Shtesë » Lajme
Milazim Kadriu: Rikujton krimet serbe që janë bërë ndaj popullatës shqiptare në Llap
E hene, 20.06.2011, 06:59 PM
NË 12 VJETORIN E ÇLIRIMIT TË PODUJEVËS
SHPZHVL “PËRKORË” RIKUJTON KRIMET SERBE QË JANË BËRË NDAJ POPULLATËS SHQIPTARE NË LLAP
Nga Milazim KADRIU
Në përvjetorin e 12 të Çlirimit të komunës së Podujevës nga okupatori shekullor serb, SHPZHVL ( Shoqata për persona zhdukur dhe viktima të luftës) “Përkorë” në Podujevë përkujton edhe njëherë krimet serbe që janë bërë ndaj popullatës shqiptare në komunën e Podujevës.
Në komunën e Podujevës, si çdo kund në Kosovë, okupatori ka bërë shkatërrime të pasurisë, të infrastrukturës, të ekonomisë e veçanërisht ka bërë likuidime , vrasje, kidnapime dhe dhunime të familjeve dhe anëtarëve të tyre, duke përdorur metodat më të vrazhda çnjerëzore. Shkaku i të gjithë këtyre likuidimeve dhe vrasje të njerëzve të pafajshëm është bërë vetëm e vetëm pse kanë qenë shqiptar dhe për të fut frikë dhe tmerr në popullatë që ajo të largohet nga trojet e saja stërgjyshore për të bërë pastrim etnik.
Numri i përgjithshëm i të vrarë dhe të zhdukur në komunën e Podujevës është 628 qytetar prej tyre 52 ishin nxënës. Nga numri i përgjithshëm i viktimave të luftës në komunën e Podujevës, 112 janë të gjinisë femërore. Struktura sipas moshës, fëmijë deri në moshën 14 vjeçare -49, të rijë prej moshës 14-27 vjeçar-123, prej moshës 27-65 vjeçar-329,viktima tjera janë të moshës 65 -87 vjeçar. Nga numri i përgjithshëm i të vrarëve në komunën e Podujevës, 36 familje i kanë nga dy të vrarë, 9 familje nga tre, 4 familje nga pesë, 2 familje nga gjashtë, 1 familje shtatë dhe 1 familje tetë viktima të luftës. Pas luftës në Komunën e Podujevës konsideroheshin të zhdukur 86 qytetar ndërsa 82 ishin të masakruar dhe të karbonizuar kështu që identifikimi i tyre është bërë përmes analizës së ADN-së . tani konsiderohen edhe 40 persona , këta të zhdukur janë prej moshës 9 deri në moshën 80 vjeçar, prej tyre 6 janë të gjinisë femërore, 3 nxënës dhe 2 fëmijë. Të zhdukurit janë gjet nëpër varreza te ndryshme në komunën e Podujevë dhe një numër prej tyre në komunën e Prishtinë.
Gjatë kësaj kohe janë plagosur 307 persona, prej tyre disa kanë mbet invalid për tërë jetën. Edhe pse dihet se përpos likuidimeve, vrasjeve, kidnapimeve ka pas edhe dhunime, mirëpo për shkaqe dhe rrethana të ndryshme ato raste nuk janë lajmëruar dhe nuk dihet numri i tyre. Vendet më të tmerrshme ku gjetën vdekjen shumë pleq gra dhe fëmijë të moshuar dhe të sëmur të komunës së Podujevës,janë maskara në hyrje të fshatit Obranqë, në Qytetin e Podujevës, në lagjen Shamalluk të Ballocit, në Popovë, Dyz, Koliq, Grashticë , Prishtinë, Zhiti, Lluzhan etj.
Serbët në komunën e Podujevës kishin një plan të veçanet për likuidimin e sa më shumë shqiptarëve. Për këtë arsye kishin përgatit edhe një plan po ashtu të veçanet, kishin krijuar tri kampe me civil shqiptar, fshatin Shajkofc ishin mbi 50.000 vetë, në fshatin Metehi mbi 20.000 vetë dhe në fshatin Barilevë mbi 30.000 vetë,ku pati edhe keqtrajtime shumë të rënda.
Sipas shumë analistëve, por edhe deklaratave të ushtuarve dhe të policeve që i mbikëqyrnin këto kampe, popullata ishe futur në këto kampe me qëllim që nëse NATO-ja hyn në Kosovë me këmbësori, këta njerëz të viheshin si mbrojtës të ushtrisë dhe policisë serbe.
Në komunën e Podujevës janë djeg dhe shkatërruar 4.881 shtëpi, janë shkaktuar dëme të mëdha edhe në bujqësi, blegtori, biznese të ndryshme, pra ushtria serbe kishte lëshuar komunën e Podujevës duke e lënë të pabanueshme.
Të gjitha këto vrasje, masakrime, dhunime, djegie, shkatërrime, vjedhje dhe plaçkitje janë bërë me urdhrin e të ashtu quajturit “Shtab i Krizës” i instaluar në komunën e Podujevës.
Sipas Latif Mehmetit,kryetar i SHPZHVL “Përkorë” edhe pas 12 vjetësh të përfundimit të luftës ende asnjë padi nuk është ushtruar ndaj Serbisë. Ndërsa SHPZHVL”Përkorë” ka siguruar nga familjaret e të vrave deklarata dhe rrëfime mbi krimet dhe vrasjet ndaj familjarëve të tyre.