E diele, 20.04.2025, 07:58 AM (GMT+1)

Faleminderit

Marjan Bunaj: Mësuesit - Shefqet Kelmendi

E enjte, 12.05.2011, 07:58 PM


MËSUESIT

 

Nga Marjan Bunaj

 

Kur kërkoj ti jap trajta mirësisë njerëzore. Ajo ka ngrohtësinë e gjoksit të simemë e siluetën e imët të mësuesit tim Shefqet Kelmendi. E kujtoi mësues Shefqetin si oazë ku ndalej të pushojë shpirti i trazuar i fëmijës së ndrydhur nga pesha e mjerimit dhe e njerëzimit. E kujtoj duke ecur, me një tufë gazetash nën sqetull e tek lexonte gazetën “Drita”. E afronte shumë gazetën për shkak të miopisë e shkonte ngadalë nën hijen e plepave përbri asfaltit, në rrugën që nga posta çonte drejt lagjes së “familjareve” që ishte “qyteti” i fshatit tim. E kujtoj kur u ndreqte fëmijëve kamishat e leckosura ne pantallonat mjerane. E kujtoj tek i bije mandolinës e me një zë kadifeje këndonte këngën e pesë heronjve të Vigut. E kujtoj kur tregonte parabolën e të dënuarit me vdekje që në sajë të besës e dhembshurisë se gardianit kishte shkuar të përshëndeste familjen një natë para ekzekutimit e që moti i keq e kishte penguar të arrinte në kohë. Me dorën e ngritur e zërin e çjerrë vraponte drejt trekëmbëshit të vdekjes ku në këmbë të tij, po ekzekutohej gardiani i ndëshkuar për njerëzinë e shfaqur e besimin tek besa e shqiptarit. E kujtoj kur na i bënte të bukura edhe himnet ozanuese të shkrimtareve oborrtare. E kujtoj shikimin e tij ngjyrë qielli tek më jepte libra në bibliotekën e shkollës duke më thënë që megjithëse kisha zgjedhur libra qe duhej ti lexoja ndonjë vit me vone, un mund t?i lexoja. Kjo me jepte krahë. E kujtoj tek priste ne heshtje tek radha e bukës e u përgjigjej me dashamirësi përshëndetjeve pak servile të fshatarëve që ktheheshin nga puna në fushe e prisnin me ore që të arrinte gazi i kooperativës nga furra e Shënkollit të ripagëzuar “Ylli i Kuq”. E kujtoj kur gjatë shpjegimit, për të na zgjuar nga përgjumja e unshme na lëshonte zinxhirthin e çelësave nën jakat e lyrosura në zverkat tanë fëmijërore. Kur i klithte Dardanit të pabindur të kthehej në shtëpi për të bërë detyrat. Tek qortonte Shpëtimin gjaknxehtë që i kishte thyer hundët ndonjë shoku i cili i kishte thënë kryemadh të njëjtën shprehje që un po mësohesha ta duroja.

Arrestimi i tij ka qenë për mua një zgjim i trembur nga inkubi komunist. U mallëngjeva kure pashe ne google fotografinë, mu zgjat jeta nga mbijetesa e tij. Penda e mprehtë e gjaknxehtë e Shpëtimit, djalit të mësues Shefqetit, me ndaloi të publikoja disa përsiatje letrare për fatin e mirë të lexuesve. Nga zilia e duke përfituar nga distanca gjeografike që na ndanë, Shpëtimit po i them “kryemadh, kryemadh, kryemadh …hë”

Kure mësova vetëmohimin burrëror të mësues Shefqetit në gjyqin komunist u mbusha me një krenari të pashoqe. Vuajtjet e tija në burgjet çnjerëzore e dënimin me vdekje i përjetova me një dhimbje therëse e më bënë të harroj përndjekjet e arrestimet që me bënin shefat e sigurimit në ministrinë e mbrojtjes.

Mësues Shefqeti nuk është mësuesi i parë që të gjithë kujtojnë me mallëngjim. Ai është për mua njeriu i parë që kam takuar në shkretëtirën shoqërore të realitetit socialist.

Desha të shkruaj “të rroje sa malet mësuesi im Shefqet Kelmendi” por ky urim është zvetënuar nga destinatari monopolist i tij, Enver Hoxha. Atëherë i sigurte që do të më lejonte ta merrja ngrykë e ta kacarroja fort, po i them “TË DU FORT MËSUES”



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx