E enjte, 14.11.2024, 06:27 AM (GMT)

Kulturë

Bilall Maliqi: Një monografi e veçantë me fotografi dhe fjalë

E enjte, 13.01.2011, 07:01 PM


NJË MONOGRAFI E VEÇANTË ME FOTOGRAFI DHE FJALË

 

(Dr. Jahi Staneci “Presheva në fotografi  dhe fjalë” (Monografi), Prishtinë 2010,    faqe, 109).

 

Nga Bilall MALIQI

 

Dr. Jahi Staneci përpos botimeve të disa veprave me karakter shkencor, pastaj librin me legjenda të titulluar “Legjendat e Karadakut”, këto ditë nxori në dritë një libër të veçantë për këtë trevë të populluar me shqiptarë, libër që llogaritet si i pari i  karakterit monografik për Preshevën e titulluar “Presheva në fotografi dhe fjalë”, botim autori, Prishtinë, 2010.

Ky libër i veçantë dhe i pari i këtij lloji kushtuar qytetit të Preshevës dhe ate në gjuhën shqipe në të cilën janë përfshirë tema nga më të ndryshmet, duke filluar nga veçoritë kryesore natyrore-gjeografike të komunës dhe zhvillimin historik e urbanistik të Preshevës dhe një laryshi temash të përfshira brenda kopertinave të këtij libri…

Në ballinë të librit janë fotot e /Hyjneshë në theroren e Zhunicës (shek. i IV e.r.) dhe Komuna e vjetër (rreth vitit 1880), për të kaluar në simbolin shpirtëror të komunës së Preshevës të vargëruar nga autori në të cilën shprehet kështu:

  

Udhëtar, ngado që vjen në Preshevë

Dorën ty ta shtrinë Presheva

Këtu je i mirëseardhur e i dashur

Shumë shpejt do të bëhesh preshevar

Nëse jo nga lindja, atëherë nga bujaria

            Mikpritja , shpirt e zemërgjerësia

            Eja, do të kesh lumturi, fat dhe shëndet

            O njeri i zotit, i ndershëm e fisnik!”

 

           (Simboli shpirtëror i njësisë së komunës së Preshevës, Dr. Jahi Staneci).

  

Laryshia tematike

 

            Libri fillon me parathënien e autorit  i cili shkurtimisht ka dhënë disa të dhëna për librin në vështrim përgjithësues.Temat që trajtohen  brenda kopertinave të këtij libri inetresant janë të ndryshme duke filluar nga  vështrimi i përgjithshëm fiziko-gjeografik i komunës së Preshevës, jep të dhëna të sakta dhe shumë profesionale për pozitën gjeografike, madhësinë e qytetit tonë si dhe kufinjtë përreth të shoqëruara me harta dhe fotografi të ndryshme të cilat kanë lidhëshmëri me tekstin paraprak si shpjegim plotësues. Përveq hartës  topografike të 1965, autori paraqet disa fotografi shtesë si: Stacionin hekurudhor , Autoudha E-75, Xhadeja e vjetër etj.

            Librin në fjalë e vazhdon tema tjetër me rëndësi si : Veçoritë e përgjithshme të relievit, në të cilën jep sqarime inetresante për relievin e komunës së Preshevës, duke përfshirë kështu edhe fushën e Miratocit dhe disa treva malore, jep shpjegime shumë të thukta për relievin e këtyre vendeve të lartpërmendura.

            Dr. Jahi Staneci nuk ndalet vetëm në këtë temë, por ai jep të dhëna edhe për  /Përbërjen gjeologjike të truallit/ , /Evolucionin tektonik dhe morfologjik/, / Veçoritë klimatike/, /Veçoritë hidrografike/, /Bota bimore/, /Bota shtazore/ të gjitha këto të shoqëruara edhe me foto të cilat e bëjnë librin edhe më tërheqës për lexim…

 

Presheva dikur dhe sot…

 

Libri vazhdon me zhvillimin historiko-gjeografik të shoqërisë njerëzore, në të të cilën autori bën një prezantim shumë interesant të zhvillimit historik në periudha të ndryshme të cilat janë të pasqyruara edhe me tabela sqaruese lidhur me vendbanimet më të mëdha në rrethinën e Preshevës, simbas  regjistrimit kadastral të viteve 1519-1570.

Një temë shumë interesante të cilën autori e sqaron në vazhdim është /Presheva/, emri, në të cilën ka dhënë sqarime shumë interesante rreth emrit të Preshevës. Autori jep tri hipoteza lidhur rrënjët e emrit Preshevë, pozitën topografike etj., të cilat gjithashtu kanë lidhëshmeri teksti me fotografitë e paraqitura në libër.

Në mesin e shumë fotografive, në libër kemi edhe fotografi interesante arkeologjike të gjetura dhe të fotografuara nga autori. Këto fotografi përbëjnë një histori të hershme të populluar në këtë trevë dhe përreth.

            Monografinë në fjalë e shoqërojnë edhe këto tema me rëndësi për lexuesit si:/Arkitektura dhe zhvillimi i qytezës së Preshevës/, /Zhvillimi i qytetit të Preshevës mbas Luftës së Dytë Botërore (1945-2010), ku me anë të dhënave të sakta jep një shpjegim për zhvillimin e qytetit të Preshevës nëpër kohë e të cilat i dokumenton edhe me paraqitjen e fotografive të lloj-llojshme, që lidhen me vite të ndryshme kur janë fotografuar vendet gjegjëse, pastaj paraqet edhe / furnizimin e qytetit me ujë/ etj.

Cikli tjetër i titulluar / Pamje nga komunikacioni dhe tregtia/ në të cilin me anë të fotografive shumë inetresante dhe tekstit, lexuesi do të njihet më përsëafërmi me vendet tregtare të komunës sonë të cilat autori i ka fotografuar duke ia bashkangjitur edhe zanafillën e këtyre objekteve tregtare me rëndësi. Më pas autori vazhdon edhe me zhvillimin e arsimit dhe aktivitetet e tjera kulturore të qytetit të Preshevës, shëndetësinë, gjithnjë duke i shoqëruar edhe me fotografi , pastaj obkjektet sportive dhe kulturore, folklorin e trevës së Preshevës.

Monografinë e përmbyll cikli tjetër i titulluar /Qyteti i Preshevës/ dhe /Rrugët e Preshevës/, në të cilat prezantohet Presheva me rrugët e saj në fotografi, në vite të ndryshme…

 

Monografi koherente

 

Për fund mund të themi lirisht se puna me përkushtim e Dr. Jahi Stanecit për nxerrjen në dritë të kësaj Monografie e cila padyshim se është e një rëndësie të veçantë për komunën tonë, sepse autori me pak fjalë e fotografi në këtë libër, Preshevën së bashku me vlerat e saj natyrore dhe kulturore-histrorike, i ka bërë  të pavdekshme, dhe si e tillë kjo monografi mbetet koherente, pra do të jetë aktuale dhe interesante për secilën kohë dhe situatë.

            Ky libër po të mos i kishte këto fotografi shumë të bukura do të kishte mbetur libër tekstual dhe për lexuesit e jashtëm pamjet e qytetit të Preshevës do të mbeteshin vetëm imagjinatë.

Kjo monografi do të jetë një udhërrëfyes për vendet, objektet me rëndësi të Preshevës, për lexuesit dhe turistë të mundshëm. Poashtu ky libër do t’u shërbej atyre që në të ardhmen duan të punojnë libra me karakter Monografik. Ky libër është shkruar me një stil të lehtë, të kuptueshëm  për secilën shtresë të lexuesve dhe si e tillë mbetet një vepër e rrallë popullore shkencore. Përpos vlerave të pakontestueshme që ka ky libër , poashtu i plotëson kriteret profesionale si në aspektin teknik dhe grafik. Libri përbëhet prej 310 fotografive të ndryshme të gjitha kolor dhe me pak tekst por mjaft domethënës….

 

                                                                  “Epoka e Re”, e martë, 11.01.2011



(Vota: 3 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora