E shtune, 19.04.2025, 10:08 PM (GMT+1)

Faleminderit

Fritz Radovani: Kush e vret mikun në shtëpinë e vet?!

E merkure, 20.07.2011, 08:04 PM


KUSH  E  VRET  MIKUN    SHTËPINË  E  VET ?!..

 

Në 65 vjetorin e pushkatimit të Misionarit Tracki…

 

“Ty…nuk të kanë vra Shqiptarët!”

(Grafikë nga F.Radovani. 1996)

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Tradhëtarët e pabesë e vrasin Mikun në shtëpinë vet. Për këte cilësi njihen sot dhe gjithmonë hibridet e quejtun “komunistë”, të cilët mbinë në Shqipni në vitin 1936.

Shqiptari dikur veçohej në Ballkan për Besë, Burrni dhe Bujari!

Kjo nuk ishte një shprehje e këtyne tipareve nga vetë Shqiptarët.

Nëse do të rreshtojshim autorët e huej që kanë shkrue dhe folë për këta virtyte tonat, do të na duhej me u largue nga qellimi i shkrimit. Njohja e këtyne tri cilëve tona kryesisht ndër popujt e Europës ka sjellë herë mbas here miq e dashamirë në kohë të ndryshme në Shqipni, që janë dhe sot të paharrueshëm për miqësi, dashni dhe ndihmën e tyne të madhe e të pakursyeme në të gjitha fushat ndaj Popullit dhe Shtetit Shqiptar.

Një prej Këtyne miqëve shumë të shtrenjtë ishte edhe Don Alfons Tracki. Virtytet e Tij Burrnore dhe fetare e rreshtojnë ndër ma të përkushtuemit prej të huejve që kanë shkelë në Token tonë, dhe që nuk kanë kursye as jeten e vet për Përparimin kulturor dhe shoqnor të Popullit të shumëvuejtun Shqiptar. Ishte Mik dhe bashkpuntor i Don Kolec Prennushit, Don Mikel Koliqit, Don Ndre Zadejës, Vllazenve Meshtarë Gazulli, por i pahurrueshëm si edukator dhe mësues i Don Dedë Malaj, Don Mark Xhani, Don Mark Bicaj, Don Ejëll Deda, Don Mark Hasi, Don Nikoll Gjini, Don Anton Muzaj, Don Lazër Sheldija, të gjithë të mbytun dhe të vramë nga komunistët, po ishte edhe Misionar i vertetë i Fesë: Në çastin e fundit të jetes së djalit të ri demokrat shkodran Ndoc Jakova, të cilit porsa u plagos nga komunistët për vdekje, tek koka iu gjet prifti trim Don Alfons Tracki. Kishte me vete Kungimin dhe Bagmin Shejt kur forcat e sigurimit të shtetit e rrethuen dhe porsa thirrën “duart lart”, Ai u përgjegj pa pikë frike, tue pasë të shtërnguem për parzem të vet Ndocin, pothuej në agoni të plotë: “Ejani, afrojuni, mos kini frikë se nuk kam armë. Tashti ejani kur të doni, se unë e kreva detyrën teme!..” U çue në kambë, mbasi i mbështeti kokën djaloshit për një cung, nuk harroi me i ba edhe Kryqin e Fundit, e Bekoi dhe mbasi i mbylli sytë me doren e vet, u drejtoi duert e bashkueme kriminelëve për me ia lidhë dhe me fillue Kalvarin e gjatë të vuejtjeve të papërshkrueshme e mizore që kaloi mbi trupin e vet në hetuesinë e njohun të Shkodres nga katilët Zoji Thëmeli dhe Fadil Kapisyzi.

Ishte ushtar 17 vjeçar me forcat austriake kur shkeli tek na, i ardhun nga Breslau i Gjermanisë, që mbas Luftës së Parë iu kalue Polonisë, por edhe pse i ri kishte edukaten dhe karakterin e gershetuem Burrnor të dy Popujve Europjan, që e banin edhe ma të dashtun për né Shqiptarët e vitit 1914, prej të cilëve arrijti me asimilue sakrificen për Liri, tue iu ba edhe Atij “Shqipnia një Atdhe i dytë!”, gja të cilën e tregoi gjithë jetën, qysh kur ishte i ri.

Në Shkodër, në vitet 1925, formoi Rrethin “Viribus Unite”, vit në të cilin Shugurohet Meshtar, atëherë kur edukonte dhe mësonte fëmijët jetima ose të braktisun, me gjendje të keqe ekonomike, me punue zejtarë dhe me u marrë me sport. Qytetari i Breslaut hapë shkollë në Velipojën malarike dhe edukon për 17 vjet fëmijët e malësorëve, u mëson atyne “Hymnin e Flamurit” dhe detyrat e qytetarit shqiptar për të kenë europjan i vertetë; pajton gjaqe dhe me Kryq në dorë gjujzon gjaksorët. E po me Kryq në dorë hyn në zyret e Gestapos për me shpëtue jetën e djelmëve shqiptarë që kishin humbë drejtimin e jetës dhe ishin bashkue me çetat partizane sllavokomuniste. Me guxim dhe dashni arrinë me ua mbushë mendjen edhe fashistëve apo nazistëve “me kthye të interrnuemit komunistë nga kampi i Prishtinës.”

E si ia shperblyen ata? Mohni, bre Burra, mos i tregoni kujt këto vepra kriminale!

Të njajtin shperblim komunistët i dhanë edhe Misjonarit gjerman At Zef Maksen, edhe Ai Misionar gjerman në rrethinat e Durrësit...

Don Alfons Tracki asht simbol i një të huej që ka dashtë me shpirtë Shqiptarët.

Nuk do të hyj në detaje të jetes së Tij, mbasi ato janë skalitë në Monumentin e Madh “Çinarët”, vepër e pavdekshme e nxanësit të vet, At Konrrad Gjolaj, i cili me një forcë të një gjigandi ka perjetsue në librin e Tij dy kolosët e mëdhej Don Alfons Trackin, “mësuesin tonë prej Breslaut”, dhe të Madhin Martir të Selcës Trimin Don Dedë Malaj, “shokut dhe mikut të përjetshëm”, ku spikasin të gjitha cilësitë e Atdhetarëve tanë Heroj, që këta Burra i ngriti në Elterin e Pavdeksisë...

Në vitin 1944 në Velipojë vritet një ushtar gjerman. Komanda gjermane ua kërkon vrasësin ose do të zhdukte të gjithë burrat e fshatit. Lajmërojnë Don Alfonsin në Shkoder dhe Ai niset urgjent. Informohet se vrasja asht krye nga një jugosllav për me shue fshatin e Velipojës. Don Alfonsi nderhyn në komanden gjermane dhe fshatarët e Velipojës u liruen mbrenda ditës. Ky Klerik vritet nga komunistët si ‘agjent e spijun i Gestapos”!!

Me datën 18 korrik 1946 njoftohet Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën  nr. 902/7, njoftim që i bahej tradhëtarit Enver Hoxha, se: “...në bazë të vëndimit të dhënë me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët...Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë. Shef i Seksionit Shkodër (Zoji Themeli) d.v.” (Dosja 1885, Arkivi Min. Mbrendshme)... Atëherë, kush e vrau? Gjykatat nuk ishin të “Popullit”? “Populli ka ndjerë dhëmshuri për këtë...”, e shkrueme nga vetë dora e vrasësit! Ja, pra, fakti: “Vrasësit ishin komunistët”...Dhe ja, prap e shkrueme po aty edhe pse u vra Don Alfons Tracki nga komunistët, Ai deklaroi para gjyqit këto fjalë:

            “Ndoshta për problemet kombëtare të Shqipnisë gjermanët kanë punue mirë, mbasi Kosova me tokat tjera që i përkasin truellit shqiptar e ia kanë marrë, kam frikë se nuk i kthehen ma.” – Çka mund t’ ishte një faj ma i randë se ky ndaj tradhëtarëve komunistë dhe kriminelit Enver Hoxha, që shiti këta  Troje për me sigurue postin e tij ? 

Populli i Shkodres çdo të huej në rrethinat e Kështjellës “Rozafat” e ka quejtë Mik e Vëlla,..dhe kurrë nuk i ka tradhëtue. Kjo asht arsyeja se edhe Don Alfonsi, tue kenë jo vetem Mik e Vëlla, po edhe Mësues apo Edukator i djelmëve Shqiptarë, e kur e lypi nevoja edhe Shpëtimtarë i jetes së Tyne nga rreziku i pushtuesëve, bani që në ndergjegjen e vetë Shkodranët me u gjetë para turpit dhe marres së pakrahasueshme ndër shekuj:

“Me vra Mikun e Mësuesin e djelmëve të Saj, në ‘shtëpinë e vet”!!

Këte tradhëti e pabesi të pashoqe ndaj Popullit të vet, të kryeme me 18 Korrik 1946, tue pushkatue “pa faj” Misionarin Don Alfons Tracki, mund ta banin vetem komunistët!

 

Misionarët në Shqipni vritën tri herë, pushkatohën, harrohen dhe të tretën herë

Atyne Ju dhunohet edhe vorri...

 



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx