E merkure, 26.06.2024, 07:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Faik Shkodra: Mbi dashurinë për jetën dhe tokën mitike

E premte, 04.02.2011, 08:59 PM


 

Libër i ri i autorit në diasporë: “Në Tokën tonë” (novelë) nga Dibran Demaku

 

Recension

 

MBI DASHURINË PËR JETËN DHE TOKËN MITIKE

 

Nga Dr. sc. Faik Shkodra
 

Krijimi artistik me titull të pëlqyeshëm dhe tërheqës “Në tokën tonë”, i shkruar në gjininë e novelës nga Dibran Demaku, është hartuar me përgatitje e përjetim të veçantë dhe si i tillë reflekton vlera të shumta ideoartistike, ideoestetike, ideoemocionale dhe me të dhëna të vërteta sjell fakte të rëndësishme, sa letrare aq, do të thoshim, edhe historike e shkencore. Autori i novelës, nga fillimi e deri në përfundimin e saj, domethënë deri në përfundimin e temës që bëhet objekt kryesor i trajtimit, ka arritur të paraqesë dramën, që herë-herë është shndërruar në akte të tragjedisë së popullit shqiptar nëpër rrjedhë të shekujve, shekuj që kanë shkaktuar dhimbje, plagë, vdekje, gjenocid, zhdukje dhe humbje të identitetit nëpër vendet e huaja, sepse numër i madh i shqiptarëve ishin përndjekur, shtypur dhe masakruar nga regjimet fashiste të mbretërisë jugosllave dhe nga elaboratet më famëkëqija të shkruara nga institucionet më të larta të shtetit, çfarë ka qenë Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve dhe akademikët e saj me në krye Çubrilloviqin, Andriqin, Qosiqin e së fundi edhe akademikët e kohës më të re, të cilët shkruan Memorandumin për zhbërjen e Kosovës në vitin l987, memorandum që ishte shkruar, planifikuar dhe organizuar nga shovinisti dhe i çmenduri i Serbisë Sllobodan Millosheviqi dhe regjimi kriminal e gjenocidal i tij.

 

Mendime të ngjeshura filozofike

 

Novela në gjithë kompozicionin e saj trajton ndjeshëm aspektet që lidhen me realitetin e së djeshmes së vështirë të popullit të Kosovës dhe të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë dhe shkrimtari me një aftësi të rrallë e mendje të ndritur sjell të dhëna të trishta që lidhen me pjesën e identitetit dhe të etnisë sonë. Dhe, ndryshe nga shkrimtarët e tjerë, plagën e shpërnguljes, dëbimet e shqiptarëve me dhunë nga trojet e tyre shekullore, Dibrani në novelë i trajton duke u përqendruar më shumë në dukuritë dhe problemet e realitetit të djeshëm, duke sjellë fakte të qëndrueshme dhe objektive për atë që kanë përjetuar shqiptarët dhe me një frymëzim të lartë artistik, me një përjetim karakteristik shpirtëror e me një mjeshtëri të rrallë artistike, ka arritur që përmbajtjen e novelës ta pasurojë me shumë të dhëna të dhimbshme për fatin e pafat të shqiptarëve, në një anë, dhe veprën ta pajisë me mendime të ngjeshura e të thukta filozofike, që në fakt janë reflekse të përjetimeve të njerëzve të trojeve shqiptare nëpër ato vite të tmerreve e të ferrit të Dantes, në anën tjetër.

I tërë përqendrimi i autorit lidhet me idenë e pasigurisë së shqiptarëve në tokat e veta dhe se kjo ide sikur vërshon e artikulohet në tërë subjektin e novelës. Është kjo një novelë me elemente socio- psikologjike dhe historiko-patriotike.

Problemet e trajtuara brenda fabulës së saj flasin për një ndërmarrje e zotim serioz të autorit, i cili vërtet lexuesit i ka dhuruar një prozë me vlera të larta estetike dhe artistike. Siç mund të shihet, autori novelën “Në tokën tonë” e nis me thënie frazeologjike popullore, duke na lidhur, si ura që lidh dy pjesë të anëve, me pushtuesit e rinj dhe me ata të vjetrit, që, fatkeqësisht, për veprimet e bëra kundër shqiptarëve nuk dallojnë as për një fije floku.

Trajtimi i temës së kolonizimit të tokave shqiptare nga ana e pushtuesve sllavë është bërë me njohje e me përkushtim nga autori, i cili, duke sjellë të dhëna mbi sjelljet, veprimet dhe dhunën që ushtrojnë ardhacakët e rinj, pra kolonët serbë, dhe jetën e zbrazët, të pasigurt e të dhimbshme të atyre pak shqiptarëve që kishin mbetur pa u shpërngulur drejt shkretëtirave të Anadollit dhe vendeve të tjera të botës, na ofron informacione të bollshme për ato vite tragjike dhe vetë realiteti i pasqyruar bën që krijimi “Ne tokën tonë” pa farë dyshimi të jetë zë i një kohe të mbërthyer me shumë fatkeqësi që e goditën popullin shqiptar dhe si krijim me siguri për vlerat artistike dhe për përvijosjen e atyre ngjarjeve me mendime të ngjeshura e me mishërimin me mjeshtëri e shije të hollë të vlerave të krijimtarisë gojore, do të zërë vendin e merituar në fondin e novelave më të mira në letërsinë e sotme shqipe në përgjithësi.

 

Kallëzim i dramës shqiptare

 

Autori i kthehet së kaluarës dhe me një qasje të llojit të vet bën paraqitjen e padrejtësive, bën kallëzimin e dramës së shqiptarëve tamam siç shkruan Agim Vinca për librin “Ardhësit Këngët e Ali Binakut” të internacionalistit dhe mbrojtësit shumë të ndershëm të shqiptarëve kundër regjimit të serbëve, Radovan Zogoviqit, i cili tragjedinë e shqiptarëve e kishte parë në tri rrafshe, apo, siç pohon Vinca, e karakterizonte me tri fjalë: shpronësim, shpërngulje, shfarosje. Nga këto pozita Demaku arrin të paraqesë padrejtësitë që pushtuesi bënte mbi shqiptarët, duke i përzënë nga tokat e tyre e duke i vendosur në to serbët e malazeztë. Ato toka ua merr me dhunë duke i detyruar shqiptarët që të shpërngulen në Anadoll - atje ku dreqi bën ve dhe atje ku do t’ua ndërrojnë emrat dhe do t’i asimilojnë përgjithmonë. Këtë histori të dhimbshme e rrëfen kryeplaku që rri në kullën e tij e më pastaj, nga torturat që u bënin ardhacakët, të ndihmuar nga dora e fortë e pushtuesit, kryeplaku tërhiqet drejt malit për t’u vendosur në një shpellë, diku në thellësi të maleve. Vendosja e kryeplakut në shpellë, në mënyrë simbolike shpreh atë dëshirën dhe idealin e tij për të mos u larguar nga toka e vet, për të cilën do të flijoheshin deri te fëmija e fundit (Shembulli më sublim është ai i historisë sonë më të re, flijimi pothuajse i tërë familjes Jashari në ballafaqim me forcat e errëta pushtuese serbe).

Jeta e vendorëve nëpër shpella fillon të bëhet e rëndë, sa nga kushtet e vështira aq nga provokimet që u bënin ardhacakët, të cilët ishin të nxitur nga udhëheqja e shtetit serb, i cili, për t’i zbrazur trojet e shqiptarëve, jo vetëm që i provokonte, por krijonte incidente, siç ngjet ai i vrasjes së qenit të Boshkos. Si për koincidencë, incidenti sikur e dëshmon qëllimin e elaboratit të Çubrilloviqit të paraqitur në Klubin Kulturor Serb, kur kishte paraparë “edhe vrasjen e qenit të shtëpisë, si formë e trysnisë ndaj shqiptarëve”.

Vetëm vrasja e qenit do të bëhet një histori më vete dhe për zbulimin e atij që ka vrarë qenin shtohen torturat ndaj vendorëve. Por, si për ironi, Dibrani me të drejtë thekson se “Toka e huaj nganjëherë edhe ta vret qenin”.

Në çdo fshat e lagje pushtuesi e shton numrin e hafijeve apo spiunëve. Përditë nëpër vendorët lëviznin patrulla dhe delegacione të larta të organizuara nga shteti, me qëllim të krijimit të atmosferës sa më të rëndë për shqiptarët, të cilët do të duhej t’i braktisnin shtëpitë, tokat dhe çdo gjë tjetër dhe të thyenin qafën drejt Anadollit.

Dibran Demaku, përmes rrëfimit të ngjarjeve, i kthehet historisë edhe të largët edhe të afërt dhe bën paraqitjen e realitetit aq të vrazhdë, aq të pashpresë për shqiptarët, ndaj të cilëve zbatoheshin metodat më brutale e më çnjerëzore me qëllim të zhdukjes së çdo gjëje që lidhej me identitetin dhe historinë e tyre.

 

Qëndresë në tokën dhe për tokën e të parëve

 

Për më tepër, ngjarjet që vazhdojnë të rrokullisen mbi jetën dhe ëndrrat e shqiptarëve t’i kujtojnë fjalët e Kolë M. Berishës, thënë për të burgosurit e Goli Otokut, “të atyre që gjatë vuajtjes së dënimit kishin përfunduar në Kodrën e kafkave, ose siç jemi mësuar ta quajmë në kalvar, në vendin e mundimit dhe të poshtërimit aq poshtërues, saqë zor se do t’i përthekojë, do t’i kapë mendja e njeriut normal”.

E tërë përmbajtja e novelës ka kryefjalë të vetme idealin e shqiptarëve për të mos i lëshuar tokat e veta dhe një dëshirë e ideal i pathyeshëm është paraqitur me shembuj të shumtë dhe me një transponim të drejtpërdrejtë janë zbërthyer aktet e atyre dramave që u kanë shkaktuar shqiptarëve sa t’u dridhet toka ndër këmbë. Fjalitë e novelës përshkohen me ngarkesa të forta të shprehjes metaforike dhe simbolike. Subjekti i novelës është tërheqës dhe ligjërimi i autorit është sa i qartë, i kapshëm aq edhe komunikues. Në sendërtimin e objektivit, autori, përveç që tregohet mjeshtër në përdorimin e fjalës popullore, për të përmbushur synimin ideoartistik të krijimit, përdor jo rrallë mjaft detaje nga bota psikologjike e personazheve, duke bërë kështu tipizimin e tyre në mënyrën më gjithëpërfshirëse. Autori bën një ligjërim sa të shtruar aq befasues. Imtësitë psikologjike sikur ndikojnë që lexuesi të mbetet i pashkëputur nga ajo që rrëfen autori.

Përmes krahasimeve dhe paralelizmave, metaforave dhe simboleve, ironive dhe sarkazmave, autori bën pasqyrimin e personazheve që në novelë na dalin mjaft të konkretizuara. Marrëdhëniet e vendorëve dhe ardhacakëve janë të ashpra. Kjo më së miri shihet nga raportet zyrtare, raportet anonime të ardhura nga Provinca, Anadolli e Qendra. Këto raporte sillnin informata ndër më dramatike, si për vendorët ashtu dhe për ardhacakët që pa të drejtë ua kishin uzurpuar pronat dhe tokat vendorëve.

Personazh i veçantë për veprimet dhe qëndresën, mençurinë dhe largpamësinë që ka, madje për vendosmërinë që tregon për tokën e të parëve, është pa dyshim kryeplaku Dasho Guri, i shpërngulur nga fshati D., e që autoritetet vendore, nën presionin e Qendrës, bënin punë Sizifi për të zbuluar vendndodhjen e tij.

Ja, pra, Dibran Demaku me të menduarit krijues dhe me imagjinatën e pasur e fantazinë tepër të zhvilluar, arrin të riprodhojë një realitet të shkuar e të hidhur, realitet që lexuesin e prek deri në shpirt, sepse ngjarjet prekin dhimbshëm historinë, ngjarje që paraqesin metodat më monstruoze, mjetet më të paparashikueshme me të cilat bëhej shtimi i vuajtjeve dhe mundimeve të shqiptarëve nga pushtuesit shekullorë sllavë.

Shkrimtari, duke pasur të dhëna të qëndrueshme mbi politikën shkombëtarizuese mbi shqiptarët, që pushtuesit sllavë bënin mbi ta, nuk harron t’i paraqesë edhe shqetësimet e pushtetarëve serbë rreth shtimit të fëmijëve të popullatës shqiptare dhe ndaj këtij nataliteti merrnin masa të ashpra. Problemet e ndjeshme me të cilat ballafaqoheshin vendorët janë të shumta dhe shqetësuese dhe po këto çështje brenda novelës janë kapur në gjithanshmërinë e tyre. Gjatë leximit të novelës mësojmë mbi gjerësinë e të dhënave dhe mënyrën e konceptimit të problemeve.

Novela nuk është vetëm një rrëfim vetjak i autorit, por është një krijim, një analizë e thellë që i bëhet një realiteti të vështirë dhe se ky realitet nga autori është parë sa nga këndi i letërsisë aq edhe nga këndi i vështrimit historik.

Është e vërtetë se tërë novelën “Në tokën tonë” e përshkon motivi i qëndresës së shqiptarëve në tokat e tyre për të cilën ditën të vetëflijohen dhe ky vetëflijim kishte frymëzuar nëpër rrjedhë të kohëve një krijues të huaj që në një revistë të vitit 1881 në Nju-Jork të shkruajë edhe këto fjalë: “Shumë është folur e shumë është shkruar për shpirtin gjallërues dhe kryengritës të shqiptarëve”. Për më tepër, po këtë shpirt gjallërues të shqiptarëve e përvijos, e fuqizon autori, i cili, për të dalë edhe më bindës në këto vlerësime, shkruan se shqiptarët edhe atëherë kur buka u ka munguar kanë ditur ta mbajnë veten karshi pushtuesit, armikut të pamëshirshëm çfarë ishin nëpër shekuj sllavët e Karpateve e deri te sllavët e Ballkanit të ditëve të sotme. Përderisa pushtuesi është pushtues e gllabërues i tokave shqiptare, ai në vazhdimësi është përpjekur me të gjitha mjetet t’i zhdukë shqiptarët. Por, çuditërisht nga gjithë ajo dhunë shqiptarët kanë ditur dhe kanë arritur në mënyrat më të veçanta të mbijetojnë, të mbijetojnë në tokat, në vendet dhe në pasuritë e tyre. Novela thuajse qet në dritë krimet e bëra të serbëve mbi popullatën autoktone shqiptare dhe këto krime flasin për moralin e ulët, për panjerëzishmërinë e popullit serb në përgjithësi.

 

Sakrificat e të parëve  tanë

 

Kur lexojmë novelën “Në tokën tonë” të Dibran Demakut vetvetiu shtrohet pyetja: Sa jemi të vetëdijshëm për sakrificat që i bënë të parët tanë? Mendojmë se duhet të vetëdijesohemi më shumë se që jemi sot, do të duhej, siç thotë populli, të mbledhim mend dhe të mësojmë shumë më tepër nga të tjerët për historinë e popullit tonë. Këto çështje Dibrani i ka trajtuar bukur e rrjedhshëm në novelë dhe përmbajtja e saj patjetër ta sjell ndër mend kujtimin e Nolit, kur kishte thënë: “Hajde kujtoji tashti një nga një... se të kthesh të shkuarat, duhet të vesh te të shkuarat”!

Në novelë është prekur edhe një çështje e hidhur që ndër shqiptarët është konsideruar si diç e pazakonshme. Fjala është për martesat e përziera, martesat që bëheshin me porosi nga ana e pushtetarëve serbë.

Vërtet, një vajzë e bukur e një ardhacaku serb martohet me një djalë shqiptar. Kjo martesë nuk ishte fryt e një dashurie të vërtetë, por ishte bërë për hesape të tjera. Ishte kjo një martesë me prapavijë politike. Kësaj martese më së miri do t’i përgjigjej frazeologjia e njohur “dardha e ka bishtin prapa”.

Vajza e Jovës - Danica do të martohet me djalin e Ramës, Agimin. Pushteti i dorës së fortë nga ana e serbëve i kishte bërë llogaritë e veta rreth martesave të përziera. Sidoqoftë, autori me një vërtetësi të fortë dëshmon faktin se martesat e  përziera midis shqiptarëve dhe serbëve e malazezve në ish-Jugosllavi ishin bërë në emër të bashkim-vëllazërimit dhe për hir të atdheut e shtetit. Përfaqësuesit e shtetit serb i kishin thënë Jovës që martesën e Danicës me Agimin, djalin e Ramësn, të mos e prishte, sepse “shteti e di përse duhet bërë kjo martesë dhe besojmë që për hir të shtetit ti do ta bësh këtë”.

Mungesa e njohjes së qëllimeve të pushtuesit serb mbi tokat shqiptare, kishte bërë që të tregoheshin tepër naivë ata që martoheshin me femrat serbe. Veprimet e tilla në mënyrë asociative ta kujtojnë thënien filozofike të Gëtes: “Nuk ka njeri më të skllavëruar sesa ai që shtiret i lirë pa qenë i tillë”. Ky mendim i artë në mënyrë figurative do të thotë se njeriu kur ka të ftohtë nuk i mjafton ta ngrohë një shkrepëse e vetme.

Prandaj, autori, me një invencion të veçantë artistik dhe me të menduar të thellë metaforik, novelën e përfundon me realizimin, me triumfin e synimeve, të dëshirave, të aspiratave, të ëndrrave të të gjithë atyre shqiptarëve të shpërngulur me dhunë e me represalie të kryera mbi ta me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, më l7 shkurt 2008, kur edhe Dasho Guri i ri, plak gjashtëdhjetëvjeçar, nipi i Dasho Gurit të moçëm, me marrjen e lajmit se Kosova do të shpallej Shtet i Pavarur, del nga shpella për t’iu bashkuar festës së madhe, Dasmës së Madhe - shpalljes së Pavarësisë së Kosovës aq të përvuajtur nëpër shekuj e që nga shpallja do të buzëqeshin fëmijë e pleq dhe këtij akti historik do t’i gëzohen edhe shpirtrat e të vdekurve, të cilët kishin shkuar në botën e amshimit me mallin dhe ëndrrën që Kosovën ta shihnin të lirë e krenare në çdo drejtim. Këta të vdekur e barazonin gëzimin edhe me çuarjen e besës në vend, ashtu siç do ta çojë Konstandini besën që i kishte dhënë motrës se do t’ia sillte nënës edhe nëse vdes.

 

Krijim artistik që do të lexohet me një frymë

 

Përmbyllja e novelës është bërë me fjali që kanë forcën e shpirtit e të zemrës. Pra, qëndresa dhe sakrifica bëhen tema të mëdha brenda novelës. Këto pikëpamje të Dibranit në mënyrën më të natyrshme i shpalos kjo pjesë me të cilën e përfundon novelën: “Edhe Dasho Guri i ri, plak gjashtëdhjetë vjeç, ishte ngritur nga varri që ta çonte në vend amanetin e gjyshit të vet, Dasho Gurit - plakut...”.

Vetëm kjo pjesë e paraqitur flet bindshëm për prirjen, kulturën, zotimin që ka treguar autori në individualizimin, tipizimin dhe konkretizimin e personazheve, flet për një trajtim realist të kapjes së përpjekjeve të pandalshme të shqiptarëve për të qenë të lirë e të pavarur në tokën e tyre, për të cilën derdhën shumë gjak e shumë djersë.

Pra novela “Në tokën tonë” është shkruar me kulturë letrare, me një gjuhë të pasur e të rrjedhshme, me përdorimin e suksesshëm të frazeologjive, fjalëve të urta dhe krijimeve të tjera të pasura të folklorit dhe si krijim artistik do të lexohet me kënaqësi dhe me një frymë.

Përmbajtja e novelës i ngroh zemrat e lexuesve. Kur të gjitha këto të dhëna kihen parasysh - atëherë në mënyrën më të mirë na kujtohen mendimet e eseistit Rasu Gamzotov, të shprehura në esenë: Tradita, kombi, poezia, ku, ndër të tjera, thekson: “Përndryshe, sikurse është e ditur, edhe në bjeshkët e ulëta gjeologët nganjëherë gjejnë elmazë të shtrenjtë, por kurrkund nuk është thënë se në një popull të vogël edhe artisti duhet të jetë i vogël”. Dibran Demaku në këtë novelë ka dëshmuar talentin dhe prirjen për të transponuar fakte të vërteta nga e djeshmja dhe se duke shkruar për historinë e popullit tonë ai njëkohësisht është bërë vetë histori e tij, është bërë sinonim i dashurisë dhe metaforë që bashkon të djeshmen e hidhur me të sotmen e ndritur dhe mbi këto shtylla autori mbetet thellësisht i lidhur me atdheun, me traditën, me gjuhën dhe me idealet gjithmonë të fuqishme të popullit tonë.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora