Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Pse Mentor Nazarko duhet të nënshkruajë për lexuesin shqiptar, si nëpunës i Behgjet Pacollit

| E merkure, 23.02.2011, 07:57 PM |


Pse Mentor Nazarko duhet të nënshkruajë për lexuesin shqiptar, si nëpunës i Behgjet Pacollit

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Kur Mentor Nazarko shkruan për lexuesin e Shqipërisë shkrime si ai me titull “Pse zgjidhet Presidenti para qeverisë?”, i publikuar në gazetën “Panorama” në 16 shkurt 2011, ku elaboron idenë se përse në Kosovë, para se të votohet në Kuvend qeveria e re e Hashim Thaçit, duhet të zgjidhet Presidenti, është mirë që autori të nënshkruajë si nëpunës i Behgjet Pacollit, do të thotë këshilltar zyrtar i tij. Kështu lexuesi shqiptar do të ndriçohej më shumë mbi shkrimin e Nazarkos dhe do ta kuptonte se fjala është për frikën e Pacollit, të shprehur nëpërmjet Nazarkos, se mos Hashim Thaçi, pasi të ketë marrë votat e deputetëve të Pacollit për zgjedhjen e qeverisë, nuk e mban fjalën për ta votuar Behgjet Pacollin si President. Kështu edhe Nazarkos i pritet rruga për disa biznese në Kremlinin e ri, çka duket se do të jetë Presidenca e Kosovës, në rast se do të zgjidhet Pacolli në këtë post.

Është me të vërtetë një keqpërdorim i lexuesit të një gazete të madhe, kur një autor nënshkruan si analist i pavarur një shkrim të cilin e ka shkruar në cilësinë e nëpunësit të një politikani që kërkon të zgjidhet në një post të lartë shtetëror. Edhe argumentet që sjell Nazarko në shkrim, se përse duhet të zgjidhet Presidenti para qeverisë, janë lehtësisht të kundërshtueshme për atë që ka njohuritë e nevojshme në këtë fushë. Së pari, Nazarko pretendon në shkrimin e vet se Kushtetuta e Kosovës, sa i përket zgjedhjes së Presidentit, ka marrë modelin italian, grek, shqiptar. Për cilindo që i njeh Kushtetutat në fjalë, kjo që thotë Nazarko ngjan si një marrëzi e çuditshme. Modeli italian dhe ai grek janë krejt të ndryshëm.

Sipas modelit italian, për zgjedhjen e Presidentit zhvillohen disa votime, ku fillimisht kërkohet kuorum maksimal (dy të tretat e votave të deputetëve). Pastaj në fund shkohet në kuorum minimal, 50% plus një votë. Në të vërtetë ky nuk është model italian, përveçse ndoshta në fantazinë e Nazarkos, se në fakt është modeli francez i periudhës para Republikës së Katërt e më herët, kur Presidenti zgjidhej nga parlamenti çka ndryshoi me Kushtetutën e vitit 1958. Italia ishte monarki deri në 1946, dhe me kalimin në republikë adoptoi modelin francez të zgjedhjes së Presidentit. Sipas modelit grek kërkohet në çdo rast kuorum prej tre të pestave (60%) të votave të krejt deputetëve.

Të dy modelet kanë synime të ndryshme. Sipas modelit italian, synohet zgjedhja e një presidenti me një konsensus sa më të gjerë të palëve në parlament nëse është e mundur, por pa u bërë shkak zgjedhja e Presidentit për krizë parlamentare dhe kalimin në zgjedhje të reja politike. Sipas modelit grek synohet zgjedhja e një presidenti konsensual, deri edhe me koston e shkaktimit të një krize parlamentare, dhe të zgjedhjeve të reja. Pra, të dy modelet janë krejt të kundërt, ndryshe nga ç’ thotë Nazarko. Modeli italian synon që ta detyrojë opozitën që të pranojë të mbështesë një person me profil të moderuar politik, ndryshe pozita parlamentare do të zgjedhë njeriun që do vetë. Modeli grek synon që ta detyrojë shumicën parlamentare, e cila praktikisht në asnjë rast nuk i ka 60% të votave, falë sistemit, proporcional zgjedhor që aplikohet në Greqi, që të pranojë të zgjedhë një president nga opozita.

Shqipëria ka pasur modelin italian me Dispozitat Kryesore Kushtetuese të vitit 1991, të cilat qenë në fuqi deri në 1998. Pastaj me Kushtetutën e vitit 1998, u kalua në modelin grek, derisa me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, u kalua në një model sui generis, ku për zgjedhjen e Presidentit kërkohet kuorum prej tre të pestat (60%) në tre votimet e para, dhe pastaj në dy votimet e fundit kërkohet kuorum minimal, prej 50% plus një votë të deputetëve. Pra, Shqipëria është rikthyer praktikisht në modelin italian, domethënë atë francez të para Republikës së Pestë.

Arsyetimi i Mentor Nazarkos se duhet zgjedhur Presidenti para qeverisë, për shkak se ka një hierarki të supozuar të zgjedhjes së titullarëve të institucioneve, nuk duket bindës në rastin kur kandidati për kryeministër dhe ai për President, kanë bërë një marrëveshje me shkrim për të mbështetur me votat përkatëse njëri-tjetrin, çka është rasti mes Thaçit dhe Pacollit. Në këtë rast, më tepër se për një shqetësim për aspektin formal institucional, është fjala për mosbesimin e thellë ndërmjet palëve. Madje edhe shembulli që sjell Nazarko nga Shqipëria e vitit 1997, kur pas ardhjes së PS në pushtet, parlamenti i ri zgjodhi presidentin para kryeministrit, dëshmon për diçka të ngjashme.

Atëherë, pas dorëheqjes së Presidentit Berisha, për një kohë të shkurtër ushtrues i detyrës së presidentit u bë kryetari i ri i Kuvendit, Skënder Gjinushi. Atëherë Fatos Nano, i cili u bë kryeministër, luajti me idenë që kryeministri të zgjidhej para presidentit, por një klan i fortë brenda PS, e shikonte Meidanin, i cili u zgjodh president, si garantin e mbrojtjes së interesave të tyre përballë Nanos. Ata e shikonin zgjedhjen e Meidanit President, si kusht që të mbështesnin Nanon. Nazarko e di mirë këtë se ai do të ishte në stafin e Meidanit, si këshilltar. Nëse Nano do të ishte bërë kryeministër para zgjedhjes së presidentit, nuk do të kishte qenë e sigurt zgjedhja e Meidanit. Nano madje ishte më tepër për zgjedhjen e Sabri Godos në postin e Presidentit, pasiqë ai nuk kishte lidhje me klane në PS, si Meidani, i cili deri më atëherë kishte qenë numri dy i partisë si Sekretar i Përgjithshëm. Edhe ambasadorja amerikane Mariza Lino ishte për Godon si kandidaturë e parë. Por Godo refuzoi në rrethana ende të paqarta. Një situatë e ngjashme ekziston tashmë edhe në Kosovë.

Lidhja e tashme e Nazarkos me Pacollin daton që në kohën kur Nazarko ishte këshilltar i Meidanit. Në vitin 1999, kur Presidenti Meidani priti në takim Pacollin në zyrën e tij në Presidencë, një analist në Tiranë bëri një shkrim në shtyp për lobin rus në Presidencën e Shqipërisë. Alarmi tek Meidani ishte aq i madh sa ministri i Punëve të Jashtme të kohës, Paskal Milo, e thirri me urgjencë analistin në takim dhe e punësoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme, prej ku pak më vonë shkoi si ambasador në Suedi. Në prag të zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, dy ish-presidentët e Shqipërisë, Meidani dhe Moisiu, shkuan në Prishtinë, të ftuar nga Pacolli që të marrin pjesë në promovimin e librit të tij, të shkruar pjesërisht nga Nazarko dhe pjesërisht nga një person tjetër. Pacolli u bëri nder të madh duke i mbajtur në shtëpinë e vet dhe jo në hotel. Synimi ishte që të dukej Pacolli ka mbështetjen e ish-presidentët e Shqipërisë, për t’ u zgjedhur president i Kosovës.

Që kur Nazarko është bërë nëpunës i Pacollit ka ka filluar të qarkullojë në debatin shqiptar ide të çuditshme, siç bëri në maj 2010, kur tha në emisionin Top Show të Alban Dudushit në Top Channel se “Rruga e Kombit (e kishte fjalën për rrugën Durrës (Tiranë)-Kukës) na lidh me Serbinë”. Sipas Nazarkos Kosova dhe Republika e Shqipërisë duhet të mbeten viktima të gjeografisë së pafavorshme, për shkak se nëse shkurtohet distanca nga Tirana në Prishtinë, shkurtohet edhe distance me Serbinë! Në një shkrim të botuar tek “Panorama”, në 2 dhjetor 2010, me titull “Vokshi si reflektim për bashkimin kombëtar”, Nazarko e etiketon kryeministrin Berisha, veç të tjerash edhe si “shqiptaromadh”?! Unë mendoj se në asnjë rrethanë një kryeministër apo president shqiptar nuk mund të quhet “shqiptaromadh” nga një analist shqiptar. Fjala “shqiptaromadh” ka qenë dhe është në fjalorin e Beogradit dhe të Athinës. Për hir të së vërtetës kjo fjalë nuk ka qenë në fjalorin e Nazarkos deri para se të bëhej nëpunës i Pacollit. Kjo tregon se Nazarko nuk është këshilltar i Pacollit, por thjesht zëdhënës i tezave që edhe Pacollit ia jep të gatshme stafi i tij okult i koloneles së FSB (shërbimi rus i zbulimit), e cila nesër me votat e ish-luftëtarëve të UÇK do të bëhet Zonja e Parë e Kosovës.

Për të gjitha arsyet e mësipërme është e nevojshme që gazeta “Panorama” të vendosë në fund të shkrimeve të Nazarkos shënimin se autori është këshilltar zyrtar i Behgjet Pacollit. Kështu Nazarko nuk do të keqpërdorë atributin e tij si analist i pavarur me të cilin i publikon shkrimet tek “Panorama”, duke vendosur në krye të shkrimeve madje edhe një foto ku ka dalë në një pozë qartësisht të kopjuar nga fotot e këshilltarit më të afërt të Presidentit rus Medvedev.

 

kastriotmyftaraj@sot.com.al - Gazeta Sot