E merkure, 13.11.2024, 06:22 AM (GMT)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Skënderbeu nesër shalon kalin matanë urës së gurit

E shtune, 15.01.2011, 07:59 PM


SKËNDERBEU NESËR SHALON KALIN

        MATANË URËS GURIT

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Dimër i madh në Shkup. Bora nga të katër anët e maleve zbret në qytet. E gjithë natyra duket se ka ngri akull. Permendoreve të “Shkupit 214” u rrëshqsin këmbët. Edhe kuajve të kalorësve në të dy anët e Vardarit. Luanëve bythët te të dy këmbët e urës si saja. Mjegullat nateditë u rrinë mbi kokë. Përçudi, në këtë acar Skënderbeu ende nuk e ka nxjerrë shpatën nga brezi. Vetëm politikanët në Kuvend, ama ia kanë thënë këngës pranë zjarrit në oxhak. Edhe ndonjë qen rruge me bishtin ndër këmbë dhe kokën në koshin e plehrave.

      Skënderbeu, që në sheshin e vet e kishte futur shpatën në brez dhe kënaqej me këtë copë livadh të mbjellur me beton, që mezi ia nxente kalin me shalë, shikimin e kishte hedhur matanë Vardarit. Tamerrmendja, ngushtë e kishte në këtë “brez livadh”, aq sa një vrap kali. E priste të nesërmen ta kalojë Vardarin, ose të hip në Kala. Vendi i tij më i preferuar gjatë luftërave të ndryshme, kishin qenë kalatë. E pse sot, pas kaq shekujsh përsëri të mos jetojë kalave, po ta zbrezin me dhunë pasardhsit e tij nëpër sheshe, ndonjëri edhe në një pëllambë beton. Ose: pse të mos e shalojë kalin matanë Urës së Gurit, në sheshin “Makedonija” krah për krahu me Aleksandrin e Madh?! “Vëllezërve” tanë u duhen heronj, histori. Atëherë, pse shqiptarët tregoehen kaq shpirtngusht, nuk u dalin në ndihmë “vëllezërve”. Edhe ashtu, janë duke i bërë shtet. E shteti kërkon popull me identitet, histori.  I kanë heronjtë e të parëve të tyre, do të thoni ju, në të  dy anët e Urës së Gurit:  Metropolitët e Beogradit, Shën Kirili dhe Metodi. Matanë Urës Gurit i kanë heronjtë bullgar mbi kuaj: Dame Gruevin dhe Goce Dellçevin. Edhe katër luanë i kanë në të dy anët e urës “Goce Dellçev”, rrëzë Kalasë. E di, po u duken pak “vëllezërve”, nuk u ngihet syri. Patjetër, edhe ne duhet t’u japim disa personalitete historike. Ne u japim, po nuk u japin partitë politike shqiptare. Thonë: atëherë, ne heronjt e gjallë me cilët heronj të vdekur do të bëjmë fushata zgjedhore?! Dhe, sa herë që kaloja pranë kalit të tij me bishtin përpjetë, e shihja se është i zemruar me ne stërnipërit, që sa herë dilnim përpara popullit e nxirrnim shpatën e tij famëmadhe dhe çdo katër vite bënim Shqipëri Etnike. Fytyra i rrinte errë e zi. Mjekrra i dridheshte nga zemrimi. Përmëtepër, çuditesha me “patriotët“ kuqezi sa herë që kalonin pranë tij, si nuk hanin ndonjë shuplakë. Shqelm kali. Ose, s’e nxirrte shpatën nga brezi dhe me një të rame t’ua hedhë kokën përpara këmbëve të kalit si cung shelgu…

         Mendime të këtilla më mundonin ditën. Natën. Në shtëpi. Në rrugë. Herë pas here më binin sa mundeshin me grushta. Zgjohu! Nuk është koha për gjumë. Merre kokën tënde nën sjetull dhe dil në Çarshi, te Sheshi i Skënderbeut!...

         Dhe, nuk e di pse, sa herë që kaloja pranë atij Sheshi, mendoja se një ditë nuk do ta shoh Skënderbeun mbi kalë. Mendja ime prej shkrimtari ma thonte se: një natë Skënderbeu për inatë tonin, të shqiptarëve, duhet të ikë nga ky shesh dhe të dalë matanë Vardarit. Ose, të hip me gjith? kal? me shalë në Kala…

         Kalin e kishte me gjithë shalë në drejtim matanë Vardarit. Shpatën, ende në brez. Dorën e ngritur lartë: Ngadalë, o burra! Mos u ngutni, durim! Edhe pak të presim të shkrihet bora. Akulli. Dimri të ikë majave të malit Sharr. Nesër do ta kalojmë Varadrin, matanë Urës së Gurit. Atëherë, së paku çka priste që nuk e këpuste frerin dhe të hip në Kala me gjithë kalë me shalë?!...

          - Hi-hii-hiii… E pret Moisi Golemin… Qeshi matanë rrugës Tata e Madhe, një poete e çmendur duke u rënë mureve me shkop nëpër Çarshi, në Bit – Pazar: Zgjohuni!... Zgjohuni, o harama nga gjumi, i dilni zot gjithë këtij bereqeti në mes të fushës! Pasurie të tundshme, se ua mori shkau në mes të ditës…

         Rrapi, përsëri bleroi, shpërtheu gjethe në pranverë. Nën hije i kishin ardhë mysafirë nga të katër anët e Atdheut. Poetë, që kokë më kokë lexonin poezi. Çarshisë së Vjetër dalëngadalë po i dilte gjumi. Vargu i hipte në shpinë kalit...

         Tata e Madhe me ferexhen krahëve dhe shkopin në dorë, u përzi në mesin e poetëve. Tashti, më në fund ma keni bërë qejfin, Çarshinë do ta zgjojmë nga gjumi. Mjaftë fjeti më, rrëzë Kalasë. Nën këmbët e kalit të Skënderbeut. Gurët e këtyre mureve. Rrugët e ngushta me kalldrëm, fshehin e ndezin histori. Shadërvani, që me shekuj ia ujit rrënjët Rrapit të na bëjë hije ne poetëve për çdo pranverë të vonuar me vapë, rrëzë Kalasë me gurë mbi gurë...

         Ora e madhe letrare filloi nën Rrap. Poetët i këndonin dashurisë. Gunës së tij me gjethe, që si zogjë i kishte marrë nën sjetull. Ndonjëri, edhe Atdheut. Pse jo, ky burrë e mbante më këmbë me kësulë të bardhë në kokë në mes të Çarshisë. Edhe Skënderbeut që matanë rrugës i bënte roje, me shpatën në brez e dorën e ngritur lartë, përsëri u thoshte shqiptarëve: Ngadalë, o burra! Nesër, do ta kalojmë Vardarin, matanë. Urën e Gurit, që është bërë si Kështjella e Rozafatit, ditën ndërtohet e natën rrënohet… E ne, nuk kemi Nuse ta varrosim nën ato themele, duke ia lënë një gji jashtë për poetët…

         Vargu mori zjarr. Tata e Madhe e hodhi ferexhen. Shkopin. E nxorri vargun plumb nga brezi në mes të Shkupit:

 

       Koçia e Nuses na mbeti në rrugë - male

       Krushqit pas shtatë maleve me koçi

       U nisën ta marrin Nusen me këngë.

       Dhe, ende nuk janë kthyer në Katund.

       Dasëm të madhe bën Nëna në lëmë

       Babai me shokë qet pushkë te porta.

       Cucat në valle copë - copë i bënë dajret.

 

       Dasëm e madhe ende bëhet në Katund

       Krushqit dikush na i ka ngrirë mes maleve

       Koçia e Nuses na mbeti në rrugë. Male...

 

        Duartrokitjet jehuan si pushkë nën Rrap. Brohoritjet e forta nën hije pranë ujit që gurgullonte gur më gur. Zogjtë fluturuan degë më degë. Çarshisë së Vjetër nën ata gurë turku, i doli gjumi. Tata e Madhe, që përpiqej me shkop vite me radhë ta zgjojë nga gjumi, nën ata mure, minare mbi qyetet, tashti e çoi më këmbë vetëm me një plumb poezi...

        - Edhe një! Edhe një! Edhe një!... U dëgjuan zëra nga të pranishmit nën Rrap.

        - Jo. Mjaftë e keni një për këtë takim letrar se, nesër ndodhë të më shpallin të çmendur dhe rrasin në birucë. Hajmalinë e Hoxhës të ma varin përqafe si torbë kali me taxhi... Thonë: e kanë pushtuar xhindet... Natë e ditë e tërheqin nëpër Bit-Pazar. Rrugëve flet vetmevete, marrëzira... Ndodhë, të ha dru... Dru... Dru...

 



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora