E premte, 27.12.2024, 07:48 PM (GMT)

Kulturë

Pirro Çako “Diferenca ime je ti” në albumin tim të ri

E premte, 11.01.2008, 07:44 PM


Këngëtari i njohur Pirro Çako, pa dyshim që është një nga talentet, i cili me kontributin e tij është bërë pjesë e rëndësishme në muzikën shqiptare. Në një intervistë për gazetën “Sot”, këngëtari i mirënjohur flet për vitin që sapo lamë pas, emocionet si prezantues, por dhe mbi planet në aspektin profesional, duke treguar detaje për realizimin e vidioklipeve dhe albumin e ri që do të nxjerrë. Ndalet në rrëfimin e tij për muzikën shqiptare si dhe çfarë shpreson që të arrijë në vitin 2008.

Pirro Çako
-Jemi në ditët e para të vitit 2008, por unë do të doja të dija viti që lamë pas si ka qenë për ju nga ana profesionale?
Në aspektin profesionale viti 2007 ishte një vit më i qetë, por do të thosha që unë zakonisht një herë në dy vjet që nga viti 2004 kam pasur një album, ndërsa viti 2007 nuk ishte viti i albumit pasi ai ishte në vitin 2006. Ky vit që lamë pas për mua ishte relativisht i qetë, një vit akumulimi dhe ndoshta në drejtim të vidioklipeve ishte më i rëndësishëm për arsye sepse unë hodha në treg dy vidioklipe siç ishte ai i këngës “Ëngjëll apo Djall” që doli në muajin maj të vitit 2007 dhe tjetri ishte vidioklipi i këngës “Mos më krahaso” që doli në shtator po të këtij viti. Pra, nga kjo anë ishte i përmbushur pasi realizimi i dy vidioklipeve në vit është një rendiment i mirë dhe nga kjo anë mendoj se ky vit ishte interesant.

-Thatë që për sa i përket vidioklipeve ka qenë një vit i suksesshëm, por si ka qenë në drejtim të krijimtarisë?
 Për sa i përket drejtimit të krijimtarisë ishte më tepër një vit akumulimi, një vit në heshtje për t’u rinovuar pak, për të gjetur ide të reja në kërkim të një albumi të tretë që besoj se do të jetë shumë më ndryshe se albumi që pasoi, dhe më pas sigurisht që pati edhe fundin e tij që u karakterizua me Festivalin e 46 të Këngës në RTSH ku unë isha edhe prezantues së bashku me Elsa Lilën.

-Të ndalemi pak në eksperiencën tuaj si prezantues, cilat ishin emocionet që morët dhe mendimi juaj për zhvillimin e këtij festivali?
Hera e parë për mua si prezantues, një eksperiencë e re që unë pata fatin ta prek, por unë nuk do të jem asnjëherë më një prezantues i festivaleve. Unë e dhashë kontributin tim si prezantues, por nuk e shoh veten shumë në këtë fushë. Kënaqësia është diçka tjetër dhe eksperienca është diçka tjetër. Këto janë gjëra apo konkluzione që do t’i marr vetë, por nganjëherë them se ato tre ditë që kalova atje në fillim mu dukën si tre shekuj, por sot që flasim pas kaq ditësh më duket se nuk e kam jetuar kurrë. Pra, në të njëjtën kohë njeriu i harron gjërat, sakrificën dhe atë përqendrim kaq të madh. Kur them se nuk do t’i kthehem më është ndoshta edhe një arsye që unë nuk e shoh veten në këtë fushë, në prezantim. Ajo ishte si një kompromis që unë bëra pasi pati edhe një prezantim ndryshe së bashku me kolegen time që ishte gjithashtu këngëtare, ishte diçka spontane dhe një gjetje, shumë njerëz e pëlqyen. Sigurisht që aty je në qendër të vëmendjes, unë e bëra një herë prezantimin dhe mendoj se pas gjithë atyre që ndodhën shpresoj që të ketë mbetur të paktën shija e mirë e asaj gjëje që ne bëmë. Le të mbetet një kujtim dhe për mua një faqe historie që unë nuk kisha prekur asnjëherë dhe unë bëj pjesë tashmë në atë histori si prezantues. Për sa i përket këngëve të festivali unë e kam thënë edhe herë të tjera që kënga është krijimtari dhe të gjithë përpiqen që të shkruajnë këngë të bukura. Nuk është e thënë që kompozitori kur vjen në festival të shkruajë këngën e tij më të bukur, ajo është me të qëlluar, është krijimtari dhe është shumë kapriçoze për të gjithë ne, kështu që mua më duket se festivali ishte shumë serioz dhe kishte një kthim në traditë.

-Dy vidioklipet tuaja më të fundit janë prezantuar para disa muajve dhe janë vlerësuar edhe nga publiku. Na tregoni disa detaje në realizmin e tyre?
Dy vidioklipet e mia më të fundit, pasi janë tre rresht deri tani, ku në vitin 2006 doli vidioklipi i këngës “Ah moj dashuria ime”, i cili për mua mbetet më i bukuri nga këta të tre dhe më pas vjen vidioklipi i këngës “Ëngjëll apo Djall”, më pas vjen edhe vidioklipi i këngës më të fundit “Mos më krahaso”, këta të tre janë të realizuara nga një regjisor. Të tre janë bërë jashtë Shqipërisë dhe janë realizuar në Maqedoni. Kam ndjerë një sensacion shumë të madh në xhirimet e këtyre vidioklipeve dhe e kam  ndjerë veten vërtetë artist. Gjithashtu kam pasur një staf të tërë që ka punuar dy ditë për mua dhe ka qenë një organizim perfekt i punës. Është çuar teksti, muzika dhe është punuar në distancë ku regjisori ka gjetur motivin e vidioklipeve, ka gjetur idenë më pas ma ka propozuar mua dhe pasi unë kam dhënë okein është caktuar data e xhirimit. Stafi ishte i kompletuar kisha përkthyes, kostumierë, grimorë, pra i kisha të gjitha dhe çdo gjë funksiononte sahat ku asnjë minutë dhe sekondë nuk shkonte kot. Pra, jam ndjerë vërtetë artist në këto vidioklipe dhe shpresoj të kem fatin që të sponsorizohem ndoshta për ndonjë vidioklip tjetër të ri që do të desha ta bëja për vitin 2008.

-Ndalemi pak tek viti që sapo ka nisur, cilat janë disa nga projektet tuaja në aspektin profesional për vitin 2008?
Për mua viti 2008 nga ana profesionale ka filluar jo pak me këngën “Diferenca ime je ti” që po jepet non stop, e cila ishte edhe kënga përshëndetëse në festival. Pra, nuk është e thënë që planet profesionale të jenë vetëm me vidioklipe, duket se edhe një duet i bukur në sallë ka vlerën e vet. Është një duet që unë e kam shumë për zemër dhe do të jetë pjesë e albumit tim të ri për të cilin unë akoma nuk e kam vendosur titullin.

-Sa këngë do të përmbajë ky album dhe kur do të prezantohet para publikut?
 Albumi do të përmbajë 10 apo 11 këngë dhe më shumë se kaq në këtë album unë do të përpiqem, por kam më shumë interes të jem vetvetja. Sigurisht që forma mund të jetë e ndryshme pasi ajo evolon, por unë edhe të dua të ndryshoj nuk ndryshoj dot vetëm po të m’i shkruajë këngët një Pirro tjetër (qesh). Pra, ky album do të jetë në kontekstin e asaj që unë shkruaj do të jetë nën ndjesinë time. Pra, me këto 10 apo 11 këngë që do të përmbajë ky album unë besoj se mund ta realizoj në fund të vitit 2008 dhe po nuk arrita do të jetë pjesë e vitit 2009. Kjo është një punë krijimtarie dhe është shumë kapriçoze.

-Po flasim për duete dhe deri tani të gjitha ato që keni realizuar kanë qenë të suksesshëm. Por, a do të vazhdoni të keni përsëri bashkëpunime me këngëtarë të tjerë?
Jam i lumtur me këtë këngë të parë që realizova, e cila ishte një duet dhe do të ketë ndoshta edhe duete të tjera. Mund të kem ndoshta edhe një tjetër ose një vajzë dhe një djalë duke parë edhe në vazhdim. Tashmë viti 2008 nisi me këtë këngë, por do të desha të bëja edhe një singëll të dytë diku nga muaji maj apo qershor, i cili do të jetë edhe ai pjesë albumit tim të ri dhe më pas po arrita që të bëj edhe pjesën tjetër të këngëve do ta promovoj albumin tim në fund të vitit 2008. Pra, këto janë planet e mia, por njëkohësisht unë kam edhe një studio muzike ku prodhoj dhe shkruaj këngë edhe për të tjerët dhe do të jem aktiv ndoshta edhe në evenimente të tjera muzikore si p.sh në “Top Fest” ku mund të marr pjesë si kompozitor. Ndoshta do të jem pjesëmarrës edhe tek “Kënga magjike”apo tek festivali i ardhshëm si kompozitor, por unë mund të jem po si kompozitor edhe tek ndonjë album i ndonjë këngëtari tjetër pasi ka shumë prej tyre që duan të kenë një këngë nga unë. Kjo është një punë shumë e rëndësishme për mua pasi më ka tërhequr gjithmonë të shkruaj për të tjerët dhe më jep një ndjesi kur e dëgjoj këngën të kënduar nga dikush tjetër.

-Kënga e lehtë shqiptare prezantohet në disa festivale që organizohen në vendin tonë. Mendimi juaj rreth tyre?
Ka disa festivale që zhvillohen në vendin tonë, por unë jam njohur edhe me vende të tjera. Në Gjermani janë 12 festivali, Italia nuk ka festivale të tipit sezonal ndërsa tek ne janë katër festivale që janë: “ Kënga Magjike”, Festivali në RTSH, “Mikrofoni i artë” si dhe “Top Fest”. Unë shpresoj që të mbetemi tek këto të katër pasi jemi një popullsi prej rreth 3 milion banorë kështu që katër janë të mjaftueshëm. Të gjithë janë të ndryshëm për nga forma. “Mikrofoni i artë” është më tepër radiofonik, “Top Fest” është shumë tendencë dhe festivali i “Këngës magjike” përplas shumë rryma, i cili ruan edhe një nuancë të festivalit të RTSH. Ndërkohë që festivali i RTSH- së është klasiku në llojin e tij dhe do të mbetet gjithmonë në këto ujëra pasi i përket një auditori njerëzish që e kanë dashur dhe do ta duan gjithmonë, i cili është pak a shumë edhe forma e “Sanremos” dhe mendoj se ai do të mbetet gjithmonë. Por, ka edhe festivale që kanë krijuar atë fizionominë e vet siç është p.sh festivali i “Këngës Magjike” ku edhe unë kam dalë si kantautor dhe si kompozitor nga ky festival ndërkohë që do të kisha dëshirë të merrja pjesë edhe në “Top Fest” ndonëse shumë trendy do të doja që të provoja forcat e mia, pra të gjitha këto festivale të japin mundësi që të vesh veten në provë. Koha ikën dhe nuk kthehet më. Unë p.sh para 20 vjetësh kisha më shumë dëshirë për të arritur diçka dhe sot mbase nuk e kam më diçka të tillë. Kur njeriu arrin atë qëllim e tij ai ndjehet mirë me atë që ka bërë dhe vetvetiu e shikon pak më ndryshe. Pra katër festivale nuk janë pak, por edhe shumë nuk janë. Ne jemi akoma në kërkim të identitetit sepse ndryshoi katërciprorisht muzika tek ne pasi më parë ajo ishte e centralizuar dhe të arrish të krijosh një identitet nuk është pak. Por, unë mendoj se këto janë festivale që i japin mundësi të rinjve që të promovohen fort pasi ajo është një vitrinë, ndërkohë që festivali i këngës vazhdon të ruajë atë ndërthurjen e mirëfilltë të brezave pasi e ka edhe traditë. Festivali i Këngës në RTSH do të funksionojë herë më mirë apo herë më keq, por ai do të jetojë pasi është ndërtuar dhe i është dhënë ajo formulë që do ta mbajnë breza me radhë. Prandaj them se ndoshta edhe unë do të kujtohem pas 400 vjetësh dhe kur të jetë festivali i 446 do të thonë që në edicionin e tij të 46 ka qenë një prezantues që quhej filani dhe do të japin disa këngë të miat dhe këtu qëndron edhe bukuria e tij, kështu që me pak fjalë nuk janë shumë festivale kënge.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora