Mendime
Emin Azemi: Zgjedhje, a zgjidhje?
E hene, 07.02.2011, 07:57 PM
Zgjedhje, a zgjidhje?
Nga Emin Azemi
Mandati aktual qeverisës erdhi pas zgjedhjeve të parakohshme që u mbajtën në qershor, 2008 dhe përveç forcimit të status-quos, nuk sollën kurrfarë risie në ambientin politik, social e ekonomik të vendit. Humbësi i atyre zgjedhjeve, ishte partia opozitare maqedonase LSDM dhe pjesa dërrmuese e popullit të pakënaqur. Shqiptarët e fituan vetëm një kauzë morale për t’u përfshi në pushtet, jo ai që i humb zgjedhjet, por ai që i fiton ato. Ende nuk dihet, nëse me këtë moralitet politik fitoi edhe shumica e shqiptarëve, që ngelën pa performancën dinjitoze të përfaqësimit. Në njërën, anë u arritë një kompromis për të risjellë paqe brendashqiptare, por në anën tjetër, partia shqiptare që i fitoi zgjedhjet nuk arriti ta bëjë kompromisin e nevojshëm me partnerin qeverisës për t’i hequr nga rendi i ditës ato çështje për të cilat ishte zotuar para se ta merrte mandatin.
Një koalicion i ndërtuar në pabesi, kurtha, marrëveshje gjysmake e të limituara, s’ka se si ta bëjë të lumtur atë që merr pjesë në të. Mirëpo, lumturia, si për inati, nuk po hiqet nga foto-grimasat, që po shfaqen sa herë që Maqedonisë i kanoset ndonjë ngërç. Ne, tha dikush nga partia shqiptare në pushtet, duam zgjedhje, ama tash nuk është momenti. Bile zërat e brendshëm të kësaj partie që moti po vlojnë nga pakënaqësia e të qenit në bashkëqeverisje me një partner kokëfortë, që përpos përbuzjes e cila u sjell ish-luftëtarëve shqiptar të veshur në petkun e politikanëve, nuk sjell asnjë dobi tjetër. Ka disa nga ata që thonë se edhe kjo puna e dosjeve vie nga partneri i tyre i dashur, ndonëse nuk ja vlen gjithaq të komentohen dashakëqinjtë, përdersia për ato që thuhen nuk ka fakte relevante.
Pikërisht ashtu, siç nuk ka fakte relevante se kreu i BDI-së është dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete, njashtu nuk ka fakte relevante se prejardhja e dosjeve qenka nga kuzhinat e partnerit të portokallt.
Por, është një fakt që askush nuk arrin dot ta mohojë: e ka një problem kjo partia shqiptare në pushtet që sillet kaq urtë e butë dhe askush nuk arrin ta kuptojë, se pse kjo parti më shumë e ban gajlen e Maqedonisë si shtet, se sa të një pjese të asaj Maqedonie që kushtimisht mund të quhet “Maqedonia shqiptare”. Askush nuk e ka ndërmend të kërkojë nga ata ndarjen e Maqedonisë në kuptimin territorial, por kur do të ndodhë që kjo parti ta ndërpresë praktikën e politikëbërjes duke u bazuar në perceptimet joshqiptare për të.
Hulumtimet e fundit po tregojnë se shumica e shqiptarëve janë kundër mënyrës aktuale qeverisëse dhe nëse kjo është kështu, atëherë na duket absurde që partia shqiptare në pushtet të bazojë politikën e saj mbi një perceptim që është kundër këtij disponimi të shqiptarëve.
Zgjedhje (të parakoshme), a zgjidhje? Të gjithë janë hutuar pas enigmës së kësaj sintagme. Në fakt, tash bie të kemi zgjedhje të rregullta po të mos kishin qenë të parakohshme ato që u mbajtën në vitin 2008. Po të duam ta locojmë drejt problemin e Maqedonisë, është një e vërtetë që askush nuk mundet ta mohojë se asaj nuk i ndihmojnë as zgjedhjet e parakohshme, as të rregullta. Sepse çfarë do qofshin ato, zgjedhjet nuk po sjellin ndonjë zgjidhje, kurse zgjidhja as që do të vijë me këta surrata politikë, të cilët përpos ambicjeve për të ndryshuar frizurat, syzat, kostumet, xhipat, vilat, llogaritë bankare, nuk kanë ndonjë ambicje tjetër.
Deri në zgidhjen e ardhshme duroni këta që i kemi zgjedhur, sepse njëherë për njëherë nuk ka të tjerë. Të tjerët, ende nuk po dinë se me çfarë syza të vinë, sepse ende nuk po e dinë a do të kenë apo jo xhipa, vila e llogari të reja bankare. Mund të jetë edhe ndonjë i tretë, kush e di, çuditë s’kanë të sosur.