Kulturë
Poezi nga Vullnet Mato
E premte, 22.07.2011, 06:57 PM
Vullnet Mato
DËBIM NGA TOKA E QIELLI
Kam takuar njeriun
më të rrallë të globit,
përdhunuesin e një
minorenie të shenjtë,
dënuar përjetësisht
nga mallkimi i Zotit,
mos pranohet në tokë,
as në qiell kur të vdesë.
Tentova të vras veten
tri herë me radhë,
tha mëkatari i dënimit
të pazakonshëm,
vetëvrasjen s’e kryej dot
me asnjë armë,
Zoti më ndal dorën
në çastin e kobshëm.
S’të pranoj, më thotë
më një zë të padukshëm,
të më ndysh ferrin,
as parajsën jo se jo,
se e kam plot femra
Edenin e këtushëm,
dhe nëntokën ku ti,
pa mëkate s’duron!...
Tani unë pres
dhjetëvjeçarët e ardhshëm,
kur rruga për në galaktika
të jetë shtruar,
dhe njerëzit të vizitojnë
planetët e ngjashëm,
të shkoj të vdes
te ndonjë planet i pabanuar...
SHPËRBLIM PËR TË MIRAT
Pas rinisë që më shkoi
me tra - la - la,
në katër dekada
bëra miq me përpjekje.
Për katër njerëz
bëra të mira të mëdha,
dhe të katër m’u bënë
armiq për vdekje.
Me këta të katër
s’kam më gojë e sy.
Dhe ata e duan emrin tim
në pllakë varri.
Gjithmonë pyes veten,
si ka mundësi,
të shpërblehen të mirat
me shkelma gomari?...