Editorial
Ilir Çumani: Ndalni dhunën ndaj jetimëve!
E merkure, 22.06.2011, 07:05 PM
Promemorje
Ndalni dhunën ndaj jetimëve!
Nga Ilir ÇUMANI
Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë
Këto ditë shqiptarët dhe mbarë Shqipëria u bënë dëshmitarë të një skene të shëmtuar dhe të dhunshme, të paprecedentë dhe të pashëmbullt; atë të diskriminimit social dhe shkeljes flagrante të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut…. Njerëz të administratës shtetërore, me anën e sjelljeve dhe veprimeve arrogante, brutale dhe antihumane na thanë të gjithëve hapur, se si institucionet dhe shteti ynë përbuz, përçmon deri në dhimbje, denigron deri në poshtërim një nga shtresat më të përvuajtura dhe më të pambrojtura të shoqërisë shqiptare, atë shtresë që fati i keq tragjik e ka etiketuar dhe me sa duket, e ka destinuar për të qenë gjithmonë JETIM…!
Zyrtarë të shtetit, dhe njerëz të papërgjegjshëm të paguar nga taksapaguesit shqiptarë, shfaqen befas si djalli në mjedisin tonë social dhe me lëkurën e tyre antihumane, (pse jo dhe pa asnjë integritet moral e shoqëror), marrin guximin të ngrenë dorë mbi jetimët, t’i fyejnë, t’i poshtërojnë, t’ua vrasin edhe shpresën e fundit, shpresën se mbase një ditë, edhe për ta do të bëhet mirë….
O Zot i Gjithëmëshirshëm…! Fali, se nuk dinë ç’farë bëjnë! Janë skena bizantine që shfaqen dukshëm dhe me neveri në ekranet e televizionit, në kontrast me realitetin dhe kohët moderne që sot jetojmë.
Familjarë dhe fëmijë jetimë, që në kushte shumë të vështira, banonin prej kohësh në konviktet e Shkollës Teknologjike në Tiranë, u hodhën dje nga shteti e qeveria në rrugë të madhe. U lanë në mëshirë të fatit. Ku është Ministria e Punës, e Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, që është e detyruar me ligj të zbatojë “statusin e jetimit”…!? Shteti dhe qeveria duhet të përmbushin detyrimin ligjor për trajtimin social dhe integrimin e kësaj shtrese në nevojë. Ligji nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e Jetimit” parashikon 22 nene, që ngarkon disa institucione të shtetit shqiptar, por në veçanti ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, për zbatimin e këtij ligji. Ky ligj përcakton qartë të gjitha kriteret dhe të gjitha kategoritë sociale të jetimëve që përfitojnë lehtësira në drejtim të punësimit, strehimit, trajtimit mjekësor dhe shërbimeve të tjera sociale. Mirëpo ky ligj ka mbetur i shkruar vetëm në letër. Tani fëmijët jetimë të konviktit “teknologjikes”, ashtu si qindra të tjerë në të gjithë vendin, nuk kanë asnjë strehë ku të futin kokën! Ku është qeveria, ku është kryeministri?
Ata fëmijë, që u hodhën dje në rrugë të madhe, tani duhet të përballojnë të vetëm varfërinë, sëmundjet, fatkeqësitë, pa patur kohë për të menduar për ëndërra, dëshira e të drejta, për të qenë si gjithë qytetarët e vendit të tyre, si të gjithë të tjerët… Këta fëmijë meritojnë vëmendjen e gjithë shoqërisë shqiptare, sepse jetimët sot, janë shtresa më e zhgënjyer dhe më e pambrojtur e shoqërisë, mbi të cilët vetëm është abuzuar e janë shpërdoruar fonde pa fund nga strukturat shtetërore. Megjithse shteti ka të gjitha përgjegjësitë institucionale për t’u kujdesur për jetimët, “statusi i jetimit” është i mbuluar nga “pluhuri i harresës”. Ky është një realitet i dhimbshëm që duhet pranuar dhe thënë tashmë më zë të lartë. Kjo nuk është aspak humane. Kjo është antinjerëzore, është katastrofike. Jetimët nuk kanë nevojë për lëmosha ushqimore e veshjesh, por duan vëmendje të përhershme, duan përkujdesje shtetërore, arsimim, punë, strehim, integrim. Është një privilegj i madh i madh për një shtet human e demokratik që të merret me njërëzit në nevojë, me jetimët. Ata kanë nevojë për kurajë e besim, që t’i shndërrojnë ëndërrat e tyre në realitet. Ekziston një Ditë Kombëtare në ndihmë të jetimëve, siç është edhe 20 Maji, të cilën ne si Institut Kombëtar i Integrimit të Jetimëve e përkujtuam me ato pak ndihma modeste të donatorëve vendas e dashamirës, por askush nuk u kujtua nga qeveria dhe shteti shqiptar që të jepte qoftë edhe një mesazh shprese e ngushëllimi për këta fëmijë. Ata ishin aq të preokupuar me fushatën elektorale, me luftën për pushtet, saqë kujtesa për jetimët u bë NUL. Të gjithë duhet të kthejmë sytë nga jetimët, që edhe ata të mos ndjehen të braktisur, që edhe ata të ëndërrojnë si njerëz të lirë e të barabartë. Vetëm kështu do të arrihej një paqe midis nesh, vetëm kështu shoqëria shqiptare do të bëhej edhe më e mirë dhe më e civilizuar, për t’i hapur rrugë integrimit evropian.
Shtetarë dhe pushtetarë, ju parlamentarë që aq bukur hartoni ligje, dhe keni miratuar Kushtetutën e këtij vendi, i cili aspiron integrimin evropian! Ju zyrtarë të administratës publike të pushtetit lokal dhe qëndror që aq bukur flisni dhe ligjëroni nëpër foltoret dhe ekranet televizive… Më lejoni t’ju bëj me dije se, askush nuk ka të drejtë të përçmojë, të përbuzë, të përjashtojë, të fyej dhe të diskriminoj shtresën e jetimëve. Sepse këtë e sanksionin me Ligj Akti Themeltar i shtetit tonë, Kushtetuta e Shqipërisë, e cila në nenin 18, pika 2 e saj, thotë se:
“Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare e filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore…”
Këto ditë, të gjithë së bashku pamë në media një skenë të shëmtuar se si shteti shkel haptazi dhe në mënyrë flagrante, Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut. Përveçse pamë se si konsumohej në mënyrë kolektive një krim social, por, pamë më së shumti, se, ky është edhe një TURP dhe njollë e zezë në ndërgjegjen morale për të gjithë ne si shoqëri!