Përjetësi » Kadare
‘Dimri i madh’ shpëtoi Kadarenë nga eliminimi fizik
E marte, 25.01.2011, 07:11 PM
Nga Express
Tematika dhe subjekti i diktaturës dhe i konfliktit midis shtetit dhe individit të çmeritur vendoset këtë herë në shoqërinë shqiptare, në kohën e diktaturës dhe asaj postdiktatoriale, në dallim nga veprat e tjera, të shkruara dhe botuara para rënies së murit të Berlinit, ku Kadare do të thoshte të vërtetat politike nëpërmjet subjekteve të vendosura në periudha të ndryshme historike, në Perandorinë Osmane, në Egjipt, në Mesjetë, në vendet e ndryshme të globit, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë në Shqipëri, e posaçërisht në kohën e diktatorit Enver Hoxha. (Përjashto këtu "Dimri i madh", Tiranë 1977 dhe "Koncert në fund të dimrit", Tiranë 1988, romane historiko-politike, me përmasa të gjëra epiko-groteske, që gjegjësisht i referohen ndarjes së Shqipërisë me Moskën e me Pekinin, madje një pjesë e mirë e dialogëve të personazheve janë të ndërtuara nga proces-verbalet faktike e nga kujtimet e Enver Hoxhës). Ky i fundit bëhet personazh letrar që në gjallje. Mund të shihet në mënyrë krahasimtare figura e Enver Hoxhës në këto dy romane, ku për arsye konjukturale vizatohet në mënyrë krejt diskrete dhe ambigue, në figurën e Enver Hoxhës në romanin "S.P.I.R.I.T.U.S", që ngjason më tepër me një fantazmë tragjike, me një maskë mitike posaçërisht përmes dytësit të tij: kërcënuese, tronditëse, shkatërrimtare, si portreti i një përbindëshi që më mirë se gjithçka di të endë kurthe, dredhi, panik. Për romanin "Dimri i madh", shkrimtari vetë do të shprehej se ishte ky roman që do ta shpëtonte atë fizikisht: "Enver Hoxha e çmon mjaft portretin e tij në atë libër dhe kurrsesi nuk do ta humbasë. Mirëpo bashkë me ty do të zhdukej edhe romani" (Pesha e kryqit, Paris 1991, f.140). Në qoftë se mund të konsiderojmë me plot të drejtë se romani "S.P.I.R.I.T.U.S" është strukturuar nga përvoja të tjera, që mund t'i gjejmë në të gjithë veprën e tij, dallimi është se ngjarjet vendosen këtë radhë në Shqipëri, për pasojë aluzionet janë më të dobëta, metafora e vendosur në një terren më pak të favorshëm, por idetë, po aq intensive, zhvillimi i teknikave epike po aq i papritur. Nga ana tjetër, shkrimtari gjen në fund terrenin e vërtetë për t'u shprehur pa kufizime, në mungesë të plotë të censurës, në trevën nga ka gjeneruar e gjithë vepra e tij (bashkë me romanin "Shkaba"). Në një përqasje krahasimtare, Ismail Kadare përdor si përftesë stilistikore hetimin gjyqësor si tek "Kush e solli Doruntinën", shtypjen e pamëshirshme të individit si tek "Qorrfermani" dhe "Piramida", një lojë mbi rrjedhën e kohës si tek "Përbindëshi", mitizimin dhe çmitizimin, ndërtimin dhe shkatërrimin e ngjarjeve dhe versioneve të tyre, që ngrihen e rrëzohen, formohen e shformohen, pohohen e mohohen, lindin, vdesin e rilindin...
Romani "Përbindëshi" shënon një nga risitë më të mëdha të prozës shqipe, struktura moderne e të cilit ruan befasi pas çdo lëçitjeje edhe kur kjo kryet në ditët e sotme, ku liria e shprehjes artistike nuk përbën më një problem. Romani përbëhet nga një sistem koherent i të menduarit artistik, nga një simbolikë e të menduarit, nga një tërësi trajtash e nuancash ideore. Në latinisht, aluzion do të thotë "të trajtosh diçka me shaka". Nuk është rasti të ndalemi mbi çmimin që kanë paguar shumë artistë për këtë lloj "argëtimi". Aq më tepër kur aluzioni ruhej të mos kuptohej", me shumë kujdes, nga regjimi komunist në Shqipëri. Pikërisht kjo formulë e zgjedhur për romanin do t'i krijonte kaq shumë probleme dhe aq peripeci si romanit, ashtu dhe shkrimtarit.
Romani "Përbindëshi" është ndërtuar si një aluzion për gjendjen e Shqipërisë në vitet 1960, kur vendi mbyllej vullnetarisht nga gjithë bota. Shqipëria, asokohe përpiqej të krijonte një lidhje joorganike me një vend të madh në Lindjen e Largët, Kinën. Kjo lidhje, në vend që të lehtësonte vetminë dhe komunikimin, theksonte e rëndonte më tepër të kundërtën, vetizolimin. Vetmia, mbyllja fatale dhe izolimi i një vendi të vogël, realizuar nga një politikë paranojake, është tema e një segmenti të rëndësishëm pothuaj në gjithë veprën e Kadaresë. Por, vepra ku mesazhi do të ketë një veshje dhe ngarkesë simbolike më të madhe do të jetë "Përbindëshi". Mbyllja dhe pasojat e saj, si rrjedhojë e zgjedhjes alogjike dhe absurde nga udhëheqja komuniste, vetizolimi dhe humbja e të gjitha lidhjeve përkatësore të natyrshme, gjeografike, kulturore, shpirtërore, me kontinentin në të cilin bën pjesë, gjenerojnë urrejtje të rreme, një ngërç në psikologjinë kolektive, agresivitet deri në absurd, armiqësim me botën dhe mosnjohje, vetëshkatërrim dhe një klimë të favorshme për krime dhe vëllavrasje. Vetëmbyllja sjell për pasojë një realitet të përçudnuar, të rënduar psiqikisht, i cili për pasojë denatyrohet, denatyrohet dhe perceptimi për të; madje duket se nuk ngjan më me vetveten - një realitet sipas një modeli 'sui generis'.
Si pasojë e izolimit, edhe ngjarjet marrin tjetër kahje, mungesa e komunikimit krijon të tjera ligjësi, vijimësia e rrjedhjes së kohës pëson një ngërç, pamja e botës përmbyset, shpërbëhet, humbet integritetin; një tjetër kohë dhe një tjetër hapësirë lind - fragmentare, inkoherente, që krijon tangjenca me historinë e moçme të shoqërisë njerëzore. /Panorama/