Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Një tregim për mikun tim (VI)
E diele, 03.07.2011, 06:58 PM
RESHAT KRIPA
NJË TREGIM PËR MIKUN TIM
NGJARJE TË JETUARA
NJË JETË PËR KOMBIN
AGO SHERO AGAJ
‘’ Mbahu nëno mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerike. ‘’
( F. Noli ‘’Jepni për nënën)
Më 24 dhjetor 1994 në Florida të Shteteve të Bashkuara u zhvillua një ceremoni funebre madhështore. U mblodhën shqipëtarët nga të gjitha anët e Amerikës, ashtu si ishin mbledhur më 1949 kur përcillnin në banesën e fundit Mit-hat Frashërin, ashtu si më 1991 kur percollën Hasan Dostin, ashtu si kishin ardhur sa herë pushonte së rrahuri zemra e ndonjërit prej atyre që jeten ia kishin kushtuar kombit, por që kombi i kishte harruar në dhe të huaj. Këtë rradhe u mblodhën për të bërë nderimet e fundit për atdhetarin, personalitetin, historianin, intelektualin e mirëfilltë, Ago Shero Agaj.
Unë që po shkruaj këto rradhë nuk pata fatin që ta njihja, të kisha mundësinë t’i rrija pranë për të mësuar nga bagazhi i tij i pashtershëm, por e ndjej për detyrë të shkruaj aq sa mundem për figurën dhe veprën e tij. Nuk do të flas për jetën e tij, mbasi për të është folur tashmë pothuajse në të gjitha gazetat kryesore të vendit, por do të mundohem të hedh dritë mbi figurën e tij duke u mbështetur në ato që kam dëgjuar për të dhe në veprat që na ka lënë.
Lexoj veprat ‘’ Lufta e Vlorës ‘’ dhe ‘’ Milloshi heroi i Kosovës ‘’ dhe para syve më del figura e këtij burri që gjithë jetën punoi për madhështin e këtij vendi, por vuri re se shumë ngjarje dhe shumë figura u lanë në harresë ose u shtrembëruan nga historianët servilë të rregjimit diktatorial. Ja si shkruan ai për këtë:
‘’ Kurrë nuk më kishte shkuar ndër mend që të përshkruaja unë veprën e atyre burrave, por u detyrova duke parë se emrat e prisave, të dëshmorëve, të plagosurve u harruan, u mohuan fare dhe vepra e tyre u shtrembërua simbas nevojave ideologjike të sunduesve të sotëm. Kështu u zëvendësua graniti i zi me letrën e butë dhe të bardhë. Vall kush do të rrojë më shumë? ‘’
Koha tregoi se më shumë rrojti letra e butë dhe e bardhë.
I rritur me një kulturë gjermane, Zotërues i gjuhëve gjermane, angleze, arabe, italiane dhe disa gjuhëve të tjera, Ago Agaj u bë studiues i veprave të disa autorëve nga shumë vende të botes, nga Bizanti në Europën perëndimore dhe nga Vendet Arabe në Lindjen e Largët. Ai njihte mirë veprat e Pouqëvillit, Patoshes, Engelit, Kieslingut, Villehardeninit, Stadmullerit, Mannit dhe të tjerë të cilët i citon shpesh herë në veprat e tij. Po ashtu ai njihte mirë historinë e njerëzve të mëdhenj të këtij vendi në të gjitha kohërat si Buzukun, Sami Frashërin, Kristoforidhin, Hasan Dostin, Tajar Zavalanin Ali Asllanin e të tjerë. Në veprat që ka lënë ngrihet lart ose më saktë hymnizohet e kaluara e lavdishme e vendit dhe në mënyrë të veçantë ajo e krahinës së Labërisë dhe Kosovës.Ai mendon se kjo e kaluar duhet ngritur lart për të qenë si udhërrëfyese për të ardhmen. Ja se si shkruan:
“ E ardhmja nuk na sjell gjë, ndaj ne duhet t’i japim asaj çdo gjë që të mund ta ndërtojmë. Por duhet të kesh që të japësh dhe ne nuk kemi asnjë mjet tjetër, asnjë fuqi tjetër veç thesareve të së shkuarës, thesare të cilat ne duhet t’i drejtojmë, t’i thithim e të krijojmë rishtas.’’
Nacionalist i kulluar, që në rini të tij ëndërronte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë., ëndërr për të cilën luftoi gjithë jetën. Këtë gjë ia përforcoi më shumë qëndrimi në Kosovë me cilësinë e Prefektit të Mitrovicës. Duke përfituar nga ky rast ai e shfrytëzoi atë për të vizituar dhe njohur hollësisht këtë vend që e quante ‘’ Djepi i Shqiptarizmës ‘’. Atje ai njohu Prizrenin e Lidhjes Shqipëtare, Gjakovën e Abdulla Pashë Drenit që zgjodhi vdekjen përpara humbjes së nderit, Plavën dhe Gusinjën historike të Ali Pashë Gusinjës, Cernalevën dhe Kaçanikun ku shkelqeu gjenia e Isa Boletinit dhe Idriz Seferit, Rugovën e viganëve kokë mbështjelle si i quajti ai, Prishtinën kryeqytet dhe vise të tjera të atij vendi. Njohu monumente të lashta të kultures dhe historisë të atij vendi si tyrben e famshme të Ghazi Mestan Pashajt që përpara betejës ju lut Zotit që më parë t’i jepte fitoren dhe pastaj vdekjen si dhe Fush Kosovën ku Milloshi legjendar goditi për vdekje Sulltan Muradin e parë. Kështu ai u bë ‘’ Kosovari nga Vlora ‘’ . U rrit me dashurinë për Kosovën, u burrërua duke punuar për të, dha shpirtin me brengën se a do të vinte dita që ky vend të bashkohej me atdheun mëmë? Atij i dhimbte zemra për gjakun e derdhur, për lotët, djersën e atyre që shpëtuan nga vdekja. Ai ishte i mendimit se nje Shqipërie të bashkuar nuk do mund t’i kanosej asnjë rrezik pushtimi nga të huajt, se gjokset e pesë apo gjashtë milion shqipëtarëve do të dijnë t’i bëjnë ballë kujtdo. Por ai ishte në pritje të një burri, të një Skënderbeu të ri që do ta kryente këtë bashkim. Ago Agaj shkruante:
‘’ Ai që do të kurorëzojë këtë bashkim do të realizojë themelet e hedhura në Vlorë më 1912 dhe 1920. Ai do të jetë Burri më i madh i historisë shqipëtare.’’
Ago Agaj ishte ndër ata burra që patën meritën të njihnin komunizmin që në fillim ashtu si ishte në të vërtetë. Ai e quante atë ‘’ rregjim të hurit dhe litarit, rregjim despotik, totalitar, mashtrues dhe gënjeshtar të të gjitha kohrave ‘’. Ai fliste me neveri dhe përbuzje për komisarin e kuq që më vonë u bë udhëheqës shteti i diktaturës, kur në një bisedë me Qazim Koculin shprehej:
- Punë e madhe se do të zhduken një milion qerozë shqiptarë, kur të përparojnë një miliard kinezë.
Shprehje tipike e atyre që nuk njohin atdhe.
Me mprehtësinë dhe largpamësinë e tij, ai dijti që në momente të caktuara historike të marrë vendime historike që do i shërbenin kombit., paçka se propaganda e kuqe u mundua ta përdorë këtë për të errësuar figurën e tij ashtu si kishte bërë edhe me figura të tjera. Agua ishte i mendimit se njerëzit duhen vlerësuar ashtu si janë me meritat dhe të metat e tyre. Ai thoshte se historia duhet të jetë e drejtë dhe e pa anëshme. Ja si shkruante:
‘’ A duhet të humbasin emrat e atyre prisave, qoftë se ndonjeri prej tyre të ketë bërë në politikë ndonjë akt të quajtur gabim, sepse nuk arriti të realizonte qëllimin e tij padyshim patriotik? ‘’
Ago Agaj ishte gjithashtu njeri dhe prind i mirë. Dëshëronte të rriste fëmijtë me një kulturë europiane, pa i shkëputur nga zakonet e bukura shqipëtare, por vendosja e diktaturës e detyroi të marrë rrugën e mërgimit duke lënë në atdhe përballe kuçedres komuniste gruan dhe pesë vajza. Jetoi gati një gjysmë shekulli me ankthin se a do të mund t’i shihte ndonjëherë dhe se a do të kthehej më në atdhe? Rënia e komunizmit ia ngjalli shpresën, por mosha e kishte bërë punën e saj. Ai nuk mund të realizonte dëshiren e tij kaq vjecare. Ndërkohë e shoqja dhe dy vajza nuk jetonin më. Një vajzë tjetër pati mundësine të shkonte e ta takonte në Amerikë. Plaku 96 vjeçar sikur u përtëri. E pyeste për gjithçka. Megjithatë kishte një brengë që ia shprehu:
- A i keni mbetur kujt borxh?
Kur mori pergjigjen ndjeu një lehtësim në ndërgjegjen e tij. Ishte dëshira për t’i parë femijtë gjithmonë me kokën lart.
Nuk e di se sa munda ta përshkruaj figurën e tij ashtu si e meritonte, por kaq janë mundësite e mia, mbasi si shkruante edhe ai vehtë:
‘’ Vajtoj mungesën e talentit tim për të përshkruar ashtu si duhet ata burra dhe veprat e tyre, prandaj ju kërkoj ndjesë që s’jam i zoti t’i ve këto vepra në dritën e merituar. ‘’
Është detyra e publicistëve, historianëve dhe gjithë njerëzve të letrave t’i nxjerrin ato në dritë se një gjë e tillë është në dobi të këtij vendi.
Shqipëria i mbetet akoma borxh bijve të vet.
Vlorë më 8 janar 1995