| E marte, 26.07.2011, 06:45 PM |
Sejdi BERISHA:
LUTJE E PAKUPTIMTË...
1.
Në pranverë
Mos më ngacmoni me lamtumirë
Se vdekjen
Nuk e pranojnë as lulet as behari
Se lëndohen
Gjelbërimi dhe mallëngjimi
Sepse
Në pranverë lulet vrapojnë pas meje
Mëkat do të bënit që t’i tradhtonit
Sepse
Shumë ëndrra së bashku
Kurorë i kemi thurë
Sepse
Histori ka kurora
Keni kujdes mos e lëndoni
Këtë stinë plotë plagë
Me histori e pa histori
Me data e faqe të këputura
Që zemrën e shpirtin ngatërrojnë
2.
Në verë
Kurrë mos e shuani zjarrin
Le të merr dallgë
Se në këtë stinë
Këngë të bukura këndohen
E njerëzit digjen me radhë në to
Në këtë stinë
Mollë e Kuqe më kërkon
Vetëm ngjyrën për t’ia puthë
Si lulediellin në lindje të diellit
Vera
Edhe detin e trazon
Për shkrumbin e njeriut
Për stinët e tretura
Nëpër lotët e shiut
3.
Në vjeshtë
Ju lutëm keni kujdes
Mos bëni mëkat
Gjethin e verdhë për t’ma rrëmbyer
Sepse
Shumë rrugëtim kemi bërë
Dhe asnjëherë nuk kemi arritur
Njëri-tjetrit t’i rrëfejmë
Për shkrumbin e trungut
Për padrejtësitë e ikjes
Për përcëllimin e vetvetes
Për pritjen kah pritjet
Që janë kohë e drobitur
4.
Në dimër
Kurrë mos më ngrohni
Se acari do të hidhërohet
Qiriu i akullt do të çmendet
Pse gjakun e trupit s’ma mërdhinë
E rrugët rrëshqasin
Pakuptim vjedhin
Diçka nga jeta ime
5.
Janë këto lutjet e mia
Janë këto kërkesat e mia
Janë këta katër rrathë jete
Janë këto stinë
Që pa mua do ta shkatërronin vitin
Sepse
Në mua bora e zë borën
Sepse
Në mua lulet i presin lulet
Sepse
Në mua gjethi e zë gjethin
Sepse
Në mua stina e puthë sitën
Gjithnjë duke ecur
Gjithnjë duke kënduar
Këto janë
Kush i kupton
Lutjet e mia të pakuptimta...