Kulturë
Mujo Buçpapaj: Një libër vlerash të veçanta që ta shëron shpirtin
E enjte, 26.05.2011, 06:57 PM
Një libër vlerash të veçanta që ta shëron shpirtin
Nga Mujo Buçpapaj
Shtëpia Botuese “Nacional” në numrin e rradhës, datë 22-5-2011, mes titujve të librave të rinj, ka vendosur edhe ballinën e librit të fundit të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, “Pa Titull”. Autorja Vranari 2 (dy muaj pas botimit në Bukuresht, të librit “Mamaja” né gjuhën rumune), tashmë paraqitet para lexuesit me një gjini të re, me një volum me ese –publicistikë. Libri, i cili në 320 faqe përfshin 69 tema të larmishme të botuara ose të pa botuara më parë në media, është redaktuar nga autori i këtij shkrimi (M. Buçpapaj). Libri “Pa Titull” është recenzuar nga Prof. Dr. Eshref Ymeri, i cili ka bërë një analizë të shkurtër dhe mjaft domethënëse si parathënie.
Menjëherë të tërheq paraqitja e librit, ballina e të cilit është një pikturë e ditës, e piktorit shqiptar, Shefqet Avdush Emini, e kompozuar nga tenisti i ri dhe mjaft i talentuar Ivo Lek Spathari. Autorja shpreh falenderimet dhe mirënjohjen e saj për gjithë ata që dhanë ndihmën e tyre për botimin e këtij libri, duke falënderuar edh Shtëpinë Botuese “Nacional” dhe shtypshkronjën “Europrint”. E veçanta dhe e reja që sjell Vilhemja me këtë libër është larmia e temave dhe mënyra e kompozimit, gjë që e bën tërheqës dhe ndërkohë shlodhës gjatë leximit.
Ajo që të bije në sy janë larmia e temave që nisin me lashtësinë e kombit tonë. Vazhdojnë me bisedën në një auditor kulture mes autores dhe ish ambasadorit amerikan në Tiranë J.Withers, se si do t’i realizonte ShBA tri kërkesat imediate (rikthimi i pronës te pronari legjitim, integrimi i të përndjekurve politikë, dhe lufta kundër korrupsionit) si kushte të vendosura nga Brukseli dhe gjithë ndërkombëtarët euro-atlantikë,për pranimin e Shqipërisë né BE. Tema të tjera janë historike, politike, sociale kulturore, letrare si dhe intervista. Thuajse të gjitha temat shoqërohen me thënie të mençura nga autorë të shquar, nga folklori apo nga vet autorja. Aty gjen ndonjë skicë letrare, ndonjë poezi, apo një koment a bashkëbisedim vlerësues i lexuesit me autoren. Ashtu siç thekson Prof. dr. Eshref Ymeri, “nga ky libër interesant, lexuesi ka çfarë mëson, madje i duket vetja si nxënësi para mësuesit.” Ju urojmë lexim të këndshëm atyre që do të interesohen për këtë libër me vlera nacioanle dhe kulturor.
Arti i komunikimit, një zeje që zbulon pasurinë e botës shpirtërore të individit
Një fjalë të mirë për një zonjë të mirë. Libri “Pa titull” (ese-publicistikë) i zonjës Vilhelme Haxhiraj Vranari është një pasqyrë e shpirtit të saj të pastër si loti i fëmijës. Në të ndihet delikatesa e natyrës femërore që di të rrezatojë ëmbëlsi, dashuri, ngrohtësi ndjenjash, aftësi të admirueshme për të hyrë me guxim nëpër honet e shpirtit njerëzor. Arti i komunikimit me njerëzit, për mendimin tim, është një zeje që zbulon pasurinë e botës shpirtërore të individit. Begatia e shpirtit të zonjës Vilhelme Haxhiraj Vranari të befason me larminë e pamatë të mbresave që ajo i përcjell lexuesit nëpër rrugët e jetës ku ajo ka shkelur me sigurinë e një zonje të nderuar, e cila fatin e vet nuk e ka parë asnjëherë të shkëputur nga fati i atdheut.
Më bëhet shumë qejfi që një zonjë e nderuar merret me publicistikë nacionaliste. Në Shqipëri, fatkeqësisht, janë shumë të pakta, për të mos thënë që nuk ekzistojnë fare, zonjat dhe vajzat që merren me këtë lloj publicistike. Sikur ne të kishim një klasë politike nacionaliste, atëherë edhe penat me formim nacionalist do të ishin më të shumta. Se, për mendimin tim, nacionalizmi nuk ka vdekur në shpirtin e shqiptarëve. Publicistika e zonjës Haxhiraj, si në mbrojtje të Himarës autoktone shqiptare, mbi legjitimitetin e Pavarësisë kombëtare të Kosovës, tema mbi lashtësinë e shqiptarëve, apo eset për figurat historike që janë pasqyrë e identitetit tonë kombëtar, më kujtojnë për një çast manifestimin e fuqishëm të rinisë shqiptare pas përfundimit të ndeshjes së futbollit midis përfaqësueses sonë dhe asaj greke në pasditen e 4 shtatorit 2004. Kampionia, demek, e Evropës në futboll, që këtë titull e kishte fituar dy muaj më parë, u ul në gjunjë para djelmoshave të përfaqësueses sonë. Por, për fat të keq, askush nga politikan-zinjtë tanë nuk doli të përshëndeste atë entuziazëm të pashoq të rinisë shqiptare. Ai entuziazëm ishte shprehja më e shkëlqyer e urrejtjes kundër shovinizmit, se sa gëzim i fitores.
Kur mbaron së lexuari librin e zonjës Vilhelme Haxhiraj Vranari “Pa titull”, nuk mund të mos e përfytyrosh veten në vendin e një nxënësi shkolle. Dhe me të vërtetë: lexuesi i gjerë përfaqëson në vetvete një auditor gjigant, para të cilit krijuesi shfaqet në katedër apo në skenë në rolin e mësuesit. Duke përsiatur për këtë rol të shenjtëruar të shkrimtarit, lexuesi, në një mënyrë krejt të pakuptueshme, nuk mund të mos vijë në një përfundim interesant për ca raporte të heshtura që vendosen mes krijuesit dhe lexuesit: Kur mësuesi i vë notën nxënësit, në të njëjtën kohë, edhe nxënësi i vë notën mësuesit. Kjo vlen për drejtësinë, për objektivitetin që ai përcjell në vlerësimet e veta.
Ky libër, tepër i veçantë për natyrën e strukturimit të tij, përfaqëson një burim origjinal për pasurimin e botës shpirtërore të lexuesit të gjerë. Dhe lexuesi nuk mund të mos bindet për faktin se etja për pasurim shpirtëror, nuk mund të kënaqet nga askush tjetër, përveçse nga ai, krijuesi. Pra, nga njeriu i botës së artit. Jam i bindur se, duke u nisur nga strukturimi dhe larmia e temave, libri do të pëlqehet nga lexuesi.