E hene, 23.12.2024, 07:26 AM (GMT)

Speciale » Namani

Ekskluzive: Qazim Namani - Fusha e Kosovës, fusha e kështjellave

E merkure, 23.01.2008, 06:50 PM


FUSHA E KOSOVËS, FUSHA E KËSHTJELLAVE

KOSOVA-CASSOVA

Nga Qazim Namani

Cascova=Cassoua=Casstel+ova=Fusha e kështjellave

Fusha e Kosovës= Fusha e kështjellave

Rreth ubikimit të qytetit mesjetar CASCOVA[1] kemi të dhëna nga studiues të ndryshëm. Disa studiues  shqiptarë i përqafuan hipotezat e studiuesve serbë duke  menduar se ky emërtim ka etimologji sllave, ku fjala kos e emërton shpendin e mëllenjës, duke pohuar se me emrin e këtij shpendi ka shumë vendbanime në shumë vende ku banojnë sllavët.

Si pas disa studiuesve shqiptarë që merren me etimologji në Kosovë ekzistojnë vendbanime të regjistruara me këtë emër në defterët osmanë të shek. XV. Skënder Gashi shkruan se  Ilaz Rexha për një katund me emrin Kosovc, mendon se ishte katundi Kosovicë në malësinë e Gallapit. Emrin Kosovicë e mbanë edhe një lagje e sotme e fshatit Strezofc. Disa studiues këtë lokalitet mendojnë se duhet kërkuar në rrethinën e Ferizajt, në fshatin Kosin apo në Varosh. Martin Segoni nga Novobërda i cili prej vitit 1474 jetoj në Padovë të Italisë dhe si ipeshkëv në Ulqin, kishte shkruar për  Novobërdën dhe e përmend një vend-luginë me emrin Kosovica, ku në njërën anë të kësaj lugine shtrihet Prishtina kurse në anën tjetër Novobërda. Bazuar në të dhënat e Segonit, i cili e njihte mirë terrenin, mund të pohojmë se fjala është për rrjedhën e lumit të sotëm Prishtina, pasi ai vjen nga malet e Gallapit, është konsideruar si degë e lumit Llap. Po ashtu pasi që  Segoni thotë se, Kosova ishte në rrjedhën e lumit Llap, unë mendoj se,  kjo luginë mund të këtë qenë lugina e fshatit Grashticë-Mramuer, ku nga kjo luginë në njërën anë mbetet Prishtina kurse në anën tjetër mbetet Novobërda. Këtë mendoj se e vërteton edhe emri i katundit Kosino, që përmendet bashkë me katundin e sotëm Busi, sot lagje e Mramurit, po ashtu dhe katundi Xhylkova sot Kilkov në mes së fshatrave Marec-Mramuer. Për më tepër, edhe humanisti raguzas, Alovsius Cervinus Tubero e përmend Kosovën në veprën e tij të botuar më 1603, kur shkruan për betejën e Kosovës tregon se, në atë betejë morën pjesë dardanët, ilirët dhe maqedonasit. Këtë e thotë në një kronikë të shek. XVI dhe Jeraksi, Logotheti i madh i Patrikanës se Stambollit përshkruan se, në atë betejë, morën pjesë arkontë nga Arvanitia=Shqipëria dhe nga viset që quhen Dardani=Kosovë. Një burim i shek. të XV tregon se tregtaret që shkonin nga Prishtina për në Vushtrri duhej të kalonin nëpër pyje apo shkurre, pra nëpër baschi di Cassova. Nga kjo kuptojmë se prej Prishtinës, për në drejtim të Vushtrrisë por edhe të Podujevës për gjatë rrugës, kishte kështjella që vëzhgonin rrugëtimin e tregtarëve perëndimorë. Perëndimorët këtë rajon e cilësonin si tokë e pasur. Stojan Novakoviq kujtonte se qyteti Cascova ishte i imagjinuar, por nëse ka ekzistuar mendon se ishte Janjeva duke e mohuar thënien e gjeografit turk Haxhi Kallfa, i cili qytetin Kosova në shek. e XVII e cilësoi si kadillëk. Kosova sipas Haxhi Kallfës është quajtur edhe Pallashima. Georg von Hahn propozonte që qytetin Kosova duhet kërkuar një orë udhë larg në jug të Janjevës. Kryeipeshkvi i ipeshkvisë së Shkupit, Don Mihal Suma, shkruan me 1632 se vendbanimi Kosova i përkiste famullisë së Janjevës. Në shkrimet e shek. të XVIII kur shkruhej për betejën e Kosovës në mikroregjionin e Kosovës përmendet edhe Zveçani, Graçanica, Fusha e Kosovës, Prishtina, Lipiani etj. Fusha e Kosovës e rrethuar me një varg kështjellash si Veletini, Gadimja, Surqina, Zhitia, Kaçaniku Burrniku, Petriqi, Jezercit, Suka në Kreshtë të vogël afër Kosharës, Halilaqi, Bardh i madh, Kështjella e qytetit në Vushtrri, Dubovci, Strofci, Kollë, qyteti i Trepçës (Mazhiq-Rashani-Smrekonica), Banjë, Barileva, Siqeva, Tenezhdolli, Grashtica, etj., mendojmë se japin elemente të mjaftueshme për ta kuptuar se fusha e Kosovës nuk është fusha e mëllenjave, si është shkruar në literaturën sllave dhe të huaj nën ndikimin e saj, ashtu si mendojnë disa studiues shqiptarë por është fusha e kështjellave, fusha e një qytetërimi shumë para ardhjes së sllavëve ne këto hapësira. Mendoj se edhe rrafshina e Llapit në komunën e Podujevës, është quajtur nga popullata autoktone shqiptare “Kosova e vogël” vetëm për shkak se rrethohet me një varg kështjellash dhe qytete të pasura me minierat e njohura si Bellasica, Berveniku, pastaj kështjellat e Braines, Ballocit, Tenezhdollit, Koliqit, Gllavnikut, Sharbanit etj. Edhe Kosovica si lagje e Strezocit e cekur më lartë kufizohet me një varg kështjellash dhe qytete përreth si: Qyteti i Marecit-Gllogovicës, Novobërda, Kulina e Dardanës, Kulina e Krilevës, Grexhenikut, Busavatës, Kremenatës, por mund të jetë dhe vetë Strezoci pasi është dëshmua si lokalitet i rëndësishëm arkeologjik etj.,  që dëshmojnë për një rajon kështjellash. Një karakteristikë të tillë e hasim edhe në rajonin e Ferizajt, Vushtrrisë, Mitrovicës, Lypjanit dhe komuna tjera që territori i tyre shtrihet në rrafshin e Kosovës, në të cilat janë evidentuar një varg i kështjellave. Përveç ndërtimit të kështjellave në bregore dhe male që e rrethojnë fushën e Kosovës, kishte vendbanime të fortifikuara dhe në vetë rrafshin e Kosovës si: Qyteti Ulpiana (Justiniana sekonda), Lypjani i vjetër (Justiniana Poli), Vushtrria, Prishtina, Surqina, pastaj themelet e vjetra në Pestovë, etj., që lënë të kuptojmë se këtë kështjella kishin prona të mëdha në fushën e Kosovës. Avni Këpuska në librin e tij “Qenësia e territorit dhe e kufijve etnikë autokton të Kosovës” shkruan se Kosovën e hasim në variante të ndryshme të shkruar, por më të shpeshta janë: Kasava, Kasova, Kosuva dhe Kosova. Nëse kemi parasysh trajtat më të hershme- Kasava ose Kasova-segmentimi i përbërjes së tyre jep kas-a dhe va, që të dyja terma gjeografikë. Interpretimin e parë gjeografik të emrit “Kosova” e ka bërë akademiku Josip Rogliq, i cili thotë se janë terminologji të gjuhës ilire. Sipas interpretimit të Rogliqit dhe studimit të Muharrem Carrabregut “Çelësi i Sistemit Ilirik të Emrit gjeografik”, termi Kas-a përmban kuptimin e një kodre, mali ose shkëmbi. Në Dalmaci janë dy fusha karakteristike të quajtura Kosovo, për të cilat Pop Duklanini thotë se etimologjia e tyre i ka rrënjët që nga kohët ilire. Në bazë të termit gjeografik Kas janë gjithashtu edhe emrat: cassel, castel, cashtel, castelli.[2] Prof. Dr. Skender Riza, po ashtu mendon se fjala Kosovë duhet të jetë fjalë e lashtë, ndoshta ilire apo thrake sepse emrin Kosova e hasim në shumë vise të Gadishullit Ballkanik: në Bosnjë quhet një vend Fushë Kosovë, në rrethin e Dibrës ekziston fshati Kosovë, në Dalmacinë jug-lindje të fushës së Kninit, gjendet një fushë Kosovë nëpërmjet të së cilës rrjedh lumi Kosovnica, në jug-lindje të Elbasanit ekziston fshati Kosovë, po ashtu edhe në rrethinën e Gjirokastrës gjendet fshati Kosovica, etj.[3]

Nga të dhënat e cekura më lart, mund të pohojmë se etimologjinë e emrit Kosova duhet kërkuar nga fjala latine për kështjella Casstel=Kështjellë dhe prapashtesa latine dhe turke ova=fushë që do të thotë fusha e kështjellave, nga ky version ka dalë dhe emri për Preshevën si Presh dhe prapashtesa turke ova që ka kuptimin fusha e preshit, pastaj Gjakova=Jakova që ka kuptimin fusha e Jakut etj.  Studiuesit tanë duhet lënë anash të gjitha shkrimet sllave që janë shkruar rreth emrit të këtij lokaliteti në mesjetë, duke dhënë versione të reja shkencore për këtë emërtim. Nga burimet e cekura më lartë,   tani është e ditur se këtë qytet duhet kërkuar në anën veri-lindore të qytetit të sotëm të Prishtinës. Prof. Skender Rizaj mendon se ky qytet është Bellasica në rrjedhën e sipërme të lumit llap. Mendoj se Belasica duhet të jetë kalaja Belas e rindërtuar në kohën e Perandorit Justinijan të cilën e përmend Prokopi i Cezaresë, e cila gjendet te fshatrat Sylevic dhe Murgull të komunës së Podujevës. Në territorin e këtyre fshatarëve ka zgjyrë metalesh dhe gjurmë të vjetra qytetërimi. Ky lokalitet  ka një largësi prej Prishtinës, diku rreth 70km. Bazuar në të dhënat e deri tanishme për Kosovën si vendbanim-qytet mesjetar, mendoj se këtë lokalitet duhet kërkuar më afër vendit ku thuhet se   është zhvilluar beteja e Kosovës. Emri i lokalitetit të Kosovës mendoj se ka të bëjë me ndonjë kështjellë dardane, por i përshtatur në gjuhën sllave për të krijuar më vonë  mitin për Kosovën. Ka shumë mundësi që emri i kështjellës CASTELONA e përshkruar në listën e rindërtimeve të kështjellave në dardani nga Prokopi i Cezares, të jetë deformuar në variantin sllav CASSOVA-CASOVA-KOSOVO, andaj me këtë çështje duhet të merren studiuesit tanë më eminentë të historisë dhe gjuhës.

   Pas betejës të lumi Marica(1371) Osmanët i vazhduan pushtimet e tyre, ata me 1375 e pushtuan qytetin e Nishit, kështu ju ofruan territoreve të kontrolluara nga princ vendorë të cilët duke parë rrezikun organizuan një aleancë në të cilën përveç shqiptarëve nga Dardania (Kosova), morën pjesë edhe princë shqiptarë nga trevat tjera shqiptare; beteja u zhvillua në Plloqnik (1386). Pas kësaj beteje Sulltan Murati i I solli përforcime nga Azia e Vogël por dhe nga Gadishulli Ballkanik, ku në anën e sulltanit morën pjesë dhe vasal serbë si; Konstantin Dejanoviç, mbreti Marko si edhe disa shqiptarë nga Epiri dhe Thesalia. Beteja u zhvillua në Kosovë.[4]

  Kosova përmendet si lokalitet i vjetër xehetar në vitin 1423, që e kishte ligjin e vet të kodifikuar më 22 Mars 1488. Ky ligj ndahet në 16 paragrafë, që i rregullonte të gjitha çështjet ekonomike, politike dhe sociale të vendit. Cassova (Kosova) shënohet si vendbanim në hartat e Evropës nga fundi i shek. XV. Po ashtu në “Tabela Moderna, Polonia, Ungarie….”të Bontentance më 1507 është shënuar Kosova (Cascova) si lokalitet, pastaj Gasteldi më 1548, në Venedik boton “Tavole nouva di schiavonia”, ku paraqitet Kosova si lokalitet. Prej vitit 1570-1580 Kosova si vendbanim përmendet në tri fermanë që kanë të bëjnë me vjeljen e taksave, kurse në katër fermanë nga vitet 1579/80, 1588, 1595 lidhur me falsifikimet e monedhave dhe trazirave.    Prof. Skender Rizaj shkruan se në ligjin mbi xeherore në kohën e sundimit të Sylejman Kanunit (ligjdhënësit), Kosova ose me emër tjetër Bellasica përfshihet në mesin e xehetar kryesore të Perandorisë Osmane. Në vitin 1565 Kosova kërkonte ekspertë për mihjen e minierave, ku sipas fermanit të vitit 1574 lartësia e qirasë të xeherores së Kosovës-Bellasicës ishte 300.000 akçe. Sipas Haxhi Kallfës më 1650, Kosova ndodhej në mes Prishtinës dhe Kushumlisë, dhe kishte 19 ditë rrugë nga Stambolli. Nga një tregtar Dubrovnikas Kosova përmendet ne vitet 1660,1661 si lokalitet prej nga Dubrovnikasit kanë transportuar lesh. Kosova për herë të fundit përmendet në vitin 1689 kur kishte rënë në duar të austriakëve.[5] Sipas një shënimi anglez, Kosova gjendej 7 mila në verilindje të Prishtinës. Në afërsi të këtij qyteti është zhvilluar beteja e Kosovës në të cilën turqit nën komandën e sulltan Muratit I, më 15 Qershor 1389 fituan kundër koalicionit ballkanik.[6]

Bazuar në këtë shënim anglez dhe të dhënave në terren, mund të pohojmë se kjo e dhënë është më e sakta për ubikimin e qytetit të Kosovës. Sipas hulumtimeve në terren mund të pohoj se ky lokalitet mund të jetë qyteti i Grashticës-Mramurit që i përgjigjet distancës së cekur prej 7 mila dhe po ashtu ky lokalitet gjendet në pjesën verilindore të Prishtinës. Në Grashticë ekzistojnë dy kështjella të ngjitura mes vete, kalaja e vogël dhe kalaja e madhe, të cilat e kanë dhe rogën e qjytetit. Në kala vërehen muret rrethuese dhe kisha jashtë mureve rrethuese, ku janë gjetur dhe tulla të periudhës romake. Poshtë kalasë për gjatë rrjedhës së lumit në gjatësi prej rreth 1 km ka themele po të njëjtës periudhë. Po ashtu buzë lumit është zbuluar një kishë paleokristiane, themelet e objekteve në vendin e quajtur “Hanishte” dhe sistemi i ujitjes në hyrje të fshatit Mramuer. Pak më lart në fshatin Mramuer ekzistojnë themelet e manastirit. Këtu i hasim dhe toponimet lugu i gjytetit, lugu i kishës, zgjyrë të metaleve që kanë mbetur nga shkritoret e mineraleve, po ashtu në fshatin Mramor në lokalitetin lugu i gjytetit mbi ugria ka mbetje të themeleve të objekteve, pastaj lugu i manastirit. Për ekzistimin e këtij qyteti do të dëshmonte ndoshta dhe ruajtja e mbiemrit Kosova të disa banorë të Prishtinës dhe Prizrenit deri në ditët e sotme. Në këtë lokalitet po ashtu ka zgjyrë metalesh, Suka e Radashecit-Grashticës në popull quhet edhe “Sulltan tepe” që na shtyn të mendojmë se pikërisht në këtë kodër ishte vendosur vetë Sultan Murati i parë i cili vëzhgonte situatën në betejën e Kosovës. Është me rëndësi të ceket se nga kjo kodër duket vendi ku thuhet se u zhvillu beteja e Kosovës. Jo larg nga suka e Radashecit-Grashticës gjendet kalaja e Siqevës (Kodra e Kunës), të cilës i vërehen muret e objekteve, po ashtu në kodrën e Kunës janë themelet e një kishe nga e cila janë dalë disa tjegulla dyshemeje me ornamente dekorimi të periudhës romake. Duke i  shtuar dhe gjurmët tjera në fshatrat përreth, mund të pohojmë se shënimet e kronistit anglez për Kosovën janë të sakta dhe këtë qytet duhet kërkuar në territorin e lartcekur.



[1] Prof. dr Skender Rizaj, “Kosova gjatë shek.XV,XVI dhe XVII” Prishtinë 1982, fq. 215

[2] Avni K Këpuska “Qenësia e Territorit dhe e kufijve etnik autokton të Kosovës Prishtinë 2003 fq. 140-142

[3] Prof Dr. Skënder Rizaj, “Kosova gjatë shekujve XV< XVI dhe XVII” Prishtinë 1982 fq. 273

[4] Prof. dr. Skënder Rizaj “Kosova gjatë Shek. XV,XVI,XVII” fq 16

[5] Prof. dr. Skënder Rizaj  Vjetar nr. XXIX_XXX fq. 175,176 Prishtinë 2003

[6] PO aty fq.177



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora