Mendime
Genc Prelvukaj: Unë nuk kisha parë ndonjëherë se si digjet një palmë
E marte, 08.02.2011, 06:12 PM
Unë nuk kisha parë ndonjëherë se si digjet një palmë
Nga Genc Prelvukaj
Unë nuk kisha parë ndonjëherë se si digjet një palmë. As nuk ma kishte thënë dikush që njerëzit mund t’i vënë flakën e aq më pak nga zemërimi ndaj një njeriu tjetër. Realisht unë nuk di as që simbolizon diçka tjetër përveç faktit që deti është afër. Në fakt, nëse do ta kishim për detyrë të dhënë, ta ilustronim rivierën apo një ishull, veç të tjerash do ta kishim vënë në letër një palmë menjëherë, sepse simbolizon të bukurën e një vendi që ofron më të mirën në muajt e nxehtësisë së madhe.
Ditë më parë e pashë palmën të digjej. Në dimër, ku së paku ajo e ruan të gjelbrën e një qyteti. Unë e di që drunjtë e tjerë digjen, qoftë nga njeriu për nevoja të veta apo edhe nga natyra kur bën vapë e madhe dhe shkrep diku në bjeshkë, por këtë lloj druri në flakë nuk e kisha parë kurrë. Sidoqoftë, njerëzit në rrugë të Tiranës atë ditë ishin të zemëruar me dikë….
Në çdo “flash neps” më 21 janar 2011 shihej zemërimi i manifestuar me gurë, sulm fizik dhe djegie, ku asnjëra nga këto, në asnjë rast nuk mund të konsiderohet reagim normal. Imazhet që transmetoi shteti shqiptar atë ditë u vunë në ballinat e gazetave dhe ekraneve në gjithë ato vende që kohë më parë kishin paraqitur Shqipërinë ndër vendet turistike që duhen vizituar.
Atë ditë kishte edhe të vrarë … Ato ditë Kosova përballej edhe me një sfidë tjetër në arenën ndërkombëtare dhe Shqipërinë e dobët e asaj dite nuk do ta merrte parasysh asnjeri. Këtu askush nuk është fitues andaj mos të provojë asnjëra palë ta shfrytëzojë një ditë të keqe për tërë shqiptarët kudo që ndodhen, përpara elektoratit të vet. Ne të gjithë ishim humbës.
Edhe disa fjalë nga një kënd tjetër:
Demonstratat zhvillohen në çdo cep të botës. Ka shumë raste që kthehen në dhunë. Në ato vende ku ndodh kjo, në shumicën e rasteve, kemi të bëjmë me tendencën e largimit të një diktature ose qeverie të paligjshme të ardhur me anë të armëve në pushtet. Shqipëria nuk ka diktaturë e as qeveri që është vendosur me dhunë në krye të vendit. Ka një qeveri që tryezat e bashkësisë ndërkombëtare kanë gjetur rrugën e partnershipit me të. Është pikërisht ai formacion politik që ka shpurë Shqipërinë në NATO edhe pse inkuadrimi në aleancën veriatlantike është proces, në një farë forme, i paraprirë edhe nga qeveritë e tjera, por megjithatë, ishte kabineti i zotit Berisha që vuri nënshkrimin dhe vulën mbi dokumentin e inkuadrimit. Në familjen e vendeve të zhvilluara perëndimore as nuk mund të imagjinohet inkuadrimi i një vendi antidemokratik që aplikon tiraninë, gjithnjë sipas pretendimeve të opozitës shqiptare.
Edhe pse jemi shumë vite më pas, një shembull nga e kaluara nuk bën keq. Më 1924, ishte qeveria e Fan Stilian Nolit, e cila erdhi në krye të Shqipërisë përmes një lufte civile, mirëpo që ndeshi në pengesë të njohjes ndërkombëtare të saj, në fakt nuk e njohën si partnere qeveritë perëndimore që ishin superfuqia e botës në atë kohë dhe një pjesë e tyre vazhdon edhe sot të jetë. Mendohet që pikërisht kjo gjë të jetë arsyeja themelore pse kabineti i zgjedhur i tij punoi vetëm gjashtë muaj. Kjo na le të kuptojmë se një qeveri–produkt i dhunës, në ditët e sotme, në zonën ku jemi ne, as nuk mund të vijë e as të mbajë pushtet në njërën anë, e në anën tjetër të ketë mbështetjen apo njohjen e faktorëve ndërkombëtarë. Në fakt, nuk mund të vijë në pushtet absolutisht. Një përkthyes i mirë nga historia - në shqip, do t’i thoshte zotit Berisha që opozita në zemër të Europës me forcë e me dhunë nuk do të arrijë në pushtet, e në anën tjetër zoti Rama që pozita nuk është më dhunë sot aty ku ndodhet. Të dyja palët janë të pozicionuara aktualisht në bazë të një procesi zgjedhor që edhe me parregullsitë eventuale që mund t’i ketë pasur, është i njohur ndërkombëtarisht. Fajësimi i njëri-tjetrit është i natyrshëm në politikë, sepse megjithatë kundërshtarët nuk lëvdohen, por në fund të fundit duhet t’i respektojnë parimet kushtetuese të vendit dhe nevojën për të mirën e qytetarëve. Paraqitja e zhvillimeve të fundit nga dy taborret, njëra anë si grusht shteti dhe tjetra si terrorizëm shtetëror më shumë përngjajnë, me një folklor politik për të manipuluar emocionin e njerëzve, sepse manipulimi i emocioneve fiton zgjedhjet.
Njohësve të mirë të politikës, por edhe atyre që ju interesojnë zhvillimet politike në mbarë botën, ju kujtohet fenomeni i Al Gore-s. Rezultatet e Floridës që i dhanë fitoren George Bush-it ishin e diskutueshme, derisa rezultatet e votimeve me postë ishin në favor të Al Gore-s. “Për hir të unitetit të popullit dhe fuqisë që ka demokracia jonë, ofroj konsensusin/pajtimin “ishte fjala tij e fundit në lidhje me zgjedhjet e vitit 2000, pasi Gjykata e Lartë amerikane kishte vendosur në favor të George Bush.
Është shumë e qartë, nuk mund të tërhiqet një paralele mes gjendjes së njerëzve atje dhe në Shqipëri ku shumë njerëz iu bashkuan demonstratës për shkak të pakënaqësisë ndaj gjendjes sociale dhe ekonomike që kanë, ndonëse pikë referimi e sjelljes politike nuk duhet të jetë Tunizia apo ndonjë vend tjetër i tillë, por shtetet e zhvilluara, sepse Shqipëria duhet të synojë gjendjen ku ata janë e jo të kthehet mbrapa. Të synojë ngritjen e nivelit të demokracisë e jo mbetjen në pikën zero. Është koha të absorbohet jo vetëm fjalori politik i shteteve të zhvilluara perëndimore, por edhe sjellja politike e tyre.
Para një viti edhe Franca ishte në një gjendje kaosi, por për arsye të tjera, ndryshe nga rasti i Shqipërisë. Si shtet, dihet, se është e stërngarkuar me të huaj dhe revolta e tyre bazohej në çështje sociale dhe ishte më delikate ngase policia përballej me njerëz që nuk e donin Francën. Amarildo Yzeiri dhe shokët e tij, megjithëse u dhunua flamuri, shkaku i një reagimi në afekt, janë përballur me njerëz që e duan Shqipërinë. Këtu mungon vetëm një gjë, një parim bazë që duhet ta kishin demonstruesit. “Shqipëria mbi të gjitha” dhe në fund do të kuptonin se çdo veprim dhune ndaj policisë, Kryeministrisë, makinave, pronave është sulm ndaj vetvetes se dëmtohet imazhi i shtetit të tyre, popullit të tyre dhe në fund me taksat e tyre do të rikuperohen dëmet.
Franca është një demokraci e zhvilluar, gjendjen e tillë e tejkaloi shpejt me një sjellje të matur të aktorëve politikë. E kjo është ajo çfarë duhet të përvetësohet sa më parë nga aktorët politikë në Shqipëri, por edhe në Kosovë, jo tensionimi i situatës, por si të menaxhohen kriza dhe si të arrihet deri te konsensusi për hir të së mirës.
Koha ikën shpejt dhe gjërat harrohen edhe më shpejt. Kjo duket të jetë formula në bazë të së cilës Edi Rama ndërton qëllimet e Partisë Socialiste. Qëllimi i tij kryesor është të mbajë gjendjen sa më të tensionuar, të jetë opozitë deri në fund aktive, të aktualizojë e riaktualizojë probleme të njëpasnjëshme, të jetë në qendër të vëmendjes, të organizojë aktivitete sa më shumë deri në zgjedhjet e radhës. Me një organizim të tillë atëherë synon të ketë vëmendjen e popullit dhe arritjen në pushtet. Një protestë masive e organizuar mirë, ka vëmendjen e mediave më shumë se një aktivitet qeveritar që mund të jetë pozitiv për shtetin. Në fakt, nëse Partia Socialiste arrin ta bëjë këtë, atëherë zgjedhjet edhe mund t’i fitojë, por imazhi i Shqipërisë në sytë e botës mund të dëmtohet çdo ditë, ashtu siç po ngjet.
Zgjedhjet lokale janë afër. Nëse ndodh një ngritje eventuale e PS-së, atëherë pritet që zëri për zgjedhje të parakohshme të fuqizohet edhe më shumë. Shqipëria nuk do të ketë klimë politike të mirë edhe për një kohë. Shpresoj që zoti Rama të mos niset nga thënia “qëllimi justifikon mjetin” se të gjithë ithtarët e asaj thënie kanë lënë kockat në një fushëbetejë pa ndonjë lavdi të thënë. Shqipëria është pika e dobët e të gjithë shqiptarëve edhe jashtë territorit zyrtar të saj dhe çdo ngjarje e një rëndësie të veçantë, ndikon emocionalisht. Një gjuajtje e flamurit, një përfytyrim i kohës së skemave piramidale, djegie e objekteve, etj., ndikoi që me mijëra shqiptarë të hedhin nëpër rrjete sociale fotografi të shoqëruara me slogane kundër aktorëve politikë. Për shkak të shumë shqiptarëve që jetojnë jashtë shtetit Shqipëria duhet të jetë stabile, sepse ka ende punë në tablotë ndërkombëtare, në ndihmë të bashkëkombësve të vet.
Në fund të fundit, e ardhmja mund t’i gjykojë të dyja palët. Njërën pse nuk lëshoi pe dhe tjetrën që nuk pranoi kompromisin sikurse bëri Al Gore në vitin 2000 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dikush mund të përgjigjet: “Ne jemi larg nga Amerika “po mirë, atëherë të merret rrugë andej. T’i referohemi demokracisë së saj.