E enjte, 14.11.2024, 06:36 AM (GMT)

Kulturë

Flet “Artisti i Popullit”, Luftar Paja: “Mos luani me 10 këshilltarët e Hekalit”

E enjte, 02.06.2011, 06:05 PM


“Lapidari i 10 këshilltarëve nuk duhet lëvizur”

 

Nga Albert ZHOLI

 

Ditët e fundit në shtypin e përditshëm ka zënë vend dhe problemi i zhvendosjes së lapidarit të 10 këshilltarëve të Hekalit, i cili ndodhet në Gorishovë në vendin, ku janë pushkatuar 10 dëshmorët pjesëmarrës në Luftën Nacional Çlirimtare. Duhet theksuar se, për ta është bërë dhe një film nga Kinostudio Shqipëria e re, një film, i cili nga kritika ka marrë vlerësime maksimale. Në këtë film kanë luajtur dhe dy “Artist të Popullit”, i madhi Kadri Roshi dhe Luftar Paja. Njëkohësisht tashmë dihet se aktori Paja është pikërisht nga fshati, ku janë pushkatuar këshilltarët (Gorishovë).  Problemi i zhvendosjes së lapidarit është bërë mbi bazën e një kërkese që kanë bërë pronarët e tokës, pranë drejtuesve të pushtetit vendor për zhvendosjen e lapidarit nga vendi ekzistues. Ekskluzivisht për “Telegraf”, ne morëm një prononcim nga z. Paja, pasi emri i tij është përmendur në një të përditshme për mendimin e tij në lidhje me këtë çështje

 

-Kohët e fundit nga shtypi përditshëm është  folur për zhvendosjen e lapidarit të 11 këshilltarëve të Hekalit nga vendi që është sot. Jeni në dijeni për këtë çështje dhe cili është mendimi juaj për këtë zhvendosje?

 

Së pari dua të them se lapidari i 11 këshilltarëve të Hekalit as duhet të mendohet të lëvizet nga vendi.  Së dyti ata janë pushkatuar 30 metër më poshtë nga ku është lapidari (dhe jo 300 m se sa thuhet në gazeta të ndryshme) për arsye se ai pozicion është më i përshtatshëm, më i dukshëm, më i lartë më me sy për vizitorët. Ende në vendin ku janë pushkatuar janë gjurmët e plumbave të pushkatimit. Unë jam në dijeni të kësaj çështjeje dhe më vjen keq se disa herë shtrembërohet e vërteta.

 

Ku deformohet kjo e vërtetë?

 

Dua të theksoj se unë nuk jam prononcuar fare për çështje. Por di se (duke shkuar vazhdimisht në fshat) banorët e fshatit tim as që janë në dijeni të kësaj çështjeje dhe s’do të pranonin këtë lëvizje.

 

Pse jeni kaq të bindur se nuk duan këtë lëvizje?

 

Pasi e njoh mirë psikologjinë e fshatarëve të mi. Ata janë patriotë, janë atdhetarë, pjesëmarrës në luftë  dhe e kanë mirëmbajtur si askush këtë lapidar. Unë të paktën do të kisha dëgjuar diçka mbi këtë temë. Ana tjetër duam s’duam ne, atë vend ku është ngritur lapidari, dëshmorët e Hekalit e kanë vaditur me gjakun e tyre, me sakrificën më sublime duke dhënë dhe jetën për çlirimin e atdheut. Ai lapidar është me themele gjaku, dhe të tilla themele s’ka burrë që mund t’i lëvizë. Pa atë lapidar Gorishova do të duket e zbehtë pa lavdi, pa madhështi.

 

Por ju keni luajtur një nga rolet kryesore të filmit “Këshilltarët e Hekalit”. Cili është mendimi juaj për këtë film?

 

Është një nga filmat më të bukur të jetës sime. Ai mbetet dhe sot një nga filmat më të bukur të jetës sime. Këtë nuk e them vetëm unë, por e ka thënë kritika, e thonë dhe sot regjisorë apo populli që sa herë e shikon na përshëndet rrugës plot respekt. Këshilltarët duam apo s’duam ne, kanë hyrë në histori. Ata me luftën  e tyre bënë epoe. Realizmi i atij filmi është bërë me shumë vështirësi, duke vepruar në kushtet e një lufte të vërtetë. Në film çdo gjë është sikur të jetë në kushtet e një lufte të vërtetë. Ndihem i vlerësuar që kam luajtur në atë film. Ndihem krenar që kam një ndër rolet kryesore. Këshilltarët e Hekalit kanë lapidarin e tyre, por janë përjetësuar edhe në film. Pra janë dy herë të pavdekshëm. Kushdo që përgojon, tenton, apo përhap fjalë për zhvendosjen e lapidarit është dashakeqës, është manipulator. Kjo zhvendosje (e theksoj) nuk është dëshirë, as kërkesë e banorëve të Gorishovës, por kërkesë e ish- kolaboracionistëve e pinjollëve dhe servilëve të okupatorëve. Unë ju bëj thirrje atyre individëve që përhapin lajme të tilla! Mos luani me 11 dëshmorët e Hekalit. Gorishova sot ka probleme të tjera. Lapidari i tyre është pavdekësia e tyre.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora