Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Mos e harroni Bujar Kaloshin!
E merkure, 27.07.2011, 07:02 PM
MOS HARRONI BUJAR KALOSHIN!
Nga Reshat Kripa
Duke parë sekuencat e filmit mbi jetën e Bujar Kaloshit, nuk e di sepse zemra ime ndjeu një dhimbje..
Mos e harroni Bujar Kaloshin!
Më kujtohet ajo ditë e zezë e 26 korrikut të vitit 1996, kur duart kriminale të trashëgimtarëve të etërve sadistë komunistë, qëlluan zemrën e këtij djaloshi. Ato plumba nuk goditën vetëm zemrën e Bujarit. Ato goditën zemrat e mijra të përndjekurve politikë, në të katër anët e atdheut tonë të martirizuar. Goditja ishte preludi i asaj që po përgatitej prej kohësh, përmbysja e fitoreve të demokracisë së porsalindur dhe rivendosja e pushtetit të ish komunistëve. Kjo gjë u realizua një vit më vonë, nëpërmjet rebelimit të armatosur të vitit 1997.
Mos e harroni Bujar Kaloshin!
Kemi pesëmbëdhjetë vjet që atë nuk e kemi më midis nesh. Kemi pesëmbëdhjetë vjet që presim të ndëshkohen kriminelët që qëlluan mbi të. Dhe ky nuk është rasti i vetëm. Më lejoni të përmend këtu emrat e ndritur të antarëve të tjerë të shoqatës tone që kanë rënë nën breshërinë e plumbave të barbarëve, emrat e Lekë Çokut e Besnik Hidrit, Besim Manolit e Valter Harizajt, Viron Rrapajt e Gëzim Shabanit, Bashkim Shkurtit e Fredi Shehut si dhe plot të tjerëve. Të gjithë këta prehen në varr pa gjetur qetësi, pasi fajtorët nuk janë ndëshkuar ende.
“ Gjaku kërkon gjakun thonë! U ngritën gurët nga varret dhe folën! U ngritën malet dhe thanë dhe më i mbrapmi vrasës u zbulua! “
Kështu shkruante Shekspiri i madh disa shekuj më parë. Kurse në vendin tonë, në
shekullin e XXI-të, ky ligj nuk funksionon. Kriminelët enden lirisht rrugëve të Brukselit apo Zyrihut, ndoshta edhe atyre të Tiranës, duke kryer krime të tjera dhe prokuroria e jonë nuk është e zonja t’ia këthejë drejtësisë. Nuk e dimë, nuk është e zonja, apo mos vallë nuk do që t’i kthejë? Kjo pyetje kërkon përgjigje prej tyre.
Mos e harroni Bujar Kaloshin!
Ndëshkimin e fajtorëve e kërkon zemra e babajt të tij krenar, zemra e nënës së tij të përvuajtur, zemra e gruas së tij të re dhe e vajzave që u rritën pa prindin e tyre pranë, zemra e vëllajt dhe motrave të tij. Ndëshkimin e fajtorëve e kërkojmë edhe ne, shokët e tij të vuajtjeve dhe halleve. Së fundi e kërkon edhe shpirti i tij që nuk mund të prehet në paqe deri sa të vendoset drejtësia.
Mos e harroni Bujar Kaloshin!
SIMBOLI I BURRËRISË
Kushtuar, Bujar Kaloshit, me rastin e
pesëmbëdhjetëvjetorit të vrasjes, më
26 korrik 1996..
O Korab, fole kreshnikësh, o çati e Shqipërisë,
Përse e ke ulur kokën, o simbol i trimërisë?
Thellë në zemër më goditën, më goditën në Tiranë,
Në një ditë të nxehtë korriku, zemrën time dysh e ndanë.
Zemrën time dysh e ndanë, ata plumba të mallkuar,
Seç goditën zemrën djalit, trimit tim të paharruar.
pesëmbëdhjetë vjet lëngoj, pesëmbëdhjetë vjet që pres
Të vendoset drejtësia, të mos mbetem më me shpresë.
Si kushtrim buçet nga larg, zëri djalit që ushton,
Si një klithëm, si një britëm, nëpër shkrepa uturon.
Uturon nëpër shkrepa, zëri i djalit të ri,
Mos më lini në harresë, dua vetëm drejtësi!
S’dua llafe, s’dua përralla, s’dua vargje, s’dua këngë,
Ato le t’i lemë prapa, ato brezat le t’i nxënë,
Jam këtu mbushur me brengë, nuk po gjej dot rehati,
Dua, dua drejtësi, të prehem në qetësi!
Ngrihe kokën mal i lartë, mos qëndro i pezmatuar,
Biri yt ka fluturuar, lart në qiellin e amshuar!
Lart në qiellin e amshuar, engjëjt e kanë rrethuar,
Si simbol të burrërisë, përgjithmonë i paharruar!