E diele, 22.12.2024, 06:27 PM (GMT)

Mendime

Baki Ymeri: Gjaku i viktimave në themelet e pavarësisë

E diele, 03.04.2011, 06:59 PM


Osman Caka me dashamirët e tij në Kosovë (2011)
Osman Caka me dashamirët e tij në Kosovë (2011)

 

Gjaku i viktimave në themelet e pavarësisë

 

Nga Baki Ymeri (Bukuresht)

 

Të flasësh për dëshmorët, është sa krenari aq edhe përgjegjësim, thekson Bedri Tahiri në një shkrim të tij: „Ata, me gjakun e tyre u bënë themeltarë të lirisë e të shtetësisë sonë. Ata nuk kanë nevojë për fjalë të mëdha, sepse vetë janë të mëdhenj. Ata nuk kanë nevojë për lavdata, sepse janë lavdia vetë. Ata nuk kanë nevojë për ne, por ne kemi nevojë të krenohemi me ta.” N? mesin e tyre l?shon rreze drite edhe Ilir Caka, viktimë e violencës serbe dhe dëshmor i lirisë, një engjëll i shqiptarizmit për të cilin një poet yni, duke e përmendur Bekimin, ta përkujton Ilirin dhe të gjithë ata që derdhën gjak për liri,  pavarësi dhe çrobërim: “Fale Bekimin e dritën, o Zot/ Për Heronjtë e Vatanit,/ Për ata që me secilën qelizë/ Bartnin Dritë dhe Liri/ Për Kosovën e Përgjakur.” Qielli derdhej mbi lumin e përgjakur me gjakun e 14 shqiptarëve të vrarë të familjes Caka në prill të vitit 1999. Qielli rrjedhte së bashku me lumin dhe cicërimën e zogjve të trishtuar nga „tigrat” e zi. Qielli lotonte dhe koha lotonte e shelgjet lotonin dhe hija lotonte e zogjtë lotonin me lotin e dhembjes që e rrethokonte atë kohë të krisur në një vend të trishtë. Ne vdiqëm për lirinë tuaj, klithte zëri i viktimave me gjakun e shenjtë që u mbëltua në themelet e pavarësisë. Ç’ka bërë drejtësia kosovare për ndriçimin, identifikimin e kriminelëve dhe ndëshkimin e tyre? Kanë kaluar 10 vjet që nga koha e dorëzimit të padisë në Gjykatën e Komunës së Prishtinës, dhe gjykatësit e paguar me djersën shqiptare ende heshtin, ndaj mos të na habise fakti pse në vend që Kosova ta hedhë Serbinë në Tribunalin e Hagës për gjenocid, etnocid dhe holokaust, Serbia kërkon lesh në lëvore veshë, duke ia hedhur fajin palës shqiptare, duke e fshehur Ratko Mlladiqin dhe kriminelët e Arkanit të zi.

Osmani Caka vepron vullnetarisht, shpirtërisht dhe përzemërsisht për lobimin e Kosovës në Angli. Ai është një aktivist i dalluar i komunitetit të atjeshëm shqiptar që ka dhënë intervista edhe në TV BBC (14 qershor l999), në programin më të shikuar në Angli, prezent me edhe në faqet e Internetit edhe me artikuj nga shtypi anglez, për te dhe për Kosovën tonë. Kohëve të fundit Osman Caka parapregadit terenin për të prurë një ekip të futbollit nga Kosova dhe Shqipëria në një turne në Manchester, me lojtarë nga Gjakova, Lezha etj. Pritet që këtë vendim ta miratojë Drejtoria e Sportit dhe Federatës së Shahut në Manchester, ndërsa këto ditë i ka prurë 100 topa të futbollit për shkollat e Kosovës dhe Shqipërisë. Fotografitë më të reja dëshmojnë vizitën e tij në fshatin Krushë e Madhe, Mejë, Koretinë, Sheremet, Demjan dhe Bec, ku ka shpërndarë topa futbolli për nxënësit e shkollave fillore, duke qenë i shoqëruar nga Drejtori i shollës së fshatit Bec, zt. Marjan Ndoja. Nuk është as aksioni i parë dhe as i fundit i këtij shqiptari të prekur nga flatrat e atdhetarizmit dhe bamrësisë, duke patur parasysh faktin se edhe një gjest i këtillë donacioni sjell risi, anashkalon kujtimet e hidhura, mjekon plagët e dhembjes dhe përforcon shëndetin, ngase edhe këto lokalitete kanë qenë të prekura  në luftën e Kosovës.

Siç dihet, një nga meritat elementare të Osman Cakës është takimi me ish/kryeministrin Blear dhe inaugurimi i shtatores së Nënës Tereze në Mançester, që ka një domethënie të jashtëzakonshme, që simbolizon ndërlidhjen e duarve të Nënës Tereze me duart e nënës së Ilirit të tij, një ndërlidhje simbolike që justifikon të vërtetën se nënat shqiptare kanë lindur dhe do të lindin bij shqipesh që shkojnë gjurmëve të Gjergj Kastriotit, Nënës Tereze, Adem Jasharit, Ibrahim Rugovës dhe qindra mijë ushtarësh, dëshmorësh e martirësh që kanë rënë në fushë të betejës duke u përleshur me soldateskën serbe deri dje (1999), dhe me atë osmane deri para 99 vitesh (1912). “Unë nuk dua që të më afirmosh mua, na thot në një letër të tij, por dua që më shumë të bësh për kombin tonë të shumëvujtur me shekuj. Unë vetëm dua ta informoni botën se çka është bërë me popullin tonë. Por sa i përket  padisë ndaj serbëve kisha dashur që kjo të botohet edhe në gazetet e Kosovës. Qëllimi im është që të sensibilizohet opinioni dhe të ndikojë kjo padi që drejtësia të zgjohet nga gjumi kundër atyre që kanë bërë maskra dhe gjenocid në Kosovë gjatë luftës më l998-1999.”

 

Shtatorja e Nënës Tereze në Manchester
Shtatorja e Nënës Tereze në Manchester
E kam parë ujin e Lepencit të skuqej nga gjaku i vëllaut tim

 

Nga burime të verifikuara kuptojmë se më 13 prill (1999), policia dhe ushtria serbe kishin hyrë fshatin Dubravë të Laaçanikut, rreth orës 05:30 të mëngjesit. Pasi ishte rrethuar fshati, në orën 08:00 kishin filluar gjuajtjet nga tanket, mitralozët e rëndë dhe nga shumë lloje të tjera armësh. Në orën 08:15 të së njëjtës ditë, kanë rënë viktimat e para, thot me dhembje Osmani, duke e përkujtuar atë ngjarje të kobshme. “Në këtë fshat ishin vrarë Hebib Lami (17), Ramadan Gjokli (29), Ibrahim Lama i hendikepuar (23), Mahmut Caka (43) dhe Rrahman Lami (54 vjeçar). Gati të gjithë kanë qenë të masakruar, kurse njëri ndër ta i ka pasur gjymtyrët e thyera. Në fshatin fqinj, Sllatinë, ishin vrarë 4 të tjerë, po të njëjtën ditë, rreth orës 12:30. Hysen Elmazi (1948), së bashku me kushëririn e tij, Nazmi Elezin (1978), ishin qëlluar në kokë, respektivisht në gojë. Qemal Deda (1952) është vrarë para syve të motrave të veta. Këtu është ekzekutuar edhe dr. Vesel Elezi, ky  fundit i lidhur për një dru shelgu. Sipas “Kohës Ditore”, te Përroi i Cakës, gratë dhe fëmijët ishin mbledhur dhe një kohë të gjatë janë detyruar të qëndronin në këmbë. Gjatë kësaj kohe vazhdimisht i kanë kërcënuar me likuidim.

Vetëm 50 metra nga vendi ku mbaheshin gratë dhe fëmijët, janë ekzekutuar Kemal Salihu dhe Sabri Salihu, kurse është plagosur Shyqyri Halili, i cili rreth orës 23:00 ka vdekur. Një masakër tjetër më 13 prill (në orën 14:15), është kryer edhe te ura e Lepencit. Sipas Avni Zogianit, këtu ishte vrarë djali i Osmanit, Iliri 17 vjeçar, së bashku me Jakup Cakën (38) dhe Izahir Salihun (17). Izairi është gjetur i masakruar disa orë më vonë. Osman Caka trupin e Ilirit e kishte gjetur 3-4 kilometra nga vendi i ekzekutimit. “Me duart e mia i kam varrosur 11 trupa nga Dubrava dhe nga Sllatina, ndër të cilët edhe birin tim”, rrëfen Osmani duke mos mundur të përmbajë veten.  „E kam parë ujin e Lepencit të skuqej nga gjaku i vëllaut tim”, thekson Osmani në kuadrin e një shkrimi të Avni Zogianit në shtypin shqiptar. Duke bërë fjalë për masakrat serbe në fshatin Dubravë të Kaçanikut (13 prillit 1999), Osmani shton se „vëllanë tim e kanë goditur me tre plumba në kokë dhe ka rënë në ujin e Lepencit”, duke  ndërprerë për një çast tregimin për Bashkimin e tij, për të shtuar më tej: „i kam parë njerëzit me uniforma të mbyllta në krahun e të cilëve ishte shenjat e „tigrave” të Arkanit në fshatin tonë”.

Më 24 tetor të vitit 2001, Osman Daut Caka nga fshati Vatë i Komunës së Kaçanikut, i drejtohet me një padi Prokurorisë Publike të Qarkut të Prishtinës, duke propozuar që kundër të paditurve të ngritet aktakuza për veprim barbar kundër njerrëzimit dhe krimeve të luftës, për grabitje, plaçkitje dhe dëbim nga trojet tona etnike: „Kërkoj nga organet e Drejtësisë së Kosovës, nga Prokuroria e Qarkut dhe Gjykata, që ky rast të mirret seriozisht për veprat e kryera më 13 prill në lokalitetin Lamaj, Cakaj (BL Dubravë, KK Kaçanikut), që të përgjigjen të gjithë ata që kanë kryer vepra penale kundër njerrëzimit të mirren masa dhe të përgjigjen para Drejtësisë kosovare.”  Sipas padisë zyrtare të regjistruar (PP Nr. 464/o1), të paditur janë: Radosllav Ognjanoviq, Lubisha Boshkoviq, Veselin Tomiq, Jovica Janiqijeviq, Dragan Janiqijeviq, Stojan Jankoviq, Sasha Cicmilloviq, Igor Janiqijeviq, Tomisllav Janiqijeviq, Vlladimir Cicmilloviq, Millan Betegallo, Boshko Stanojkoviq, Vukashin Cicmilloviqi, Nebojasha Dobrosvaleviq, Sava Stankoviq, Vllasta Dobrosavleviq dhe Ivica Dejanoviq. Në kuadrin e kësaj padie përshkruhen veprat penale lidhur me masakrën e 13 prillit në lagjen Lamaj, Cakaj të BL Dubravë të Kaçanikut, me pushkatimin e njëmbëdhjetë viktimave civile dhe zënien rob të pesë personave te „Ura e Lepencit” në fshatin Doganaj (KK Kaçanik). Në këtë kontekst, të kësaj padie jepet edhe lista e 41 serbëve të mobilizuar nga Kaç i vjetër gjatë luftës në Kosovë (Shih faksimilin!). (Fragment nga libri Shqiponja e Mançesterit)

 

 

BOX

 

Komente që e shoqërojnë artikullin “Zgjohu nga gjimi, Kosovë!”

 

Sami Islami: I nderuari z. Ymeri! Politika shqiptare është unikale në botë, në mos për asgjë, bile për neglizhencën e pashoqe. Kjo politikë po vepron në stilin "Gjarpëri që nuk me kafshon mua, jetoftë 100 vjet" Edhe poltika jonë kështu po vepron. Janë lidhur ata zotërinj për karrikë dhe nuk shohin aq më larg. Vetë fakti se Kosova "pranoi" të bisedonte me Serbinë "për çështje teknike", pra pa kushtëzime, tregon se jetët e shqiptarëve janë të lira, si vrasja e djalit të zt. Caka, si vrasja tani edhe më e reja në Ranilluk të Gjilanit. Edhe unë i bashkohem thirrjes suaj, që Kosova, dhashtë Zoti, të zgjohet më në fund nga gjumi! (27/03/2011).

Atdhetari: Shkrimet e Baki Ymerit janë shumë të qëlluara dhe shumë me vend për kombin shqiptar. Unë kisha falënderuar zotin Ymeri për një shëndet të mirë dhe të lumtur. (27/03/2011).

Mërgimtari nga Gjarmania: Të përgëzoj për këtë shkrim zt. Baki Ymeri. Dhashtë Zoti e ta lexojnë ata të cilët është dashur të marrin hapat e parë në këtë drejtim: politikanët dhe Drejtësia jonë. Koha po kalon, e politikanët tanë po merren me karrige e jo me këtë që ju aq bukur, realisht dhe me të drejtë e keni shtruar në këtë shkrim. Dhasht Zoti e kthjellen tani e tutje, zgjohen nga gjumi, siç e keni thënë edhe ju! (27/03/2011).

Nazmi Demishau: E përgëzoj zt. Baki Ymeri, për këtë punim kaq të ndjeshëm dhe po aq të rëndësishëm. Gjithashtu, dëshiroj t'i përshëndes edhe komentuesit; zotëriun me pseudonimin "Atdhetari" si dhe zotin Sami Islami për komentet që kanë dhënë. Unë, për të gjitha këto që janë evidentuar aq bukur në këtë punim, së pari do të sugjeroja që të konsultohet Kushtetuta dhe të shikohet a i parasheh ajo gjithë kërkesat, të cilat me vend i ka parashtruar zoti Ymeri. Ma merr mendja që ato ekzistojnë. Po qe se ekzistojnë, atëherë del se Prokuroria e Përgjithshme nuk është duke e kryer punën e saj, përçka duhet të kërkohet llogari. Nëqoftëse nuk ekzistojnë në Kushtetutë, me anë të Amandamentave duhet që të plotësohet Kushtetuta. Meqe kjo çështje është vonuar për një dekadë, thirrja e zt. Ymeri për "zgjuarje nga gjumi" kërkon iniciativën e shoqatave ose organizatave joshtetërore që ta ngrejnë popullin në demonstrata paqësore të njëpasnjëshme, derisa kërkesat e tyre të mirren në konsiderim dhe të plotësohen. "Liderave" (të cilët besoj dhe për këtë nuk kam asnjë dyshim se janë të obliguar me Kushtetutë që të shikojnë që Kushtetuta të respektohet dhe çdo shkronjë e saj të vihet në shërbim të popullit, (pra, të realizohet në përmbushje të nevojave të shtetasve të saj) të mos i jepet mundësia që të vazhdojnë në pushtet por, me anën e Votës të shkarkohen nga postet që mbajnë. Për t'u arritur të gjitha këto, duhet patur parasysh që në asnjë mënyrë nuk duhet të vijë në shprehje violenca. Marrja e ligjit në duar të individëve në asnjë mënyrë nuk konstituon ekzistencën e një shteti me rregulla, me ligje dhe me popullsi të civilizuar e, aq më pak demokratike. (27/03/2011).

Osman Caka në fshatrat e Kosovës ku ka shpërndarë topa futbolli për nxënësit e shkollave fillore.
Osman Caka në fshatrat e Kosovës ku ka shpërndarë topa futbolli për nxënësit e shkollave fillore.

Lista e serbëve të mobilizuar gjatë luftës në Kosovë
Lista e serbëve të mobilizuar gjatë luftës në Kosovë



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora