E hene, 23.12.2024, 12:14 PM (GMT)

Kulturë

ZHERAR FILIP, PRINCI I KINEMASE FRANCEZE

E hene, 27.11.2006, 08:09 PM


Në përvjetorin e vdekjes së protagonistit të "Fanfan Tulipan"

Vasil Qesari

Në veturë ishim katër veta: Marsela, Fransinë, Antuan dhe unë. Udhëtonim për në Ramatuelle, një fshat i vogël në varrezat e të cilit prehet aktori i shquar i kinemasë franceze, Zherar Filip (Gérard Philipe). Ishim nisur nga Roquebrune Cap Martin dhe po përshkonim rrugën plot dredha përgjatë Bregut të Kaltër (Cote d‘Azur), ndërkohë që para nesh shpaloseshin njëra pas tjetrës panoramat magjepsëse të tij. Ishte një dëshirë e vjetër, por e paimagjinueshme kurrë, ajo që unë i kisha shprehur një mbrëmje vjeshte shoqes ime Fransinë. "Di që këtu pranë, në një fshat afër Kanës (Cannes), është varrosur Zherar Filip, i thashë. Sa mirë do të ishte sikur një ditë të mund të shkonim atje". Ai kishte qenë e do mbetej idhulli im e përderisa ndodhesha në Provancë dëshiroja ta realizoja me çdo kusht atë dëshirë. Dhe Fransinë e kishte mbajtur fjalën. I kishte mbushur mendjen Antuanit, i cili s‘i donte dhe aq shëtitjet me makinë, dhe në pasditen e një fundjave, pasi ndalëm në Montekarlo për të marrë me vete dhe miken e tyre të ngushtë Marselën, u nisëm për rrugë…

Plazhet dhe gjinjtë e vegjël buzë detit me ujërat ngjyrë gurkali, të cilat më sillnin para syve pamjet e largëta të qytetit tim, Kalasë dhe Jonufrës, më bënë të kthehem prapa në kujtime e të sillja në mend gjithçka intime që më lidhte me imazhin e atij aktori të shquar. Në fakt, Zherar Filip kishte qenë një artist i adhuruar jo vetëm për mua, por për breza të tërë. Filmat e tij: "Fanfan Tulipan", "Manastiri i Parmës", "E kuqja dhe e zeza", "Manovrat e mëdha" e "Mrekullia e djallit", ishin shfaqur bujshëm në kinematë shqiptare, kryesisht në mesin e viteve ‘60-të. Me subjektet, pasionin, delikatesën dhe shkëlqimin e pashoq të interpretimit të Zherar Filipit, ato kishin tronditur e turbulluar rrëmbyeshëm zemrat tona adoleshente, duke e kthyer atë në mit, princ të bukurisë e madhështor në lojën e mrekullueshme si aktor. E teksa mendoja këto, brenda vetes po ndieja një sentiment të habitshëm. Vegimi i portretit të tij, herë gazmor e herë i përdëllyer, për çudi s‘më vinte nga vendi i tij i lindjes, ku edhe ndodhesha, por nga tepër larg. Pikërisht nga qyteti im i lindjes, nga kinemaja e tij me një ekran prej pëlhure të zverdhur, ku dritat e projektorëve mbi celuloid i zgjonin jo pak dridhje, ëndrra e mirazhe jetës sonë të varfër e tepër të zymtë djaloshare.

Por, kishte edhe të tjera arsye e motive përse, teksa makina shkiste mbi asfaltin e nxehtë të jugut të Francës, ai udhëtim po më bëhej edhe më emocionues, domethënës dhe i paharruar. Për rastin tim në fjalë, imazhi i atij aktori të shquar më sillte edhe shumë kujtime intime tepër të forta, pothuajse vrastare, të cilat më kishin lënë në adoleshencë mbresa aq të pashlyeshme, sa që ato do të më shoqëronin për vite me radhë e madje edhe sot e kësaj dite. Sepse është interesante vërtet, por aspak e pamundur, që disa ngjarje të cilat na vijnë nga e kaluara, kanë forcën e një erozioni aq gërryes, sa që lenë vraga të pashlyera diku, nuk di në ç‘pjesë të trurit tonë, për të mbetur pastaj aty të përhershme, si plagë të pashëruara përjetë...

...Isha në kinemanë e vjetër, për të cilën fola më lart, për të ndjekur filmin e Zherar Filipit, "Fanfan Tulipan", e pranë karriges sime qe ulur Nirvana. Ishte ajo, e dashura e parë e zemrës sime, e cila pikërisht gjatë seancës së atij filmi do të më shtrëngonte dridhshëm dorën, duke kryer kështu brenda meje një gjest a dhuratë të tillë dashurie, që do më linte krejt pa frymë. T‘i kapje e t‘i ledhatoje dorën një djali, fshehurazi, në errësirën e kinemasë? Asaj kohe, ai akt do të thoshte shumë më tepër se një deklaratë e zjarrtë dashurie, më tepër se një puthje në muzg, më tepër se një ledhatim diku në një vend të vetmuar. Ajo dorë delikate, e brishtë, e butë dhe pothuajse fëmijërore, ishte edhe sinjali i parë tronditës që do më hapte portat e mistershme të një ndjenje të panjohur dhe sublime, e cila deri atëherë kishte qenë pothuajse e panjohur për mua. E ai gjest, pothuajse hyjnor, kishte ndodhur në "komplicitet" të plotë e në praninë e një artisti filmash, pikërisht të Zherar Filipit, i cili mishëronte te "Fanfan Tulipan" rolin e një dashnori të përjetshëm.

Më vonë, pas atij shok-u që më çoi drejt përhumbjesh e vuajtjesh të cilat ishin tepër sfilitëse për moshën, imazhi i atij aktori përveç të tjerash do bëhej edhe më tej një simbol i veçantë adhurimi. Atij meteori ndjenjash të flakëruara, që i ishte përkushtuar dikujt të cilin e adhuroja marrëzisht, do t‘i shtohej mrekullisht dhe diçka tjetër. Kjo do të ndodhte atëherë kur Nirvana do të më dërgonte nga larg, padyshim në kujtim të atij gjesti dashuror të shprehur në errësirën e kinemasë, një dhuratë plot kuptim. Pikërisht foton e Fanfan Tulipanit, që më mbërriti me postë, futur bashkë me një lule vjollce brenda një zarfi të vogël erëmirë. E pastaj, ajo dashuri e pafundme që kishte lindur aq vrullshëm brenda meje, do të shoqërohej dhe me një pasion pothuajse të marrë, për të pasur si idhullin tonë të përbashkët pikërisht imazhin e Zherar Filipit, aktorit fytyrë engjëll, i cili u lidh për fat apo fatalitet me shpirtin dhe vuajtjet e mia të asaj kohe.

Një gjendje e tillë adhurimi e pafund ndaj tij do të më shtynte të këmbëngulja e t‘i lutesha shokut tim të fëmijërisë, Filip Gazullit, që të më vizatonte një portret të tij, bazuar pikërisht mbi foton dhuratë të Nirvanës. (Fotografi të tilla, aso kohe, me aktorë e këngëtarë të huaj, mund t‘i gjeje të riprodhuara në dyqanet e atyre pak fotografëve që kishin mbetur ende privatë). Dhe ashtu, atë fotografi të vogël të Zherar Filip, të cilën unë e ruaja si relike tepër të çmuar, miku im e vizatoi duke e zmadhuar mjaft bukur e me dëshirë, edhe pse ai atëherë sapo e kish nisur rrugën e pasionit të tij të madh për pikturën, që më pas për arsye "biografike" s‘mundi ta realizonte kurrë.

Por kjo s‘ishte veçse fillimi. Unë as që mund ta merrja me mend se obsesioni im për artistin francez do më shoqëronte gjatë gjithë jetës e nuk do të ishte aspak e rastit çudia kur dy vjet pas rënies së regjimit komunist, tre gazetarë të një ekipi xhirimi të kanalit francez "Antene 2", të cilët bujtën në shtëpinë time, do të habiteshin jo pak kur në xhamin e bibliotekës sime do të shihnin pikërisht portretin e Zherar Filipit, foto e bërë pak ditë para vdekjes së tij (e që unë e kisha vjedhur nga një libër rusisht mbi kinemanë franceze, marrë hua në Bibliotekën Kombëtare, atëherë kur isha student në Tiranë).

E teksa isha përhumbur krejt në përjetimin e atyre kujtimeve të largëta, pak nga pak po i afroheshim edhe vendit për ku dhe ishim nisur. Në fakt, siç nisi të më tregonte Fransina, emri i fshatit Ramatuelle s‘bënte pjesë në listën e vendeve në modë të Bregut të Kaltër. Para se princi i kinemasë të shkonte atje, për të bërë gjumin e tij të përjetshëm, në Francë pak njerëz e dinin që pak kilometra nga Saint-Tropez ndodhej një fshat i zhytur mes gjelbërimit, me shtëpi të vogla si fole dallëndyshesh, ngjeshur fort pas njëra-tjetrën. Një kënd pothuajse i humbur, larg snobizmit të bregut të detit, ku pushojnë më së shumti pasanikë e njerëz të njohur të spektaklit e modës. Një fshat mbetur pothuajse si njëqind vjet më parë: me çati e mure të vjetra, parvaze dritaresh plot mëllaga, me rrugë të ngushta e një shesh në qendër, gjithmonë pranë kishës. Një vend i qetë, ku fëmijët lozin duke lëshuar britma gazmore e ku pleq tipikë mesdhetarë, që më kujtuan ata të bregdetit të Himarës, luanin atë lojën aq të njohur me topa metalikë, e cila në frëngjisht quhet "petankë".

Për pak kohë mbërritëm dhe u ndalëm në qendër të fshatit e pasi gjetëm një cep të ngushtë për të parkuar makinën, u nisëm lart drejt një kodre, duke marrë rrugën që të çonte drejt varrezave, të cilat prej vitesh qenë bërë një vend mjaft i njohur pelegrinazhi. Vdekja e papritur e Zherar Filipit, pas një ataku në zemër (ndërkohë që vuante nga një kancer në mëlçi), kishte tronditur mbarë Francën. Në atë pasdite të largët të 25 nëntorit 1959, në Paris binte një shi i akullt. Lajmi i kobshëm ishte përhapur kudo me një shpejtësi të paparë. Menjëherë në gjithë kinematë e kryeqytetit francez ishin ndërprerë seancat e shfaqjeve dhe qenë ndezur dritat. Nga megafonat një zë i ngashëryer fliste: "Sot, në banesën e tij në rrugën ‘Tournon‘, në moshën 37-vjeçare, vdiq Zherar Filip". Një habi, përzier me heshtje plumb e emocion të fortë, kishte pllakosur të gjithë. Dhe pastaj, sipas traditës së kinemave, mes ngashërimeve kishin vazhduar projektimet e filmave. Bota e spektaklit kishte rënë në zi. Më pas, poeti i shquar Lui Aragon kishte shkruar: "Engjëjt e morën atë në krahë dhe e çuan në qiellin e vendit, ku ai kalonte pushimet, në Ramatuelle, pranë detit. Në mënyrë që ai të ishte aty mes rërës dhe diellit, larg mjegullës, për të mbetur përjetësisht një provë e rinisë së njerëzimit. Dhe kalimtari që do të shkojë pranë vendit ku ai prehet, do thotë: Jo, ai nuk ka vdekur! Por, thjesht, nga që kishte luajtur shumë në skenë, i duhej të çlodhej në një gjumë të gjatë".

Kishte qenë bashkëshortja Anë Filip, e cila kish çuar në vend amanetin e Zherar Filipit, që ai të varrosej aty, në atë fshat të vogël e të humbur të Provansës, vend me të cilin qe lidhur ngushtë dhe që e donte pa masë. Sepse ai e kishte ndjerë veten gjithmonë banor të atij vendi, bir të tij e asnjëherë s‘kishte lënë aty përshtypjen e një parisiani në pushime. Në vilën e tij të vogël "La Rouiellère" ai e ndjente veten në shtëpinë e tij, më tepër se kudo tjetër. Ishte aty me gruan, Anën dhe dy fëmijët, që kishte kaluar çastet më të lumtura të jetës. Vila, me muret e saj ngjyrë rozë dhe dritaret e vogla, në të cilën shkohet përmes një rruge gjarpëruese që çan mes vreshtash mbuluar me ngjyrën e arit dhe përzier me nuanca bakri, tashmë është prej shumë vitesh e mbyllur.

...U shkëputa me padurim nga miqtë dhe iu afrova asaj copëze të vogël toke ku prehej artisti, i cili sipas dëshirës së shprehur prej tij qe varrosur aty, veshur me rrobat e Sidit. (Sid - një nga rolet më të dashur e më të bukur të Zherar Filipit - personazh kryesor i pjesës me të njëjtin titull të Pierre Corneille, luajtur prej tij më 1951 në Festivalin e Avinjonit). I heshtur u ula në gjunjë para varrit. Gjithë madhështia dhe lavdia e tij ishin aty para syve të mi, të gdhendura mbi një pllakë guri ku qenë shkruar vetëm këto fjalë:

GERARD PHILIPE

4 décembre 1922

25 novembre 1959

Përbri meje, brenda një vazoje bronzi, dikush kishte vendosur një tufë me tulipanë të verdhë. Toka përreth ishte zhavorrishte e thatë, por varri qe i blertë, mbushur plot me dredhkëla. Në të dyja anët vareshin degë oleandre e mbi të bënin hije një qiparis e një mimozë. Mbylla sytë për pak çaste e para syve më doli përsëri ajo "dritarja" e vogël, e cila shumë vite të shkuara na lidhte aq shumë me botën magjepsëse të artit të shtatë. Ajo, salla e kinemasë së vjetër në lagjen "Llonxhë" në Vlorë, nga ekrani i vjetruar i së cilës vazhdonin të më vinin gjer aty në Ramatuelle buzë detit të kaltër të Cote d‘Azur, jehona e zërit dhe imazhi i atij: Sidit, Fanfan Tulipanit, Zhyljen Sorelit, Fabricio del Dongos...

E për një çast mua mu duk se gjithçka që kisha përjetuar gjer atëherë s‘kishte qenë gjë veçse një ëndërr e bukur e plot dritë llamburitëse. Një ëndërr tepër e largët! Ashtu siç kishte mbetur i largët, por medet dhe i afërt, kujtimi i asaj dore delikate e pothuajse fëmijërore, e cila kishte kapur dridhshëm dorën time në "prani" të Zherar Filipit tonë. Ai çast i pashlyer kurrë nga memoria, i cili kishte bërë të vibronte si askurrë herë tjetër gjithë trupin tim. Kishte qenë e mbetej dëshira ime e madhe, të merrja një grusht dhè nga varri i princit. Të bëja timen një pjesë të shuar të tij. Futa gishtat në tokë e mblodha pakëz nga ai vend i shenjtë. Pas disa ditësh, një pjesë të tij e mbylla në një shishe të vogël e ia dërgova Nirvanës në Shqipëri. Dhe nuk di në se ajo e ruan ende atë, apo e ka flakur gjëkundi. Unë e kam dhe e mbaj gjithmonë, sikur të ruaja brenda vetes sime të mbyllura fort gjithë kujtimet e një kohe që jetohet vetëm një herë e që s‘kthehet kurrë më...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora