E enjte, 26.12.2024, 01:19 PM (GMT)

Mendime

Adnan Abrashi: Nacionalizmi shqiptar në Kosovë pas vitit 1999

E shtune, 12.03.2011, 07:59 PM


NACIONALIZMI SHQIPTAR NË KOSOVË PAS VITIT 1999

 

Nga Adnan Abrashi

 

Edhe pse profesionalisht nuk jam ekspert i sociologjisë e as i shkencave politike, në lidhje me shtjellimin mbi nacionalizmin shqiptar në Kosovë, do të tentoj gjithnjë të jem origjinal.  Fillimisht kisha dashur të bëjë një digresion dhe të ndalem për disa momente rreth definimit të nocionit “nacionalizëm” dhe si e kuptoj unë atë. E thënë në vijat e trasha, për mua nocioni “nacionalist” ka domethënien e një ndjenje psikologjike të krenarisë emocionale pozitive të një individi ndaj përkatësisë vetjake, një grupi me gjenezë të ngjashëm etnike, pra nga pikëpamja e gjuhës, kulturës dhe gjakut të përbashkët.  Me keqardhje duhet të konstatoj se, shumica prej nesh, e veçanërisht mjaft intelektualë, publicistë, politikanë dhe të tjerë, në përdorimin praktik, qëllimisht apo nga lajthimi, nocionin nacionalizëm, e orientojnë kah domethënia e SHOVINIZMIT, i cili, në fakt, ka të bëjë me një egocentrizëm kolektiv të shfaqur në trajtën më reaksionare dhe më të shfrenuar, që shpreh një kolektivitet i cili shpall epërsinë e vet mbi popujt tjerë, duke nxitur e ndezur armiqësitë, grindjet dhe urrejtjet ndërmjet kombeve e racave të ndryshme. Ta dush veten si popull, të ndjehesh krenar për atë çka je dhe të angazhohesh në drejtim të realizimit të synimeve kolektive të etnitetit tënd, në asnjë mënyrë nuk nënkupton urrejtjen ndaj të tjerëve, por, përkundrazi, është cytje e natyrshme në drejtim të ngritjes së vetes kah e lartësuara e përgjithshme gjithënjerëzore. Paralelisht me nocionin nacionalist, në publicistikën tonë të përditshme hasim edhe në një term tjetër, PATRIOT (dashuri ndaj atdheut) që, në shikim të parë, na duket se kemi të bëjmë me sinonimin e të parës. Por, edhe pse në esencën e domethënies së këtyre dy fjalëve është “brumi” i njëjtë, (dashuri ndaj popullit - dashuri ndaj atdheut) unë ato i ndaj si dedikime me kuptime logjikisht të ndryshme, sepse nacionalizmi shpreh bindjen e thellë të ndjenjës së krenarisë ndaj përkatësisë vetjake kombëtare dhe është tërësisht e natyrës emocionale. Ndërsa, në anën tjetër, patriotizmi si atdhedashuri, përveç anës emocionale si bindje, pretendon në veprim konkret të angazhimit në këtë drejtim. Pra, të jemi më pragmatikë: nacionalistët tregohen në bindje, ndërsa patriotët në veprime. Andaj, vetë fakti se këto dy nocione si domethënie mes vete kanë lidhshmëri koherente, patriotizmi tregohet si niveli më i lartë i nacionalizmit të kurorëzuar në veprim. Çdo individ si qenie fizike, njëkohësisht është edhe qenie psikologjike. Si qenie psikologjike, ai po ashtu ndërtohet nga pjesa e vetëdijshme dhe e nënvetëdijshme. Kur kjo qenie - njeri jeton në një grup të përbashkët dhe kompakt shoqëror, atëherë ai ka vetëdijen dhe nënvetëdijen e vet kolektive. JUNG-u këtë nënvetëdije e quan “ANIMA MUNDI”. Në këtë sferë metafizike, e cila ndoshta nga këndvështrimi i empirizmit materialist mund të na duket si imagjinare, janë thellë të rrënjosura kodet energjetike të ndjesisë së përbashkët etnike të individëve me grupin e caktuar vetjak, të cilat, si dhunti në vetëdijen individuale na shpalosen përmes emocioneve të caktuara si kujtesë. Kjo na dëshmon se, çdo nacionalizëm, në rend të parë është i natyrshëm dhe i ka rrënjët e veta të thella në tërësinë qenësore të një kolektiviteti homogjen që quhet popull. Shqiptarët në këto troje, gjatë distancave të ndryshme kohore, kanë evoluuar nëpër një nacionalizëm autentik, andaj, për ta bërë një analizë sa më të plotë teorike në këtë drejtim, pa dyshim, kërkohet një qasje shumëpërfshirëse dhe multi-disciplinare. Përveç që, nga njëra anë, ky nacionalizëm mund të shikohet nga aspekti kulturor-politik, nga ana tjetër, atë patjetër duhet vështruar edhe nga konteksti i rrethanave të veçanta politike, gjeografike, ekonomike, kulturore e globale. Ta zëmë, nëse bëjmë një krahasim në mes nacionalizmave të popujve tjerë, e veçanërisht të popujve të kontinentit të Evropës, tek ky i yni, në mes elementeve të përgjithshme që i cekëm më sipër, si karakteristikë të veçantë, do ta vërejmë edhe motivin cytës instiktiv - biologjik, i cili na imponohet si nevojë e natyrshme në drejtim të ruajtjes së vetëqenësisë kolektive nga tendencat e pareshtura asimiluese të shumë pushtuesve. Atë çfarë bindshëm e dëshmon sot edhe historia, ndaj ne shqiptarëve të Kosovës (por edhe ndaj shqiptarëve në viset tjera), në format e ndryshme, këto politika shoviniste dhe gjenocidale kanë vazhduar deri në vitin 1999. Fatkeqësisht, diku-diku, vazhdojnë ende si tendencë...

 

Nacionalizmi shqiptar në Kosovë pas vitit 1999

 

 Deri në vitin 1999, për shkak të rrethanave të njohura politike nëpër të cilat kemi kaluar, prezenca e shprehjes kolektive të nacionalizmit tonë, do të thosha, ka qenë progresive e cila gradualisht nga bindja psikologjike e ndjenjës së dashurisë ndaj popullit dhe atdheut vetjak, ka kulmue në veprim (patriotizëm aktiv)-luftën e armatosur të UÇK’së. Pas viteve 1999 dhe instalimit të protektoratit ndërkombëtar të OKB’së - UNMIK, në pritje të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, ky disponim nacional kolektiv si veprim, është një nacionalizëm i heshtur të cilin unë do ta quaja si “stand -by- nacionalizëm”, apo nacionalizëm i “shpresës së mirë” i cili ka zgjatur deri në shpalljen e pavarësisë. (faza e bërjes së vetëdijshme të  koncenzuseve të hidhura politike përmes pranimit pa asnjë kontestim të Pakos së Ahtisarit), dhe periudha e dytë në vazhdimësi e zhgënjimit e cila gradualisht dhe dita-ditës, po na kthen kah pozicionet e nacionalizmit tonë autentik. Edhe pse shqiptarët shumicë në Kosovë, realisht, kombin nuk e barazojnë me shtetin por atë e shohin nga prizmi i gjuhës, kulturës dhe gjakut të përbashkët, kjo nuk do të thotë se janë kundër shtetit politik kosovar. Edhe kjo rrethanë duhet të jetë edhe një specifikë tjetër teorike drejtë kuptimit sa më të afërt të nacionalizmit shqiptar të kosovarëve. Por, në dallim prej të tjerëve, ata shtetin dhe shtetësinë aktuale të Kosovës e shohin vetëm si fazë tranzitore dhe një hap drejtë bashkimit të mëvonshëm kombëtar.

 

 Planit i Ahtisaarit dhe forma e imponuar për ngjizjen e “kombit politik kosovar”?

 

 Plani i Ahtisarit, aspak nuk është një dokument real mbi të cilën mbështet shtet-formësimi i qëndrueshëm aktual i Republikës së Kosovës. Në rend të parë, ky plan nuk është kurrfarë akti i mirëfilltë i cili në vete ngërthen të gjitha elementet e parimeve juridike të së drejtës ndërkombëtare. Ai nuk është i tillë, mu pse është tërësisht i njëanshëm dhe imponues. Gjatë përpilimit të saj, fare nuk është marrë për bazë vullneti i popullit shumicë shqiptar. Është pra një akt i shkruar politik ndërkombëtar, i cili kryesisht ka për qëllim realizimin e interesave gjeostrategjike të disa shteteve të fuqishme me ndikim global. Në fakt, ky plan synon që duke i dhnënë sa më shumë të drejta pakicës etnike serbe në nivel lokal (përmes decentralizimit) t’i shty ata të integrohen në nivel kombëtar. Edhe pse gjatë formulimit të këtij dokumenti, nga hartuesit e saj janë marrë për bazë disa teori shkencore mbi shtetin, kombin, pakicat kombëtare dhe të drejtat e tyre të garantuara si universale ...etj., me plotë të drejtë mund të konkludojmë se, përmes tij, bashkësia ndërkombëtare, më tepër ka eksperimentuar me një “sui generis” model të zgjidhjes politike si provë, se sa që ka dashur sinqerisht dhe në mënyrë sa më të drejtë ta zgjidh këtë problem. Andaj, nëse tërheqim një paralele në mes të këtij “fantom” plani eksperimental dhe të imponuar ndërkombëtar me të cilin provohet të krijohet një shtetit i ri surrogat brenda kësaj hapësirë unike territoriale të banuar me shumicë shqiptare, nga njëra anë, dhe ndjenjës së fuqishme psikologjike të popullit të saj shumicës për një prejardhje të njëjtë kulturore dhe materiale e cila në veprim po shprehet si synim për bashkim kombëtar, patjetër do të fuqizohet kjo e dyta, duke e bërë kështu të dështuar në tërësi këtë tentim të ngjizjes artificiale të një  “kombit politik kosovar”. Ekziston një pikëpamje që thotë se, sa më shumë që forcohet shteti i Kosovës, qoftë si subjekt ndërkombëtar në politikat ndërkombëtare, qoftë nëse rritet numri i konsiderueshëm i njohjeve, qoftë nga zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, mund të etablohet ideja e “kombit kosovar” dhe të ndodh amnezia më e madhe ndaj “shqiptarizmës”. Unë mendoj se pikërisht është e kundërta: sa më shumë që forcohen këto elemente tash për tash të munguara të sovranitetit të mirëfilltë shtetëror, edhe më prekshëm do të formohen kushtet materiale që ky popull dikur, përmes realizimit të një referendumi, do të shkohet kah bashkimi i dy shteteve tona ekzistuese - Shqipërisë dhe Kosovës. Në fakt, edhe në këtë fazë ende të paarritur të këtij sovraniteti të plotë, veç kemi kërkesa të zëshme për revidimin e shumë elementeve të pabaza të infrastrukturës ligjore mbi të cilat sot shtetndërtohet aktualisht “Kosova ahtisariane”.

 

Ndikimi i elitës politike të shqiptarëve në të  kuptuarit e nacionalizmit në Kosovë?

 

 Fatkeqësisht, pas vitit 1999, në Kosovën protektorat dhe nën mbikëqyrjen rigoroze të OKB’së (UNMIK), u sajua një elitë e cila kryesisht ishte mediokre, hipokrite dhe servile ndaj standardeve dhe parimeve të reja të imponuara të sjelljes politike nga të huajt. Kjo elitë që krijohej, nuk ishte e natyrshme sepse ajo nuk formësohej mbi bazat e mentalitetit të vërtet të këtij populli dhe në drejtim të përmbushjes së kërkesave imediate nacionale dhe politike të tij. Edhe pse pjesa me e madhe e liderëve të kësaj elite doli në skenë dhe u promovua nga ajo kohë, të themi ashtu, e “patriotizmit tonë aktiv në veprim” (luftës së UÇK’së), autoritetin e nevojshëm dhe të respektuar si përfaqësues të vërtet kombëtar në popull, e ruanin vetëm përmes biografisë nga e kaluara e tyre. Ata, tërë kohën, nga njërën anë, kanë qenë të detyruar të imponojnë mesazhet e bashkësisë ndërkombëtare të ndërtimit të shoqërisë qytetare, multietnike dhe pa nacionalizëm, ndërsa, nga ana tjetër, të vetëdijshëm për realitetin e bindës kolektive të shumicës së popullit tonë në këtë drejtim, shpesh për nevoja elektorale, dilnin me deklarata që e ushqenin këtë nacionalizëm. Nga subjektet politike të cilët ishin që nga paslufta aktive në jetën tonë shoqërore - politike dhe reshtur propagandonin mesazhet e bashkësisë ndërkombëtare të ndërtimit të shoqërisë qytetare, multietnike kosovare dhe pa nacionalizëm, me daljen në skenën tonë politike të lëvizjes VETËVENDOSJE! e cila ofronte një opsion dhe një program me elemente mu të atij nacionalizmi autentik, real, specifik dhe të shëndosh gjithëkombëtar, tashti në Kosovë u krijua një paritet i theksuar i disponimit popullor i cili luhatej: në mes të realiteti të një mentalitetit të vërtetë ekzistues nacional, nga njëra anë, dhe të asaj ndryshe që artificialisht dëshirohet t’i imponohet masave si mënyrë e re e të menduarit nga dikush tjetër. Pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë dhe arritja e suksesit të madh të kësaj Lëvizjeje që të radhitet si subjekti i tretë politikë në vend, dëshmon qartë se çfarë në të vërtet ka në mendje dhe zemër si synim ky popull!?



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora