Kulturë
Gjon Keka: Duhet të rrahë fort çekani i ligjeve dhe kushtetutës
E shtune, 30.07.2011, 04:58 PM
Duhet të rrahë fort çekani i ligjeve dhe kushtetutës
Nga Gjon Keka
E gjithë atmosfera e tanishme e politikës dhe proceseve në Kosovë ka emëruesin e përbashkët se vërtetë edhe pse pas shumë sfidave dhe problemeve të ngarkuara rëndë nga çlirimi dhe pavarësia tani duhet të rrahë fortë “çekani i ligjeve dhe Kushtetutës” në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Vetëm kështu shteti do të lëvizte levat e saj për të ecur përpara në rezultatet e duhura të sundimit të rendit dhe ligjit, frymës praktike të Kushtetutës dhe bërjes së vendit një shtet demokratik dhe juridik europian. Lëvizjet e fundit të qeverisë së shtetit të Kosovës janë një hap i madh në vendosjen e rendit dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin e republikës së Kosovës.Kjo ishte dhe do të jetë një domosdoshmëri që autoriteti shtetëror i Kosovës t'i shfrytëzojë të gjitha të drejtat legjitime të saj për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin e brendshëm të saj. Po ashtu në këtë kuptim ajo ka të drejtë dhe duhet të jetë e vendosur në kontinuitet që rendi, ligji dhe kushtetutshmëria të jenë veglat legjitime e autoritative të shtetit të Kosovës me anë të së cilës ajo të kryejë veprimet e saj pa iu lidhur duart dhe penguar dhe se për veprime politiko-shtetërore dhe historike ajo duhet të vendosë vetë, sepse ka të bëjë me qenien e brendshme të saj dhe çështjen e sovranitetit.E vetmja gjë që ajo do të mund të bënte në kuadër të veprimeve të saj kushtetuese dhe politiko-shtetërore është ta kryejë detyrën për të cilën edhe precizohet qartë në ekzekutimin e të gjitha veprimeve që dalin sipas parimeve demokratike moderne e kushtetuese, nga kjo mund të thuhet se veprimi i qeverisë së republikës së Kosovës në lidhje me vënien e rendit, ligjit dhe kushtetutshmërisë në veriun e shtetit të Kosovës është i mençur dhe tepër i nevojshëm. Askush nuk mund ta pengojë apo edhe të mundohet të krijojë hamendje të panevojshme sepse çështja e sovranitetit të shtetit të Kosovës është ekskluzivisht çështje e ushtrimit të plotë të saj të pushtetit dhe kushtetutshmërisë dhe kjo është një e drejtë e paprekshme nga kushdo qoftë, sepse çështja e sovranitetit të shtetit është çështje e vetë shtetit, institucioneve dhe politikës së saj e cila mbështetet kryekëput në kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Siç mësojmë në të drejtën ndërkombëtare, çështja e sovranitetit të shtetit ka të bëjë me vetëpërcaktimin apo sovranitetin dhe integritetin që tregon pavarësinë e shtetit nga shtetet e tjera, gjë që në një kuptim tjetër do të thotë edhe se shteti është subjekt i vetëm i ekzekutimit të vendimeve autoritative për të mbrojtur dhe ruajtur sovranitetin dhe integritetin e saj sipas parimeve demokratike si të gjitha shtetet tjera.Kështu që veprimet e shtetit për të ruajtur dhe siguruar sovranitetin dhe integritetin territorial janë të vajosura sipas të drejtës ndërkombëtare, kështu që edhe veprimet e qeverisë së shtetit të Kosovës janë si rezultat i zbatimit të këtyre parimeve ndërkombëtare, por edhe kushtetuese e ligjore, sepse siç dihet veriu i shtetit të Kosovës ishte i paprekur nga ligjet dhe kushtetuta e Kosovës dhe se shtrirja e autoritetit kushtetues e ligjor tregon qartë arsyen e madhe të mbrojtjes dhe ruajtjes së sovranitetit shtetëror të Kosovës. Po ashtu, në kuadër të kësaj duhet nënvizuar një gjë të cilën duhet marrë parasysh se tani shteti i Kosovës është akoma në mbikqyrje ndërkombëtare dhe se veprimet e saj shtetërore sipas parimeve demokratike kushtetuese për të shtrirë autoritetin e saj edhe në veri të vendit duhet të përkrahen edhe nga faktorët ndërkombëtarë që mbikqyrin pavarësinë e Kosovës, po ashtu edhe nga aktorët e tjerë të ftuar për të vendosur sundimin e ligjit dhe rendit në vend.
Është e rëndësishme një koordinim dhe pajtim i plotë i të gjithëve se vendosja e rendit, ligjit dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin e republikës së Kosovës do ti kontribuonte frymës së demokracisë, paqes dhe stabilitetit të shtetit të Kosovës dhe rajonit në përgjithësi duke i hapur kështu rrugë edhe proceseve të shpejta të integrimeve euroatlantike të tërë rajonit të gadishullit Ilirik. Nëse SHBA dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë janë njoftuar për veprimet shtetërore nga ana e qeverisë së Kosovës, atëherë kjo tregon se ajo ka kryer obligimin e saj kushtetues në raport me mbikqyrjen ndërkombëtare, por edhe të raportit të aleancës (miqësisë) speciale dhe besnike me SHBA ata do të duhej të ndihmonin, por edhe të përkrahnin në tërësi veprimet kushtetuese të republikës së Kosovës në vendosjen e rendit, ligjit dhe kushtetutshmërisë në vend, kjo do të tregonte përkushtimin e përbashkët në bërjen e Kosovës shtet funksional, demokratik, juridik dhe europian, çdo mbyllje sysh apo hedhje gurësh, pengesash, rrugës së veprimeve kushtetuese të autoriteteve të Kosovës në shtrirjen e autoritetit të saj kushtetues e ligjor në veri të vendit do të ishte plagosje e demokracisë, e parimeve kushtetuese dhe ndërkombëtare si dhe një mungesë e reflektimit, gatishmërisë dhe përgjegjësisë së përbashkët.
Megjithëkëtë, qeveria e shtetit të Kosovës duhet që të mos heqë dorë nga veprimet e saj të drejta kushtetuese, sepse këto veprime janë legjitime, pastaj sipas parimeve demokratike-kushtetuese dhe në përputhje edhe me të drejtën ndërkombëtare. Nga kjo ajo këtë drejt duhet ta ushtroj pa pengesa, sepse në teorinë dhe praktikën politike e kushtetuese çështja e sovranitetit ka të bëjë me atë se institucionet shtetërore qeverisëse kanë lirinë e plotë që ta shtrijnë autoritetin e tyre kushtetues në tërë territorin e vendit, sepse duhet ditur se edhe pse ka një asistencë apo mbikqyrje ndërkombëtare të nevojshme, Kosova është shtet sovran me njohje ndërkombëtare dhe kushtetutë sipas parimeve demokratike moderne dhe çdo veprim që është në përputhje me kushtetutën dhe ligjet demokratike është në dobi të së tanishmes dhe së ardhmes së vendit.Ne nuk kemi nevojë të elaborojmë më tepër për çështjen e sovranitetit në këtë vështrim ,ajo që dua të them këtu është se në lidhje me çështjen e sovranitetit janë marrë shumë mendimtarë politikë siç janë; Bodin, Hobbes, Locke, Montesquieu, Machiavelli, Carl Schmit etj., etj., të cilët e kanë zbërthyer duke e vënë atë në peshoren e vërtetë të teorisë e praktikës politiko-kushtetues si një çështje ekskluzivisht e shtetit dhe institucioneve të saj qeverisëse. Sidoqoftë duhet ditur se veriu i shtetit të Kosovës është gjymtyrë e pandarë e trupit tonë kombëtar, ajo duhet të marrë frymë lirë,të vishet me autoritetin e shtetit të Kosovës dhe të kushtetutshmërisë si dhe të funksionoj brenda trupit të përbashkët të institucioneve legjitime të republikës së Kosovës. Me fjalë të tjera veriu i shtetit të Kosovës është gjymtyrë e pandarë e kombit shqiptar ajo është dhe duhet të bëhet me zot shtëpie apo identitet politik e shtetëror, pra të hyjë nën autoritetin e natyrshëm të institucioneve shtetërore të republikës së Kosovës.