E enjte, 26.12.2024, 10:00 PM (GMT)

Kulturë

Avni Alija: Në rrafshin e brendësisë. Në sferën e formës

E shtune, 21.05.2011, 05:16 PM


Impresion

 

Në rrafshin e brendësisë. Në sferën e formës.

 

Poezia  Kur ëndrra shëtit’ nga vëllimi poetik  “Arkeologji e shpirtit” e autorit Hasan Qyqalla. Botoi  Shkëndija, Prishtinë 2010.

 

Nga Avni Alija

 

1.

Kur poezia tund qenien tonë, ne si lexues pretendojmë të ngjitemi në zonën e Un-it individual.

Si lexues e, njëkohësisht të mveshur me petkun e medituesit përmbi vargjet që kemi lexuar, kemi provuar me ngulm, kaq dendur, t’ia shpjegojmë vetëvetës faktin se për ç’arsye vallë na ngjanë që, një poezi brenda një vëllimi artistik, madje një varg i vetëm, një fjali sikur e lënë përgjysmë, zë e veçohet dhe ngre krye kundruall poezive të tjera brenda atij vëllimi. Përse vjen dhe shquhet një poezi, një varg? Vargje që përmes dendësisë estetike zhbirojnë ndjesitë tona. Vargje që pa dashje tundojnë qenien e të vënë nën procesin e të medituarit. “Ngaqë lexuesi”, thot Martin Walser, autoritet i letrave në hapësirën gjermanofolëse, “në përballje me një tekst të atillë tundues i është afruar vetë procesit të të shkruarit fiksional, ai i është afruar atij teksti përmes tekstit të vet fiksional. Lexuesi është ai”, vijon M. Walser, “në të cilin shpalohet tërë fuqia e protestës fiksionale, fuqia e kritikës, fuqia e dëshirave.”

 

2.

Shëtit ëndrra / mes shtigjeve të pashkelura / Princ i vonuar në mes të natës / një pëshpëritje në buzë të shkrumbuara / pret premtimin në valë të Hënës

Ëndërrues apo ëndërrimtar jemi në çastet kur Shëtit ëndrra? Një Varg i ndërtuar përmes një metaprojeksioni që ndërlidhë ngjyrime të një realizmi magjik dhe një surrealizmi të kursyer. Është ëndrra e dikujt, mbase e secilit prej nesh që ikën në tjetërbotë. Unë dhe ti kundrojmë ëndrrën që shëtitë. I ngjeshemi pas...Poeti ia ka dalë të na tërheq në orbitën e kompozicionit estetik. Shëtit ëndrra mes shtigjeve të pashkelura. Janë shtigje që ndryejnë të panjohurën. E koreografia e së panjohurës trandet ngaqë Ëndrra ngjan (mbase është) një Princ i vonuar në mes të natës. Një Princ i vonuar (!) me një ndjesi të përzishme në shpirt, apo mbase me një frymëzim të rrallë në krahëror, mbase me një ndërgjegje të trandur; vallë me një kërshëri të etshme për diçka; një prinz si hije...Hija është një metaforë që përshkon vijimisht tërësinë kompozicionale të veprës “ Arkeologji e shpirtit” të poetit Hasan Qyqalla.

Dhe, një pëshpëritje në buzë të shkrumbuara është një rikthim në rrafshin e brendësisë së projeksionit estetik ku autori rivendosë në skenë elemente të një impresionizmi abstrakt përmes vargjeve të sipërthëna ku pëshpëritja pret premtimin në valë të Hënës.

 

3.

Kryqëzimi luhat kahen / ngatërron rrugë, ngërthen shtigjet / letrat e dhjetorit presin, presin / pëlcet shpirti...gjithë nga pritjet / dhe ëndrra shëtit / dhunon metropolet!

Një poezi e këtillë, pa dyshim përkujton një Sinfoni të përmbyllun në vete; në sferën e formës dhe në rrafshin e brendësisë shtrihen dimensionet e kompozicionit estetik. Është një projeksion i poetikës meditative ngjyrosun me një intenzitet të veçantë ndjenjash.

Në nyjëtimin e vargjeve brenda tërësisë estetike të poezisë Kur ëndrra shëtit zë vend thelbësor një kryqëzimi luhat kahet. Poeti ka modeluar materien poetike në gjithësinë e sferës së formës. Atypëraty, në sferën e formës pra, ngjizen përmbajtje të reja dhe, ngaqë kryqëzimi luhat kahet ngatërron rrugë, ngërthen shtigje.

Është tashmë e njohur për ne si lexues se, ashtu siç e ka vënë theksin Aristoteli tek Poetika, në natyrën e brendshme të një vargu estetik shtrihet përherë elementi integral i kohezionit.

Vargun  letrat e dhjetorit presin, presin do ta përshkon fëshfërima e një muzikaliteti, nuansa e një ngjyrimi artistik, ashtu siç e ka përshkuar më lartë vargun Princ i vonuar në mes të natës.

Në vargjet e poezisë Kur ëndrra shëtit të vëllimit poetik “Arkeologji e shpirtit” ndërlidhen brenda principit poetik estetika e një impresionizmi nuansash të përthyera me lehtësi e të shkrira në njëra tjetrën me estetikën e një ekspresionizmi shpërthyes, befasues, tronditës e sugjestionues: pëlcet shpirti... gjithë nga pritjet / dhe ëndrra shëtit / dhunon metropolet!

Janë vargje të një poezie të denja për thellësitë antologjike. Një Lirikë që përkujton copëra pasionesh, valëzime mendimesh, një lirikë-shëmbëllim i një gjendje shpirtërore.

 

Prill 2011



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora