| E hene, 28.01.2008, 11:56 PM |
Kush ishte gruaja që braktisi profesionin për t‘u bërë edukatore
Një jetë kushtuar fëmijëve
Maria Montessori u bë e famshme në botë për metodën e saj të edukimit të fëmijëve, përmes një praktike të pazakontë
Maria Montessori |
Dhe dëshira e saj e madhe për të ndihmuar fëmijët ishte aq e fortë, sa e bëri atë të braktisë punën në universitet, po ashtu edhe klinikën e saj mjekësore për të punuar dhe kujdesur me një grup prej 60 fëmijësh të vegjël që vinin nga familje të një lagjeje të varfër të Romës. Këtu ajo krijoi për herë të parë një Casa dei Bambini (shtëpi fëmije). Metodat që ajo vendosi të zbatonte ishin si eksperimentale, ashtu edhe çudibërëse. "Ne vërtet duhet të gjejmë mënyra të mësojmë fëmijën përpara se si ai të kryejë një detyrë", shprehej Montessori. Për këtë, ajo sugjeroi që mësuesit ta shihnin vetveten si inxhinier social. Si eksperiencë e parë, fëmijët e filluan programin e saj si "të egër dhe të padisiplinuar". Dhe ndodhi që fëmijët të reagonin pozitivisht ndaj metodave të saj të mësimdhënies. Montessori gjithmonë i trajtonte ata me shumë respekt dhe kërkonte që edhe mësuesit e shkollës të bënin të njëjtën gjë. Që në fillim ndodhën gjëra të mahnitshme. Fëmijë më të vegjël se tre deri katër vjeç filluan të lexonin, shkruanin dhe filluan respektin për vetveten. Metoda Montessori nxiti atë që Maria pa si aftësi të brendshme të fëmijëve për të "përthithur" njohuri nga ambientet rrethuese, si dhe interesi i tyre i pakufi për të vrojtuar dhe punuar me materialet që u jepeshin. "Dhe më pas ne i pamë ata të ‘përthithin‘ akoma më shumë se thjesht shkrim dhe këndim... ishte botanika, zoologjia, matematika, gjeografia dhe të gjitha këto me shumë lehtësi, vetvetiu dhe pa u lodhur", shkruan ajo në veprën e saj "Mendje përthithëse". Çdo pajisje, çdo ushtrim, çdo metodë që Montessori zhvilloi është bazuar në vëzhgimet e saj mbi aktivitetet që fëmijët i bëjnë në mënyrë të natyrshme, vetë dhe pa ndihmën e të rriturve. Ajo tashmë po hynte në histori. Që nga 1907-a e deri në mesin e viteve 1930, dr. Montessori ia kushtoi të gjithë kohën dhe energjitë e saj krijimit dhe zhvillimit të shkollave të metodës së vet në të gjithë Evropën dhe Amerikën. Fama e dr. Montessori-t arriti deri atje sa u nominua për çmimin "Nobel" të paqes tri herë në vitet 1949, 1950 dhe 1951. Maria Montessori vdiq në Noordwijk, Holandë, në vitin 1952, por puna e saj jeton dhe vazhdon të zgjerohet dhe zhvillohet nëpërmjet Association Montessori Internationale (AMI), organizatës që ajo themeloi në Amsterdam në vitin 1929, për të vazhduar veprën e saj, që gjithashtu ka përfaqësinë e saj pranë OKB-së që nga viti 1985.
Ka thënë Montessori:
"Kushdo që guxon të prekë jetën e një fëmije ka prekur pikën më të ndjeshme të një sistemi të tërë, i cili i ka rrënjët në të kaluarën më të largët dhe vazhdon të ngjitet drejt një të ardhmeje pa mbarim"
"Formimi i karakterit nuk mund të mësohet në shkollë. Kjo vjen nga eksperienca dhe jo nga të shpjeguarit"
"Është e vërtetë se ne nuk mund të krijojmë një gjeni. Ne mundemi vetëm t‘i japim çdo fëmije shansin për t‘i përmbushur të gjitha mundësitë e potencialit të tij"
"Mos e ndihmoni kurrë një fëmijë për një detyrë të cilën ai mendon se mund ta kryejë vetë"