| E shtune, 11.06.2011, 07:39 PM |
Ejup CERAJA
GJAK E GJUHË TË NJËJTË I KEMI
(Në 133-vjetorin e LSH të Prizrenit)
-Në frymën popullore-
Për t'i mbrojtur trojet tona
Që i trashëguam denbabadent,
U tubuan krerët shqiptarë
Në Lidhjen e Parë të Prizrenit.
Ishte ulur pranë oxhaku
Si në odat e Malësisë -
I urti, i mençuri Ymer Plaku
Që e hapi Mbledhjen e Parisë.
- Në këtë Kuvend, tha, jemi tubuar
E tërë ajka e Sh q i p ë r i s ë -
Ta dëgjojmë se çka për të shtuar
Abdyl Frashëri prej Toskërisë.
Abdyl Frashëri u ngrit në këmbë
Me atë tonin e vet të burrërisë,
Për të mirën e A t dh e u t
Kështu i foli atë ditë Parisë:
- Gjak e gjuhë të njëjtë i kemi
Që nga Iliria e gjer më sot,
Gegë e Toskë vëllezër ne jemi
Atdheut tonë duhet t'i dalim zot.
- S'e pranojmë Traktatin e Shën Stefanit
Kush është trim e kush është burrë -
Ta tregojë vetën në log të mejdanit
Për A t dh e, o sot - o kurrë!…
Kështu u foli Abdyl Frashëri
Që mendimin dysh s'e bani
- Për ca çështje ushtarake
Do të na flasë, tha, Sylejmani
Sylejman Vokshi pika e burrit
Me madhështinë e kryetrimit,
U betua në Himn të Flamurit
Duke iu drejtuar atë ditë tubimit.
- Në të gjitha krahinat shqiptare
Do ta ngremë një ushtri të re,
Si në kohën e Mesme të Arbrit
Në kohën e të Madhit, Skënderbe.
- Kështu zot do t'i dalim Atdheut
Do ta mbrojmë atë metër për metër,
Jemi stërnipërit e Skënderbeut
Liri duam e asgjë tjetër!…
- Që nga sot e jetë pas jete
Ditë për ditë e mot për mot,
Shqipërinë do ta bëjmë më vete
Bijtë e saj do t'i dalin Zot…
(10 qershor 2001)
JEMI SI LISI ME DY DEGË
(Poezi për fëmijë)
Jemi si lisi
Me dy degë
Jugu Toskë
Veriu Gegë.
Atje shtëpia
Këtu oxhaku
Jemi vëllezër
Gjuhe e gjaku.
Njëri-tjetrit
Ia japim krahun
Në një vend
Zemrat na rrahun.
Kur në ato anë
Ëmbël këndohet
Këndej jeta
Mirë shijohet.
Kur andej
Pranvera del
Mjaltë në hoje
Këndej rrjedh.
Myzeqeja
Përbri detit
Është hambar
I bereqetit.
Me fushë Kosovën
Në këtë anë
Janë dy motra
Me një NËNË.
Jugu Toskë
Veriu Gegë
Dy qershia
Në një degë.
Rrahin zemrat
Tak, tak, tak
Nga Ksamili
Deri në Llap.
Në mes Malësia
Në mes Drenica
Në mes Korabi
Dhe Qyqavica.
Këndej Dukagjini
Andej Vlora-Shkodra
Janë sikur vëllai
Që i ka dy motra.
Fëmijët lirshëm
E thithin frymën
Nga zemra dielli i lirisë
Ua ka larguar brymën.
U qeshin zemrat
Të gjëra det
Rritën fëmijët
Plot shëndet.
(2000)