Mendime
Besi Bekteshi: Trangulli dhe standardi më i mirë europian i Shqipërisë!
E merkure, 01.06.2011, 06:56 PM
Trangulli dhe standardi më i mirë europian i Shqipërisë!
Nga Besi Bekteshi
Koha e sotme është një moment reflektimi i standardeve të plotësuara dhe të pa plotësuara të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Normalisht që e dimë se jemi larg, se nuk plotësojmë atë standard qytetërues që na duhet për tu bashkuar politikisht me Europën e Bashkuar. Por kjo ka të bëjë me historinë tonë, me kulturën tonë të përgjithshme, me traditën tonë dhe kryesisht me mentalitetin tonë shqiptaro-ballkanik. Është e vërtetë se Ballkani është në Europë, por është akoma më e vërtetë se Europa është ndryshe Ballkanit dhe kjo si për anën etnike, religjionare dhe shumë më tepër kulturore dhe historike. Tani kjo është edhe ajo vijë demarkacioni që në përgjithësi duhet bërë më flu, më e padukshme dhe më jo e definuar edhe pse na duhet të mbrojmë identitete të cilat na bëjmë shpesh herë edhe të turpërohemi, por edhe të krenohemi pse jemi Ballkanas dhe shqiptarë. Në fakt edhe të huajt kur vijnë te ne, si vizitorë, si historianë dhe po ashtu edhe si politikanë, marrin shumë, shumë prej nesh. Është klima, natyra, uji, njerëzit apo edhe vetë përbërja shoqërore, por edhe të huajt shqiptarizohen shpejt edhe pse mbase nuk duan.
Ku dua të dal?
Dua të dal se jo çdo gjë e jona është domosdoshmërisht e keqe. Bie fjala si “lopa e çmendur” dhe kjo puna e kastravecit-trangull-vrasës nuk janë standarde të Shqipërisë. Ne ankohemi përditë për nivelin tonë, por të huajt hanë dhe ushqehen në Shqipëri me bio. Ne nuk dimë mirë se çfarë hamë, por kur duam e zëmë peshkun afër 30 metra dhe e gatuajmë aty për aty. Mishi po ashtu, zarzavatet tona po ashtu, perime dhe fruta e produkte qumështi në përgjithësi teë mira, e kemi pasur shumë ndërhyrje, por sot të gjitha si dhe frutat po kthehen në origjinë. Rakia kur bëhet te ne është lartësi shqiptare, vera kur duam ta bëjmë është diçka tepër mirë, patatet kur duam janë më të mirat, mollët dhe portokallet gjithashtu, limonat dhe qershitë, por edhe rrushi dhe domatja e sallata janë bio. Çfarë tani, edhe ne duhet ti vëmë kushte Europës për standardet tona? Ndoshta edhe po, sepse nuk duhet të importojmë qelbësira që fryhen me gjilpëra dhe që pastaj përbëjnë edhe bollëk. Ne kemi, po të jemi të kujdesshëm, standarde që ja kalojnë Europës, e cila vazhdon në konsumizmin idiot të lëshimit të cilësisë edhe pse e kanë kuptuar se po bëjnë një çmenduri absolute në uljen e natyralizmit të jetës. Ne po kuptojmë me vonesë se Europa është përpara për standardet e demokracisë dhe urbanizimit, por jo me standardet e jetës bio që po të duam ne, e kemi në mënyrë deçizive tepër të lartë. Trangulli apo kastraveci sot jo vetëm që është më i lirë, por edhe shumë cilësor, dhe kjo është edhe diferenca me të cilën na duhet të kompensohemi me Europën. Por ka një diçka: Europa do që të eksportojë demokracinë në Shqipëri dhe kjo gjë është e domosdoshme, por trangujt nuk do ti importojë nga ne! Europa habitet shumë nga politikanë tonë që vazhdojnë idetë e modelit 1800, të viteve kur revolucionet dhe padrejtësia ishin një zhvillim, dhe nuk habitet që trangullin dhe zarzavatet i kemi bio dhe me shumë standarde të mira se sa ato!
Por unë duhet të jem i drejtë dhe më duhet të pranoj se ato e dinë këtë gjë, por në fakt janë gjithmonë në dyshim, në se ne mashtrojmë apo jo, edhe për “trangullin” apo kastravecin ose sallatorin. Duke u mësuar me zgjedhjet dhe ankesat tona me vjedhje dhe mashtrime, në këtë mënyrë humbin garën për në Europë dhe trangulli, rrushi dhe qepa, sëbashku me mollët dhe specin origjinal. E humbin këtë standard në mënyrë të pa drejtë, mishi dhe djathi, që as që bëhet fjalë se janë shumë herë më të mirë sa e përditshmja e Europës. Kjo garë e pandershme po na humb, sepse dikush në këtë vend, do të nxijë gjithçka, do që Shqipëria që duket në sy të atyre që hanë mish dhe sëmuren, që hanë tranguj dhe vdesin, që prodhojnë qumështin me elementë plastike, që hanë një rrisk bostan dhe e paguajnë sa 1 kv në Shqipëri... një vend ku asgjë nuk është në standard. Ku njerzit vuajnë akoma më keq se sa në Afganistan, dhe ku asgjë nuk duhet pranuar dhe provuar. Trangulli dhe “miqtë e tij të shumtë”, që prodhohen në fushat e Shqipërisë edhe pse u tronditën në fillim nga bashkimi me gjenezën e gjilpërës europiane, tashmë e kanë marrë veten. Ne duhet të pengojmë hyrjen e prodhimeve të standardit që prodhojnë një shumicë e vendeve mashtruese të Europës, ashtu sikundër ato na mbyllin derën ne, kur sillemi si mashtrues, ose kryesisht kur akuzojmë njëri tjetrin për mashtrues.
Tashmë prodhojmë më mirë, paketojmë më mirë, dhe normalisht ju shërbejmë më mirë prodhimeve tona që në shumë raste janë më të mira se sa prodhimet e një Europe jashtë standardit të saj që nuk ngopet nga fitimi, në saj të fryrjeve me gjilpëra.
E fundit që do të desha të them është se “gojët e mbrapshta” në Shqipëri, ashtu sikundër ankohen dhe shajnë në Europë për shqiptarët e tyre, po ashtu tregojnë edhe mungesën e respektit për standardet që ky vend ka dhe këtë e treguan kur në zyrat e Brukselit dhe Strasburgut deklaronin se po u larguan vizat... 1 milion shqiptarë do të pushtojnë Europën. Por shqiptarët që kanë standardin e mirë të trangullit dhe po ashtu mishit të mirë në Europë, nuk e përligjen këtë gojë shthurje shqiptare. Asnjë nuk prishi standardin, asnjë shqiptar. Ne na duhet të kemi ligjin si trangullin tonë bio, dhe kjo është sfida jonë e madhe. Ligjin që nuk është i sëmurë dhe që i besohet. Ky është standardi që duhet të arrijmë dhe Europa bën mirë të konsumojë trangullin tonë të mirë jeshil të fushave, jo të sëmurë dhe tepër të shijshëm. Kalimi në qytetërimin Europian nuk është vetëm nëpërmjet institucioneve, por është kryesisht nëpërmjet raportit që shoqëria e sotme shqiptare ka me veten. Ky raport është i thyer në respektin që ka klasa politike me egoizmin e saj. Ky respekt është i anash-balancuar me fitimin dhe pasurimin e shpejtë, duke humbur qenien “bio” në kulturë dhe jetë. Kjo është edhe vështirësia e sotme, për të kaluar momentin e besueshmërisë me Europianët. Sa më tepër të mos fyejmë dhe denigrojmë veten tonë, sa më tepër të përballemi me ligjin dhe sa më tepër të mos anashkalojmë prodhimet tona bio që nuk është vetëm trangulli dhe kultura, sporti, arti dhe jeta jonë pro Europiane, por edhe cilësia për të mbijetuar në çdo rrethanë dhe moment të vështirë, aq më tepër do të jemi partnerë dhe jo të mitur, që rrihen me njëri tjetrin, pa arsye të vërteta e madhore.
Sot