E premte, 15.11.2024, 02:36 AM (GMT)

Kulturë

Kalosh Çeliku: O bini burrat e mejdanit

E enjte, 26.05.2011, 07:00 PM


O BINI BURRAT E MEJDANIT

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Kokën e rroka me të dyja duart dhe nga zemërimi desha të dal në rrugë. Nuk mundesha të rri dot më mes këtyre shtëllungave të tymit, brohoritjeve parazgjedhore për Liri dhe njerëzve të sëmurë për karrierë politike. Ma thoshte mendja se: në mesin e tyre mund të krimbesha, të bëhesha coftinë e hedhur në përrua. Asgjë nuk më tërhiqte mes atyre mureve. Asgjë. Çdo gjë ishte e shëmtuar, e dënuar të lyhet e përlyhet me gjiriz haleje. Po, e bukura: Liria? Ku ishte Liria që e kërkoja unë me vite e vite mes librave? Me siguri e ka pasur vështirë të marrë frymë mes këtyre mureve, ka ikur maleve. Në ndonjë burim e ka nxjerrë shaminë, më pret mua me dy shtamba në dorë të pi ujë. Sytë me siguri i janë mbushur me lot. E ka marrë malli për burra mejdani… Libra… Këngë… Vetëm se, kush na ka ne faj që gjatë këtyre njëzet vjetëve nuk e kemi kënduar asnjë këngë kreshnike, por kemi hapur varre. I kemi harruar si bëhen edhe dasmat… Nusen ende nuk e zbritëm në lëmë nga koçia. Të gjitha na i kanë marrë, grabitur pas lufte… Fëmijët ende na i vrasin në rrugë… Ushtri… Shkollave shqipe ua vënë drynin…

Njëzet vjet na kanë hipur e zbritur nga shpina si gomarit të Nastradin Hoxhës.  Herë Nstradini e herë Nastradinica. Njëzet vjet na i  kanë shitur të gjitha të drejtat kombëtare. Njëzet vjet na i mohojnë të gjitha librat. Njëzet vjet na i helmojnë fëmijët nëpër shkolla. Njëzet vjet me radhë na e shtinë në dhomën e librave Vdekjen. Njëzet vjet… O Imzot, njëzet vjet na kanë ndjekur maleve, vetëm e vetëm t’ju bindemi urdhërave të tyre, të udhëtonim nëpër gjiriz mes hithërave. Kujt i hynte në kokë ose së paku të na dëgjonin se, ne i kishim frikë krimbat të na ecin nëpër trup. Atyre me rëndësi ishte t’u ndizet qiriri mbi oxhak. Tymi t’ju shkojë drejtë qiellit mbi çati. E për ne, kush e çante kokën se një ditë do të na e  burgosnin edhe Lirinë brenda katër mureve. Fajin e patën vetë, do të thoshin, ne u dolëm borxhit. Dhe, vërtet duhet pranuar nëse ka Zot se na dolën borxhit…

- Hi-hii-hiii… Vërtet paske qenë i marrë… Nuk paske ditur ta heqish vallen me shami. – m’u zgërdhi mbi kokë Pasardhësi i Zef Serembes.

- E kam ditur, por e kam pasur vështirë ta hedh lart mbi kokë, pas shpine shaminë, se trumbetave u ka rënë dhe pri Ebu Xhehli me shokë…

- Punë e madhe. Kryesorja ka qenë ta heqësh vallen…

- E di, vetëm vallja nuk hiqet mbi kurriz të popullit…

- Budallai që qenke… Mendon se populli do të ta shtrojë rrugën me lule…

- Populli jo, po partizanët e Nënës Parti me siguri një ditë…

- Hi-hii-hiii… Edhe Lirinë… Vetëm ti shih ëndrra!...

- Ëndrrat janë gjysma e realitetit…

- Ashtu ti thua, unë nuk u besoj ëndrrave.

- Është puna jote, mund edhe të shtrihesh në shtrat…

- Jo, se në shtrat më merr gjumi…

- Po ti ashtu-ashtu je në gjumë…

- E ku jam në gjumë, kur bisedoj me ty kokë më kokë…

- Në gjumë je, në gjumë… Vetëm sytë i ke të hapur si një lepur nën dëllinjë!...

- Unë, lepur?!

- Nuk e di, ndodh… Ministër… Deputet… Kryetar partie… Varret i keni të hapur krah më krah… Vetëm pritet populli t’ju flug një kaci dhe mbi xhenaze. Një ibrik te koka. Një shtambë te këmbët. Edhe një kurorë me lule të vyshkura…

- Vërtet, qenke i çuditshëm… Ec të hyjmë në varrezat e dëshmorëve!...

- Po, unë nuk marr banesë të shtetit… Nuk ndërtoj shtëpi me paratë e popullit…

- E di. E di, po ec, unë dua të marr një banesë pesëdhomëshe…

- Po ti e ke një. Dhe atë, tridhomëshe…

- Po, e kam, vetëm e dua edhe një pesëdhomëshe…

- Edhe ti qenke i paparashikueshëm! Unë asgjë nuk i kam marrë këtij shteti, vetëm se i kam dhënë me të dyja duart…

- Askush s’të ka faj. Shteti duhet vjedhur… Plaçkitur… Vetëm atëherë të çmojnë oborrtarët, t’i njohin meritat luftarake…

Vetëm tashti kur hymë në varrezat e dëshmorëve  çdo gjë e pata të qartë, çdo gjë e kisha si në pëllëmbë të dorës mbi varre. Në rresht prisnin radhën: Poeti Servil, Gazetari i Oborrit, Shkrimtari i Madh me një pankartë në dorë. Intelektuali i Rrejshëm ma shtiu në dorë një fletore me emrat e kandidatëve për deputetë, në të cilën shiheshin sytë e një femre të bukur që ishte huazuar nga një revistë e ilustruar. Më tha edhe se, në Parlamentin e ardhshëm i parasheh me ndihmën e votave të popullit edhe dy kukulla të bukura… Dikur, që të më bind se i avancon gratë, e hapi një faqe në të cilën kishte ngjitur një femër lakuriqe. E sheh këtë, më tha: është Liria. Edhe këtë do ta kemi deputete të popullit për të drejtat e barabarta të shqiptarëve në Parlament. Ç’t’i thosha… Vetëm qesha… Arti është art… Talenti-talent… Politika – politikë… Intelektuali i Rrejshëm me “flijimet e tija artistike”  pas disa vjetësh u bë ministër i Vetëshrëbimit në Bit-Pazar…

Ende është ditë, më tha Vjollca Rrapi, - dhe ende kemi kohë të pimë edhe nga një kafe te Klubi i kukullave. E di unë, ti ke nevojë mes gjithë atyre librave t’i pushosh pak edhe sytë. Nuk do të t’i ngatërroj shqisat. Ec të hyjmë edhe në këtë Klub të kukullave se nuk do të bëhet nami! Dera u hap papritmas dhe nga aty doli një kokë kukulle. E nxori dorën plot me zinxhirë Bit-Pazari dhe bëri me gisht. Vjollca Rrapi para, unë pas saj hymë brenda në errësirë. Dritat u ndezën. Vetëm tashti e pamë të Padëshiruarin me një libër në dorë në mesin e kukullave me rruza përqafe duke lexuar poezinë satirike:

 

Ç’KA “DEMOKRATI” ME MUA

 

Ç’ka “demokrati” me mua

Herë sillet si burrë – herë si grua

Kur dal te Rrapi, në Shatërvan

Kokën fët e kthen mënjanë.

 

Ç’ka “demokrati” me mua

Mos keq e kam hidhëruar,

Kur i këndova në “Trumbeta”

Që i dhimbset një “tungjatjeta”.

 

Ç’ka “demokrati” me mua

del e ftohet në krua.

Vallë, e zemëroi çiftelia

Që më akuzoi te Paria.

 

Ç’ka “demokrati” me mua

A e di se unë prapë e dua!...

 

Dritat u shuan në tribinë. Në sallë shpërtheu një duartrokitje frenetike. Nëpër errësirë dëgjova edhe një zë femre. O Imzot, ama ia kishte marrë një kënge partizane! E përdridhte zërin, më thirrte me emër nëpër errësirë… Grupi i burrave me çifteli: Ne gjatë këtyre njëzet vjetëve kemi gabuar në politikë, por nëse tani na e jepni votën – shpërblimin e popullit, kurrë më nuk do ta gabojmë rrugën politike. Tjetri duke mbajtur ison: Kryetarin e Parlamentit, nëse fiton Partia jonë demokratike do ta kemi shqiptar! I treti me një parullë partizane të Partisë Komuniste: Vdekje ose liri…

- Punemadhe, - them unë në këtë shkrim politik - demokratik. Shqiptar e kemi pasur një kohë në komunizëm edhe kryetarin e Shtetit të Jugosllavisë. Edhe atë, shkrimtar. Poashtu, në Kosovë e Maqedoni, gjatë sistemit komunist kemi pasur poste të larta në nivele shtetërore. Edhe dy shtete shqiptare i kemi sot në demokraci: Shqipërinë dhe Kosovën. Që, nëpër dyluftime heroike për poste politike duam t’i ndajmë me litar jug-veri, siç e ndante gjatë një fushate zgjedhore Xhaxhi Kuqezi Kërçovën. Edhe gjatë ndryshimeve “demokratike”, poste kemi pasur e kemi për burrat e mejdanit, po nuk kemi pasur e kemi shtet shqiptar: Shqipëri Etnike. Ekonomi të zhvilluar shqiptare. Barabarësi të plotë kombëtare me “vëllezërit” e Njerkës në këtë shtet të “përbashkët demokratik”. Shkaku se: ende shqiptarëve nëpër damarë u qarkullon gjaku komunist i vëllavrasjes. Vështirë e kanë në kohën e sotshme të gdhihen qafë për qafe si demokratë, këta burra mejdani me brekët mbi pantollona.

- Mos u tremb! Tashti do të ndizet drita, - më tha Vjollca Rrapi.

- Jo, - u përgjigja duke ia shtrënguar dorën. – E dua errësirën!...

- Përralla. Ti e do errësirën…

- Ende nuk beson?

- Ore, i çmendur, a e di se mund të ndizen dritat?...

- Punë e madhe…

Kënga patriotike kishte përfunduar, kur u ndezën dritat. Vetëm unë e Vjollca Rrapi u binim duarve shuplakë. Hidhnim lule. Edhe njëherë e kërkuam në skenë atë këngën partizane. Të tjerët mos vallë i lëshoi toka?! I hëngri errësira apo i zhduku drita?! Ku ta di. Ju mund të mendoni çka të doni. Po, mua nuk ma ndien, nuk i jap pesë pare që të hyj krah për krahu me ju në valle. Shkaku: nuk di t’i ndërroj këmbët, përdredh bythët, hedh shaminë mbi lodër… Ende është dritë…

- Zotëri, - e hapi derën Ebu Xhehli, - a ende të dëgjohet kënga partizane?

- Po, - iu përgjigja. Mundësisht, atë neokomuniste: “O bini burrat e mejdanit – zot t’i dalim Vatanit!...”



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora