E shtune, 21.12.2024, 12:36 PM (GMT)

Editorial

Ramiz Bojaj: Kur flet sovrani

E merkure, 27.07.2011, 07:05 PM


Kur flet sovrani

 

Vrasja në pritë e policit, tashmë dëshmorit më të ri të shtetit tonë, Enver Zymberit (nga ana e grupeve kriminale dhe mafioze serbe), dëshmon së për 12 vjet me radhë në pjesën veriore të vendit tonë, nuk kishte siguri qytetare, nuk kishte sovranitet e as integritet territorial. Po kaq vite, është folur rrejshëm për sovranitetin, për kontrollin e kufijve shtetërorë dhe funksionalizimin uniform të autoritetit të shtetit. Rikthimi në veri (i organeve të sigurisë) është po kaq i rëndësishëm sa edhe këmbëngulja institucionale për të mbajtur territorin e lirë, të çliruar e të garantuar. Rimarrja e pikave kufitare në portat 1 dhe 31 është hapi i  parë i përgjegjësisë institucionale për mbrojtjen e autorësisë së sovranit( shtetit të pavarur të Kosovës).

 

Shkruan: Ramiz BOJAJ

 

Kosovës i është kthyer primati i shtetit funksional, sovran e të pavarur. Pas rrimarrjes nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 në veriun e shtetit tonë, përfundimisht është ndier pesha dhe rëndësia qe ka dora e shtetit, përgjegjësia dhe sakrifica për t’i mbrojtur vlerat e saj. Pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ishin jashtë kontrollit të autoriteteve shtetërore vendase. Në këtë kontekst, në mënyrë të drejtëpërdrejtë, ishte thyer legjitimiteti i shtetësisë së Kosovës, duke pamundësuar kontrollin doganor dhe sigurinë qytetare. Në këtë kontekst, Serbia fqinje,(duke shfrytëzuar vakuumin institucional, ndërkombëtar dhge vendas në veri) ruante me kujdes praninë e saj në Kosovë, gjithnjë duke krijuar turbulenca dhe veprime arrogante me qëllim të prishjes se imazhit të Kosovës së pavarur. Kjo situatë ishte ekzistente jo përmes xhandarmërisë dhe forcave paraushtarake e militare, por përmes strukturave të veta të spiunimit e të sigurisë, duke krijuar kaos dhe pasiguri brenda shtetit të ri. Dhe krejt në fund, Serbia mundohej të kontrollonte politikisht dhe ekonomisht Republikën e Kosovës. Sulmet e vazhdueshme (vandale-kriminale) e grupeve ilegale serbe në veri të vendit tonë, për aq kohë sa mbesin funksionale, jo vetëm se rrezikojnë jetën e qytetarëve, duke cenuar rendin dhe ligjin, porn ë mënyrë të drejtëprdrejtë, shërbejnë në rrënimin e ekonomisë së Kosovës, përmes aktiviteteve të jashtëligjshme të kontrabandës së tyre. Duke atakuar politikisht Kosovën, strukturat ilegale i shërbenin politikës së Beogradit.

Në këtë kontekst metohej të pengohej edhe zbatimi i vendimit të qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit në fushën e tregtisë me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Duke u përballur me një gjendje të aktit të kryer, (kontrolli kufitar nga strukturat serbe), hartimi i planit për rikthimin e kontrollit kufitar ishte nevojë immediate, krahas së cilit është ngritur pesha dhe autorësia e shtetësisë së sovranit (Republikës së Kosovës). Në përballje me forcat ilegale serbe, mbeti i vrarë, polici Enver Zymberi, i cili ra dëshmor për shtetin dhe sovranitetin. Njëherësh, rënia në altarin e lirisë së Kosovës, të dëshmorit Zymberi, dëshmon se sakrifica për bërjen e shtetit është kaq e çmueshme sa edhe ruajtja dhe mbrotjtja e tij. Siguria e shtetit fillon në kufij. Prandaj, ruajtja dhe mbrotjtja e kufijve është përgjegjësi në radhë të parë e institucioneve shtetërore (qeveria, policia e ushtria), e deri tek të gjithë shtetasit e saj. Proklamimi për shtetin, lirinë dhe atdheun mbetet opsioni më i çëlluar dhe sllogani i vetëm para të cilit duhet të betohet çdo zemër shqiptari. Vetëm akti i mbrotjtjes së atdheut na bëri të ndihemi qytetar me identitet dhe dinjitet, ashtu siç na qëndiste lirinë, gjaku i dëshmorëve, heronjëve dhe martirëve tanë: “Republika e Kosovës të gjitha institucionet e saj janë të vendosura që të zbatojnë rendin dhe ligjin në mbarë territorin, që është në të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim dhe që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”.

 

Autorësia e shtetësisë

 

Kosova në bisedimet me Serbinë nuk është trajtuar si partner i barabartë për faktin se vendimet e shtetit tonë për mbrotjtjen e parimeve shtetërore, ose nëpërkëmbëshin (nga ana e Serbisë), ose neutralizoheshin nga komuniteti ndërkombëtar. Duke shfrytëzuar vakuumin institucional, Serbia bëri kujdes të shtuar (propagandistik dhe stimulim të strukturave ilegale) në mënyrë që të keqtrajtojë Kosovën në aspektin ekonomik, krahas të cilit prekej ose thyhej edhe sovraniteti i shtetit tonë të pavarur. Në këtë kontekst, vendimi për zbatimin e masave të reciprocitetit (kundër Serbisë dhe Bosnjës), ishte nisma e parë e vënies së dorës së shtetit në nyjat më të ndieshme (interesat ekonomike). Pra, Aksioni i Policisë së Republikës së Kosovës, për rimarrjen e pikave 1 dhe 31, për të respektuar vendimin masave të reciprocitetit, jo vetëm se është veprimi më i qëlluar, por edhe më i domosdoshëm. Njëherësh ky veprim është cilësuar si akti më unikat, pozitë-opozitë, por që gëzon edhe përkrahjen e plotë të popullit dhe komunitetit ndërkombëtarë. Reagimet ndërkombëtare për përmbajtje të dhunës nuk është sinjal qe kritikon veprimet e qeverisë së Kosovës, siç është vlerësuar nga shumë medie dhe autoritete analitike, por ishte qëndrim i moderuar dhe përkrahës për veprimet e fundit të QK-së. Njëherësh, ta mbrosh shtepinë tënde (mendoj shtetin), është e drejtë legjitime dhe përgjegjësi absolute. Vet rënia në altarin e lirisë e policit Zymberi, mbetet dëshmia e vetme e palëkundur, se shteti dhe liria duhen mbrojtur me çdo çmim. Krerët e qeverisë të paktën njëherë dëshmuan se dinë të flasin në emër të sovranit, krahas të cilit kërkohet guxim, sakrificë dhe vendosmëri. “S’mund të jemi indiferent dhe përjetësisht të tolerojmë që sovraniteti ynë të cenohet, që një pjesë e atdheut të përdoret si kontrabandë. Falë Enverit dhe policëve të kalibrit të tij të lartë, institucionet e Kosovës arritën të vënë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në pikat kufitare në veri të vendit”.

 

Dëshmori i sovranit

 

Historia e re dhe e vjetër na ka mësuar se në raste delikate atdheut i duhen dëshmorët. Liria e fituar me sakrificë dhe gjak, duhet mbrojtur me të njëjtat mjete, pavarësisht ndryshimit të rrethanave dhe kohërave. Pas vënies nën kontroll të pikave doganore në veri, dëshmori më i ri i Kosovës, Enver Zymberi u vra në pritë të organizuar nga strukturat kriminale te Serbisë. Vrasja e tij na jep kurajo dhe përgjegjësi që të vazhdojmë me çdo çmim mbrotjen e çdo cepi të atdheut, njëherësh ky ishte misuioni dhe emaneti i dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata qe terrorizuan qytetarët shqiptarë në veri, ata qe cënuan sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, ata edhe e vranë në pritë dëshmorin Zymberaj. Njëherësh, vrasësit (strukturat serbe), mbronin kontrabandën e tyre, trafikumin e qenieve njerëzore e të drogës, në kontekst të të cilit mbrohej edhe prania e Serbisë në territorin tonë. Në këtë kontekst, sakrifica e Enverit për mbrojtjen e kufijve të atdheut, (shtetit të Kosovës), do të mbetet përherë në kujtesën tonë, duke ruajtuar në kujtesë, trimërinë dhe përkushtimin e tij për mbrojtjen e lirisë dhe paqes në vendin tonë. “Tokës i japin jetë njerëzit që jetojnë në të”. Edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Zhan Fransua Fitu, vlerëson se me veprimet e fundit të policisë në veri, Qeveria e Kosovës ka marrë përgjegjësitë që i takojnë. "Ne duhet ta respektojmë këtë, na pëlqeu ose jo. Veriu i Kosovës nuk do të përmendet më si qendër e krimit të organizuar. Shpresoj shumë se krimi i organizuar nuk do të importohet apo eksportohet nga Kosova në këtë situatë të re. E nëse këto fenomene të trafikimit do të ndalen me situatën e re, kjo do të ishte gjëja më e mirë e mundshme”. Të drejtë legjitime për veprimet e autoriteteve shtetërore ka dhënë edhe Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar: "Sikur në çdo vend sovran, Qeveria ka të drejtë të ndërmarrë hapa për të siguruar administrim adekuat, përfshirë këtu kontrollin e kufirit dhe të doganave. Tani është me rëndësi shumë të madhe që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë paqësore, përmes diskutimeve dhe negociatave. Askush nuk do të fitojë kurrfarë përparësie përmes dhunës. Ne po ashtu e nxisim Qeverinë që përpjekjet e veta për të vendosur kontroll administrativ në tërë territorin e saj, t’i përcjellë me përpjekje të vendosura për t’i risiguruar dhe mbështetur qytetarët e saj në veri të vendit". Pra, filli i parë i rikthimit të autorësisë së shtetësisë në veri ka filluar me vënien nën kontroll të pikave kufitare, krahas së cilës duhet mbështetur edhe vendosjen e institucioneve për ndarjen e drejtësisë, gjykatave. Funksionalizimi i gjykatave shtetërore të Kosovës në veri është cilësuar si problem kryesor krahas të cilit rrjedhë edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilat do të zhbëhen vetëm atëherë kur të shpartallohet qerdha e strukturave kriminale dhe ilegale. Rimarrja e pikave kufitare në portat 1 dhe 31 është hapi i parë i përgjegjësisë institucionale për mbrojtjen e autorësisë së sovranit( shtetit të pavarur të Kosovës). Vrasja në pritë e dëshmorit më të ri të shtetit tonë, Enver Zymberi nga Dubovci i Vushtrrisë(nga ana e grupeve kriminale dhe mafioze serbe), dëshmon së për 12 vjet me radhë në pjesën veriore të vendit tonë nuk kishte siguri qytetare, nuk kishte sovranitet e as integritet territorial. Po kaq vite, është folur rrejshëm për sovranitetin, për kufijtë shtetërorë dhe për funksionalizimin uniform të autoritetit të shtetit. Rikthimi në veri (i organeve të sigurisë) është po kaq i rëndësishëm sa edhe këmbëngulja institucionale për të mbajtur territorin e lirë, të çliruar e të garantuar.

 

(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora