E hene, 21.04.2025, 12:48 AM (GMT+1)

Faleminderit

Fotaq Andrea: Red Radoja, talenti shqiptar i trefishtë

E shtune, 05.03.2011, 08:58 PM


Red Radoja, talenti shqiptar i trefishtë

 

Nga Fotaq Andrea

 

Këto ditë, doktoranti shqiptar Red Radoja paraqiti në një Konferencë të organizuar në Universitetin e Strasburgut, Departamenti i Muzikës, veprën e tij të re “Kënga e Garrive – Suitë për piano”, botuar nga Editions Armiane, Paris, dhjetor 2010. Prezantimin e artistit tonë të ri e bëri Profesori i Merituar i Muzikologjisë së Universitetit të Strasburgut Jacques Viret, i cili prej vitesh ndjek nga afër punën krijuese e interpretuese të talentit Red Radoja. Me këtë rast, ai vuri në dukje mjeshtërinë e tij të rrallë në tre rrafshe: si pianist, si muzikolog e si kompozitor.

Dhe me të drejtë, që në fillim të parathënies së tij për Veprën kompozicionale të Radojës “Kënga e Garrive”, Prof. Viret shprehet: “Të rrallë janë ata, të cilëve u janë dhuruar njëkohësisht dhuntitë intelektuale të shkencës dhe të shprehjes artistike, si të Red Radojës... Ky student i shkëlqyer po përfundon një tezë doktorature (Sprovë muzikologjie mbi muzikën tradicionale shqiptare), që do të jetë një kontribut i rëndësishëm në fushën kërkimore të muzikologjisë... E rekomandoj akoma më me bindje këtë Suitë të tij për Piano për faktin se ajo ilustron, në sytë e mi, prirjen më pjellore për të tashmen dhe për të ardhmen e krijimit muzikor në Perëndim”.  

Ja një prezantim denjësisht i merituar për artistin tonë të talentuar tek publiku francez e më gjerë. Po kush është konkretisht Red Radoja?

Personalisht, e kam njohur dhe kam pasur fatin e madh ta ndjek që prej viteve 2000, kur ai mbrojti masterin e tij me interpretimin mahnitës që u bëri “Tablove” të M.Mussorgsit, mjeshtrit klasik rus të peizazhit muzikor. Si pianist virtuoz, Radoja - siç i shkrova gjithë kënaqësi në një letër të majit 2004 -, i bëri në atë kohë “engjëjt e famullisë së Temple Neuf të Strasburgut të kuvendonin ëmbël, të vallëzonin, të ëndërronin, të putheshin e të endeshin ethshëm në kubenë e sallës përmes notave të tij muzikore, me një stil interpretimi të fuqishëm e rrëmbyes”. Më pas, po si pianist, e kam shijuar dhe vazhdoj ta shijoj përherë tek dëgjoj regjistrimet e tij në CD-në “Instants Classiques - Çaste Klasike, Piano” riprodhuar nga Studiot franceze ORIADE. Interpretimi mjeshtëror që i bën këtu Sonatës 8 të Bethovenit “Patetikja”, Rapsodisë n°1 të Brahmsit dhe Sonatës n°2 të Rashmaninovit është i një ëmbëlsie të tillë pa kurrfarë velje, por vetëm shijim pa mbarim, në dehje të plotë muzikore.

Në fakt, ka shumë lirizëm e poeticitet në interpretimin e lartë artistik të Radojës sonë. Tek Bethoveni i tij, të duket vetja në Kopsht të Edenit, ku ndihen pentagramët të gulfojnë nga gurra gjeniale me pastërti kristalore. Dhe shpirti, veç të gjen prehje në këndellje të plotë, me alegrot, adagiot e rondot bethoviane të pavdekshme, që Redi di aq bukur e madhërishëm t’u përcjellë energjinë e vet. E njëjta ndjeshmëri edhe për Brahmsin e Rashmaninovin radojanë, të cilët, herë shpalosen me butësi e ëmbëlsi melodike, herë turfullohen, vorbullohen e vrullohen, për t’u qetuar e urtësuar më në fund në mënyrë krejt të brishtë.

Tek i dëgjoj e ridëgjoj, tek i shijoj e rishijoj, 50 minutat e këtij interpretimi artistik të Radojës sonë pianist nuk më duken në vetvete as 5 minuta, kaq shpejt koha fluturon, veçse jehona në veshë dhe mbresa në shpirt më shoqërojnë gjithë ditën. Ngaqë interpretimi i tij mjeshtëror është si ai petal luleje mbushur gjithë pikëla vese vezulluse, ku secila pikël dridhet ëmbël nën krahët rrahëse të një kandrre lehtake në kërkim të polenit. E më shumë akoma, interpretimi i tij, më ngjan herë-herë me atë vullkan që, para se të shpërthejë në mënyrë spektakolare, jep fillimisht shenjat e dridhjeve të lehta të malit, të fjollave të para të tymnajës e më pas të rrëkeve të llavës së përndezur që vërshon drejt pafundësisë së linjave melodike.

Tërë kjo ndjeshmëri e lartë artistike dhe interpretative e ka bërë Red Radojën t’i hyjë me llërë përveshur shkencës së muzikologjisë, duke u prirë përherë e më shumë drejt tabanit kombëtar, traditës shqiptare dhe asaj çka është këtu më tipikja e shpirtërorja, vetë Epikës heroike. Në Takimin Ndërkombëtar të Prishtinës kushtuar Eposit të Kreshnikëve, gusht 2010, organizuar nën drejtimin e Prof. Zymer Nezirit e Prof. Shaban Sinanit, artisti simpatik Radoja, me përvojë të pasur e bagazh shkencor, do të prezantonte bukur kumtesën e tij “Formula përsëritëse muzikore është bartësja e kumtit mitik në Eposin e Kreshnikëve”. Dhe tërë studimin do ta mbështeste në transkriptimin e plotë prej 27 faqesh muzikore që i kishte bërë tashmë këngës epike të Dedë Sokol Vukajt nga Mërturi “Kulla t’mira krajli po ban”, gjë që do ishte, për vetë Konferencën, një e papritur e këndshme.

 

Në fakt, muzikologu i ri shqiptar nuk bën gjë tjetër këtu veçse depërton më thellë në traditën e kompozitorit të shquar hungarez Bela Bartok, një nga baballarët e etnomuzikologjisë, që u bëri në Havard një transkriptim mjeshtëror këngëve epike të mbledhura drejtpërdrejt në terren nga dy shkencëtarët e rinj amerikanë të viteve ’30 të shekullit XX Millman Parry e Albert Llord. Siç dihet, të dy këta etnomuzikologë ishin mbështetur kryesisht tek kënga epike dygjuhëshe e lahutarit shqiptar Salih Uglanini. Kësisoj, po ky Epos i Kreshnikëve, që përbënte ashtën e fortë të punimeve revolucionare të Parry e Llord në fushën e studimeve të epopeve gojore, do shndërrohej shumë shpejt edhe për muzikologun tonë Radoja në ushqim të përzgjedhur shpirtëror, a më mirë të themi, në mit të fuqishëm dashurie, pa të cilin ai nuk mund të bëjë dot qoftë edhe një ditë të vetme.

Ja pse ai njeh me themel traditën tonë epike, trashëgiminë muzikore, popullore a të përpunuar, historinë e lashtë të kombit tonë, gjer tek Para-Ilirët e Pellazgët, ku pasionohet krejt pas figurave kozmike e mitike, pas Orëve e Zanave, Mujit e kreshnikëve të tij, dhe ku gjen burimin e kulluar të frymëzimit. Tërë elementët shqiptarë të parahistorisë për të cilat flet M. Lambertz, krejt shpirtin artistik popullor dhe vetë melankolinë e tingullit të lahutës, këtij arketipi të veglës më të lashtë kordofone në Europë, Radoja merr e i përpunon artistikisht, duke ngacmuar magjinë e tingullit të pianos, mbretëreshës së instrumenteve muzikore.

Vizioni i tij largpamës për të depërtuar në zemër të mitit dhe konkretisht të Eposit, duke përcjellë në të drejtpërdrejt energjinë e tij të brendshme artistike, përbën, të themi, atë risi e parim novator që e ngre sot në një shkallë më të lartë muzikologjinë shqiptare dhe vetë ndjenjën kombëtare. Andaj pra, tek bisedon me të, Wagner, Bethoven e Bartok janë, mes klasikëve, idhujt e tij, krahas Kadaresë i cili, me mjeshtërinë e fjalës, zgjon e gjallëron mitet tona duke i ngritur ato në piedestalin e Letrave shqipe e botërore.

Mbështetur në këtë mënyrë mbi substratin mitik, mbi këtë element të vyer identiteti dhe tradite kombëtare, Red Radoja, falë një përfytyrimi artistik individual të fuqishëm, na dhuron sot, si kompozitor i suksesshëm, Suitën e tij për piano “Kënga e Garrive”. Melodia monotone e lahutës dhe krejt stili folklorik vijnë e përpunohen në të, në shkallë të lartë artistike, përmes kromatizmash komplekse gjithëpërfshirëse. Dhe ne, nuk ka si të mos jemi të bindur se shumë shpejt, kjo Suitë për piano do të orkestrohet e do të marrë përmasën e vet të gjithëfuqishme të simfonisë.   

Më se një herë, gjatë Konferencës prezantuese të kësaj vepre në Strasburg, unë vetë do ndjeja të pushtohesha nga emocion i fuqishëm, aq sa më ngjetheshin mishtë dhe më dridhej qimja në parakrahë, sa herë që Radoja do t’i shoqëronte komentet e veta historike, mitike e letrare me interpretime të befta, të aty-atyshme në piano, që ilustronin bukur të shtatë pjesët përbërëse të kompozimit: Vajtimin, Kalërimin, Festën, Këngën e Djepit, Lamtumirën, Kthimin dhe Këmbanat e Agimit. Dhe ky emocion i imi shkonte deri në magjepsje, tek kisha parasysh ato çaste, madje krejt të freskët, jo vetëm atmosferën e Konferencës shkencore të Prishtinës dhe takimin e paharruar të dhjetëra studiuesve me grupin folklorik “Rugova” dhe lahutarët e moçëm Isë Elezi, Sadik Rama e Shaban Rama, por edhe dokumentarin e mrekullueshëm “Lahutari i fundit” të Dardan Lutës e Sahit Kokollit, e sidomos pasionin dhe energjinë e veçantë që i kushton Eposit të Kreshnikëve prof. Zymer Neziri. Pikërisht, tërë këtë atmosferë epike shqiptare, ardhur e gjallë, e fuqishme dhe e kulluar që nga Lashtësia jonë, Red Radoja diti për mrekulli ta ngrejë në art të përpunuar muzikor, me një finesë mjeshtërore, me dinamizëm e plot sharmë, apo me kripë, siç thotë shprehja e bukur shqipe.

Por çka bie dukshëm në sy te Suita e tij për piano, vepër më se e arrirë, është ai pasqyrim i ethshëm i dramacitetit që mbart në vetvete kënga epike e Halil Garrisë. Dhe do ndiqja kështu në pianon e Radojës, një për një të dekriptuar e me kontraste të hovshme, qoftë vajtimet e nënës, qoftë trokthet e kuajve dhe ninullat nanuritëse, qoftë më në fund krakëllimat e shpendëve të natës apo krejt ofshamat, ohalitjet dhe oshëtimat e shpirtrave dhe kambanave, duke kaluar nga monotonia ngjethëse në ritmikë të gëzueshme, nga baset në altot, me një baraspeshë mahnitëse të harmonisë e të kontrapuntos, ku çdo notë është në vendin e vet, në unison të plotë, tek e mban pjesën kompozicionale krejt të lidhur.

E ndërkohë, sytë nuk më shqiteshin nga mbulesa e veprës së tij botuar kohët e fundit në Francë, me një ilustrim të realizuar grafikisht bukur nga vetë Radoja ynë: takimin kokë më kokë, të motrës me vëllain, të vdekatares me të vdekurin, në atmosferën e besës shqiptare që të ngre nga varri për të mbajtur premtimin e bërë. Dhe mes tyre, një kalë i drunjtë në miniaturë, simbol i çiltër a naiv i ndjenjës fëmijërore, apo i mbresës së fortë që i kanë lënë vetë autorit legjendat e mitet, gumëzhitur nga trokëllima patkonjsh, mes asaj vorbulle mesjetare shpërthyer në sfond nga rrezatimet e një hëne të bardhëlleme.

Sot, kur presim një orë e më parë që dosja shqiptare “Monodia legjendare e kënduar dhe e shoqëruar me lahutë”, të dorëzohet në UNESKO për t’u marrë në mbrojtje prej saj, vepra kompozicionale e Red Radojës “Kënga e Garrive, Suitë për piano”, frymëzuar drejtpërdrejt nga miti dhe epika shqiptare, shfaqet tanimë si vetë fryti i bukur i qershisë mbi tortën e madhërishme të Eposit të Kreshnikëve, kësaj kryevepre shpirtërore të trashëgimisë sonë kulturore mbarëkombëtare.

E në këtë rast, nuk na mbetet tjetër, veç të themi: faleminderit Red! Chapeau.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx