Fotografitë!
Nga Pierre-Pandeli Simsia
|
Pierre-Pandeli Simsia |
E kujt s'do t'i pëlqejë dalja në fotografi për ta ruajtur si kujtim?
Fotografia, përveç se ruajtjes së kujtimit ka edhe ajo rolin dhe vlerat e saja për t'u interpretuar pastaj në mënyra dhe forma të ndryshme.
Para pak kohësh një funksionar i lartë i Shtetit Shqiptar erdhi në SH.B.A.
Propaganda e partisë së tij bëri zhurmë të madhe për atë takim të suksesshëm të politikanit shqiptar me funksionarët e lartë të shtetit amerikan. Njoftimi në shtyp i pa shoqëruar me fotografi... ngacmoi kundërshtarët e tij politikë të "çirreshin" me të madhe, duke e përgënjeshtruar këtë lajm si të pavërtetë, sepse nuk po i bindte ai fakt.
"Fotografitë, ku jane fotografitë...?" bërtisnin dhe shkruanin kundërshtarët politikë.
Tre ditë me radhë shtypi ziente në dy kahe të kundërta. Nga njëra anë shkruheshin për vizitën dhe sukseset e atij politikani në SH.B.A. dhe nga ana tjetër përgenjeshtrimi i atij suksesi, sepse nuk kishte ndonjë mjet për ta vërtetuar suksesin e tij, në këtë rast fotografitë.
Pas nje "lufte" të gjatë politike, nga Sh.B.A-ja mbërritën fotografitë në Tiranë.
Përsëri propaganda e partisë së atij politikani shkruante për suksesin e tij në SH.B.A., madje me fakte bindëse; të shoqëruar edhe me një fotografi. Kishte dalë Presidenti Bush me disa politikanë evropianë e bashkë me ta edhe politikani ynë, që për "fatin" e tij ishte i fundit në resht. Kjo mjaftonte; nuk ka rëndësi nëse je prane Presidentit Bush apo në se je larg tij. Ndoshta Presidenti Bush gjatë pushimit në sallon mund të shkëmbejë mesazhe me politikanë të huaj dhe ndonje politikan yni mund të jetë larg, por për fat e ka kapur pak kamera shkarazi. Kjo mjafton për të propaganduar takimin e politikanëve tanë me funksionarët e lartë të SH.B.A-ve.
Disa krijues, librat e tyre të botuara i kanë mbushur me fotografi të shumta të dalë me njerëz të nderuar në fushat e ndryshme të shkencës, artit, politikës..., që më tepër se të bezdisura, nuk mund të quhen.
Fotografitë e vendosura në libër nuk kanë lidhje fare me çfarë shkruhet në të.
Mendojnë autorë-et e librave se krijimi i tyre i përmbledhur në libër të shoqërohet edhe me ato fotografi do t'i bindë lexuesit se ai libër ia vlen për të lexuar dhe për t'u vleresuar?
E çfarë vlere mund të kenë ato fotografi që ai-ajo krijues-e ka dalë në kohë dhe data të ndryshme me njerez të ndryshëm të artit, politikës...? (Në jetën tonë ndeshemi me shumë tipa te çuditshëm ta gjejnë veten e tyre pranë njerëzve me emër, të hyjnë mes tyre edhe në çastin e fundit para shkrepjes së aparatit fotografik) Kjo mjafton pastaj, se ajo fotografi është një "armë" e fortë, për propagandën e vetë krijuesit...
Çfarë vlere ka nje fotografi në libër kur ai krijues-e ka dalë në grup njerëzish me një poet, shkrimtar politikan,... kur ai na paska vizituar dikur fabrikën, institucionin... kur ai autor-e i-e sotëm-tme ka punuar dikur para 25 vjetësh, apo edhe ndoshta kur kanë qenë ne aksionet e dikushme të rinisë...?
Para pak kohësh pata nderin të kisha vizitorë në shtëpinë time tre miq të nderuar, njëri nga ata është shkrimtar shumë i njohur.
Krijuesi e ka "sëmundje", të shohë raftin me libra dhe të mos zgjasë dorën për të marrë një libër e ta shfletojë.
Shkrimtari ynë mori tre libra të botuar kohët e fundit nga disa shtëpi botuese, që për etikën e kopertinës së librit nuk ke ç'i thua, pavarësisht se ç'është shkruar në të. Të marrin më qafë nga pamja e jashtëme; të shket dora nga lustrimi që i kanë bërë kopertinës edhe pse nganjëherë ngyrat e përdorura në kopertinë të nervozojnë.
Sa filloi ta shfletojë njërin libër e mbylli menjëherë. Mori librin tjetër. Të njëjtën gjë e bëri dhe me atë libër.
Në librin e tretë u përqendrua pak disi i habitur dhe i shqetësuar. Këtë e tregoi pamja e vrazhdë që i mori fytyra e tij. - Ç'të jetë kjo? - tha. - Ç'dua unë këtu?
Të gjithë filluam të qeshnim, vetëm miku i nderuar shkrimtar rrinte serioz, madje i revoltuar. "Ç'dua unë këtu në këtë libër?" foli përsëri.
Shkrimtari po e shihte veten e tij në atë libër. Kishin dalë fotografi grup shokësh a të njohur vite më parë dhe andej nga fundi i njerëzve ishte dhe autor-i-ja i-e librit.
Nuk e njoh fare autor-in-en, e këtij libri,- tha. "Përse duhet të jetë fotografia ime në këtë libër?'' - vazhdonte të fliste shkrimtari.
- Po ti lexoje njëherë, çfarë shkruan autori në atë libër... - i tha shoku si me shaka, për t'i kthyer gjendjen shpirtërore të mëparshme.
- Nuk më lënë këto fotografitë të lexoj - u përgjigj shkrimtari. - Më parë se unë të shfletoj librin më dalin këto fotografi të bezdisshme, që nuk kanë lidhje fare me librin... As vetë nuk më kujtohet su kemi dalë...
...................................
Në një libër tjetër, këtë herë jo shkrimtari, por miku tjetër, buzeqeshi pak pastaj tha: "Shiko se ç'bëhet. Libri ka 186 faqe. Nga këto, 120 faqe i zënë
mendimet e shokëve dhe miqve të këtij autori të panjohur dhe, 66 faqet e tjera jane krijimtaria e tij". E mbylli librin pa e lexuar.
- Nuk më intereson - tha. - Nuk më ka lënë vend mua si lexues ky autor të jap mendimet dhe vlerësimin tim për krijimtarine e tij...
......................................
Shtypi shqiptar këtu në Nju Jork, para disa kohësh shkruajti për një aktivitet të rëndësishëm të komunitetit, promovimin e një libri të një shkrimtari të suksesshëm me përvojë të gjatë krijuese, të shoqëruara edhe me fotografi gjatë ceremonisë festive.
Ndërmjet fotografive në shtyp ishte edhe ajo e anetareve të familjes së autorit që bënte promovimin e librit. "Shumë bukur kemi dalë, por pse na ka hyrë
këtu ky - kjo?". Në mes të pjesëtarëve të familjes së autorit të librit, pak para se të shkrepej aparati fotografik, me të shpejtë u kishte hyrë në mes edhe një...
"Nuk mund t'i thoshim dot ik", u shprehën më vonë anëtarët e familjes, madje edhe vetë shkrimtari.
Shqetësimit të asaj familjeje për ndërhyrjen e krijues-it -es në atë fotografi kujtimi, për më tepër e botuar në gazetë, krijues-i -ja do ta ketë
si "armë" ndoshta në botimin e librit të tij -saj, për t'i treguar lexuesit më vonë, se është mik i familjes së shkrimtarit.
Këto janë edhe ato fotografitë e bezdisura të vendosura në libra të ndryshëm nga autorë të ndryshëm.
Lereni plitikanin, artistin, shkrimtarin, poetin me emër.... në punën e tyre. Nëse dikush ka ndonjë fotografi kujtimi me njerëz te tillë dhe varet se si e kanë bërë atë fotografi, (i ka thënë: "hajt mos t'a prishim dëshirën, të dalim një fotografi", apo ai, dikushi, i ka hyrë në mes pa dëshirën e tyre) nuk do të thotë, që ekspozimi i fotove të tyre në librin e krijuesit-ses do t'ia shtojë vlerat krijimit që na ofrojnë për të lexuar....