Gadafi si Millosheviqi
Nga Halit Bogaj
Para miratimit të Rezolutës së ndalimit të zonës së fluturimit mbi Libi, Gadafi, në vend që të dorëzohej e t’i mbledhte plaçkat dhe të merrej vesh diqysh me këta të mëdhenjtë e kësaj bote, bëri gabim pas gabimi. Vetëm një ditë para asaj Rezolute, përmes fjalëve të djalit të tij zëdhënës, u shpreh se brenda 48 orëve do t’i vrasim qentë banditë/ domethënë popullin e vetë të revoltuar dhe të sunduar me grusht të hekurtë në një periudhë aq të gjatë kohore/. Maniaku harronte se pas 24 orëve do të aprovohej Rezoluta e cila do ta ndalonte fluturimin e aeroplaneve qe e vrisnin popullin e tij. Sidoqoftë, më në fund po ndodhë që edhe Gadafi të rrezohet pingul dhe fati i tij të përfundojë ashtu siç ka ardhur në pushtet, por kësaj radhe do ta pësojë edhe më keq se paraardhësi i tij (Mbreti Idriz),të cilin e pati rrëzuar nga froni.. Gadafi do të shkojë në Hagë tek miqtë e tij të ngushtë Shesheli, Mlladiqi etj. të cilët, ashtu si edhe Sadami, i donte fort dhe i përkrahte në çdo mënyrë.Në këtë rast më ra në mend se çfarë zavali do të ketë edhe Jeremiçi i cili deri dje mburrej se: Libia, Egjipti dhe disa shtete të tjera arabe nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe se Kosova kurrë nuk do të mund të bëhet anëtare e OKB-së! Pra Jeremiçi i dështuar është habitur se sa shpejtë po përmbysen shtetet e tij të dashura, duke rënë si dardha të dugëta regjimet e tyre diktatoriale! Ministri serb do të derdhë lotë për një numër të madh shtetesh arabe, të cilat do të çlirohen nga tiranitë e tyre dhe do të ecin drejt botës së civilizuar dhe demokratike. Por më së tepërmi do t’i dhimbset Gadafi, të cilin Serbia e ka pasur mik të shpirtit. Dhe shtrohet pyetja, se çdo të bëjë tani maniaku që pinte qumësht të deves të cilën e merrte kudo që shkonte! Mos vallë të njejtën do t’ia lejojë edhe Haga kur të shkojë atje për t’i ‘’vizituar miqtë’’të cilët po vijnë duke u kompletuar.