E diele, 22.12.2024, 11:34 AM (GMT)

Mendime

Adrian Çollaku: Veturat e turpit

E premte, 25.03.2011, 07:37 PM


Veturat e turpit

 

Shkruan Adrian Çollaku

 

Veturat superluksoze vazhdojnë të jenë imazhi i politikanëve kosovarë. 12 vjet pas luftës ata vazhdojnë të identifikohen me vetura të markave të fundit, truproje në të gjitha anët, veshje të shtrenjta e lukse të tjera, duke ndjerë veten si “Zot” të këtij vendi.

Sikur nuk u mjaftonin veturat që kishin aktualisht, që janë me mijëra të tilla e vlejnë qindra mijëra euro, bartësit e institucioneve të vendit për këtë vit, vetëm për vetura të reja, kanë ndarë hiq më pak se 1 milion e 500 mijë euro.

Ky luks i qeveritarëve tanë është jashtë çdo logjike të shëndoshë.

Derisa varfëria në Kosovë shënon rritje të vazhdueshme, sidomos pas shtrenjtimit të bukës dhe të artikujve tjerë të domosdoshëm ushqimorë, politikanët kosovarë vazhdojnë luksin e tyre. Madje pa fije turpi e ndërgjegjeje. Për ta duket se nuk ka shumë rëndësi se si jetojnë qytetarët dhe si arrijnë ata të sigurojnë mbijetesën. Për ta nuk ekziston qytetari, sepse ata qytetarin e shohin vetëm si votues, ndërkohë që e njohin vetëm në kohë zgjedhjesh. E, natyrisht se pas përfundimit të zgjedhjeve, qytetari më nuk është i rëndësishëm dhe nuk ka kurrfarë peshe.

Ky shpenzim enorm në vetura luksoze është po ashtu edhe në kundërshtim me parimet e proklamuara pas ardhjes në pushtet të kryeministrit Hashim Thaçi. Ai menjëherë pas fillimit të mandatit të parë kishte marrë një vendim, përmes së cilit synonte që të ulte shpenzimet qeveritare. Por, sa u zbatua ky vendim? Thuajse asnjëherë. Ky vendim i qeverisë ishte vetëm një marketing politik, kinse kjo qeveri është transparente, racionale dhe nuk bën shpenzime të “panevojshme”.

Pak kohë pasi nxori këtë vendim, kjo qeveri ishte vetë ajo që e shkeli atë. Luksi vetëm sa u rrit. Shpenzimet milionëshe për vetura u shtuan thuajse vit pas viti.

Kosova ka pasur mijëra e mijëra kërkesa e nevoja më të arsyeshme për t’i investuar këto para. Pse të mos investohen këto para në shëndetësi, ku pacienti kosovar çdo ditë e më tepër po i vuan pasojat e një sistemi, i cili po keqqeverisjet dhe po keqmenaxhohet. Pse këto para të mos investohen në forcimin e sistemit të drejtësisë, që është një nga fushat më të dobëta të shtetit tonë, pasojat e të cilit sot po i vuan tërë shoqëria e Kosovës, si rritja e korrupsionit, krimit të organizuar etj.

Lista e fushave ku ka pasur nevojë për investime urgjente është shumë, shumë e gjatë...

Këto lukse të panevojshme të qeveritarëve pa dyshim se do t’i dëmtojnë më së shumti tatimpaguesit kosovarë dhe do t’i zhgënjejnë ata. Për më keq, derisa në shumicën e vendeve të rajonit, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian gjithnjë e më shumë po shkurtohen shpenzimet në vetura dhe në privilegje të zyrtarëve shtetërorë (për shkak të krizës globale ekonomike), në Kosovë po ndodh e kundërta.

E dimë se kohë më parë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha si dhe presidenti i Francës, Nikolas Sarkozy, kishin marrë vendim për reduktimin e makinave dhe të shumë privilegjeve të zyrtarëve të lartë, në mënyrë që të bëjnë shkurtimin e shpenzimeve. Këtë e kanë bërë edhe shumë udhëheqës të tjerë shtetërorë. Dhe nëse këto veprime të krerëve të këtyre vendeve krahasohen me veprimet e qeveritarëve tanë, atëherë pa dyshim se në këtë situatë kemi të bëjmë me një paradoks në vete, që flet për papërgjegjësinë totale të zyrtarëve tanë qeveritarë, për keqpërdorimin e djersës së qytetarëve, për mostransperencën e punës së tyre etj.

Institucionet e Kosovës duhet që t’i shkurtojnë shpenzimet në vetura, lukse, privilegje..., e jo ta shkurtojnë buxhetin për barna, për gjyqësi apo për fusha tjera të domosdoshme për funksionimin normal të shtetit dhe për nevojat e qytetarëve. Shteti funksional dhe demokratik mund të ndërtohet vetëm me qeverisje demokratike, transparente, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse. Vetëm kështu mund ta përmirësojnë imazhin e shtetit dhe të vetes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora