Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me poeteshën dhe publicisten, Alma Papamihali

| E shtune, 23.04.2011, 07:00 PM |


Intervistë ekskluzive me poeteshën dhe publicisten, Alma Papamihali

“Kurrë nuk e kam parë poezinë si një detyrë shtëpie…”

Nga Gëzim Marku - Zemra Shqiptare

Alma Papamihali, është ndër poetet lirike më të dashura të letërsisë së sotme shqipe. Ajo solli në botën poetike, një tjetër frymë, krejtësisht të veçantë, duke trajtuar në përgjithësi ndjenja dhe detaje, që përcjellin jetën e brishtë të femrës.

E lindur në Tiranë, ajo shkollohet gjithashtu në kryeqytet në degën gjuhë-letërsi, pasi përfundon gjimnazin "Ismail Qemali". Prirjet poetike të Almës, u vunë re nga mësuesit e saj, që kur ajo ishte fëmijë, ku do të dallonte gjithnjë e më shumë me krijimet e saj letrare, ndryshe nga moshatarët. E rritur në një familje artëdashëse dhe sidomos adhurues të muzikës, edhe tek ajo si poete, muzika do të luante nje rol mjaft të rëndësishëm në jetën e saj, madje do të ishte për vite me radhë, shoqëruse krahas poezisë, pasi për 8 vite me radhë aktivizimi i saj në Pallatin e Pionierëve të dikurshëm, do influenconin në formimin e saj artistik...duke e ushqyer me dashuri për skenën, tekstet muzikore, këngën...artin në përgjithësi. Aktivizimet e saj letrare, në kohën e gjimnazit do të nisnin kryesisht me poezi të botuara në gazeten "Rinia". Por krahas poezive, një tjetër anë e saj, e do të ishte publicistika, e cila do ta kishte fillesën me shkrime të herëpashershme, në gazetat periodike, "Intervista" dhe "Pasqyra". Pas largimit të saj në Gjermani, në dukje të parë krijimtaria letrare pati një shkëputje të përkohshme, por rikthimi i saj poetik, do të shënohej pikërisht me botimin e librit të parë me poezi..."Nën tingujt e natës" (2007), i cili u prit mjaft mirë nga lexuesi.

Gjatë kësaj kohe, jeta e saj në emigrim, do të kushtëzonte jo vetem krijimtarinë dhe tematikën poetike, por edhe forcimin e mëtejshëm të bindjes së saj në angazhimin aktiv të ruajtjes së gjuhës shqipe, kryesisht tek brezat e rinj dhe fëmijët e lindur në diasporë, tek të cilët rrezikohej gjymtimi apo humbja e saj. Ndaj me shumë deshire dhe pasion për gjuhën shqipe (përkrahur edhe nga një grup prindërish me banim në Gjermani dhe ndihmën e seksionit të arsimit në qytetin e saj) , ndërmerr nismën e krijimit të shkollës shqipe "Iliria", e cila funksionon që prej shtatorit te vitit 2007. Ndërsa në shkurtin e vitit 2009, krijon gjithashtu edhe shoqatën shqiptare me karakter kulturor-artistik, me të njëjtin emër ("Iliria"), ku dhe emërohet kryetare e aktivitetit të kësaj shoqate. Njëkohësisht, Alma është edhe anëtare e shoqatës së Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve, po në Gjermani, që prej vitit 2007. Dhjetori i vitit 2009, do të shënonte një hap mjaft të rëndësishëm në jetën krijuese të kësaj poeteje, e cila do të kurorëzohet me botimin e vëllimit poetik , "Shtegtim pulëbardhe" (Toena, 2009), ku dallon aftësia e saj, për të komunikuar ndryshe me lexuesin dhe nje pjekuri artistike, që ka evluar duke bërë që ajo tashmë të jetë edhe më e formuar në fushën letrare dhe kryesisht atë poetike. Në poezinë e Alma Papamihalit do t’i këndohet ndryshe dashurisë, si një dëshmi e ekzistencës dhe mirëqënies humane. Pothuajse e gjithë poezinë e saj, do të frymojë dashuri...dashuri për jetën, për njeriun, për natyrën, të qënit grua...Dashuria do të jetë, një burim i madh frymëzimi dhe do jetë e pranishme pothuajse kudo në vargjet e Almës, dukë dominuar pjesën qëndrore të poezive të saj. Ata do ti këndojnë ndjenjës më të bukur njerëzore kudo dhe kurdo - dhe në u largoftë pakëz - vargjet e saj do ti rikthehen përsëri të përmalluara dhe të drithëruara, duke i dhënë atyre nota edhe më të fuqishme...sepse e tillë është poezia e Almës, një poezi që i këndon edhe detajeve...shpirtit, thirrjes, mallit, ëndërrimit.

Libri "Shtegtim pulëbardhe" është fitues i çmimit të dytë "Azem Shkrelit" për vitin 2010, akorduar nga Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve në Gjermani. Alma Papamihali është prej 4 vitesh bashkëpunëtore e revistës "Femra Moderne", botuar në Tiranë si dhe realizuese e mjaft intervistave me karakter kryesisht artistik.

Do ta filloja nga vegjëlia. Ku ka qarë për herë të parë, Alma?

Nëse ndodhesh larg, do njohësh vlerën e vërtetë të vëndlindjes.

Edhe pse qarjen time nuk e kam dëgjuar, mundem ta imagjinoj qarjen e një foshnje.

Kam lindur në Tiranë, në qytetin për të cilin sot ndjej mall. Në atë qytet, bashkohet fëmijëria me nostalgjinë, si dhe fluturimi me dëshirën për të udhëtuar…atje…

Takimi juaj i parë me poezinë...

Është shume herët, fare herët. Kam ndjesinë të jemi rritur bashkë…dhe besoj që nuk është thjesht një ndjesi, por teksa rikthehem pas, bindem.

Madje kur ja kam bërë edhe vetes këtë pyetje i jam përgjigjur:

“Mbi gjithçka që shkrova / më domethënëse mbetën të thënat me një frymë /S´më lodhe ndonjëherë moj poezi/ edhe pse moshën s´ma tregove / ishe ti më e madhe, apo unë...”

Takimet e para konkretisht kanë qënë që në klasë fillore. Nuk besoj që duhet të presësh të lindë dashuria për të shkruar vargje. Vetë natyra, dashuria për kafshët, apo festat e ndryshme, do ishin një ngacmim që unë të ulesha dhe të shkruaja vargje. Mbajmënd që kam qënë gjithmonë një fëmijë i tërhequr nga shoqëria. Preferoja të rrija për shumë orë e vetme duke kaluar kohën me piktura dhe vargje. Kur i tregova sime motre (me e madhe se une) vjershat e para, më pa me kureshtje dhe më pyeti…“Vërtetë ti i ke shkruar keto, apo janë nga ndonje revistë“…Më vonë kur vazhdova të shkruaj përsëri, edhe në familje filluar të më stimulonin dhe nxisnin herë pas here që të shkruaja. Pavarsisht gjendjes ekonomike në Shqipëri, në vitet para 90-tës, mendoj që niveli dhe kërkesat në arsim kanë qënë të një niveli të lartë. Shkollat në Tiranë kanë qënë gjithmonë kërkuese. Ndaj mund të them që kam qënë e inkurajuar gjithmonë edhe nga mësuesit e letërsisë. Që në tetëvjeçare mbaj mënd që hartimet apo vjershat e para viheshin në këndin e shkollës „talentet e reja“ gjë që ishte vërtetë inkurajuese. Më pas, edhe në kohën e gjimnazit nuk u shkëputa asnjëherë nga poezia. Këtu vijnë edhe botimet e para, në gazetën Rinia. Gjatë kësaj kohe, nis e del nga kufijtë familjarë dhe fiton si të thuash edhe lexuesit e parë, që janë shoqëria. Këtu nis vërtetë fnjë fazë serioze, e cila nuk është më kalimtare…sepse ti nis e formon bazën e të qënit poet. Nga njëra anë shkollimi dhe në tjetrën vënia në praktikë e pasionit tënd …të cilin besoj e kam të lindur.

E krijoni një poezi si ''detyrim'', pra uleni e shkruani sepse jeni poete, apo lind frymezimi të cilin e hedh në letër...

Vazhdoj të preferoj mendimin tim, për të mbetur poete tek të tjerët, ndërsa unë,“ nuk dua ta shoh veten si të tillë në përditshmëri.

„Jetoj për të shkruar dhe s´shkruaj për të jetuar/ nëse më parë s´ke dëgjuar, lexomë/

që ekzistojnë dhe të tillë njerëz, me vargjet dashuruar/“

Ashtu siç kemi nevojë për ushqimin e përditshëm, po ashtu është edhe poezia për mua. Nevojë për të qënë gjallë, për të qënë me frymë dhe në jetë. Dhe kjo domosdoshmëri jetike, do të më ulej pranë  në situata nga më të ndryshmet…në rrugë, në autobuz, në makinë, në avion…duke fjetur…dhe kjo është mrekullia e muzës, magjia e saj, që vjen pa të pyetur apo lajmëruar më parë. Dhe ti, i hedh ato vargje me një frymë, e dora të rrëshket, a thua se dikush po ti citon në vesh…

Ndaj do përgjigjesha, që kurrë nuk e kam pare dhe as do e shoh poezinë si” detyrë shtëpie” e komanduar nga dikush, por që vjen sepse do të vijë…

…dhe tek unë, porta e hapur është lapsi…dhe shtëpia derëhapur, letra e bardhë.

Një kujtim i bukur mbresëlënës...

Nëse do ta lidhja me poezitë këtë pyetje…do thoja që çdo poezi është një mbresë më  vete . Edhe pse e shkurtër si gjini, poezitë në vetvete janë një koncentrim i tërë mendimesh apo përjetimesh ( nëse do ta krahasonim me prozën). Me pak vargje, ti mund të thuash po aq, sa dikujt do ti duheshin kapituj të tërë. Mbase një kujtim i bukur do të ishte një poezi e shkruar në mesnatë, nëpër gjumë…dhe ti hap sytë dhe e ke krijuar atë si nëpër ëndërr dhe s´të mbetet gjë tjetër veçse ta hedhësh në letër, sepse derisa të gdhijë mëngjezi mund të jetë harruar. Kështu kam shkruar poezinë “Ajri im” Është vërtetë një mbresë të cilën e rikujtoj here pas here.

Si do e përshkruanit shkurtimisht dashurinë, në të gjitha dimensionet e saj...

Do ta përshkruaja si një mrekulli, që të zbret duarve, por vetëm ti mund ta shohësh në atë formë. Do ta shihja si të plotfuqishme për të ndryshuar gjithçka, që ti mund të vuaje me vite të tëra për t´i ndryshuar dhe ajo e arrin atë fare lehtë. Si një ilaç popullor, që nëse do ekzistonte tek çdokush, bota do ishte krejtësisht e paqtë.

Nuk e di pse paskam dëshirë gjatë kësaj interviste të jap edhe ndonjë konkretizim me vargje…

Kur më pyete ç´është dashuria, tu përgjigja fare thjeshtë:
kur unë flas me fjalët e tua / e ti çelesh dhe nëse vjeshtë!

Mendon se është më e lehtë të shkruash për lotin e dhimbjes, apo atë të gëzimit?

Nëse është fjala për lotë, atëherë -  Loti i dhimbjes e ka majën më të mprehtë, sesa loti i gëzimit. Do mjaftohesha me këtë citat që më lindi nga kjo pyetje domethënëse, por edhe nga vetë poezitë që ju kam shkruar lotëve. Ato janë vërtetë vargje ngulitëse, aq sa dhe unë i kam quajtur “ me “lëkurë gruaje”…

“Lotët o njerëz paskan lëkurë gruaje/ dhe nëse fustan ndonjëherë s´kanë veshur/buzëve ndërtojnë çerdhe të kristalta/ kur mjekrës rrëshkasin /mbyten frymë-heshtur...”

Pra do përgjigjesha që dhimbja rrjedh më lehtë në varg, edhe pse do i gëzohesha gëzimit...

Kush është njeriu për ju?

Njeri për mua është mbi të gjitha, ai që mendon, llogjikon, por që edhe di të qeshë.

E qeshura është i vetmi ndryshim që e dallon njeriun nga kafshët. Ndaj do doja të shihja sa më shumë buzëqeshje, sepse e folura nuk është gjithçka. Të jetosh në kohën gri të emigrimit, paske vërtetë pak nevojë për diell njerëzor.

Katër vargje ekskluzive për ne, të cilat përshkruajnë gjëndjen tuaj aktuale...

Mjaft folëm për arsyet, dhe trishtimet/ ç´na u desh, e çdo na duhet,  diteve më pas.../
Eja shtrihemi njëherë drejtuar qiellit / e jeta ndryshe do qeshë / kur paqja me ne do dijë të flasë...

...dhe katër të tjera për kombin...

Do jesh ti ajo, që s´do t´ma lexosh mallin / Kjo gjuhë perëndie, këdo do mbajë gjallë,
Pritna o vëndlindje, askush s´ka për të vdekur / Kushdo që të ka lënë, ta ka dhënë fjalë…

Mendoni se është lënë në harresë nga shteti,  kontributi i padiskutueshëm në kulturën tonë i letrarëve tanë?

Kësaj pyetjeje do ti përgjigjesha me një „Po“ të padiskutueshme. Duke e krahasuar letërsinë shqipe më vitet para 90-tës do thoja, që gjatë asaj kohe  pati mjaft gabime…madje mund t´i quajmë shkrimtarë të ndëshkuar nga ai sistem. Disave ju desh të bënin një jetë të mjerë. Mes tyre mund të gjeje të dënuar me një jetë të rëndomtë, të papërmendur për gjithëka i kishin dhënë letërsisë shqipe, të vdekur ende të gjalle. Askush nuk do ngrinte kokë në atë system, nëse nuk do i ngrinte atij hymne. Kjo ndodhte jo vetëm tek shkrimtarët e mirëfilltë, por edhe tek disa që risollën krijimtarinë botërore në shqip. Letërisa shqipe e asaj kohe u përqëndrua tek disa emra, duke lënë në harresë meritat e shumë e shumë të tjerëve. Mund të përmendja këtu Martin Camaj, Reshpja, Jorgo Bllacin, Visar Zhiti etj…Jo pa qëllim e nisa përgjigjen që para 90-tës, sepse ajo që është më e dhimbshme sot, është moskorigjimi i gaabimeve të bëra…rishikimi i letërsisë shqipe, rishikimi i programeve shkollore dhe rifreskimi i tyre aktual. Në letërsinë e sotme është shumë për të bërë. Periudha e tranzicionit që kaluam ne, natyrisht do linte gjurmë edhe në letërsi, megjithatë, letërsia mendoj që duhet të mëkëmbej e para, në krahasim me fushat   tjera, madje të jepte edhe ndihmën e saj pozitive, nëpërmjet fjalës së shkruar…gjë që me sa e gjykoj, nuk ka ndodhur ende.

Çfarë mendoni se nuk kanë bërë politikanët tanë për të ndryshuar realitetin e vështirë shqiptar?

Nuk kanë hequr dorë përfundimisht nga korrupsioni. Nuk i kanë thënë vetes që këtu jemi si përfaqësues të popullit dhe në mbrojtje të interesave të tij, për të bërë ç është e mundur për ta përmirësuar mirëqënien dhe kërkesat e tij.  Nuk janë sa duhet nacionalistë dhe ta kenë në gjak Shqipërinë, në mënyrë që emri i saj, të vendoset aty ku i takon…krahas vendeve të zhvilluara evropiane. Duhet, punë, shumë punë për tu bërë.

Mediat janë përqëndruar shumë tek pamja fizike e këngëtareve dhe kanë ''harruar'' se ekzistojnë apostujt e dritës, poetët e shkrimtarët.

Apo nuk është kështu?

Ky është aktualiteti dhe gjëndja e dhimbshme e medias sot,  edhe pse gjen tek-tuk ndonjë, që i jep rëndësi letërsisë dhe autorëve. Revistave dhe kopertinave do të të serviret bukuria e jashtme nëpër foto eskluzive dhe eskluziviteti vazhdon duke qënë lajmi i parë në një dashuri të re, apo ndarje të tyre. Shumë pak përmendet dhe vetë cilësia e këngës, autorët…duke harruar se për çfarë prezantohet x këngëtar apo këngëtare, sepse gjithçka shihet tashmë si biznes dhe jo prurje cilësore.

Si dhe kur mund të zemëroheni?

Jam si çdo femër tjetër, që mbase i pëlqen të jetë pak e përkëdhelur. Zemërohem  mbase për një moment, nëse nuk mbahet një premtim i dhënë…kur më duhet për shkaqe të ndryshme të jem vetëm, atëherë kur nuk dëshiroj të jem…

Si zemërohem…? Mbase do thonit që për ju do ishte mirë të ishit shpesh e zemëruar…

Çdo  mërzi apo lot, mund të më kalojë vetëm duke shkruar. Vargu është ngushëllimi im i vetëm. Zemërimi më mbyll në vetvete, heshtem, shkruaj, derisa të më kalojë…

Aspak e dëshirueshme, por realitet. Varfëria është e pranishme në të gjitha krahinat shqiptare. Cili është mesazhi juaj për të varfërit...

Varfëria dhe dizniveli jetësor, është një aktualitet në Shqipëri, por edhe në botë. Nëse qëndrojmë në aktualitetin tonë, do të thoja që vërtetë është shumë për tu bërë. Mesazhi im për të varfrit, që unë doja t´i quaja shtresa e shoqërisë me nivel më të ulët jetësor…do ishte që ata të ishin më të vetëdijshëm për votën e tyre…mos gënjeheshin nga fjalë e premtime….sepse varfëria vjen nga papunësia…nga një shtet i dobët ekonomikisht dhe politikisht. Ndaj shkaqet nuk ke ku i kërkon tjetër veçse në shtet, në ligje dhe ekonominë e tij. Shpesh populli është viktimë dhe i pafuqishëm për të ndryshuar diçka rrënjësore, megjithatë do këshilloja që të paktën të ishin të vetëdijshëm për veprimet e tyre.

Po për të pasurit çdo të shtonit?

Do shtoja që vërtetë pasuria nuk është gjithçka, edhe pse është shumë domethënëse. Pse jo…të jemi realistë që leku sot sjell një botë vërdallë. Por  përsëri duke qëndruar në vëndin tim, do të shtoja që kemi shumë pak të pasur, që e kanë merituar vërtetë të quhen të tillë. Në vendin tonë njerëzit janë pasuruar me shuma marramëndëse, pa e besuar edhe ata vetë nga ç burim. I pasuri atje nuk paguan taksa të rregullta në shtet., nuk ka konntrolle mbi keto burime fitimesh. Një gjëndje vërtetë shqetësuese. Ndërkohë që një familje me 2 fëmijë rron me një rrogë, të tjerë kanë dy tre shtëpi dhe i bëjnë pushimet jashtë. Ndërkohë që dikush ka frikë nga sëmundja apo një shtrim në spital, sepse do t´i nevojiten para për të dorovitur mjekët kokë më kokë, të tjerë hypin avionët dhe kurohen jashtë. Pse të gjitha keto…Sepse nuk funksionojnë si duhet, siguracionet shtetërore mbi mjeksinë, apo pasurinë.

A duhet rishikuar gjuha standarde?

Normalisht edhe në këtë aspket dalim tek gabimet e pafalshmë të së kaluarës. Megjithatë do të shtoja…A nuk është koha e përshtatshmë që ti themi  “mjaft” fjalëve të huaja nga gjuhet e botës…kur në tre të rinj që dëgjon rrugës, dy prej tyre e flasin shqipen gjysëm anglisht, gjysëm italisht…Madje vetë njerëzit e letrave dhe media, përdorin në shkrimet e tyre huazime të huaja. Kjo është shumë më e dhimbshme sesa rishikimi i gjuhës standarte…edhe pse do thoja ka padrejtësira dhe jam për një gjuhë shqipe të njësuar, që është tërësisht shqipe.

Kush është Ibrahim Rugova?

Ibrahim Rugova, është ndër figurat që iu shkruan historisë të popullit tone…dhe t´i shkruhesh historisë, do të thotë të mbetesh i pavdekshëm. Diplomacia e tij ishte për tu admiruar sepse ishte e një rangu botëror, ndaj edhe la gjurmë.

Shqiptarët duhet të krenohen me emrin e tij.

Kohë më parë takuat shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare. Mund të na sillni përshtypjet...

Takimi me shkrimtarin Ismail Kadare, ndodhi në një promovim që ai bëri në Mynih të Gjermanisë. Pas prezantimit të veprave të tij, ku ai vinte i shoqëruar nga përkthyesi gjerman Joachim Röhm, pata fatin që të bashkëbisedoj me shkrimtarin, nga ku edhe përshtypjet natyrisht ishin të veçanta. Është fat që ta kemi bashkëkombës, një autor që është përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të botës, fitues i dy çmimeve të mëdha ndërkombëtare dhe vlerësuar pozitivisht nga kritika botërore. Ishte po ashtu fat për mua, edhe në kontekstin si krijuese takimi me të, biseda, shkëmbimi i librave të nënshkruar, apo  kujtimi me disa foto bashkë.

Ju ishit pjesmarrëse në panairin e 13-të të librit në Tiranë. Me cilat përshtypje u kthyet…

Të marrësh pjesë në një panair librash për mua është kënaqësi e veçantë, qoftë edhe si vizitore, pasi rrëmbehesh e tëra nga një botë librash, kopertinash, autorësh. Jam një person që e dashuron këtë botë, sepse nuk gjendesh kurrë vetëm, dhe për gjithçka mund të gjesh një përgjigje. Por veçantia e pjesmarrjes sime në panair, ishte sepse përveçse një vizitore, isha edhe autore si poete me librin tim të fundit Shtegtim pulëbardhe, në tendën e shtëpisë botuese Toena. Kryesorja e pjesmarrjes në një panair, është kontakti i drejtpërdrejtë autor-lexues.

Mbase është rasti për të bërë edhe një herë, një falenderim të veçantë për aq shumë miq-lexues, që erdhën pasaçërisht për të më takuar...dhe jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga qytetet e Kosovës. Një ndjesi e veçantë është përshtypja që merr nga ky lexues në mënyrë të drejtpërdrejtë, takimi dhe njohja mes autorësh të ndryshëm, njohja me kërkesat dhe standartet e librit në vendin tënd...etj. Gjithashtu vihesh përballë një përgjegjësie për cilësi për të ardhmen, kur sheh me sytë e tu, etjen e lexuesit shqiptar që fatmirësisht sa vjen e po rritet përsa i përket kërkesave për librin. Mbeta shumë e kënaqur nga dëshira e lexuesit për të pasur librin tim dhe i falenderoj përzemërsisht ata.

Shkolla dhe shoqata Iliria...

Unë udhëhiqem nga motoja “Gjuha ruhet aty ku shkruhet” . Një gjuhë nuk quhet e mësuar, nëse nuk shkruhet. Ndaj me iniciativën time, por dhe mbështetjen e shumë prindërve shqiptarë, krijuam shkollën shqipe në Gjermani, e cila mban emrin “Iliria”.

Pas krijimit të shkollës, qëllimi  mori përmasa edhe më të gjëra, nga sa ishte mësimi i gjuhës shqipe dhe kështu lindi dhe krijimi i shoqatës Iliria, e  cila përkujdeset në prezantimin tonë si shqiptarë në emigrim, për të mos e lënë emrin tonë në heshtje, për të mos mbetur pas në asnjë aktivitet kulturor krahas vendeve të tjera, sepse kultura dhe tradita shqiptare mundet ta prezantoje veten denjësisht, por për këtë duhet dëshirë dhe vullnet, që besoj që nuk na mungojnë.Ruatja e ekzistencës shqiptare dhe traditave tona, nuk do zbehen ndonjëherë edhe pse larg vëndlindjes. Mund të përmend ketu dhe aktivitetin më të fundit të shoqatës sonë, që ishte një pasdite karakteristike shqiptare, e cila u bazua në  kulturën e kuzhinës sonë dhe miqtë gjermanë u njohën me disa nga karakteristikat kryesore të saj. Mbase për këtë duhej pregatitur një shkrim i veçantë...Por rëndësi ka që të huajt gjithmonë mbesin të befasuar nga kultura jonë në fusha të ndryshme, rëndësi ka mënyra dhe dashuria që ne tregojmë gjatë servirjes.

Muzika juaj e preferuar, si dhe këngëtarët...

Kur flitet për muzikën, marr frymë thellë. Lidhja shpirtërore me të, është e një raporti të veçantë. Pa muzikën, nuk mund ta imagjinoja dot rrjedhën e një dite, apo mbrëmjeje. Mbase kjo vjen edhe për shkak të aktivizimit tim që fëmijë, me këngën.

Kur bie fjala për muzikën dua të flas me aq pasion, sa edhe për vargun. Muzikë të preferuar gjej çdo lloj rryme. I besoj shijeve të mia muzikore, edhe pse çfarë mund të më sërvirnin do ta dëgjoja po me aq dëshirë. Preferoj muzikën klasike dhe mjaft kompozitorë,  si Verdi, Moxart, Shubert, apo kompozitorët tanë Agim Krajka, Gazmend Mullai, Shpetim Saraci etj apo këngëtarët Celin Dion, Elton John, Vace Zela, Irini Qirjako, Artiola Toska, Bujar Qamili etj.

Kinemaja dhe aktorët shqiptarë dhe të huaj...

Preferoj filmin që shpreh një të vërtetë…veçanërisht dramat, apo filmat autobiografikë…por kjo s do të thotë që nuk dua të qesh dhe nuk i shoh komeditë…por do përjashtoja këtu filmat fantastikë apo horror, të cilët edhe pse kohëve të fundit, janë si të thuash në modë dhe harxhohen shumë marramëndëse në realizimin e tyre, nuk bëjnë pjesë tek të preferuarat e mia. Preferoj gjithashtu tatrin dhe mendoj që një aktor i vërtetë është i kompletuar nëse e ka lëvuar edhe këtë zhanërt të kinematografisë. Aktorët si Sandër Prosi, Bujar Lako, Kadri Roshi, Tinka Kurti, Mirush Kabashi, Margarita Xhepa, Roland Trebicka etj

Jeni e kënaqur me veten, për atë që i keni dhënë kulturës shqiptare?

Nuk mund të them që kërkoj pafundësinë, por edhe t´i them vetes “mjaft” se ke arritur shumë, s´do ja e thoja kurrë (edhe nëse mund të flisja pas vdekjes).

Vetë pyetja më duket mjaft madhore. Të japësh për kulturën shqiptare, do të thotë ti kesh dhënë popullit një mesazh me krijimtarinë tënde. Shpresoj të jem në shine të mbarë…dhe jo vetëm puna ime krijuese të jetë e frytshme në këtë drejtim, por edhe ajo në ruajtjen e gjuhës shqipe në emigrim, edhe vetë prezantimi i kulturës sonë në Gjermani, të jetë hap i duhur, ku unë jap dhe do vazhdoj të jap kontributin tim.

Kush janë personat të cilëve u je mirënjohës, në shkallë personale dhe kombëtare?

Ju jam mirënjohës familjarëve të mi, të cilën më kanë inkurajuar dhe kanë qënë gjithmonë lexuesit tim të parë, më kanë kuptuar dhe falur, edhe nëse për shkak të krijimtarisë s´kam qënë gjithmonë e pranishme ku duhet të isha… Ju jam mirënjohës shoqërisë sime…dhe jo vetëm asaj reale, tek të cilët kam gjetur pjesë krahësh, por do doja mos lija pa përmendur këtu, edhe mjaft persona …ndër të cilët edhe gazetarë, krijues, artiste kinematografie, piktorë, regjizorë…por edhe njerëz apo lexues të thjeshtë, që me mesazhet, komentimet e tyre, apo thjesht me praninë tyre, janë shndërruar në pjesë e mbështetjes sime. Ju jam vërtetë mirënjohës…Këta i takoj madje mjaft shpesh…në faqe apo gazeta elektronike, në facebook etj.

Faleminderit!

Cilët nga shkrimtarët tanë dhe të huaj preferoni?

Janë shumë, megjithatë do përmendja këtu, Migjeni, Poradeci, Kadare, Fishta, Agolli, Rreshpja, Camaj, J. Bllaci, Pessoa, Coelho, Neruda, Heinrich Heine, Pol Elyar, Goethe etj.

Me se po merreni aktualisht?

Normalisht jetoj një jetë që nuk do të ekzistonte pa të shkruarën, por kjo nuk do të thotë që më sheh vetëm në të shkruar. Krahas gjithçkaje tjetër, një vënd të rëndësishëm në jetën time, zë krijitaria. Jam në të shkruar të vazhdueshme. Nuk mund të them me saktësi se kur do të lindë libri i ri, por mund ta them me siguri, që do të lindë…

Mesazhi juaj për lexuesit e Zemra Shqiptare, për shqiptarët në përgjithësi dhe emigrantët në veçanti...

O shqiptarë kudoqofshi të kudoqofshi të shpërndarë:

Duajeni vendlindjen dhe gjuhën shqipe!

Urimi juaj për Pashkët...

Në jetë duhet të udhëhiqemi nga toleranca dhe kjo jo vetëm përsa i përket fesë, por mbi të gjitha mendimit. Duhet të mos paragjykojmë dhe  të dimë si të respektojmë. Meqënëse jemi në ditët e një ndër festave më të rëndësishme të fesë së krishtere, do t ju uroja gjithë besimtarëve që festojnë ketë festë: Ti gëzojnë pashkët. Harmonia dhe paqja mbretëroftë në çdo vatër shqiptare. E megjithatë, unë do ta mbyllja këtë shkrim me dy shprehje:

një të Pashko Vasës që thotë, “Feja e shqiptarit, është shqiptaria” dhe me një shprehje timen (njëkohësisht dhe moto timen):”Zoti im, është arti!”

__________

Poetja Alma Papamihali në pyetësorin e Prustit dhe  kalimi i saj nëpër çdo gërmë të alfabetit

Cila është frika më e madhe?

Nëse do verbohesha

Cili është udhëtimi yt i preferuar?

(Pas vendlindjes, ku dielli shkelqen edhe në dimër) do permendja Romën – Skulpturat janë një muzë e vërtetë për mua…

Cilat fjalë ose shprehje përdor më shpesh?

Shpirti im…Po

Pengu yt më i madh?

Nje “liber” i humbur (improvizim) me vjersha fëmijësh, shkruar me shkrim dore dhe lidhur me pe. Duhet të kem qënë 12-13 vjec.

Kur dhe ku ke qenë i lumtur?

Në gusht, në Tiranë.

Në ç’gjendje shpirtërore je tani?

Ndihem det i gjinisë femërore. Momentalisht jam thjesht një valë…por kjo s´do të thotë që dallgët si dua. Prej tyre lindin vargje të vërteta dhe jo të çfardoshmet fjalë…

Nëse do të mundeshe të ndryshoje diçka te vetja, çfarë do ishte ajo?

Të isha më e fortë, jo kaq e ndjeshme siç jam…sepse jeta mund të na ofroje situata nga më të ndryshmet që duhen përballuar (edhe të vështira, apo të papritura).  Ndonjëherë vuaj shpirterisht me shumë se ç´duhet…

Ç’gjë e konsideron arritjen tënde më të madhe?

Arritja ime me e madhe, është në moshën më të vogël…ditës që  erdha në jetë! 

Po të vdisje dhe të mund të rimishëroheshe në një tjetër njeri apo diçka tjetër, çfarë do të doje të ishe?

Mbase një Sirene …I adhuroj personazhet e përrallave.

Po sikur të mund të shndërroheshe në diçka, ç’do të doje?

Të shndërrohesha thjesht në nje „Laps“…Mbase do kisha një shpirt të fshehur; ne atë copëz të drunjtë dhe do vazhdoja të isha përsëri në lidhje të drejtpërdrejtë me vargun.

Cili është sendi më i çmuar që zotëron?

Një unazë me gur diamanti.

Ku do të të pëlqente të jetoje?

Kudo - Nuk ka rëndësi ku, por me kë!

Por nëse do duhej një përgjigje konkrete, mbase në një fermë me kafshë të ndryshme shtëpiake dhe kuaj.

Cila është karakteristika jote më e spikatur?

Janë disa…Ndjeshmëria, pasioni, por edhe vetmia shpesh, bëhet pjesë imja…dhe e kam të nevojshme.

Veçoria që pëlqen më shumë te një femër?

Nje femër është e bukur, sa edhe inteligjente…

Cili është heroi yt në art?

Lasgushi - Goethe

Cilat gjëra nuk të pëlqejnë fare?

Mbase dë përmëndja disa pika në këtë pyetje…

Nuk pëlqej, (madje denoj) mohimin apo anashkalimin e identitetit…

Ata shqiptarë që jetojnë jashtë trojeve  tona dhe ngatërrojnë gjuhën shqipe me gjuhën ku jetojne, apo ju humbasin fëmijëve të tyre, gjuhën e mëmës.

Nuk më pëqen mosmirënjohja, paragjykimi, rracizmi.

Cila është motoja jote?

Mos thuaj kurrë, kurrë!

***

Poetja Alma Papamihali nga A deri në ZH

A – Alma & Albania - I shoh të pandara me njëra tjetrën.

B – Bashkim - Le të jetë si fillim një bashkim shpirtëror, i shqiptarëve nga të gjitha trojet tona etnike.

C – Cicerimë – Tingujt e zogjve, që sinjalizojne ardhjen e pranverës.

Ç – Çanta – Për një femër, një bashkëudhetare e denjë.

D – Dashuria – Pa të, nuk do të ekzistonin as shumë prej vargjeve të mia.

Të dashurosh do të thotë, të prekësh një mrekulli që e sheh vetem ti.

Dh – Dhoma – Për mua ka rendësi të madhe dhoma e shkruajtjes, sepse gjendem mes librave dhe lapsit.

E – Era – E vetmja që të perkedhel pa duar.

Ë – Ëndrrat – Një „personazh“ besnik i vargjeve të mia…një ndjesi që mund të përjetohet edhe në jetë, nëse je në castin dhe vendin e duhur!

F – Fjala – Një fjalë e mirë nuk kushton asgjë, dhe mund të jetë edhe dhurata më e bukur!

G – Emri i dashurisë sime!

GJ – Gjermani – Vendi i dytë pas vendlindjes!

H – Hëna – Magjia dhe ndjesia që të jep,  sikur i përket secilit!

I – Ide – Më mire të dish, sesa të kesh (thotë një shprehje popullore).

J – Jeta  -  Procesi në të cilin njeriu humbet jo vetëm atë që është, por edhe atë që bën. Ndan një apel, për të bërë vetëm mirë!

K – Koha – Jo më kot e quajnë ndryshe të florinjtë!

L – Liria – E drejta që duhet ta gezojë gjithë njerëzimi!

LL – Llamba – Simbolizim i ndricimit të shkrimtarit.

M – Malli – Lind edhe poezi!

N - Nënë – Secili e shqipton ndryshe këtë fjalë!

NJ – Njeri – I vetmi, sa i thjeshtë, aq edhe ndërlikuar.

O – Ora – Nuk ka njeri që nuk e sheh të paktën njëherë në ditë!

P – Popull – I përkasim, të njëjtit ne që po lexohemi këtu.

Q – Qiell – Më sjell ndër mend paqen!

R – Rasti – Ndryshe quhet edhe mbreti i jetës!

Rr – Rruget – Pjesë e nostalgjive njerëzore!

S – Skënderbeu – Më bën të ndihem krenare që kam një paraardhës të tillë!

Sh – Shqiptare – Kam lindur dhe e tillë do të vdes!

T – Tirana – Qyteti i lindjes! E dua…

Th – Thjeshtësia – I thjeshti është njëkohësisht edhe i pasur!

U – Ujë – Rrjedha e tij të krijon ndjesinë e natyrës.

V – Vlerë – Gjithcka e ka një të tillë!

X – Xixëllonjat – Me japin ndjesi nostalgjie për femijërinë.

XH – Xhevahir Spahiu – Poet i dashur për mua.

Y - Yjet – Janë si miqtë…Edhe ne si shohim, janë për ne diku lart!

Z – Zoti - Aty ku njeriu, nuk has kufinj në mendim.

Zh – Zhvillim – Uroj që shqiptarët ta ndjejnë atë në vëndin e tyre.

Website: www.almapapamihali.com

E-mail: almapapamihali@yahoo.com