Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder R. Hoxha: Vargje që mbajnë gjallë kujtimet për njerëzit e penës

| E diele, 14.08.2011, 11:58 AM |


(Rilexime me shkas)

 

VARGJE QË MBAJNË GJALLË KUJTIMET

PËR NJERËZIT E PENËS

- SHKRIMTARI PËR SHKRIMTARËT -

 

Nga Prof. SKËNDER R. HOXHA

 

/Kur shkrimtari shkruan për shkrimtarin, frymëzimet artikulohen edhe lirshëm edhe fuqishëm, ngase vargëzon për botën së cilës i takon edhe vetë. (SRH.)/

 

Poeti i muzave dhe i idhujve

 

Në dy përmbledhje poetike të botuara më herët: “Muza shqiptare” (Rilindja, Prishtinë, 1997) dhe “Idhuj adhurimi” (Jeta e re, Prishtinë, 1998), poeti Hasan Hasani kishte ngjizur frymëzimin e motivimin për të vargëzuar për disa shkrimtarë të rëndësishëm shqiptarë, të periudhave të ndryshme historike, të cilët, me veprat e tyre, letërsinë tonë kombëtare e begatuan  dhe ia ngritën namin. Për të realizuar këtë projekt poetik, sa me vlerë e të guximshëm, po aq edhe të zorshëm, poeti shkroi kurora sonetesh për ta. Në përmbledhjen “Muza shqiptare”, veç të tjerash, gjejmë kurorat me sonete për shtatë shkrimtarë, duke filluar nga Pjetër Bogdani, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Musine Kokallari, Martin Camaj, Nermin Vlora Falaski; kurse në “Idhuj adhurimi” poeti kishte vazhduar vargëzimet e tij përkushtuese edhe për nëntë shkrimtarë të tjerë: Naim Frashërin, Sami Frashërin, Hivzi Sulejmanin, Esad Mekulin, Anton Çettën, Miftar Zenel Spahinë – Thaçin,  Vinçenc Malajn, Azem Shkrelin, Beqir Musliun, për t’u bërë emër i nohur edhe si poet i muzave dhe idhujve.

Të shkruash për këta shkrimtarë, për këto figura të shënuara të letërsisë, përveç talentit, kërkohet njohja e mirë dhe e gjithanshme e jetës dhe veprës së tyre, e kohës në të cilën jetuan dhe vepruan etj. Duke qenë i pajisur me këto elemente, Hasan Hasani, në vargje të këtyre tingëllimave, të përsosura e të orkestruara mirë, iu kishte thurur ikona poetike këtyre shkrimtarëve.  Njëherit, me këtë punë që e kishte bërë për disa kohë, ai, kishte vënë  edhe një shënjesë të ndritshme në kulturën autentike. Shkrimtarët e vargjeve të Hasanit, për të janë muza dhe idhuj. Ndaj, këto kurora sonetike bartin me vete atë veçantinë e tyre të rrallë, jo vetëm poetike.

Siç thamë edhe më sipër, në fillim të përmbledhjes “Muza shqiptare” përballemi me kurorën sonetike me titull “Yll mes yjesh vetëtin”, kushtuar autorit të “Çeta e profetëve“, Pjetër Bogdanit. Nga titulli i kësaj kurore shihet se Bogdanin Hasani e kishte quajtur yll, e në strofën e parë të sonetit të IV, vargëzon: “Të thelluar në hire t’brengës/ Fëmijët mësojnë gjuhën e Çetës/, Seç jehon gjuhë e këngës/ Që rri para si sy i jetës”/ (f. 10), ose: “N’lahutë shihet se ç’ka mbetur - / Në duar mbajmë Çetën dhe Ty”, apo vargu: “Çeta qan shtigjeve përherë” (po aty) . (Me fjalën Çetë, kupto: “Çeta e profetëve” të Bogdanit – sqarim yni). Ndërkaq, në sonetin e V-të poeti u jep vargjeve edhe energji mitike e imagjinative, në hapësirë shqiptare, për të skalitur figurën e autorit të “Çetës së profetëve”: “N’guri t”Hasit zogjtë këndojnë/ Me të lashtin zë burrëror/ N’Pashtrik muzat ligjërojnë/ Në thellësi t’gurit shkëmbor” (f. 11). Atë, më tej e quan: “O stërgjysh me gjak t’këndellë”, apo kur do të tregojë se shqiptarët, e veçanërisht muzat shqiptare, historikisht ishin edhe të përbuzur e të përndjekur nga të tjerët, thotë: “N’guri t'Hasit imzot Pjetër/ Me rrufe lindin malësorët/ Të përbuzur nga i botë tjetër” (f. 18). Kësisoji, Hasan Hasani i dha letërsisë vargje që për nga bukuria e përshkrimit dhe e ligjërimit veçohen dhe arrijnë vërtetësinë e synimit poetik. Këto vargje bashkojnë kohën e heroit virtual (Bogdanit) me kohën dhe njerëzit e kohës kur kishte shkruar poeti.

 

Eshtrat s’i tret uji as dheu

 

Se muzat shqiptare, edhe përkundër të gjitha katrahurave e sfidave, kishin synim dritën, ardhmërinë, e sforcon këtë në kurorën me sonete kushtuar at Shtjefën Gjeçovit “Yjet rrinë zgjuar”, shih në vargun: “Tehut të thikës ecin muzat drejt në ardhmëri “ (f. 41). Poeti, me plot gojën, Gjeçovin e quan korife, e quan martir, At i Shenjtë: “M’shoqërojnë letra, fotografi, rrobe, dorëshkrime/ T’një Korifeu të kombit t’një Korifeu martir” (f. 43). Ndërkaq, me vargun: “Po e hapim një faqe libri t’shekujve martirë”, poeti Hasan Hasani e kishte nisur kurorën me sonete që mban titullin “Eshtrat s’i tretë uji as dheu”, kushtuar Homerit shqiptar, At Gjergj Fishtës. Sikur, në emër të të gjithë nesh, në vargun e parë të sonetit të dytë (f. 53), atë e quan: “Ati ynë zulmëmadh o idhulli ynë shenjëtërorë”. Ndërsa, duke dashur të na lidhë me vende dhe heronj të veprës së Fishtës, poeti kishte vargëzuar: “Te Kroni i Akullit çdo ditë qanë motër e Avdisë” …, e: “N’vetull Vranine lind diell gjakimi – Oso Kuka” (f. 55). Heronj të tillë popullit tonë i përsëriten: N’prag t’mijëvjeçarit para na dalin t’gjakosur/ Tringa e Marash Uci. Nga pellg i gjakut del Osa!” (f. 57)  Poeti i kishte vënë në qendër frymëzimi dhe vijëzuar kohët e pakoha që kishin tentuar ta fshijnë Fishtën nga faqet letrare: “O Ati ynë i shenjtë që kohën me kohë po e e mund/ Kot të njollosën e përdhosën hije dhe brerima/ Kot t’i hudhën eshtrat në ujërat e pafund!” (f. 56), se më në fund: “Falë shpirtit e zemrës falë hirësisë së Zotit/ Krenar shpalojmë ballin n’sofrën e letërsisë –“ ( po aty). Ai nuk kursen edhe epitete meritore e krahasuese, si: “O Promethe i këngës trung dhe rrënjë e motit ( f. 58). Duke madhëruar vlerat e veprës së Fishtës, që nga “Lahuta e Malcis”, flasin vargjet: “Nën sqetull mbante Iliadën shqiptare t’Malcisë/ Epin e një kombi sa Dielli e Qielli të lashtë.” (f. 61). Po ky varg ngritet edhe si zë poetik për të përkujtuar lashtësinë e popullit tonë. Në këtë sonet, gjithashtu, me të drejtë, Hasani e quan Fishtën edhe Profet të kombit.

 

Kulti i rrëfimit

 

Nëpër vargje të kësaj kurore me sonete vazhdojne të defilojnë edhe tituj të tjerë veprash të Fishtës, që poetikisht përthekojnë edhe frymëzimet e motivet krijuese e pse jo edhe botën emocionale: “Anzat e Parnasit bujshëm ndëshkuan në çdo skutë”, apo vargjet: “Lavdinë e Dedë Gjo Lulit, të Tringës së Malësisë (f. 62), “ Gomari i Babatasit kamxhikun seç e mbajti lart” (f. 63) etj., për të përfunduar me fuqinë e vargut se Gjergj Fishta, përveç poet, ishte: “Yll në horizont Gjergj Fishta – Lahutë e Malesisë/ Që pështyu Kongresin e Berlinit n’Evropën njerkë/ Andaj At i Madh, këngës sonë i dhe flakë” (f. 65). Përfundimisht kemi përshtypjen se në esencë të kësaj kurore sonetike ndërkallen poetikisht epizma, himnorja e lirizma dhe bashkë krijojnë kultin e qëndrueshëm të rrëfimit lavdues realist për Fishtën, e vargjet mbesin si ata shkëmbinjtë e pamposhtur përballë erërave, sepse i ka merituar ai “shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar” – Gjergj Fishta i “Lahutës së Malcis”, i “Hyllit të dritës”…

Harmonia e frymëzimeve lirike, lirshëm, thellë e mirë, shtrihet edhe semantikisht edhe poetikisht në tri kurorat me sonete: njëra kushtuar Ernest Koliqit, të cilin poeti Hasani e quan “Muza e taraboshit”(f. 82), tjetra për shkrimtaren Musine Kokallari, e cila deri sa vdiq, një jetë e kaloi në burgje, internime e kampe përqendrimi. Titulli i kësaj kurore me sonete është “Në një cep hëne e largët xixëllonte liria” (f. 97), ndërsa niset me vargun e fuqishëm e metaforik “Musine quhet dhembja që shtrihet nëpër stinë”, kurse e treta, me titull mjaft domethënës “Ylber mbi Rozafë” (f. 112), i është kushtuar shkrimtarit Martin Camaj. Nga kjo e fundit, vargjet: “Një Zanë në Tarabosh dashurohet në yjet/ Shkodranë të fjalës ku t’parët vunë gurin”(f. 117), “Dranja dallgët e pikëllimeve i ruan n’grusht/ Me xhelozinë e Malësores së tokës Arbënore”(f. 118), “Shfletojmë libra t’shenjtë te një martiri/ Syrgjyn nëpër stinë syrgjyn ndër kujtime” (f. 120), “Ylberi mbi Dri e Rozafë shall n’qafë hutimi/ Përmendore e hirit rilindur nga vetëtimat” (f. 124), por edhe vargu “Muzë shkodrane përtëritet lart në kështjellë” (f. 125), janë disa nga skeletimet mbi të cilat thuret shumësia e figurës së shkrimtarit Camaj, ku zëri i poetit Hasani sublimoi vlerat kombëtare, letrare, kulturore etj., duke fshirë edhe atë cipë pluhuri të harresës që kishte zënë të bie mbi të. Ndërkaq, kurora me sonete “Harfë e Antikës” (f. 127), kushtuar shkrimtares, studiueses, publicistes, Nermin Vlora Falaskit, qoftë për nga ligjërimi poetik, qoftë për nga kuptimësia e vargut, qoftë për nga përfillja e normave të sonetit, është realizim i mirë, përkatësisht, i nivelit të kurorave të tjera të këtij libri. Në dy vargjet e para të magjistralit të kësaj kurore sonetike, poeti kishte thënë: “Nën qepalle zbrite qetë Nimfë e bukuri e amshuar,/ Erdhe lehtë harfë nga Antika e hyre n’vargun tim;” (f. 141). Kam përshtypjen se në kohën kur u shkruan këto sonete, letrave tona iu kanë munguar shënime biografike për Nerminen, për këtë figurë poliedrike, stërmbesë e Ismail Qemalit, e lëre më të shkruhen gjithë këto vargje për detaje të jetës dhe veprës së saj, vargje që kanë edhe mesazhin e qartë, e që janë reflekse të një pune të gjatë hulumtuese e gjumuese, letërkëmbimeve etj.

 

Zërat e penës e të sacrifices

 

Shkrimet e tij poetike, në formën e sonetit, kushtuar shkrimtarëve tanë të mëdhenj, Hasan Hasani i kishte vazhduar gjatë viteve ‘7o, ’80 e ’90 të shekullit të kaluar, e për t’i botuar në përmbledhjen “Idhuj adhurimi”, më 1998. Që në fillim të këtij libri është kurora me sonete “Qëndresë martirësh”, kushtuar Abdyl, Naim e Sami Frashërit. Në vetë titullin rrumbullakohet emblematikja që kulmon me sakrificën, e me gërshetim vargjesh, ku herë bëmat e njërit vëlla e herë ato të tjetrit, ndërtojnë përmendoren e përbashkët: “Zërat e tre vëllezrve u bënë përmendore” (f.8). “I shenjtë qe mendimi që n’atë degë u zverdh/ O Naim be, vargjet zbriten për mëngë”(f. 12), kishte thënë poeti për poetin tonë të madh Naim Frashëri, ndërsa për Samiun, falë veprës së tij: “Mbi kuaj jelëbardhë kalërojmë sot meridianeve/ O Sami bej Frashëri, o idhull mendjendritur –“ (f. 16), ku kultin e individit e ngreh në kult kombëtar. Këta, si tre yje, ishin “Ngadhnjimtarë muzgjesh” (f. 13).

Poeti Hasani, me “Gur i heshtur guri” e kishte titulluar kurorën me sonete kushtuar shkrimtarit Hivzi Sulejmani. Ai ishte sinonim i kohës kur kishte: “Pak diell, pak bar, pak vesë, pak tokë, pak shi” dhe “Këngë e gjatë Ajo që e lozën Fëmijët e lumit” (f. 39). Për shkrimtarin Sulejmani, thotë se me penë: “Portrete njeriu gdhende n’letër, jo n’pëlhurë” (po aty), ndërsa guximin e tij e kishte shprehur në vargjet e sonetit të gjashtë (f. 40): “Sulmeve të erërave mbi bardhësinë e sëmurë/ Ua preve mësymjet me shpatën e trishtuar”, ngase ai  ishte një “Idhull i agimeve t’blerta…”. Në kurorën me sonete “Besën kullat ruajnë”, kushtuar shkrimtarit Esad Mekuli, poeti kundron kohët e stuhishme që kalëruan mbi trojet tona, për ta thënë në vargun e parë të saj: “Erdhën e shkuan stuhitë këtu mbet Kosovë”. Ndërsa vargu: “Kalëruam kohërave, s’dijtëm për t’u trembë” (f. 50), në mënyrë të zhveshur flet për qëndresën dhe stoicizmin e popullit tonë në gjakim të lirisë që mungonte. Poeti sikur flet me poetin që nuk vdes, sepse gjurmët mbesin, kur i thotë: “Gjurmët i gjejmë kudo: n’Plavë, Guci, Rugovë” (f. 51), si dhe : “Orën shqiptare falë hirit dhe durimit/ Mbajte zgjuar n’Çakorr, Nokshiq, Rzhanicë”, edhe pse: “Herët vendlindjes u ndave fëmijë bonjar” (f. 55), ai: “Ishe pishtar drite gjysmëshekulli ndër ne” (f. 63) dhe: “Urtisht hape hulli në tënden “Jetë e Re” (f. 64). Në dy vargjet që i cituam në fund, poeti Hasani kishte vargëzuar për meritat e E. Mekulit si shkrimtar dhe themelues e drejtues shumëvjeçar i revistës letrare “Jeta e Re”.

 

Vargje që ngjallin kujtimet për njerëzit e penës

 

Në vargun e këtyre ngrehinave – përmendore poetike, Hasan Hasani, kurorën sonetike kushtuar shkrimtarit e plakut tonë të urtë, Anton Çettës, e kishte titulluar “Engjëll i urtisë”. Vargjet: “Asht i etjes linde, engjëll fjale mbete/ Në vatrën shqiptare, në Iliri fortesë/ S’njohe stuhi t’egra, lëkundje termete/ As valët e vdekjes për këtë mbijetesë” (f. 63), janë vargje antologjike, janë edhe biografi jetësore edhe epitaf për shkrimtarin të cilit i referohen. Poeti, kishte vazhduar që me sentenca e me metafora të ndërtojë kurorën me sonete “Ora e Lumës”, kushtuar shkrimtarit lumjan Miftar Zenel Spahisë – Thaçit. Shkrimtari për disa dekada jeton në mërgim, ndaj poeti për të kishte thënë: “Muzë e mbetur jashtë çerdhes së ngrohtë atërore” (f. 80), e pa kursyer ta quaj: “Idhull qëndrese ndër trauma e dallgë stuhish/ Mbete o Korife i Lumës mbi shkëmbinj, o shkabë” (f. 81), apo: “Fanar breznish ndër travaje arbënore” (f. 82), edhe pse atij iu kishte dashur ta braktisë ardheun: “Po – miku im i penës, hijenat herët të përzunë” (f. 88), sepse nëpër kohë: “Idhuj të kuq na zunë frymën e helmuan gjakun” (f. 91). Gjithashtu, respektativisht, Hasani, At Vinçenc Malajn, shkrimtarin e studiuesin e thellë të mendimit biblik, e kishte quajtur “Ati im i shenjtë maestro im i urtë” (f. 95), apo: “Ati im i fjalës pinjoll ndër malësorë” (f.107) etj., në kurorën me sonete që mban titullin “Psallmë për mikun", e cila fillon nga fq. 95 e kësaj përmbledhjeje. Ndërkaq, “Falë hirit tënd” Hasani kishte titulluar kurorën me sonete kushtuar poetit të tij më të preferuar, Azem Shkrelit. Kjo që e thashë, sikur sforcohet me vargjet e strofës së tretë të sonetit të parë (f. 110): “N’thellësi shpirti burojnë vargje t’nxehta/ Sonte kur po mëtoj për muzën time poetike”. Këtë adhurim për Azem Shkrelin, poeti Hasani e shpreh nëpër tërë këtë kurorë sonetike, e për t’i dhënë fuqinë edhe më të madhe, magjistralin e kishte përfunduar me vargjet:“I falem hirit o muzë gurit t’varrit t’mikut/ Kudo që do t’ndodhem ndër stinë shtrëngatë –/ Edhe bukuria t’vdesë rron mëtim i lirikut!” Dhe, jo vetëm kaq, Hasani, në shkronjat e para të vargjeve të këtij magjistrali, kishte nxjerrë vargun – testament: : “Muza ime poetike”, që i dedikohet Azem Shkrelit. Po ashtu, për mikun e tij poet, Beqir Musliun, Hasan Hasani, me përkushtim krijues, shkroi kurorën sonetike “Udhëtimi në purpur” Ky titull, menjëherë na përkujton shkrimtarin Beqir Musliu, tashmë të ndjerë, i cili e kishte preferuar purpurin, ngjyrën e purpurtë, e që e kishte përmendur në vargje poetike e proza të veta. Këtë Hasani e thotë edhe në vargun: “Rishtas m’puthin mbledhësit e purpurit n’Sodomë!” (soneti 12, f/ 136), ku përmenden edhe fjalë e tituj veprash, personazhe të B. Musliut, si: Orë e Kuukuvajkës, Gjergjezi, Shtrigani i Gjel-Hanit etj. Por, poeti, nuk lë pa e shprehur edhe dhembjen për mikun e tij, në lamtumirën e fundit: “Idhuj zgjimesh më pushtojnë në orën e historisë/ Kur ia lëmë lamtumirën mikut tonë Beqir Musliu/ Loti ndër sytë e Ilirikut*) vegullohet prej mërzisë -/ Zbresim n’Gjilan shikimkëputur loti në sy mbiu” (f. 138). Poeti e kishte përmbyllur këtë kurorë sonetesh me magjistralin të ndërtuar mbi sintagmën “Poeti fyelli hiri”, ku figurativisht jepen vija portretizuese të shkrimtarit Musliu.

Ndaj, në përfundim, të themi se kurorat sonetike që Hasan Hasani ua kushtoi shkritarëve “muza e idhuj” të tij, janë përkime poetike të reflektuara midis idesë, figurave dhe emocioneve. Në këto projekte artikulohet ekzistenca nacionale, retorika patriotike, kulturore, letrare. Në to gërshetohen edhe historia e dhimbshme edhe historia e krenarisë kulturore e kombëtare shqiptare. Janë këto qëndisma të bukura me fuqinë e hollësinë e vargut, të skulpturës, të lapidarit, të emblematikës… Janë kreativitet fare i veçantë, me motivime të veçanta dhe stil fare individual. Sa herë të lexohen, ringjallen kujtimet për njerëzit e penës dhe përsiatjet për shkrimtarët bëhen horizonte të pavdekshme. Duke i pasur këto begati të rralla, bashkë me imagjinativën në bashkëveprim, kurorat me sonete të Hasan Hasanit që shqyrtuam, pandeh se do të pëlqehen për shumë kohë, ndërsa letërsinë tonë e pasurojnë me këtë formë të vjershërimit.

 

*) Iliriku, i biri i Beqir Musliut. 

 

 

 

(Tetor 2008)