E enjte, 26.12.2024, 10:41 AM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Kur Tadiç kërkon prerjen e “nyjes gordiane” gjeopolitike- Kosovë...

E diele, 05.06.2011, 06:58 PM


Kur Tadiç kërkon prerjen e “nyjes gordiane” gjeopolitike- Kosovë, ata që kërkojnë të zgjidhet, shndërrohen në faktor destabiliteti

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Presidenti i Serbisë, Tadiç, pasiqë u shpreh disa herë, në mënyrë evazive për ndarjen e Kosovës, ashtu që nuk përcaktoi qartë se kush duhet të ishte partneri i Serbisë në këtë ndarje, më në fund e kapërceu “Rubikonin” retorik, duke artikuluar në terma të sakta idenë e tij, së cilës po i vinte rrotull, për ndarjen e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë. E tepërt ta thuash, Tadiç ishte i vetëdijshëm për sfidën që po ndërmerrte me këto deklarata. Tadiç, pas të gjitha gjasave, e priste që idea e tij do të kundërshtohej nga Prishtina dhe Tirana, ose më saktë nga Ëashingtoni, drejtpërdrejt dhe by proxy, me anë të Prishtinës dhe Tiranës.Tadiç me deklaratat e tij të kohëve të fundit, ka pohuar se ai e konsideron Kosovën si një “nyje gordiane” gjeopolitike, me ç’ rast si të vetmen zgjidhje për të sheh prerjen e saj. Siç dihet, “nyja gordiane mitologjike” nuk mund të zgjidhej, ajo veçse mund të pritej me shpatë. Me këtë Tadiç paraqitet si faktor stabiliteti në Ballkan. Ata që e kundërshtojnë ofertën e Tadiç dhe kërkojnë që të vazhdohet me përpjekjet për zgjidhjen e “nyjes gordiane” gjeopolitike, do të thotë me përpjekjet për konstituimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të Kosovës, në fakt nuk janë gjë tjetër veçse faktor destabiliteti. Vetë Kosova bëhet kështu faktor destabiliteti në Ballkan. Sa për udhëheqësinë e Kosovës, është shumë që t’ i quash faktor destabiliteti Atifete Jahjagën, Hashim Thaçin. Ata janë thjesht faktor debiliteti, se nuk kanë një qëndrim të vetin për ofertën e Tadiç, por thjesht reflektojnë qëndrimin amerikan. Aty afër janë edhe liderët e Shqipërisë, Topi dhe Berisha.

 

Nga ky debat gjeopolitik, dolën të fituar Serbia dhe Tadiç, dhe të humbur dolën Kosova dhe Shqipëria. Së pari, argumentet me të cilat u kundërshtua propozimi i Tadiç nuk janë asfare bindëse. Argumenti se ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë, do të shkaktonte një efekt domino në çështjet e ngjashme në Europë, është nonsens, pasiqë ajo çka propozoi Tadiç ishte ndarja e Kosovës me mirëkuptimin e Serbisë dhe Shqipërisë. Kjo e bën ndarjen e Kosovës një rast unik në Europë, ose së pakut një standard të lartë dhe të vështirë për t’ u arritur. Që të shërbejë ndarja e Kosovës si precedent, kjo do të thotë që Rumania t’ i ofrojë Hungarisë ndarjen e Transilvanisë, e cila është pjesë e Rumanisë, por ku ka një popullsi të madhe hungareze, që Franca t’ i ofrojë Italisë ndarjen e Korsikës, e cila është pjesë e Francës, por që ka një popullsi të madhe italiane, apo që Britania e Madhe t’ i ofronte Irlandës ndarjen e Irlandës së Veriut, etj. Çdokush e kupton se gjëra të tilla nuk ka gjasa që të ndodhin. Ndarja e Kosovës, për nga mënyra se si e ofron Beogradi, nuk është një precedent i keq, por një precedent i mirë. Tekefundit ç’ të keqe do të kishte nëse vendet europiane do të pajtoheshin për ndryshim kufijsh, për të zgjidhur konfliktet historike mes tyre? Në dëm të kujt është kjo? Natyrisht se kjo është vetëm në dëm të atyre që i shikojnë konfliktet historike si aset gjeostrategjik.

 

Por, thuhet me të madhe, ndarja e Kosovës do të sjellë edhe ndarjen e Bosnjë-Herzegovinës. E mirë, pra, kujt i bëhet dëm nëse Serbia dhe Kroacia pajtohen për ndarjen e Bosnjë-Herzegovinës, ashtu si Serbia dhe Shqipëria për ndarjen e Kosovës? Por, thuhet, çka do të bëhej në këtë rast me muslimanët e Bosnjë-Herzegovinës, të cilët do të mbeten në një shtet të vogël, me një territor pak më të madh se ai i Kosovës, pa dalje në det, dhe të kapur si në morsë mes Serbisë dhe Kroacisë? Atëherë kjo do të thotë se Ballkani Perëndimor duhet që të jetë i ideksuar gjeopolitiksht me komoditetin shtetëror të muslimanëve të Bosnjë-Herzegovinës. Kjo është e papranueshme. Më e arsyeshme, nga çdo pikëpamje, do të ishte që Bosnjë-Herzegovina të ndahet dhe bashkësia ndërkombëtare të kujdeset për ruajtjen vetën të shteti musliman të Bosnjës, në vend që të kujdeset për Bosnjë-Herzegovinën, Kosovën etj. Por, thuhet, ndarja e Kosovës, do të çojë edhe tek ndarja e Maqedonisë. E mirë, pra, kujt i bëhet dëm nëse Shqipëria dhe Bullgaria merren vesh për ndarjen e Maqedonisë? Me këtë rast do të zhduket edhe kriza ndërkombëtare e shkaktuar nga çështja e emrit të Maqedonisë.

 

Refuzimi i ofertës të Beogradit për ndarjen e Kosovës, e identifikon vazhdimin e ekzistencës së Kosovës si një qendër destabiliteti në Ballkan, madje e implikon edhe Shqipërinë në këtë kahje. Në të vërtetë, nga pikëpamja praktike, përpjekja për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, do të kishte kuptim nëse Serbia nuk pranonte ndarjen e Kosovës. Por kur Serbia pranon ndarjen e Kosovës, atëherë bëhet absurde sfida sizifiane e ndërtimit dhe konstituimit ndërkombëtar të shtetit të pavarur të Kosovës. Çdokush e kupton se nëse Serbia dhe Shqipëria pajtohen për ndarjen e Kosovës, atëherë kjo është mënyra më e mirë që të marrë fund “nyja gordiane” e përftuar pas çlirimit të Kosovës në 1999. Të gjithë e kanë të qartë se “nyjen gordiane” gjeopolitike e quajtur Kosovë, ashtu si nyjen gordiane mitologjike, nuk mund ta zgjidhësh, por vetëm mund ta presësh.

 

Nëse Serbia dhe Shqipëria nuk dakordohen në 2011 për ndarjen e Kosovës, atëherë, pas 100 vjetësh, në 2111 do të ekzistojë përsëri Kosova në gjendjen e tashme, si një ersatz-shtet, i cili nuk ka fituar titull të plotë ndërkombëtar. Kjo nuk është ndonjë çudi, se “nyja gordiane” palestineze vazhdon që të ekzistojë që prej vitit 1948, pra që prej 63 vitesh dhe zgjidhja e saj nuk është një gjë që duket në ardhmërinë e afërt. Në të vërtetë, përpjekja për krijimin e shtetit të Kosovës, është një ide po aq djallëzore dhe destruktive, sa edhe idea e shteteve arabe fqinje me Izraelin për krijimin e shtetit të Palestinës. Konflikti arabo-izraelit do të ishte zgjidhur më lehtë nëse vendet arabe, fqinje të Izraelit, Egjipti dhe Jordania, do të kishin aneksuar Gazën dhe territoret arabe në Bregun Perëndimor të Lumit Jordan, të banuara nga arabë. Kjo do të kishte qenë më e drejtë se në histori nuk kishte ekzistua kurrë një komb palestinez arab dhe as një shtet palestinez arab. Emri “Palestine”, u rishfaq kur ky territor u bë një koloni britanike pas Luftës së Parë Botërore, me ç’ rast britanikët evokuan emrin e provincës së dikurshme romane, të cilin emër romanët e përdorën në vend të emrit të mëparshëm të Judesë, të cilin e ndaluan. Koha ka treguar se përpjekjet për ndërtimin e shtetit të pavarur palestinez, janë më tepër përpjekje për ndërtimin e një nyjeje gordiane gjeopolitike. E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën.

