatë jetës sime gjithmonë i kam kujtuar dhe vazhdoj t’i kujtoj me nostalgji shoqet dhe shokët e klasave në bangat e shkollave, kujtimet e të cilëve më trokasin memorjen si zilkat pranverore, dhe befasisht marr penën e frymëzuar për të shkruar...

Por këtë radhë pena herë bënte zhurmë disi të çuditshme, herë më dukej si një tingull i lehtë pinaoje që e bënte dhe më të mëndafshtë dashurinë dhe respektin që ke krijuar në vitet e arta të rinisë për miqtë.

Eshtë fjala për poeten e trëndafiltë, zonjën Vjollca Spaho, që me vargjet e saj na dhuron pëllumba paqeje që nga mëmëdheu ynë i shumëvuajtur.

Libri me poezi “ Po të shkruaj” me një kritikë tejet profesionale nga shkrimtari i mirënjohur Andon Andoni, një libër i dhuruar prej saj është nga nga ato dhurata të çmuara që kanë ngarkesën e miqësisë dhe të respektit reciprok filluar qysh në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, dhe që do të vazhdojmë ta ruajmë përgjithmonë...

Libri poetik i kushtohet bashkëshortit të saj në dhjetëvjetorin e ndarjes së tij nga kjo botë me Vjollcën dhe dy bijave ëngjëllore Yllkës dhe Rajnës, pasurisë së patundshme bashkëshortore.  Pikërisht tek lexoja poezitë e ngarkuara me lotin e mikes sime aq të butë dhe njerëzor, pena vazhdonte në zhurmën e çuditshme, ngase më dukej sikur ishte rënduar nga pika e lotit sa globi, të poetes Spaho për humbjen e njeriut të saj më të dashur.  Trëndafilat e bardhë me fjongon e lidhur me emrat e bijave, poetja i vendos dhembshurisht pranë pllakës së varrit, duke e aromatizuar me mall, ndërsa për vete do t’i thotë se jam:

“Si zogth i trembur prej ngricës së shkurtit”...f.11.

Poezitë kanë një veshje me stil elegant të mbështjella me kurorën e metaforës, dhe të realizuar nga mjeshtrja stiliste Vjollca Spaho...  Ndërsa hiperbolizimi e jep dhe më shumë dhimbjen e poetes grua, e poetes nënë, e poetes mësuese, ajo betohet brenda shpirtit, se për ta bërë detin më të madh në se duhet, ajo do të vazhdojë të derdh lot...

Por ajo nuk dëshiron të mbytet nga lotët, se ka obligime në jetë, ka amanetin e tij, ndaj kur ëndrrat i dallgëzohen e ndan detin me duar që të mos mbytet ëndrra.

Me nuanca të purpurta jep momentet e bukura të së ëmblës dashuri, duke kujtuar ngjyrat e ylberit kur hidhnin mbi borë, paçka se aty rri tashmë një pikë loti ngrirë...Ajo kujton kodrat me ullinj të Elbasanit, ku këpusnin menekshetë e para dhe i dërgonin qiellit pëshpërimat e kaltra.  Në kujtim të puthjeve të tyre atje dhe sot rri çelur një karkafetë e Është lutje e një poeteje, e një bashkëshorteje besnike në poezinë “Rri me mua”, e cila thotë: “Rri me mua/ pranë përvëlimit të diellit/ bashkë të humbasim në barkun e perëndimit”...f.19

Duke vazhduar të shfletojë faqet e librit, zhytem e tëra herë në dhimbje për tragjedinë e tyre, herë si me magnet më japin forcë për atë qëndrueshmëri besnikërie, ku pesha artistike e vargut të bën të shikosh me sytë e shpirtit këtë grua që s’u rrëzua kurrë nga vjeshta e trishtimit.  Dashuria e tyre më kujton mitin te “Tristiani dhe Izolda”, ku flitet për një dashuri të përjetshme, por ndërsa Tristanin dhe Izoldën i bashkon vdekja, bashkëshortët Spaho e kanë në vazhdimësi dashurinë në këtë botë dhe në të përtejmen...

Meditoj me poezitë dhe më del një tjetër Vjollcë, dikur në vitet tona të rinisë në 80-të, ajo ishte një petale e butëz, një studente me ëndrra, ajo kishte të tjera kushte nga shumë studentë të tjerë, ngase ishte një vajzë e vetme e dy prindërve të mirë intelektualë që e mbanin si kanarinë, tani një grua me dramë mbi shpinë, por stoike, e fortë, e sakrificës...tepër e re, po përballon humbjen e vetme...

Poetja bashkëshorte mungesën e Tij ka ditur ta zëvendësojë me komunikimin nëpërmjet poezisë, dhe ky është një privilegj i kësaj race zonjash...

Kështu në poezinë “Do të shkruaj” duket sikur nuk rresht së pushuari dhe biseduar me të dashurin e saj në qiell.  Ajo midis luleve erëmira ka gjetur manushaqen kokëulur të Naimit, lulen aq delikate që na e dhuronin nxënësit çdo 7 Mars, dhe nëpërmjet metaforës dhe krahasimit ajo i drejtohet atij: “Fuqia e vogël e manushaqes/ depërton tek unë si vështrimi yt”...f.23

Poetja me varg aq fin, nga koha e ardhshme e kalon në të tashme direkt takimin me të si në poezinë “Po të shkruaj”... “Por...fol, unë të degjoj/ Ndërsa ti lexo se ç’të shkruaj/ Nuk ka letër më të bukur se ajo/ që shkruan dhimbja për Ty/”...f.26

Poetja Spaho shpesh në librin e saj jep trishtimin e jetës, plagën që i shpoi zemrën shumë herët, ajo e vizaton këtë dhimbje me gllënjkë vjeshtë duke e krahasuar me pelin zemërimi, vrer, jeshil, si gjethe tërfili.  Por dhe në këtë humbje lutja e saj brenda gllënjkës është gati-gati hyjnore dhe ja si shkruan:“Pije këtë gllënjkë vjeshte/ prej dorës sime/ dhe lemë, të rrëzohem prej helmit/ si një gjethe mbi ty”...

Edhe antitezat e fuqishme japin çaste të meditimit të poetes në heshtjen terr të mbrëmjes pa hënë, e ajo mbytet në lot të vajshëm në pritje të durueshme, për takimin me të.   Ç’bukuri dhe hijeshi i jep puthjes së mbetur larg në parkun “Rinia” në Elbasn duke poetizuar: “Në harkun e buzëve tona/ Tek Parku “Rinia/ ajri bëhej muzikë/

Edhe pse shpesh mes ethesh dhe dhimbjeve ajo mundohet ta jetojë jetën dhe t’i gëzohet bijave të saj që i ka aq larg...papritur në një ditë diellore si një ëngjëll vjen në jetë bebja e bukur Arba, ku poetja e pikturon me penelin hënëzak, ninullën e shpirtit të saj...  Ajo në natën e vonë humbet me Arbën në prehërin e saj, dhe pranë i sillet drita e syve të saj si rreze diellore çdo mëngjes.  Dhe shpirti i poetes Spaho mbushet me fijëza lumturie tek zgjohet me imazhin e saj kudo...

E megjithatë autorja e ka brenda zemrës dashurinë ikur si vetëtimë, ajo është një me shpirtin e të dashurit të saj që është dhe heroi lirik në këtë libër.  Asaj i pikon shpirti për ta parë dhe ja si shprehet:  “Afrohem mbi Ty e sytë më çmenden/ Ty të të puth e vetë shëmbem/”...

Ndërsa në poezinë “Dashuria jote” ajo shkruan: “Une dëshiroj ta dish Ti mirë/ thënë në mënyrën më të qartë/ Se unë jam tingulli i shiut mbi varrin tënd/”... f.12

Metafora e tingullit të shiut është një nga gjetjet më të bukura artistike, është trishtim dhe dashuri, është betim në përjetësi është tingull i ringjalljes që pret se një ditë do te zbresë nga qielli dhe do t’i dhurojë puthjen e zjarrtë, përvëlim...

Unë i besoj ringjalljes dhe këtë më së shumti e ndjeva pranë librit të poetes Vjollca Spaho, poezitë e së cilës ishin si tinguj zemre të drithëruar për të dashurin e saj të përjetshëm...

 

Korrik, 2011, Staten Island, New York

 



(Vota: 24 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora