Mendime
Besnik Mustafaj: Si e shkatërroi Berisha PD-në
E enjte, 10.02.2011, 07:51 PM
Si e shkatërroi Berisha PD-në
Memorandum-Këshilli Kombëtar i PD-së, 6 shkurt 2011
Nga Besnik Mustafaj
Duke patur parasysh situatën veçanërisht problematike që kalon vendi pas ngjarjeve shumë të dhunshme përpara selisë së Kryeministrisë me 21 janar 2011:
Duke pasur parasysh përgjegjësinë historike që ka në këto momente Partia Demokratike jo vetëm si forca kryesore politike në qeverisje, por edhe si forca politike më e madhe në vend.
Duke pasur parasysh se kemi përballë një opozitë, e cila prej më shumë se një vit e gjysmë e ka nxjerrë luftën e saj politike nga institucionet e natyrshme demokratike për ta zhvilluar në rrugë, në dëm të përparimit ekonomik të vendit dhe po aq në dëm të forcimit të institucioneve të shtetit të së drejtës.
Duke marrë parasysh rëndësinë specifike që kanë zgjedhjet e 8 majit të ardhshëm për pushtetin vendor si test për vullnetin dhe për kapacitetin e mazhorancës sonë qeverisëse për të zhvilluar zgjedhjet të lira e të drejta;
Duke marrë parasysh domosdoshmërinë e fitores së Partisë Demokratike në këto zgjedhje si alternativa më e mirë programore, por edhe si ekipi më i aftë për të drejtuar e më i lidhur me interesat e komunitetit si edhe të mbarë shoqërisë, me cilësinë time si antar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, i drejtoj këtij Këshilli Memorandumin si vijon:
1.
Këshilli Kombëtar që mblidhet sot për herë të pare, ka dalë nga Kuvendi Kombëtar i zhvilluar me 14 dhjetor 2009. Kanë kaluar, pra, katërmbëdhjetë muaj pa u konstituuar e rrjedhimisht pa e filluar veprimtarinë e tij Këshilli Kombëtar, i cili, ashtu siç përcaktohet në statutin e Partisë Demokratike, është organi më i lartë i kësaj partie midis dy kuvendeve kombëtare. Ky fakt nxjerr qartë në pah se Këshilli Kombëtar, si organi më i lartë kolegjial i analizës politike, i hartimit të politikave programore dhe i marrjes së vendimeve politike të Partisë Demokratike ka qënë krejtësisht jashtë funksionit të tij qysh nga fillimi i mandatit tonë të dytë qeverisës. Jam i bindur se ky asgjesim i rolit të natyrshëm politik të Këshillit tonë Kombëtar ka qënë me pasoja të dukshme negative në përmbushjen e misionit politik që ka Partia Demokratike ndaj kombit.
Unë propozoj që t’i japim kësaj mbledhjeje të parë rëndësinë e duhur, duke e shndërruar në një moment refleksioni të thellë vetëkorrigjues, jo vetëm për t’u prerë rrugën praktikave të tilla në të ardhmen, por edhe për t’i dhënë krah një fryme të re brenda partisë, ku çdo antar i Partisë, që nga seksioni e deri te kryetari i Partisë, të ndjehet plotësisht pjestar i një familjeje politike të shëndetshme, ku bashkimi është vërtet me vullnet të lirë dhe ku respektohet e vlerësohet kontributi dhe individualiteti i gjithësecili demokrat.
2.
Qysh nga Kuvendi ynë i fundit Kombëtar para katërmbëdhjetë muajsh e deri sot, ne si parti, në përputhje me statutin tonë, kemi të ligjshëm vetëm Kryetarin e partisë, i cili është zgjedhur nga kuvendi në fjalë dhe nënkryetarin e partisë, Zotin Patozi, i cili me statut, duke qënë kryetar i grupit tonë parlamentar, është ex oficio edhe nënkryetari i partisë. Nuk kemi patur, pra, de juro e as de facto as kryesi të partisë, as sekretar të përgjithshëm, as nënkryetar të dytë, as sekretariat e as gjykatë të partisë. Kjo tablo flet vetë. Distanca institucionale e krijuar gjatë kësaj periudhe midis kryetarit të partisë dhe vetë partisë është jashtëzakonisht e madhe e për pasojë edhe me dëm të madh për demokracinë brenda partisë. Statuti është kushtetuta e partisë. Qysh në themelimin e saj njëzet vjet më parë, Partia Demokratike u angazhua përpara kombit të ndërtonte në Shqipëri shtetin ligjor. Me shkelje të tilla të rënda të kushtetutës së partisë, ne japim detyrimisht përpara shoqërisë shqiptare një dëshmi shumë të keqe të vullnetit tonë politik për të ndërtuar një sistem ku prevalon ligji.
Unë propozoj që ne sot, me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë, të zgjedhim organet drejtuese të partisë dhe të kërkojmë prej tyre t’i përvishen punës për të rivendosur në parti frymën e munguar të kolegjialitetit demokratik. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie nga secili antar i Këshillit Kombëtar unë kuptoj vendosjen e kritereve parimore, jashtë çdo klientelizmi në përzgjedhjen e personaliteteve që do të zënë vend në organet tona drejtuese. Ju bëj thirrje të gjithë kolegëve antarë të Këshillit Kombëtar të kenë parasysh interesat e Partisë Demokratike dhe jo parapëlqimet subjektive nga njerëzit tanë me pushtet në ekzekutiv.
3.
Në praktikën e ushtrimit të pushtetit vërej se Partia Demokratike ka një largim gradual por të vazhdueshëm nga identiteti i saj si parti e qëndrës së djathtë. Janë inicuar dhe vazhdojnë të iniciohen njëherash politika të mirëfillta liberale, politika po ashtu të mirëfillta konservatore, dhe po aq shpesh qëndrime ndaj pronës apo politika sociale me përmbajtje të pastër të majtë. Këto luhajtje nga njëri ekstrem në tjetrin shpjegohen, sipas mendimit tim, me një frymëzim të tepruar populist të udhëheqjes së partisë, që e kemi në ekzekutiv. E keqja e një praktike të tillë pa fizionomi dhe pa identitet politik në ushtrimin e pushtetit shfaqet në modelin inkoherent të shtetit që na takon të ndërtojmë. Dhe jo vetëm kaq. Ky eklektizëm identitar ka dobësuar ndjeshëm lidhjet e partisë tonë me shtresat shoqërore, të cilat për arsye parimore duhet të jenë mbështetja jonë kryesore. Ndër to do të veçoja ish-të përndjekurit politikë, ish-pronarët dhe biznesin e madh. Më e pakta që mund të thuhet për këto dy shtresa është se ato kanë humbur entusiazmin në mbështetjen tonë.
Unë propozoj që kjo mbledhje e vonuar e Këshillit tonë të ri Kombëtar të ndërmarrë çeljen e një debate të gjerë brenda partisë për identitetin e saj. Ky debat, me pikësynim fokusimin e qartë identitar në programin tonë do të shërbente si rast për të tërhequr e gjallëruar edhe kapacitetet e grupeve shoqërore dhe të grupeve të interesit jashtë strukturave të partisë , por që presin nga ne si forcë politike të mishërojmë idealet e tyre për shtetin, për drejtësinë shoqërore, për lirinë e tregut dhe për pronën.
4.
Me mënyrën e saj të funksionimit ose të mosfunksionimit gjatë kësaj periudhe të gjatë, Partia Demokratike është larguar dukshëm nga modeli i partive të djathta europiane. Partia Demokratike është prej disa vitesh antare –vëzhguese në Partinë Popullore Europiane. Kjo është një fitore e rëndësishme dhe e merituar e partisë tonë, sigurisht, por është gjithashtu një kontribut i saj i çmuar edhe në procesin e përafrimit të vendit tonë me Bashkimin Europian. Antarësia në Partinë Popullore Europiane kërkon nga secili antar i partisë tonë e veçanërisht nga ne, që jemi në drejtimin e saj, të mbajmë vazhdimisht lart vlerat e shenjta, mbi të cilat mbështetet e djathta politike europiane. Këto vlera brenda Partisë Popullore Europiane, do të thotë brenda secilës nga partitë e djathat që e përbëjnë atë, sanksionohen si frymë lirie, por edhe si normë detyruese për të respektuar demokracinë e brendshme, ku përfshihet edhe mendimi ndryshe si pjesë e kulturës politike të djathtë.
Unë propozoj sot që kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar të përcaktojë si objektiv madhor ndërmarrjen urgjente të reformave brenda partisë për ta modernizuar dhe demokratizuar atë, që të jemi në lartësine e partive popullore europiane. Vetëm duke e modernizuar dhe demokratizuar partinë, ne të vjetrit e partisë do të ndjehemi të rinj me përvojën tonë dhe vetë partia do të bëhet thelbësisht atraktive për masën e madhe të rinisë shqiptare. Nuk duhet hequr nga mendja një fakt: janë 50 mijë të rinj të cilët çdo vit arrijnë moshën e vetëdijes dhe po ashtu moshën e të së drejtës për t’u marrë me politikë jo vetëm si votues, por edhe si aktivistë. Përtëritjen e shoqërisë Partia Demokratike duhet ta paraprijë duke u përtërirë dhe vetë në mënyrën e saj të funksionimit.
Si përfundim, unë jam i bindur se janë të gjitha mundësitë për ta shndërruar këtë mbledhje të parë të Këshillit të ri Kombëtar në një gjenerator transformues për krejt partinë. Nuk shoh rrugë tjetër më të mirë për t’i dhënë asaj besueshmërinë e nevojshme për t’i fituar me 8 maj zgjedhjet lokale në Tiranë dhe në mbarë vendin. Vetëm duke ndjekur me guxim rrugën e reformimit të shpejtë e të thellë të partisë do të zbulojmë te vetja rezerva të reja për të përfunduar me nder mandatin e besuar nga populli për të qeverisur deri në vitin 2013 dhe do të jemi të përgatitur për të kërkuar një mandat të tretë. Ne duhet të provojmë para shqiptarëve se jemi në pushtet jo pse kemi përballë një opozitë të keqe e pa alternativë, por sepse Partia Demokratike në vetvete, jashtë krahasimit me kundërshtarin, është forca politike më e denjë, më vitale, më modern për ta qeverisur vendin.