E diele, 22.12.2024, 06:09 PM (GMT)

Mendime

Fadil Lushi: Vjehrra me shumë nuse

E hene, 04.04.2011, 06:58 PM


“VJEHRRA  ME  SHUMË  NUSE”

 

Nga Fadil LUSHI

 

Dikur një nënë, a më sakt një “vjehërr” kishte pasur pesë “nuse”. Ato kishin jetuar toptan në një shtëpi me nënën, kurse burrat e tyre kishin shkuar në kurbet. Dikur, në një fundmot, ata ishin kthyer për pushime në shtëpi. Djali i madh e kishte pyetur nënën si ishte me shëndet dhe si i kishte nuset.

Nëna (së cilës ia kishin mbushur shpirtin me urrejtje, shpifje, thashetheme, derte e zehere) si ta kishte pasur majë gjuhe hazërxhevapin, i thotë: “Ah, mor biri im, m’u mbush shtëpia krejt gjumashe e spiune!?” Djali i madh, i zënë ngushtë nga kjo përgjigje flakë pushke dhe e papritur, deshi të kuptonte më shumë dhe shtroi edhe një nënpyetje: “Po si u bë kjo vaki, moj nënë..., nga na dolën këto gjumashe e këto spiune, kur ato nuk i ka mëhalla e jo më shtëpia jonë!”

Ndërkaq nëna, si nënë e vjehërr me pesë nuse nga pesë fise, që kishte një “mal vërejtjesh e ankesash”, iu drejtua djalit të madh me këto fjalë: “Eh, po ta them kështu ty, mor djali im, kur ju nuk jeni këtu pari, nuset flenë aq shumë, saqë ndonjëherë i zë dielli i drekës dhe kur zgjohen, një nga një futen në dhomën time për të rrëfyer hiletë e njëra- tjetrës. Hyn e para dhe thotë një llaf, futet e dyta e thotë dy llafe për të parën. Sa del jashtë e dyta, hyn e treta dhe thotë katër llafe për dy të parat, pastaj kur futet e katërta dhe i thotë ato të vetat. Dhe, së fundi, futet edhe e pesta (nusja më e madhe) për të thënë llafet e sajuara për katër të parat, por edhe një llaf shitues për mua, kinse unë paskësha qenë “kryeinformatorja dhe hileqarja” e shtëpisë së kurbetçinjve!?”

Të gjithë “nuset” këmbë e krye e kishin gënjyer atë vjehrrën e ngratë!

            Me një mesele të tillë do të ballafaqohet ditë më parë një institucion shtetëror, gjegjësisht legjislativ, atje në Prishtinë. Ata që kanë qenë atypari, pra në hapësirat e atij institucioni kushtetues, do të thonë se sekretaria (nusja e madhe) e asaj shtëpie (një sekretari që gabimisht e lexon dhe e interpreton ABC-në e rregullores së Kuvendit, do ta ngatërrojë skajshëm këtë kaptinë të legjislaturës) fillimisht duke ia davarit mendjen kryeparlamentarit (vjehrrës) kishte mëtuar ta “kontrabandojë dhe klandestojë” rregulloren e organit më të lartë ligjvënës të shtetit, sidomos kur bëhet fjalë për votimin e Behgjet Pacollit për president të Republikës së Kosovës. Duke u tunduar nga kjo vaki, shumë opinionistë, kolumnistë, qytetarë të rëndomtë, të ditur e të paditur, po edhe politikanë gjithandej trevave shqiptare, sot e gjithë ditën do të mëtojnë toptan ta shpjegojnë historinë e “ngatërruar politike” të biznesmenit Behgjet Pacolli!? Ca të tjerë analistë ose njohës të shkëlqyeshëm të politikës aktuale kosovare, fund e krye do ta kundërshtojnë zgjedhjen e Pacollit kryepar të shtetit të Kosovës, për këto dy arsye: gjatë votimit, Kuvendit i kishin munguar dy të tretat e deputetëve, e para dhe, e dyta, në këtë votim qenkësh kandiduar vetëm një person.

            Ndryshe, e gjithë kjo mbase ishte një shkelje e “qëllimshme” dhe një abuzim i standardeve të nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ose ishte diçka tjetër.

            Kjo “shkelje” (e qëllimshme) e procedurave ndoshta ishte pjellë e një mbrojtjeje të padrejtë nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës dhe e kryeministrit, Hashim Thaçi, i cili para se të formojë “qeverinë me paterica” u detyrua t’i nënshtrohet një partie politike që s’ka më shumë se tetë deputetë!? Në gjithë këtë rrëmujë politike, gojëkëqijtë do të thonë se një hise fajësie duhet t’i ngarkohet edhe Behgjet Pacollit, respektivisht presidentit të Kosovës në dorëheqje. Ky i fundit, do të thotë se zotëron të drejtën e mospranimit të fajësisë! Në instancë të fundit, rregullorja po edhe procedurat që në fillim u shtrembëruan a edhe u egërsuan toptan nga njerëz brenda Prishtinës dhe jashtë saj, ose edhe nga ana e politikanëve provincialistë. Se ata kishin të drejtë a jo, është një çështje relative.

            I gjithë ky shpjegim ndaj shkeljes së procedurave do ishte ters, por edhe i mangët, sikur të mos prekej edhe ana tjetër e kësaj historie. Ç’është e vërteta, ana tjetër e kësaj historie s’do mend se ka të bëjë me interpretimet e shëmtuara të standardeve të Kushtetutës, gjithsesi nga njerëz që nuk kanë kurrgjë të përbashkët me teorinë dhe praktikën juridike. Këto shkelje u hetuan që në kohën kur Ibrahim Rugova u shpall president i Kosovës, mandej një shkelje e tillë e Kushtetutës u “hetua” edhe gjatë shpalljes së Fatmir Sejdiut  president i dytë me radhë i Kosovës, të cilit “çuditërisht”, pas më shumë se dy vitesh, Gjykata Kushtetuese duke e shfrytëzuar autoritetin dhe pavarësinë e saj do t’ia “kontestojë” legjitimitetin për arsye se padrejtësisht paskësh ushtruar dy funksione: i pari - kryetar i partisë dhe i dyti -  president shteti!?? Kështu, për të respektuar deri në fund këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, president Fatmir Sejdiu jep dorëheqje të (pa) revokueshëm! (jo me fajin e tij)                   

Duke lënë mënjanë gjymtimet e sekretarisë së Kuvendit dhe të institucioneve të tjera kushtetuese, politika kosovare sot nuk ka nevojë për politikanë që do të kënaqnin egot e tyre, nuk ka nevojë për rehati, për luks politik e as për agallëk e fodullëk, nuk ka të drejtë të humbasë kohë sa u përket mosmarrëveshjeve ndërpartiake, për gjithfarë zënkash, nuk ka nevojë për politikanë që shtiren sikur flenë a nuk e dëgjojnë zërin e votuesit, nuk ka të drejtë dhe nuk ka kohë të krijojë krizë artificiale politike, sidomos tash, kur ajo (Republika e Kosovës) gjendet në një udhëkryq të rëndësishëm, sa politik po aq edhe historik! Tani kur janë në vazhdë e sipër bisedimet me Serbinë, (pavarësisht se ato kanë karakter teknik) sidomos tani kur Boris Tadiqi do t’i thotë Tiranës: “Ne do të dëshironim të zgjidhnim konfliktet historike që ekzistojnë për më shumë se 100 vjet mes serbëve dhe shqiptarëve”!? (Serbia, edhe kësaj radhe e gaboi adresën) Republika e Kosovës, sidomos tashti kur ka nevojë për njohje të reja, nuk duhet lejuar t’i shpërfytyrohet diplomacia nga politikanë të cilëve si gjithmonë ua do xhani të vishen me “rrobat e pushtetit, ca të tjerë me konfeksionin e korrupsionit dhe të tjerët me tirqit e gjyshërve të tyre!!?? 

            Tekefundit, politikës kosovare nuk i nevojitet fjalor i egër dhe i pamatur, fjalor që shpesh e prish edhe kuvendin e burrave e lë më shtëpinë e asaj “vjehrrës me shumë nuse”. Kosovës nuk i nevojiten politikanë, që luajnë rolin e plakut të mbetur, që nuk dëgjojnë e nuk shohin kurrgjë që bën vaki rreth tyre(!?), nuk ka nevojë për politikanë që u është ngjirur zëri i arsyes, që u është fishkur mbamendja pozitive, premtimi a edhe guximi.

            Populli që ka ngelur peng i një garniture të politikanëve të papërgjegjshëm dhe joseriozë, kohë pas kohe do të detyrohet të interpretojë rolin e tellallit, rolin e hatërçorit, atë të ndëshkuarit, rolin e atij “hyzmeqarit” që duhet t’i nënshtrohet urdhrit së padronit. Në instancë të fundit, nëse do vazhdojë kjo rrëmujë politike, Kuvendi do të vihet në pozitë të asaj “vjehrrës me shumë nuse”. (Megjithatë, kërkoj ndjesë nga nënat-vjehrrat që po i zë ngoje brenda këtij shkrimi).

            Se a do t’i përsëritë Kosova a jo zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ka pak rëndësi, se partitë politike do të kërkojnë zgjidhje të tjera rreth një emri për president “konsensual”, i cili do jetë i sajdisur nga të gjithë, edhe kjo ka pak rëndësi. Se Behgjet Pacolli do të divorcohet  politikisht me Hashim Thaçin, edhe kjo është pak e rëndësishme, se çfarë do të jetë nesër komunikimi i tyre, kjo gjë nuk meriton ndonjë përgjigje meritore. Me rëndësi do të jetë që zgjedhjet e parakohshme parlamentare (nëse do të organizohen) të jenë demokratike..., me prurje pozitive dhe cilësore, ndërkaq procedurat për zgjedhjen e presidentit të shtetit asnjëherë të mos abuzohen ose të shtrembërohen!

            Është një shprehje religjioze andej nga Shqipëria e Jugut, që kur njerëzit shkojnë te miqtë e tyre për ngushëllime, pos tjerash, për njeriun që është ndarë nga jeta thonë: “ZOTI E PASTË PRANUAR AFËR VETES”! Parashtrohet pyetja se kush duhet ta ngushëllojë këtë politikë dhe këta politikanë e në veçanti njerëzit që duhet ta lexojnë (drejt) Kushtetutën e kontrabanduar të Republikës së Kosovës, kush duhet ta ngushëllojë këtë politikë aktuale që dita-ditës “rritet e përparon si ai adoleshenti”, por që asnjeri nuk bën përpjekje që atij adoleshenti t’ i qepë rroba burrash!?

            Që politika duhet të bëhet nga politikanë, unë e kam ditur dhe e di, por ama që Kushtetuta mund të lexuakej dhe të interpretuakej nga politikanë dhe laikë, këtë nuk e kam ditur dhe vazhdoj të mos e di. Atëherë pse, edhe pas kushedi sa vitesh, ne shqiptarëve na duhet që me kaq “fanatizëm” t’i përsërisim këto gabime..., përse ne shqiptarët,  nuk mund të jetojmë pa i ngatërruar kompetencat, adresat e s’di çka tjetër. A mos, ndoshta, na mungon stigmatizimi ynë kolektiv ndaj të shëmtuarës?!

    

 P.S.

     Kushtetuta nuk mund të jetë servil (a servis) i politikës ditore!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora