Mendime
Pirro Prifti: Kriza Presidenti-Kryeministër një rivalitet politik që dëmton imazhin e Shqipërisë
E premte, 29.07.2011, 07:02 PM
Kriza Presidenti-Kryeministër një rivalitet politik që dëmton imazhin e Shqipërisë
Nga Pirro Prifti, Analist
priftipirro@hotmail.com
Nëse shumica e analistëve të sotëm i vënë fajin luftës së pafund që quhet ngërci politik në Shqipëri, ngërc i cili ka nisur që pas zgjedhjeve të diskutueshme të 2009 sipas pikëpamjes së opozitës, apo zgjedhje që vulosën fitoren ligjore të maxhorancës së sotme sipas PD- unë mendoj senjë pjesë e ngërcit politik përfshin dhe debatin Kryeministër-President, sepse institucionet që ato përfaqësojnë përkrahësit brenda PD që marrin pjesë si ata jashtë parlamentit ashtu dhe parlamentarët, përbëjnë faktorë të mjaftueshëm për të mbajtur gjallë këtë debat aspak të favorshëm për klimën politike shqiptare të mbërthyer në luftën për pushtet.
Problemet e këtij konflikti politik kanë lindur që në momentin kur për arsye thjesht miopie politike të interesave të castit të dy partitë kryesore ranë dakort të bëjnë ndryshimet në Kushtetutë duke ndryshuar nenet për zgjedhjen e presidentit nga 85 vota (votë me shumicë të cilësuar apo e kualifikuar), në zgjedhjen e tij me shumicë të thjeshtë 70+1, ndryshime këto në faktishin në kundërshtim me Kushtetutën gjithsesi, sepse, nëse Kushtetuta u miratua me Referendum, atëhere edhe cdo nen i Kushtetutës duhet ndryshuar gjithashtu me Referendum dhe jo ashtu me mënyrën sesi u realizua.
Shkaqet e Konfliktit që sot janë thelluar (gjithsesi edhe duke parë për herë të parë reagimin e Presidentit i cili deklaroi që sulmi nga ana e Kryeminsitrit Berisha..` është një sulm pa moral)`, mund të përmëndim disa më të rëndësishmet:
- Pikënisja e shkakut për ndryshimin e nenit të Kushtetutës për Presidentin nga shumicë cilësorë me 85 vota parlamentare me shumicë të thjeshtë, ishte një argument jo në dobi të përmirësimit të Kushtetutës por në dobi të qeverisjeve gjatë mandateve përkatëse me anë të të cilës do të mund ta detyronin Presidentin që të zbatonte urdhrat e qeverisjeve përkatëse sesa Presidenti të shikonte dhe të vlerësonte projekt-ligjet apo kërkesat për mandate të caktuara që realizohen në forme zgjedhjeje me kartonat e anëtarëve të parlamentit bazuar në Kushtetutë. Ky ndryshim u justifikua me vështirësitë që lindën për zgjedhjen e një Presidenti të ri me shumicë të kualifikuar, vështirësi që gjithashtu ishin klienteliste dhe për mbajtjen nën tutelë të Presidentit të ri të mundshëm të zgjedhur. Në këtë mënyrë edhe Kryetarit të Partisë Demokratike edhe Kryetarit të Partisë Socialiste i interesonte ta mbanin nën zap Presidentin e Republikës me anë të frikës së zëvëndësimit të tij nëse ai në ndonjë rast nuk do të zbatonte urdhrat e Kryeministrit. Ndodhi që në qershor 2009 fitoi përsëri PD dhe maxhoranca që përfaqëson me ajo, duke lënë me lugë të zbazët në dorë Kryetarin e PS dhe koalicionin që ajo përfaqësonte të cilët me thënë të drejtën, mendonin njëlloj si dhe Kryeministri i sotëm , nëse ata do ta merrnin pushtetin.
- Problemet brenda Partisë Demokratike. Problemet e një Presidenti 70+1 lindën përnjëherë pas fitores në qershor 2009 sidomos në rastet për zgjedhjet për anëtarët e gjykatës kushtetuese, të Kryetarit të Avokatit të Popullit, anëtarëve të gjykatës së lartë, Projekt-ligjeve të ndryshme, dhe pamundësisë së Presidentit që në rrethana të caktuar të drejtonte me dekrete, kur shihte se punët nuk shkonin mirë. Këto lindën në momentin kurtuk akordoheshin pikëpamjet midis Kryeministrit dhe Presidentit për përzgjedhjet e kandidatëve të ndryshëm si u tha më lart. Grupi demokrat në presionin e Berishës filloi të distancohej e të shprehej kundër Presidentit Topi. Më e aktivizuara ishte Kryetarja e Kuvëndit e cila e gjeti oportune të sulmojë Presidentin duke e parë atë si një kundërshtar të fortë pasi të mbaronte mandatin presidencial për drejtimin vetë Partisë Demokratike
- Probleme midis dy koalicioneve: Maxhorancë dhe Opozitë. Në këtë rast, Presidenti e kishte të pamundur të zgjidhte mosmarëveshjet e thella Maxhorancë –Opozitë, pamundësi kjo e parashikuar në rast se Presidenti do të zgjidhej me 70+1 vota - fuqia e tij ligjore do të ishte impotente në drejtim të zgjidhjes së problemeve të zakonshme por dhe të rëndësisë së veçante.
Gjëndja konfliktuoze Kryeministër –President është duke dhënë pasojat e para dhe të rënda në zhvillimin e vendit duke e ngadalësuar, atë sepse Presidenti praktikisht nuk ka kompetenca ligjore të zgjedhe gjendjen dhe ngërcin politik, por është kthyer në një rrogëtar institucionin të cilën Kryeministri nëpërmjet një shumicë të thjeshtë jo vetëm e bllokon fuqinë vendimarrëse të Presidentit por dhe mund ta shkarkojë në cdo rast.
Ky konflikt i heshtur por që u bë i qartë me ragimin e Presidentittë botuar në gazetat e sotme, vazhdon të mbahet i nxehtë edhe për shkak se grupe të caktuar brenda Partisë Demokratike kërkojnë mënjaninim e influencës së Presidentit në Partinë demokratike. Këtë e përforcoi fakti se një pjesë e përkrahësve të Presidentit Topi u mënjanuan me votë nga Këshilli drejtues i PD.
Dihet që influenca e Presidentit Topi kur ai ishte Nën/kryetar i PD dhe mik i ngushtë i Berishës- ishte e madhe qoftë për shkak të erudicionit të z. Topi (ai ka titull akademik `Profesor`), qoftë për shkak të sjelljes prej qytetari të tij, qoftë për shkak të origjinës së tij tiranase dhe qytetare prej një familjeje të nderuar. Vendosja e tij President qoftë dhe me 70+1 vota ishte shumë tunduese dhe Z. Topi nuk i bëri bisht por e pranoi, megjithëse heshturazi e dinte që kjo ngritje në pozitë ishte e ngjashme me ato ngritjet ogurzeza në pozitë të disa komunistëve të vjetër nga ana e Enver Hoxhës, i cili pasi i ngrinte në detyrë- i dënonte si armiq të popullit. Kjo po ndodh me kulacin e Berishës që e pranoi dhe e hëngri Topi.
Sot mesa duket ka tre klane kryesore në PD: njëri klan që është i hapur dhe njihet si mbështetës pa kushte i Berishës, dhe dy klanet e tjera të heshtur por që mesa duket edhe ata janë nën influencën dhe dijeninë e Berishës. Njëri nga ata drejtohet nga Kryetarja e Kuvendit e cila si radikaliste që është kërkon postin e drejtuesit kryesor pas Berishës (dhe mundësisht ta zëvëndësojë atë kur ai të iki me dëshirën e tij). Lufta e saj është pa-kompromis dhe i ka me mëndjen e saj armiq të gjithë. Më kujtohet përqafimi (prej Meduze por që i mbante sytë mbyllur, sikur të kishte frikë ti hapte sepse do të shihej urrejtja dhe zilia e saj) i saj kur Topi fitoi votat në Parlament si Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë.
Klani tjetër është Klani Patozi+Noga e pjesërisht Bode, një klan i heshtur që morri respektivisht vota të barabarta me njëri tjetrin, por se ishte inferior me klanin që përkrah Berisha- Basha dhe miqtë e tij që janë dhe miqtë e kryetarit të Partisë. Ky klan është edhe ai anti-Topi por mesa duket nuk janë radikalistë dhe janë fleksibël duke pranuar cdo lloj aleance, mjafton që ata të jenë në momentin e duhur në krye të Partisë. Praktikisht për 4-5 vite rresht pasi Presidenti Topi u bë President, ky binom e ka drejtuar PD, dhe me sukses.
Konfliktet e hapura dhe të fshehura mbahen deri tani nën kujdesin e plotë të Berishës dhe praktikisht mund të shpërthejne e të acarohen sa herë që ja lyp politikat afat-shkurtra të Berishës brenda partisë por dhe të qetësohen nëse politikat që manipulohen nga zgjuarsia patologjike e Berishës – kërkohen si të tilla.
Shumëkush mund të pyesi: përse tani u acarua konflikti Berisha-Topi dhe jo më parë, e aq më tepër kur zgjedhjet e diskutueshme të Tiranës përfunduan në favor të PD dhe të favoritit Basha-beniaminit të Berishës?
Një nga arsyet mund të jetë se rezistenca e grupit Topi brenda Partisë u ndje gjatë votimeve, duke patur parasysh se shumica e partiakëve pro-Topi të lënë jashte Këshillit drejtues janë njerëz me reputacion dhe themelues të PD. Arsyea tjetër mund të jetë inati që pati Berisha dhe përkrahësit e tij ndaj votës pro-Rama të Topit, votë që edhe nuk mund të jetë e vërtetë, vetëm nëse vota është sigluar, e kjo është një shkelje e rëndë e ligjit duke qënë se vota është e fshehtë. Megjithatë- Berisha si politikan shumë i aftë që është për të shfrytëzar rastin në favor të tij, e përdori këtë manipulim artificial të votës pro-Rama të Topit për të dëmtuar sa më rëndë reputacionin brenda partisë demokratike të Topit (para se të ishte President- Topi ishte nën/kryetar partie), në favor të Kryetarës së Kuvendit dhe përkrahësve të saj por mendohet që edhe fshehurazi është një ndihmë e madhe për të ardhmen partiake të Bashës.
Dihet që pas 2008, Republika e Shqipërisë u bë një Republikë kryeministrore sesa parlamentare, sepse balanca e fuqive ekzekutive të qeverisë u rrit së tepërmi duke prishur balancën e tre pushteteve. Kjo do të kërkojë në të ardhmen e afërme pa dyshim kërkesat o opozitës por dhe të dy pushteteve të tjera për të ekuilibruar fuqitë e pushteteve me të cilat drejtohet shteti i paekuilibruar shqiptar.
Pa hyrë në mëndësitë totalitariste të drejtuesve të partive kryesore politike shqiptare, dhe dëshirën e tyre për të mbajtur nën zap pushtetet e tjera, pa hyrë në analizën se përse, qysh e si nga një Republikë presidenciale 1992-1998, Shqipëria u kthye në Republikë Parlamentare me dëshirën e BE 1998-2008, Republika Kryeministrore nga 2008-e deri më sot ka rënduar ngecin politik i cili lindi pikërisht nga ndryshimi miop i Kushtetuës thjesht për të zgjidhur një vonesë në zgjidhjen e Presidentit që i kishte mbaruar mandati me 2008.
Kjo mund të zgjidhet duke rivendosur edhe njëherë zgjedhjen e Presidentit me shumicë të cilësuar me 85 vota, në mënyrë që Shqipëria të ngeli një Republikë Parlamentare me 3 pushtete të pavarur nga njëri tjetri.
Në përfundim them që zbatimi i Kushtetutës, dhe jo futja e duarve nga ana e politikanëve kryesorë në ndryshimin e ligjeve sa herë që u prishet interesi- duhet të jetë një nga aspektet me të cilat mund të na afrojë me integrimin evropian.