 

Serbia kërkon rreth 1200 km² tokë në pjesën veriore të Kosovës, për të cilat ka dhënë shenja se është gati të pranojë që të kompensohen me troje të Luginës së Preshevës. Natyrisht se Tadiç nuk do ta thotë hapur se ofron kompensimin, se këto janë lëshime që bëhen gjatë negociatave. Tadiç i bëri një ofertë Tiranës për negociata për ndarjen e Kosovës dhe bëri me dije kërkesat territoriale të Serbisë. Pas kësaj Tadiç pret që të jetë Tirana ajo që të kërkojë kompensim për territoret që do të marrë Serbia në Kosovën Veriore. Kështu ecin negociatat. Ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë, duke marrë Shqipëria si kompensim Luginën e Preshevës, për Kosovën Veriore që do t’ i shkojë Serbisë, është një marrëveshje e arsyeshme, për një konflikt historik, siç është ai serbo-shqiptar. Nëse nuk pranohet një zgjidhje e tillë për konfliktin serbo-shqiptar, atëherë kjo do të thotë se kërkohet që të mbahet gjallë ky konflikt si një aset gjeostrategjik. Në këtë rast, pajtohen interesat strategjike të huaja me ato të klasës politike të Prishtinës, e cila kërkon një shtet të cunguar për ta sunduar dhe shfrytëzuar.

 

Argumenti se ndarja e Kosovës do të bëjë që të humben pasuritë e mëdha  nëntokësore të kësaj treve, është i pabazë dhe absurd, për disa arsye. Së pari, këto pasuri sot gjenden nën kontrollin e Serbisë dhe nëse vazhdon gjendja e tashme, Kosova përsëri nuk do të ketë qasje në këto pasuri xeherore, pra ato për të janë njëjtë sikur të mos ekzistojnë fare. Së dyti, edhe nëse Kosova do t’ i kishte nën kontroll këto pasuri, ne të gjithë e kemi të qartë se qeveria e Kosovës do t’ i jepte ato me koncesion në kompanitë ndërkombëtare, çka do të bënte që të hyrat në buxhetin e Kosovës prej eksploitimit të këtyre pasurive, të ishte dukshëm më i vogël se humbjet që po pëson sot Kosova nga statusi që ka sot.

 

Nëse Tirana nuk bisedon sot me Beogradin, me miratimin e Prishtinës natyrisht, për ndarjen e Kosovës, atëherë do të detyrohemi që ta bëjmë këtë gjë dikur në ardhmëri, në kushte shumë më të pafavorshme, për shkak se përballë do të kemi një Serbi që do të jetë anëtare e Bashkimit Europian. Se është e sigurt që Serbia do të hyjë në Bashkimin Europian si vend anëtar me të drejta të plota pavarësisht se nuk do ta ketë njohur pavarësinë e Kosovës. Serbia do të hyjë në Bashkimin Europian pa e njohur pavarësinë e Kosovës, për arsyen e thjeshtë se Kosovën nuk e kanë njohur ende pesë vende anëtare të Bashkimit Europian. Bashkimi Europian thjesht nuk do të jetë në gjendje që të marrë vendimin për t’ ia kushtëzuar Serbisë anëtarësimin me njohjen e Kosovës. Çdokush që ka njohuritë elementare për funksionimin e forumeve vendimmarrëse të Bashkimit Europian, e ka të qartë këtë. Vendimin për kushtëzimin do të duhet që ta marrë Këshilli Europian, i përbërë nga kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE, dhe ky vendim nuk do të arrihet, për shkak se do të vendosin veton vendet të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Pastaj Bashkimi Europian nuk mund ta kushtëzojë Serbinë me njohjen e një vendi i cili nuk është anëtar i OKB. As SHBA-të nuk janë në gjendje që të ushtrojnë presion mbi Serbinë për ta njohur Kosovën, për shkak se SHBA-të dështuan që t’ i bëjnë të gjithë vendet e NATO-s që ta njohin Kosovën, ashtu që sot katër vende të NATO-s nuk e njohin Kosovën.

 

Në fakt nuk ka marrëzi më të madhe se të presësh nga Serbia që të njohë një shtet të pavarur me emrin Kosovë. Kjo është edhe më tepër se sa i kërkohet Izraelit, të cilit iu kërkua që të njohë një shtet të pavarur që mban një emër që u përzgjodh dikur si zëvendësues pasiqë ishte zhdukur emri i Judesë nga pushtuesit romanë. Serbisë i kërkohet që të njohë një shtet që mban si emër fjalën serbe të vendndodhjes së një ngjarjeje historike me rëndësi formative supreme për nacionin serb. Për këtë nuk ka një precedent në histori. Prandaj ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë është në çdo pikëpamje zgjidhja më e arsyeshme.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora