Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të imamit të Xhamisë së Madhe të Prishtinës

| E hene, 07.02.2011, 07:17 PM |


Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të imamit të Xhamisë së Madhe të Prishtinës. Reagimi ka ardhur pasi që Shefqet Krasniqi, në cilësinë e ligjëruesit islam, duke përzier fenë me politikën, ka folur ashpër kundër Vetëvendosjes të Albin Kurtit, duke e quajtur atë enveriste dhe duke thënë se myslimanët që votuan për të, bënë një mëkat të madh.

 

“Vetëvendosja është një lëvizje enveriste dhe myslimanët duhet me qenë larg saj. Është mëkat me ia dhanë votën Vetëvendosjes, por ne nuk kemi punuar për ta sqaruar mendimin e islamit për Vetëvendosjen, sepse nuk ka pasur kohë. Vetëvendosjes, është haram, është mëkat me ia dhanë votën. Kaq”, ka thënë Krasniqi për TV Klan.

 

Ndaj këtyre deklaratave publike ka reaguar aktivisti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili imamin Shefqet Krasniqi e ka quajtur hoxhë të shitur. “Nuk ia vlen të merremi me të, ai është një hoxhë i shitur, hoxhë politik”, ka thënë Konjufca për Express. Sipas tij, nuk është hera e parë që imami i Xhamisë së Madhe bën këso deklaratash, duke ofenduar parti të caktuara politike. “Ai edhe më herët ka dalë publikisht, duke bërë thirrje që të votohen parti të caktuara politike”.

 

Imami Krasniqi ka thënë, po ashtu, se nuk sheh jetë të gjatë për Lëvizjen e Albin Kurtit, sepse votat këtë herë kanë qenë euforike dhe në zgjedhjet e ardhshme nuk do të mund të fitojë shumë.

 

Shefqet Krasniqit i ka ardhur keq që partia e biznesmenit kosovar, Behgjet Pacolli, AKR, nuk ka mundur të marrë më shumë vota në zgjedhjet e fundit. Në zgjedhjet e vitit 2007, Krasniqi partisë së Pacollit i ka dhënë edhe përkrahje publike.

 

Gjithashtu, Krasniqi ka paralajmëruar PDK-në të mos mendojë se mund të qëndrojë në pushtet gjithmonë, sepse mund t’i ndodhë një situatë si e Egjiptit.

 

Askush nga Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e Krasniqit, e as të merret me to. Kryemami Sabri Bajgora ka thënë për Express se nuk ka qenë në Kosovë dhe nuk di çfarë ka deklaruar imami. Bajgora ka kërkuar që shkurt t’i lexohet deklarata e Krasniqit dhe, më pas, komenti i tij ka qenë: “Subhan'Allah”!

 

Më herët, imami Krasniqi kishte shkaktuar reagime të ashpra në opinion, me deklaratat kundër Nënës Tereze.

 

Telegrafi - Për ZSH: Isa Mulaj